Kreu Blog Faqe 24

Presidenti Trump flet për sulme të ashpra ndaj Iranit: Sot do të goditet shumë fort

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një përditësim në platformën e tij Truth Social, duke paralajmëruar veprime të ashpra ushtarake ndaj Iranit.
Trump iu referua deklaratës së bërë nga presidenti iranian, i cili i kërkoi falje fqinjëve në Lindjen e Mesme dhe tha se nuk do t’i sulmojnë nëse nuk e bëjnë ato më parë.
Trump tha se ky premtim është bërë vetëm për shkak të “sulmeve të pandërprera nga SHBA dhe Izraeli”.

Megjithatë, sulmet iraniane nuk janë ndërprerë plotësisht. Ditën e sotme një dron ra pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait. Po ashtu, Katari njoftoi se ka interceptuar një raketë të Iranit.

Në postimin në Truth Social, Trump deklaroi: “Sot Irani do të goditet shumë fort!”

Ai shtoi se po merren në konsideratë për sulm “zona dhe grupe njerëzish që deri tani nuk janë konsideruar si objektiv”.

A i konsideron SHBA-ja Shqipërinë dhe Kosovën si “shtete islamike”?

0

Shkruan Zef Bushati

Po shpreh një mendim i nxitur nga ndonjë dashakeqas që nxit opinionin. Jo. SHBA i sheh Shqipërinë dhe Kosovën si Shtete me shumicë myslimane në popullsi, ku ka edhe komunitete të krishtera, por me orientim Laik, Kushtetues dhe Euro-Atlantik. Shqipëria është Republikë Laike sipas Kushtetutës.

Ajo është Anëtare e NATO- s dhe Kandidate potenciale për BE. Edhe Kosova është shtet laik sipas Kushtetutës së saj. Kjo përcaktohet qartë në Kushtetutën e Kosovës, ku theksohet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Nuk ka fe zyrtare. Garantohet liria e besimit dhe barazia e komuniteteve fetare. Kosova është partnere strategjike e Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Kosova punon që të antarësohet në NATO dhe BE. Në dokumentet strategjike amerikane, Shqiperia dhe Kosova klasifikohen si “Western Balkans Democracies”, “Strong pro-US partners”. Jo si “Islamic states”. SHBA përdor termin “Islamic state” zakonisht për vende ku Islami është fe shtetërore (p.sh. Arabia Saudite, Irani), gjë që nuk është rasti i Shqipërisë apo Kosovës. A ka interes SHBA t’i paraqesë si shtete islamike ? Jo, përkundrazi. Interesi strategjik Amerikan ka qenë historikisht që të tregojë se ekziston një model i harmonisë ndërfetare në një vend me shumicë myslimane. Shqipëria dhe Kosova shpesh janë përmendur si shembull i tolerancës fetare.

Kjo e ndihmon SHBA-në të argumentojë se Ballkani nuk është terren radikalizimi, por stabiliteti. A i “caktoi” Presidenti Trump Shqipërinë dhe Kosovën për të dërguar trupa ushtarake dhe policore në Gaza.? Nuk e di nëse ka ndonjë vendim formal por në takimin e Bordit të Paqes u përmend Shqipëria dhe Kosova si shtete aleate që do të marrin pjesë në dislokimin e trupave në Gaza. Nëse flitet për Koalicione Paqeruajtëse, Forca Ndërkombëtare Policore, Misione stabilizimi nën OKB ose NATO, atëherë pjesëmarrja e Shqipërisë bëhet zakonisht si anëtare e NATO-s, Kosova si Antare e Bordit e jo mbi bazë fetare.

Shqipëria ka marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Bosnje, etj., jo sepse është “shtet islamik”, por sepse është aleate e Antare e NATO-s. Atëherë pse nganjëherë përmenden Shqipëria dhe Kosova në kontekste islamike ? Sepse kanë shumicë popullsie myslimane, Janë vende pro-amerikane, nuk kanë konflikt historik me Izraelin apo botën arabe. Kjo i bën më “politikisht të pranueshme” në disa konfigurime diplomatike në Lindjen e Mesme por jo për shkak të identitetit fetar shtetëror. Pra le të binden edhe të pabindurit, SHBA, nuk i konsideron Shqipërinë dhe Kosovën shtete islamike por i konsideron aleate laike pro-perëndimore.

Shpërndau parlamentin, presidentja Osmani nis takimin me partitë politike; Albin Kurti e bojkoton

0

Ka nisur takimi i thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, vetëm pak orë pasi ajo shpërndau Kuvendin dhe shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në këtë takim nuk është i pranishëm kryeministri dhe njëherazi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në qendër të diskutimeve mes presidentes dhe përfaqësuesve politikë pritet të jetë caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Në takim mungojnë gjithashtu edhe partitë më të vogla që janë pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen. Ndërkohë, ftesës së presidentes i janë përgjigjur disa nga liderët e opozitës, mes tyre Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së bashku me përfaqësues të partive të tjera opozitare më të vogla.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje pritet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Parlamentit. Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, e cilësoi vendimin si një akt të paprecedentë, duke deklaruar se me këtë veprim është cenuar rendi kushtetues i vendit.

