Kreu Blog Faqe 23

Luigj Alija: ‘Studentët dhe brezi i ri duhet ta dëgjojnë dhe këndojnë ahengun dhe këngën qytetare shkodrane. Semiotika e këngëve të Luigj Alisë’

0

Në traditën muzikore të Shkodrës familja Alija lidhet me një mjedis të fortë kulturor dhe artistik, ku muzika qytetare ka qenë një element identitar i rëndësishëm. Në këtë kontekst mund të bëhet edhe një interpretim semiotik i këngës dhe interpretimit të tij. Në planin semiotik, këngët e Luigj Alijës mund të interpretohen si shenjë e traditës urbane shkodrane. Në këtë traditë, zëri i këngëtarit nuk është vetëm instrument muzikor, por një simbol i identitetit qytetar. Kënga qytetare e Shkodrës zakonisht mbart kode emocionale si: nostalgjia, dashuria e përmbajtur dhe eleganca e komunikimit artistik.
Zëri funksionon si shenjë e ndjeshmërisë urbane.
Teksti poetik përçon kodet e kulturës qytetare (dashuri, kujtim, melankoli).
Melodia krijon një simbolikë të kujtesës kolektive të qytetit.
Në këtë kuptim, interpretimi i tij lidhet me modelin e këngës qytetare shkodrane që përfaqësohet nga figura si Bik Ndoja, ku kënga shndërrohet në një narrativë emocionale të jetës qytetare dhe të kulturës së Shkodrës. Në planin semiotik, figura e Luigj Alijës mund të shihet si:
një shenjtues i traditës familjare muzikore,
një mbartës i kodit estetik të këngës qytetare shkodrane,
dhe një zë që vazhdon simbolikën kulturore të qytetit të Shkodrës.
Luigj Alija, këngëtar nga Shkodra dhe vëllai i Justina Alijës, mund të shihet në planin semiotik si një interpretues që përfaqëson kodet kulturore të këngës qytetare shkodrane. Në këtë traditë, zëri i këngëtarit funksionon si shenja e identitetit urban, ndërsa interpretimi bart elemente të nostalgjisë, dashurisë dhe elegancës shpirtërore që karakterizojnë kulturën muzikore të Shkodrës. Në këngët e tij, melodia dhe fjala poetike krijojnë një sistem shenjash që lidhen me kujtesën kolektive të qytetit. Kënga nuk është vetëm akt muzikor, por edhe simbol i trashëgimisë kulturore familjare dhe qytetare, ku përmes zërit transmetohet një ndjenjë e traditës dhe e përkatësisë artistike

