Shkruan Arian Galdini
Në 30 korrik bashkuan 106 vota me Edi Ramën dhe e vulosën Kodin Elektoral si e deshën së bashku. Prej asaj dite u duhet të nxitojnë të vjelin frytet e asaj që mbollën në ditën e fundit të Sesionit të shkuar Parlamentar. E dinin shumë mirë çfarë vjeshte po vinte. E dinin shumë mirë çfarë afatesh ligjore po maturohen e çfarë çështjesh nuk mund të shtyheshin më as nga Gjykatat, as nga Prokuroria e as nga SPAK-u.
Ndaj ai Grupi i Përbashkët i Punës 3 e 3, mes Gjiknurit me 2 të tijtë dhe Bylykbashit me 1 të Berishës e 1 të Metës në krah, ka shqyrtuar gjithçka e ka skanuar çdo mundësi e për rrjedhojë, e kanë përcaktuar agjendën e 2 viteve të ardhshme politike në vendin tonë. Çfarë ndodhi me Ervin Salianjin, nuk ishte rrufe në qiell të pastër.
Kot bëjnë teatër. Të gjithë e dinin që nuk mund të shtyhej më tej ajo lojë. Ervin Salianji thjesht ka pasur rastin këtë javën që lamë pas, që të bëhet testi i parë i një serie provash e përpjekjesh që do të bëhen nga Grupi i Përbashkët Politik PS – PD – PL, për të ruajtur mbizotërimin politik në Shqipëri edhe përtej 2025.
Përtej heroifikimit që iu bë kudo e ngado në çdo studio televizive e në të gjitha rrjetet sociale të çdo politikani opozitar apo edhe të këtyre “udhëheqësve të rinj popullorë” të partive të reja antisistem, e hëna e kësaj jave të re dëshmon se ai do të harrohet shpejt.
Shumë më shpejt se edhe ai vetë e ka menduar. Zjarri i karrigeve të Parlamentit flet për dijeni të tjera e për tym në të tjerë oxhakë. Ndryshimi kësaj radhe qëndron në faktin se nuk është më opozita ajo që po planifikon e organizon protestat apo ngjarjet. Jo. Prej 20 shkurtit të kaluar, kemi Grupin e Punës të Përbashkët PS – PD – PL, që ka në dorë e administron dhe lehtëson gjithçka.
Askush nuk e beson se një deputet, cilido qoftë ai, ka guxim e kurajë të nxjerrë e djegë karrige të Kuvendit të Shqipërisë pa dakordësim me palën që qeveris vendin.
Sidomos kur ne e dimë mirë që, të gjithë deputetët e pas 2008, janë thjesht personel dhe jetojnë me “rimbushje” nga qeveria e radhës. Kur sheh këtë opozitën cezariane, që bën thirrje për luftë, nuk mund mos të qeshësh me të madhe.
Heronjtë e opozitës sot janë Ervin Salianji, Luan Baçi, Luçiano Boçi, e të tjerë të kësollojshëm, të cilët janë të bindur se qeveria socialiste dhe Edi Rama i ka tmerr e lemeri. Cezarët e luftës opozitare pasi kanë lyer flokët dhe veshur pazmoren e betejave, dalin e vringëllijnë “shpatat e tyre” tmerronjëse në çdo studio televizive e madje edhe nga qelia e Fierit. Qeveria po struket, por malet e çukat e gërxhet i ka marrë Ilir Meta, kushedi se pse.
Këtej e tutje me këta heronj cezarianë opozitarë fitoret janë të sigurta mbi çdo karrige, poç e pllakë e madje edhe mbi goma e xhama vërdallë rrugëve të Shqipërisë. Grupi i përbashkët Gjiknuri – Bylykbashi, do kujdeset që edhe benzina, edhe molotovët e madje edhe mjete të tjera që do të përdoren, të jenë të cilësisë më të mirë.
Tek e fundit, këta të dy që po kordinojnë luftën nga “çadra” e grupit të përbashkët, e dinë që pasi të mbarojë i gjithë teatri, i fusin së bashku një rrugë Washingtoni për t’u lutur herë me Gaz Bardhin e herë pa Gaz Bardhin dhe sjellin paqen e madhe dhe Edi Rama vazhdon detyrën si KM e Lider Global, ndërsa Doktorit i garantohet se mbetet i vetmi dhe i pakonkurrueshmi këndej nga opozita.
Në këtë mënyrë PS dhe PD vijojnë të sundojnë të qeta shqiptarët edhe në shumë vite më tutje. Nëse Cezari mbahet mend si fitimtar që kudo që shkonte, fitonte e deklaronte: Vini Vidi Viçi, në Shqipëri opozita jonë luftarake është katandisur në opozitën Vini Baçi Boçi…