………

1. Bixhi ku keni filluar të këndoni për herë të parë?
1. Në vitin vitin 1974. Kam filluar të këndoj në shtëpinë e Kulturës së Shkodrës me motrën Justinën. Aty takuam të ndjerin kompozitorin Gjon Kapedani. Justi i thotë, professor Gjonit, vëllau ka dëshirë me këndu në Korin e shtëpisë së kulturës. U ulëm në piano. Profesor Gjoni, mbasi më provoi me disa nota muzikore, u bind që kam zë dhe intonacion për të kënduar në Korin e shtëpisë së kulturës.
2. Po cili ka qenë mësuesi juaj i parë, që ju ka mësuar të këndoni?
2. Mësuesi im i parë ka qenë, kompozitori dhe violinisti Tonin Daija në Shtëpinë e pionierit të Shkodrës.
3. Cfarë është për ty këndimi dhe çfarë këngësh ju pëlqejnë të këndoni?
3. Këndimi për mu është kënaqësi, qetësi dhe motivim shpirtëror e kulturor. Më kanë pëlqyer këngët popullore shkodrane dhe këngët italiane, të ndjekura nga RAI, këngëtarët e moshës sime.
4. Cfarë mund të thoni për Grupin ‘Karajfilat që ka Shkodra’ dhe aktiviteti me këtë grup?
4. Ka qenë një kënaqësi e veëantë pjesmarrja në këtë grup muzikor koral. Kemi kënduar në aktivitete të ndryshme të zhvilluara në Shkodër, në media radio, TV dhe në estradën e ‘Teatrit Migjeni’.
5. Ju keni kënduar në Korin e shtëpisë së Kulturës, na thoni diçka ndonjë përshtypje për këtë formacion koral.
5. E kemi kaluar shumë bukur me të gjithë koristët. Para viteve 90te, me të vërtetë ka sunduar ideologjia e kohës, por kemi kënduar edhe këngë popullore dhe kantata me karakter qytetar dhe patriotik. Muzika mbijeton mbi ideologjitë dhe diktaturat.
6. A keni kenduar në festivalet e Radio Televizionit Shqiptar, cilën këngë?
6. Pa kam marrë pjesë në një festival të radios deri në provën gjenerale. Më larguan ditën e çfaqjes. Regjizor ishte Mevlan Shanaj. Në komision, juri ishin edhe disa shkodranë, nuk po i përmendi. Më thërret drejtoresha Lirije Celi dhe më thotë se nuk do të këndosh me një argument absurd. Jam zhgënjyer shumë por kështu ishte koha. Këngën e kishte kompozuar Aleksandër Lalo dhe e këndonte edhe Suzana Qatipi.
7. A keni kënduar me motrën tuaj artisten e mirënjohur Justina Alija?
7. Po kemi kënduar një duet të kompozitorit Xhavit Ujkani. Kënga titullohej: ‘Motrës sime’. Ishte një kënaqësi e veçantë.
8. Cfarë mendoni për Ahengun e Shkodrës dhe këngën qytetare shkodrane?
8.Këngët e qytetit të Shkodrës janë një mrekulli, pasuri shpirtërore e qytetit tonë. I kam kënduar me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi, në ambiente familjare, dasma gëzime familjare dhe në skenë.
9. A mendon se studentët e Universitetit Luigj Gurakuqi duhet ta njohin dhe këndojnë ahengun dhe këngën qytetare shkodrane?
9. Studentët dhe brezi i ri duhet ta dëgjojnë ahengun dhe këngën qytetare shkodrane dhe pse jo ta këndojnë atë në gëzime familjare dhe ambiente publike, të njihen me tekstet janë me shumë kuptim dhe transmetojnë dashurinë për Shkodrën dhe njerëzit.
10. Sëbashku me disa instrumentistë nga Shkodra kemi marrë pjesë në disa dasma dhe ambiente familjare, a ju kujtohet diçka e veçantë?
10. Po patjetër, më kujtohet, ka qenë një kënaqësi e veçantë. Kemi kaluar shumë mirë. Tromba është një instrument i njohur në Shkodër dhe ka një tingull të veçantë, krijon atmosfere pozitive.
11. A ju kujtohet kur kemi këndur në pedonalen e Shkodrës para disa vitesh. Cfarë emocionesh keni ndjerë?
11. Ishte mrekulli, jashtëzakonisht bukur. Kalimtarët kalonin dhe na përshëndetnin, duke na vlerësuar. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Lekë Plani dhe Dritan Mlika.
12. Në aktivitetin që do të zhvillojmë në Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’, me studentët çfarë kënge do të këndoni?
12. Do të këndoj këngën e kompozitorit Leonard Deda: ‘Kur gjethet binë ne vjeshtë’, në tonalitetin re minor, që është një serenatë shumë e bukur, tango bolero.

Intervistoi: Qamil Gjyrezi

Sistemi politik në një ngërç të plotë

0
Shkruan Zef Ndreka
– Bllokadë e fortë institucionale në Kosovë.
“Dështimi i zgjedhjes së presidentit nuk ishte rastësor, por shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar.
Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme.”
Kjo është deklarata e fundit e Vjosa Osmanit që shigjeton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti. Pikërisht në momentin e rëndësishëm politik në Kosovë, ku për herë të parë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë presidentja në largim i atribuon përgjegjësinë për krizën institucionale pikërisht forcës politike që e ka dominuar skenën politike në vitet e fundit.
Duket qartë se rruga e tyre nga bashkëpunimi politik, ka përfunduar tashmë në përplasje institucionale, pavarësisht se ironia e kësaj situate vjen nga fakti se Vjosa Osmani u bë presidente me mbështetjen e Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit.
Qartazi në atë kohë, u krijua ideja e një aleance të fortë politike mes tyre, ku presidenca dhe qeveria vepronin në një linjë të përbashkët politike. Por zhvillimet e fundit tregojnë një prishje të thellë të këtij raporti, ku deklarata e Osmanit se vendi u soll në këtë situatë nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme” është një akuzë e rëndë politike, e cila nënkupton se kriza nuk ishte thjesht rezultat i mungesës së konsensusit, por një strategji e qëllimshme për të prodhuar bllokadë institucionale, që lidhet me krizën e zgjedhjes së presidentit si krizë politike.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit është një proces që kërkon shumicë të cilësuar dhe në faza të caktuara shumicë të thjeshtë parlamentare. Nga kjo frymë, dështimi i zgjedhjes së presidentit u shndërrua në një krizë politike që mund të çojë në ndryshim balancash neser.
Dhe kështu ndodhi. Me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Osmani ka pranuar se sistemi politik kishte hyrë në një ngërç të plotë dhe po përpiqet të distancohet nga përgjegjësia politike, duke theksuar se vendimi ishte një detyrim kushtetues dhe jo një zgjedhje e saj politike.
Nga leximi i mesazhit politik të presidentes Osmani, shohim se ka disa elemente kryesore për tu theksuar.
Së pari, distancim nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën Osmani po përpiqet të mos identifikohet më politikisht me partinë që e solli në pushtet.
Së dyti, transferim i përgjegjësisë, në të cilën theksohet se kriza ishte e kalkuluar, duke e vendosur barrën politike mbi qeverinë dhe shumicën parlamentare.
Së treti, pozicionim për të ardhmen politike, duke qenë se mandati i saj po përfundon dhe ky qëndrim mund të shihet edhe si përpjekje për të ruajtur profilin e saj politik për të ardhmen.
Lind pyetja:
A ka pasoja politike dhe cilat janë ato?
Sigurisht, kjo përplasje ka disa pasoja të pritshme që lidhën me dobësimin e unitetit institucional që Vetëvendosje ka promovuar me vite. Po ashtu, do të ketë një hapje debati për përgjegjësinë politike të krizës politike. Gjithashtu do të kemi ripozicionim të figurave politike për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sigurisht që presidentja Osmani e ka të mbështetur me argumente konkrete “planin e kalkuluar” nga Albin Kurti. Kështu që kjo linjë do të shndërrohet në debat të fortë politik gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore.
Gjithsesi, kjo situatë tregoi paradoksin e madh të politikës kosovare, në të cilën presidentja që u zgjodh me votat e Vetëvendosjes po e akuzon sot atë forcë politike se e ka çuar vendin drejt krizës institucionale, gjë që tregon se krizat politike në Kosovë nuk janë vetëm përplasje mes pushtetit dhe opozitës, por edhe konflikte brenda vetë blloqeve politike që kanë qeverisur vendin.

Kushtetuesja ndalon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, vendos masë të përkohshme deri në fund të muajit

0

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri në fund të këtij muaji ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se vendimi është ex officio dhe se ai ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Gjykata tha se masa vlen deri në vendosjen e rastit nga ajo dhe se ajo “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, pasi e shpërndau Kuvendin përmes dekretit, i cili u kundërshtua në Kushtetuese nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.

Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Edi Rama i përgjigjet “dhëmbë për dhëmb” SPAK-ut: Nuk e lëshojmë Belindën

0

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama duke folur kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku theksoi se parlamenti nuk mund të bëhet bashkëautor në krijimin e një populli të paraburgosur, duke kërkuar që çdo proces të vijë i mbështetur nga prova të qarta.

Rama ia bën të qartê SPAK-ut se PS-ja nuk do të votojë për arrestimin e deputetëve pa argumente të forta nga organi i akuzës.

“Këtu prokurori kërkon e gjykatësi vrapon. Në emrin tonë, jo. Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijë në Kuvend, jo imunitetin, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit, ndaj përgjimit, ndaj procesit penal për askënd nga ne që jemi këtu. Ne të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumente, çfarë jemi ne, bashkëautor në krijimin e popullit të të paraburgosur në Shqipëri.

Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. Ti vish Kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejën reformës në drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni ç’keni për të bërë. Dinjiteti i Parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, tha Rama.

Edi Rama i ashpër me kryetarin e Dhomës Amerikane: I ka bërë llogaritë gabim, kush po bllokon…

0

Kryeministri Edi Rama komentoi sot para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me projektin strategjik të portit të Porto Romanos në Durrës, pas kërkesës së Dhomës Amerikane të Tregtisë për rishikim të tenderit.

Rama theksoi se projekti është një nga proceset më të ndërlikuara infrastrukturore që qeveria ka realizuar dhe se përpjekjet për ta penguar janë të kota.

“Dua të them dy fjalë për Porto Romanon. Është një plan strategjik që ka krijuar xhelozi dhe rezistencë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ky është një proces shumë i sofistikuar, me pjesëmarrje globale, monitoruar nga konsulenti Royal Haskoning dhe i shoqëruar nga një garë e jashtëzakonshme, por edhe me armiqësi ndaj projektit. Ata që po e luftojnë, ata që nuk po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar, i kanë bërë llogaritë gabim – projekti do bëhet!” deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se qeveria nuk ka plan B vetëm për Bashkimin Evropian, ndërsa për çdo çështje tjetër është e gatshme të veprojë sipas planit C.

Ky reagim vjen pas letrës publike të kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleeve, i cili kërkoi shtyrjen e tenderit për Porto Romanon. Van Cleeve argumentonte se projekti aktual i portit është shumë i kufizuar për të shfrytëzuar potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe paralajmëronte se vendi mund të humbasë mundësinë për t’u bërë një qendër kryesore logjistike në Ballkan nëse porti ndërtohet sipas planit aktual.

Rama e konsideroi projektin vendim strategjik për vendin dhe garantoi se ai do të realizohet sipas planit të qeverisë, pavarësisht nga presionet apo kërkesat për rishikim.

OSFA Orkestra Simfonike, me Haydn dhe Schumann, tinguj të rinj simfonikë që ‘lidhin zemrën dhe mendjen’, në Teatrin “Migjeni”

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura luajti mbrëmë në Shkodër më 28 Shkurt, në Teatri “Migjeni”, dy vepra shumë të njohura të repertorit klasik, Haydn – ‘Simfonia Concertante’ dhe Schumann – ‘Simfonia Nr. 2’ . Të dyja veprat e mëdha klsike, simfonitë kërkojnë nivel të lartë teknik dhe muzikor nga isntrumentistët dhe dirigjentët. Simfonia është niveli më i lartë i lojës së muzikës.

Një simfoni është një kompozim muzikor i zgjeruar në muzikën klasike perëndimore për orkestër. Kur orkestra luan simfoni, këkon nivel të lartë teknik dhe formim muzikor. Koncerti mbrëmë ishte një ngjarje ‘fantastike’ muzikore, mbasi në Shkodër nuk është luajtur prej vitesh një zhanër si simfonia. Aftësia dhe fuqia artistike e ‘Osfa Orkestra Simfonike’ është se janë të gjithë instrumentistë të rinj, të pranuar me një konkurs prej një jurie me 9 personalitete të muzikës shqiptare dhe bëjnë prova, koncerte dhe audicione një herë në vit. Një rol të madh ka në krijimin e këtij formacioni muzikor, ka edhe violonçelisti i njohur Arben Skëndëri. Në titull shkruajta me ‘tinguj të rinj’, falë moshës, talentit muzikor, organizimit, studimeve, instrumentistët e rinj te kësaj orkestre, me aftësitë dhe pasionin që ka një muzikant i ri, për të interpretuar muzikë.
Në pjesën e parë, orkestra simfonike luajti nga Joseph Haydn, ‘Simfonia koncertante’ me solistë katër spalat e O.S.F.A-së, Violinë – Xhudi Dodaj, Cello – Remino Sula, Oboe – Gëzim Toskaj, Fagot – Erald Ibraliu dhe Dirigjent Harlen Nikolli në një interpretim shumë të angazhuar e me nivel të lartë instrumental dhe artistik. Violinistja Dodaj luante solo shumë mirë teknikisht dhe muzikalisht dhe me stil dhe tingull të lartë klasik. Remino Sula luante në V/Cello shumë pastër dhe me emocion e tingull të veçantë. Kurse oboisti Toskaj dhe fagotisti Ibraliu luanin në instrumentët e tyre me tingull dhe teknikë brilante. Sinfonia Concertante u drejtua me shumë profesionalizëm nga dirigjenti Harlen Nikolli.
Sinfonia Concertante në Si♭ maxhor nga Joseph Haydn u kompozua në Londër midis shkurtit dhe marsit 1792. Besohet të jetë një përgjigje ndaj veprave të ngjashme të kompozuara nga Ignaz Pleyel, një ish-student i Haydn-it, të cilin gazetat londineze e promovonin si një ‘rival’ të Haydn-it.
Ne pjesen e dytë të koncertit orkestra luajti nga Robert Schumann – Simfonia Nr. 2 me dirigjent Laerti Qazimi. Simfonia në Do maxhor nga kompozitori gjerman Robert Schumann u botua në vitin 1847 si Simfonia e tij Nr. 2, Op. 61. Simfonia i kushtohet Oscar I-rë, mbretit të Suedisë dhe Norvegjisë. Schumann filloi të skiconte simfoninë më 12 dhjetor 1845 dhe kishte një draft të plotë të të gjithë veprës deri më 28 dhjetor. Depresioni dhe shëndeti i tij i dobët, përfshirë zhurmën në veshë, e penguan atë ta përfundonte veprën deri më 19 tetor. Shkruajta pak informacion për Simfoninë 2-të Robert Schumann, mbasi është një vepër e plotë dhe shumë e njohur për skenën europiane dhe botërore. Simfonia 2-ts e Schumann është e përbërë nga koha e I-rë Sostenuto assai – Allegro, ma non troppo, koha e II-të Scherzo: Allegro vivace, koha e III-të. Adagio espressivo, dhe koha IV-tët Allegro molto vivace. Orkestra e luajti nën drejtimin e Laerti Qazimit simfoninë 2, të Schumann me nivel shumë të lartë, artistik dhe kulturor. Koha e I-rë fillon me një korale të ngadaltë me instrumentët e tunxhit, elementë të të cilit përsëriten nëpër këtë kohë. Koha e II-të është një skerco në Do maxhor me dy trio, pjesa kryesore e të cilave thekson fuqishëm akordin e zvogëluar. Koha e III-të është një kohë sonate në Do minor, me karakterin e një elegjie, pjesa e saj e mesme ka një ‘teksturë të fortë kontrapunktike’. Finalja është në një formë sonate të trajtuar shumë lirshëm, tema e saj e dytë lidhet me temën hapëse të Adagio-s. Koralja e ngadaltë me instrumentët e tunxhit në kohën e I-ë, skerco në Do maxhor me dy trio në kohën e II-të, sonate në Do minor, me karakterin e një elegjie në kohën e III-të dhe finalja e simfonisë në formë sonate, u drejtuan dhe u luajten shumë mirë muzikalisht dhe teknikisht nga dirigjenti Laerti Qazimi dhe instrumentistët e orkestrës. Koncerti i mbrëmshëm ishte ishte me një nivel të lartë për nga përzgjedhja e repertorit dhe loja e instrumentistëve dhe dirigjentëve. Publiku jo vetëm i Shkodrës , por në të gjithë Shqipërië e kanë të nevojshme dhe të domosdoshme kryesisht të rinjtë të dëgjojnë dhe të marrin pjesë në koncerte me nivel të të tillë. Muzika urbane ka ndikuar shumë negativisht tek publiku, duke sunduar estetikisht dhe kulturalisht. Një koncert i kësaj natyre në çdo vend të BE-së, ndiqet me shumë vëmendje dhe kënaqësi, biles spektatori duhet të blejë një biletë që kushton deri në 50 Euro. Përkundrazi mbrëmë koncerti në Teatrin ‘Migjeni’ ishte falas dhe salla shume komode e teatrit ishte me ngrohje. Të gjithë institucionet e kulturës, universiteti, shkollat e mesme, sidomos shkolla artistike ‘Prenk Jakova ‘, duhet të punojnë me të rinjtë duke edukuar muzikën klasike, krahas zhanreve të tjera moderne, mbasi ka ndikim të madh psikologjik dhe qytetar.
Johann Wolfgang von Goethe shkruante se: ‘Muzika klasike shpesh përshkruhet si “arkitekturë e lëngshme” (Goethe) ose “shkurtim i emocioneve”, duke ofruar një strehë të përjetshme dhe emocionale. Thënie të famshme nxjerrin në pah fuqinë e saj për të “larë nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme” dhe rolin e saj si një gjuhë universale që lidh zemrën dhe mendjen’.

Lufta me zjarrin anti USA i dërgon kombet në ferr!

0

Shkruan Kujtim Gjuzi

Shqiptarët duhet të mbajnë besim apsolut me USA.
Aleksandri Madh 33 Vjeç “pushtoi Persët” Irani sot, i mori me dialog e largoi mbretin DARI sot iranianët pasardhësit e persëve nuk ulen për bisedimet USA por ata po shtyjnë popullin e tyre të piqet në Zjarr.
Ajetollai kërkoi “martirizim” personal, pasi amerika e vendosi në pushtet rregjimin e tij më 1979 për të luftuar kundër komunarve dhe ai, zgjodhi zjarrin me amerikën, zgjodhi të digjet vetë në zjarrin USA
“Nëse nuk lufton të mbrosh familjen, prona e ullinjt e t’u bëjnë mirë bota që ti marrin”
Thënie nga :
Ali Pasha Beçisht Tepelena Veziri Janinës 44 Vjet.
USA dhe Donald J TRUMP po lufton të mbrojë USA qytetarët e saj sepse komunizmi po e rrethonte, po e rrezikonte, në Veri Lindje Kanada në Arktik Rusia, në Jug Perëndim Kuba, Meksika, Venezuela – Kolumbia – Brazil dhe e gjithë Kina komuniste &Co.
Presidentin amerikan dy herë tentuan për ta vrarë.
Atëherë :
Doni zjarrin e luftës , nuk deshët (Bordin për Paqe) ju Europianë, o derdimenë , ju komunarë, atëherë çfarë prisnit ? T’u hidhte bombën Atomike Ajetollai me Gardën lslamik Iranian Republikë Krimi ?!
Nëse nuk percepton rrezikun ik mos u merr më me politikën dhe drejtimin e shtetit.
Le të vijmë në historinë Pellazgo – Albane.
1999 Vjet kishim humbur trojet tona nga pushtimi Romak deri te Ygosllaia e Greqia.
UÇK zgjidhi problemin me zjarrin e luftës për liri.
UÇK riktheu shpresë, liroi trollin e okupuar Dardan.
Shqiptarët në dardani duhet të kenë vëmëndje të jenë vetëm me USA sepse amerika bombardoi në Beograd për t’u mbrojtur ju islsamikë, ju idiotë që bëni dua kundër Tramp që mbron Republikën e Kosovës. Turp.
Po liria ka emër.
USA – UÇK- Albania 1999 – 2007 në Tiranë u shpall Kosova Republikë.
Po po ruajtja e lirisë ka emër.
Donald J Trump deklaroi botërisht në bordin për Paqe :
VJOSA nëse ke një problem më telefono jemi ok.
Ju Juristë shakllabana në Republikën e Kosovës që nuk mbështesni dekretin ShSZnj. Vjosa Osmani, ju akuzoj, jeni ju ish spiunë e UDBs dhe spiunë BIA Serbe. Ju islamikë që nuk jeni me USA jeni kundër kombëtarë, shkoni rrugën hapur e keni ikni si idiotë me ISIS ej tash shkoni tek Mullahët e Gardës Iranit.
USA aleat i vetëm strategjik i Shqiptarëve 100 Vite.
Shkëlqesi Gjyqtarë Kushtëtues të Republikës së Kosovës tregoni karakter kredibilitet Alban, ruani votën, qytetari merr vendim, mbroni dekretin presidencial ShSZnj. Vjosa Osmani Sadriu, e vetme shqiptare mike strategjike e presidentit Donald J Trump.

Roli i fortë në diplomaci dhe rivaliteti për lidër në Kosovë

0

Shkruan Zef Ndreka

Kështu mund të përmblidhen momentet delikate institucional në Kosovë, të cilat mund të shihet në disa plane. Në planin kushtetues, në planin politik dhe në planin strategjik.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot është një nga figurat më të rëndësishme politike në Kosovë që nga viti 2021, kur u zgjodh presidente me mbështetjen vendimtare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Albin Kurti. Marrëdhënia mes tyre ka qenë shpesh bashkëpunuese, por edhe e ndjeshme politikisht.
Pyetja sot është:
A e ka zbatuar Kushtetutën presidentja për shpërndarjen e parlamentit?
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti nuk e shpërndan automatikisht parlamentin, por këtë mund ta bëjë në disa rrethana, kur nuk arrin të formohet qeveria, ose kur parlamenti dështon të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues.
Në rastin konkret të shpërndarjes së parlamentit, interpretimi juridik mund të jetë ky:
Nqs afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit ose krijimin e institucioneve kalojnë, presidenti ka detyrim të garantojë funksionimin kushtetues.
Shpërndarja e parlamentit në këtë situatë konsiderohet instrument për të rikthyer sovranitetin tek qytetarët përmes zgjedhjeve.
Kështu pra, formalisht mund të argumentohet se është në përputhje me Kushtetutën, por në Kosovë këto vendime shpesh interpretohen politikisht, jo vetëm nga ana juridike.
Me këtë akt të fortë, të diktuar nga situata e krijuar dhe në zbatim të kushtetutës, por edhe nga sjellja disavjeçare e presidentes së Kosovës, lind pyetja tjetër:
A është penduar Vjosa Osmani për përplasjen me opozitën?
Sido qoftë, kjo për mendimin tim, është më shumë çështje perceptimi politik sesa fakt i deklaruar. Sepse, para se të bëhej presidente, Osmani pati përplasje të forta me partitë tradicionale si Lidhja Demokratike e Kosovës,
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Si presidente, ajo është përpjekur të mbajë profil më institucional, por shumë kritikë vazhdojnë ta quajnë e afërt me Vetëvendosjen. Dhe nuk ka asnjë shenjë publike që ajo të ketë shprehur pendesë politike, por është e dukshme që në disa momente ka tentuar të ruajë një autonomi më të madhe institucionale.
Por në të vërtetë, a ka përplasje sot mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit?
Mes tyre ende nuk ka një konflikt të hapur publik, por mund të përmendim disa arsye potenciale tensioni.
E para, ambicia politike.
Osmani është një nga figurat më të popullarizuara në Kosovë.
E dyta, balanca institucionale, ku presidenti duhet të jetë mbi palët, ndërsa Kurti drejton shumicën.
E treta, roli ndërkombëtar, ku Osmani ka marrë shpesh rol të fortë në diplomaci, gjë që mund të krijojë rivalitet simbolik për lider.
Megjithatë deri tani ata duket se kanë ruajtur bashkëpunim publik, sepse të dy kanë interes të ruajnë stabilitetin politik.
Pyetja tjetër:
A mund të shkojë Kosova në zgjedhje të reja?
Unë mendoj se po, do të shkoje dhe ky është një skenar i mundshëm, sepse dështoi zgjedhja e presidentit, krijohet krizë parlamentare, dhe automatikisht bie qeveria.
Megjithatë në Kosovë, VV po përpiqet ta shmangin këtë situatë, sepse zgjedhjet e shpeshta krijojnë pasiguri politike, ndikojnë në dialogun me Serbia dhe marrëdhëniet me partnerët perëndimorë.
Kështu, vendimi i presidentes mund të argumentohet si kushtetues, por është i debatueshëm politikisht dhe zgjedhjet e reja janë të mundshme edhe pse po tentohet të konsiderohen opsioni i fundit.

Aleanca e çuditshme Rama-Vuçiç: Një “pazar” autokratësh për një integrim gjysmak në BE?

0

Ndërsa vëmendja globale mbetet e mbërthyer pas zhvillimeve në Iran, në Ballkan po ndodhin lëvizje delikate, por me peshë të madhe strategjike. Dy janë zhvillimet kryesore. Së pari, administrata Trump po braktis parimin e “ndërtimit të shtetit” (state-building), duke preferuar që liderët vendas të marrin vendime sovrane për fatin e tyre.

Së dyti, Shqipëria dhe Serbia duket se kanë zgjedhur vullnetarisht një integrim gjysmak në Evropë, me shpresën se BE-ja do të kopjojë qasjen amerikane të mosndërhyrjes. Zhvillimi i dytë, ilustron qartë rrezikun e propozimit të parë: gjithçka varet nga kush janë këta “udhëheqës endas”.

Nëse ata janë politikanë që i tremben llogaridhënies, ata do të zgjedhin një rrugë që eliminon kontrollin e jashtëm mbi pushtetin e tyre.

Një model “alla-zviceran”, por pa demokracinë e saj

Ajo që synojnë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është një qasje e shpejtë në Tregun e Përbashkët dhe zonën Shengen, duke hequr dorë nga e drejta e vetos dhe privilegjet e tjera që gëzojnë anëtarët e plotë të BE-së.

Ky model do të ishte i krahasueshëm me marrëveshjet e BE-së me Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë apo Zvicrën. Megjithatë, për këto vende ky model funksionon sepse ato i plotësojnë kërkesat e anëtarësimit, por zgjedhin mospërfshirjen politike për arsye sovrane. Arsyet e tyre nuk përfshijnë mbrojtjen nga llogaridhënia, e cila është shtylla e shtetit në të gjitha këto vende. Në rastin e dyshes Rama-Vuçiç, ky model kërkohet pikërisht si mburojë ndaj kontrollit demokratik.

Një partneritet i çuditshëm

Është paradoksale që kryeministri shqiptar Edi Rama të bashkëpunojë kaq ngushtë me presidentin serb Vuçiç pikërisht në këtë moment. Serbia ka mbetur pas në garën integruese. Që pas zgjedhjes së tij mbi një platformë pro-BE në vitin 2017, Vuçiç nuk ka bërë asgjë për të ruajtur avantazhin e Serbisë.

Madje edhe politikanët skeptikë ndaj BE-së në Malin e Zi e kanë tejkaluar Beogradin në reforma. Vuçiç është fokusuar në forcimin e lidhjeve të sigurisë me Rusinë dhe zgjerimin ekonomik drejt Kinës, duke refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Brenda vendit, ai ka “avulluar” opozitën liberale, mediat e pavarura dhe sundimin e ligjit, duke shtypur protestat qytetare kundër dhunës dhe korrupsionit. Freedom House e rendit Serbinë si një vend “pjesërisht të lirë”, me një tendencë rënieje të vazhdueshme.

Nga aa tjetër Shqipëria, ka ecur përpara në garën për anëtarësim, megjithëse edhe Rama e ka dobësuar pjesërisht opozitën atje. Edhe pse Shqipëria renditet si “pjesërisht e lirë”, ajo ka shënuar rritje progresive.

Pyetja që duhet bërë është: pse Rama do të hiqte dorë nga ky pozicion kryesor, në këmbim të një integrimi gjysmak krah Vuçiçit? A është ai i shqetësuar se fokusimi i vazhdueshëm i BE-së te llogaridhënia do ta ndjekë penalisht edhe atë?

Kurthi i “vullnetit vendas”

Amerikanët nuk gabojnë kur kërkojnë që njerëzit vendas të vendosin për fatin e tyre. Por rezultati varet nga fakti se kush pyetet. Nëse pyet Vuçiçin dhe Ramën, ata preferojnë mungesën e përgjegjësisë para tryezës së përbashkët në Bruksel.

Unë jam i bindur se studentët që protestojnë në Beograd apo evropianistët seriozë në Tiranë nuk do ta mbështetnin këtë propozim. Rasti që administrata Trump të deklaronte qasjen e saj “të re” ishte 30-vjetori i Marrëveshjeve të Dejtonit.

Ato sollën paqe në Bosnjë, por shpesh kritikohen se u imponuan. ‘Sekreti i ndyrë”, është se amerikanët në Dejton imponuan atë që liderët ndërluftuese (“njerëzit vendas”) thanë se do

ta pranonin: një kushtetutë që garantonte pushtetin e nacionalistëve etnikë.

Ky është sërish rreziku i sotëm: një pragmatizëm që i fuqizon autokratët në dëm të vlerave demokratike. Trump nuk është një lider që e vlerëson demokracinë, nëse ajo nuk garanton fitoren e tij ose zbatimin e urdhrave të tij.

Ballkani meriton një anëtarësim të vërtetë në bllok

Serbia dhe Shqipëria meritojnë më mirë. Po ashtu edhe Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ato duhet të këmbëngulin për “gjënë e vërtetë”: anëtarësimin në BE, i fituar duke përmbushur të gjitha kërkesat e Acquis communautaire dhe kriteret e Kopenhagës.

Dritarja e mundësive po afrohet. Islanda po shqyrton një referendum mbi anëtarësimin dhe Ukraina mund të jetë gati shumë kohë para vitit 2030. Kur të hapet kjo ‘dritare politike’, unë shpresoj që kandidatët e Ballkanit të jenë gati dhe të gatshëm për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota, dhe jo pjesë të një pazari për një integrim gjysmak në BE.

Daniel Serwer, profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve dhe drejtor i Programeve të Menaxhimit të Konflikteve në Shkollën Johns Hopkins (SAIS).

Ambasada gjermane e interesuar për dosjen AKSHI, dëshmia e Daniel Shimës me detaje tronditëse

0

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet për dosjen e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si një nga skandalet më të mëdha të kohëve të fundit.

Gjatë një interviste televizive, Lala theksoi se zhvillimi më i rëndësishëm në këtë çështje është dëshmia e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i AKSHI-t.

Sipas saj, Shima ka dhënë një dëshmi të detajuar përpara autoriteteve dhe ka treguar fakte të rënda lidhur me rrëmbimin e tij.

“Zhvillimi më i rëndësishëm ka qenë dëshmia e Daniel Shimës, ish-zv.drejtorit të AKSHI-t. Ai ka dhënë dëshmi të detajuar dhe ka pranuar se është rrëmbyer”, u shpreh Lala.

Gazetarja shtoi se sipas hetimeve, një grup kriminal i dyshuar i drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohet se rrëmbente persona që i konsideronte rivalë ose pengesë për aktivitetet e tyre.

Sipas saj, Shima ka dhënë detaje për mënyrën se si është mbajtur peng, çfarë presionesh janë ushtruar ndaj tij dhe rrethanat në të cilat çështja përfundoi në komisariat.

Lala bëri të ditur gjithashtu se për këtë dosje ka treguar interes edhe ambasada gjermane në Shqipëri.

Sipas saj, përfaqësues të ambasadës kanë vizituar disa herë Prokurorinë e Posaçme dhe janë interesuar për ecurinë e hetimeve, pasi dyshohet se çështja mund të lidhet me interesat e një shtetasi gjerman.

Gazetarja shtoi se hetimet po përfshijnë edhe verifikimin e transaksioneve të kompanive të përfshira, ndërsa prokuroria po shqyrton mundësinë e sekuestrimit të pasurive të personave të dyshuar.

Sipas Lalës, nuk përjashtohet që në një fazë të afërt të vendoset edhe ngrirja e aseteve deri në përfundimin e hetimeve.

POSTIMET E FUNDIT