Fati i hajdutes Belinda Balluku në “duar” të mafies qeveritare, nuk pyesin për akuzën e prokurorisë që rrezikon 35 vite burg!

0

E ardhmja politike dhe ligjore e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku pritet të vendoset në Kuvend më 12 mars, kur deputetët do të votojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për autorizimin e arrestimit të saj.

Ndërkohë, më 9 mars Gjykata e Apelit të Posaçëm do të shqyrtojë ankimin e Ballukut ndaj masës së pezullimit nga detyra. Edhe pse ajo është shkarkuar tashmë nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, gjykata pritet të zhvillojë seancën duke dëgjuar palët në proces.

Aktualisht ndaj Ballukut është në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, për të cilën ajo ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Kuvendi është brenda afateve procedurale për shqyrtimin e kërkesës së SPAK dhe se raportet përkatëse do të paraqiten në seancën e 12 marsit.

Sipas tij, në Këshillin e Mandateve janë paraqitur dy qëndrime të ndryshme dhe vendimi përfundimtar do të merret në mënyrë kolegjiale nga deputetët.

Nga ana tjetër, opozita akuzon mazhorancën për zvarritje të procedurës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se Kuvendi duhet t’i përgjigjet sa më shpejt kërkesës së SPAK, duke theksuar se sipas tij hetimet janë penguar prej muajsh.

Prokuroria e Posaçme po heton disa projekte të mëdha infrastrukturore, mes tyre tunelin e Llogarasë dhe segmente të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa dyshimet lidhen me manipulime në tendera dhe ndërhyrje në proceset e prokurimit publik. Sipas SPAK, ekziston rreziku që Balluku të ndikojë në hetim apo të pengojë mbledhjen e provave, ndaj është kërkuar autorizimi i Kuvendit për arrestimin e saj.

Altin Dumani mbyll hetimet për Arben Ahmetajn, shtohen akuzat

0

Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për ish zëvëndës kryeministrin Ahmetaj në lidhje me fraksionin e inceneratorin e Elbasanit.

Përmes avokatit të tij, SPAK i ka komunikuar Ahmetajt tre akuza “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie”.

Mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses së Ahmetaj, Erjola Hoxha dhe ish bashkëshortes së tij Albina Mançka, si dhe shtetasve Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj.

Kjo dosje doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceratorit të Elbasanit, ndërsa personat e lartëpërmendur akuzohen për një sërë veprash penale.

Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaccme prej muajit korrik të vitit 2023, ndërkohë që organi akuzës ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe familjarëve të tij.

Ahmetaj ndërkohë po gjykohet në GJKKO në lidhje me veprën penale “shpërdorim detyre” për dosjen “Buka sha”.

Grupi Parlamentar i PD-së: Kërkojmë përjashtimin e Taulant Ballës pas fyerjes ndaj Albana Vokshit

0

Grupi Parlamentar i PD-së ka bërë kërkesë për marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit dhe Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Sipas deklaratës së tyre është cënuar në mënyrë të rëndë dinjiteti njerëzor i deputetes Albana Vokshi.

NJOFTIM
Në datën 05.03.2026, ora 10:00 është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është shprehur: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pa pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi.”. Kjo gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, në kushtet e marrjes së masave nga kryetari i Kuvendit, edhe ndërprerjen e seancës plenare.

Neni 62 i Rregullores ka përcaktuar se: “1. Deputeti gjatë ushtrimit të mandatit respekton rregullat bazë për standardet e sjelljes, të parashikuara në këtë Rregullore dhe në Kodin e Sjelljes së Deputetit. 2. Rregullat e përcaktuara në këtë kre dhe masat disiplinore zbatohen për shkeljen e Rregullores dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetëve.”. Ndërsa, neni 63 i Rregullores ka parashikuar masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetit, ndër të cilat, edhe “d) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”.

Më tej, neni 65/1 i Rregullores ka detajuar rastet kur jepet masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë”, ku, ndër të tjera, janë parashikuar edhe rastet kur: i) deputeti fyen deputetët e tjerë; dhe ii) në rastet e ngacmimit seksual të çfarëdoforme, sipas parashikimeve të nenit 10 të Kodit të Sjelljes së Deputetit. Kërkesa për marrjen e një mase të tillë paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 24 orë nga dita e seancës plenare. Neni 65/2 e Rregullores parashikon procedurën që ndiqet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin e kërkesës për marrjen e masës disiplinore.

Rregullorja e Kuvendit ka referuar në mënyrë të përsëritur tek Kodi i Sjelljes së Deputetit, miratuar me vendimin nr. 61/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, i cili në nenin 3 ka parashikuar se: “Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, duhet: ë) të jetë model për zgjedhësit dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në politikë;”. Ndërsa, neni 5 i Kodit parashikon: “1. Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, shfaq standardet më të larta të sjelljes së qytetëruar, dinjitoze dhe të etikës parlamentare korrekte.”.
Më tej, në nenin 6 të Kodit parashikohet: “1. Përdorimi në Kuvend i gjuhës së pahijshme, fyese ose kërcënuese, ofendimet dhe sulmet fizike personale janë rreptësisht të ndaluara. 2. Deputeti i ndalohet: a) të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër; b) të shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politke, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë. 3. Në rast të shkeljeve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore, sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.”.

Lidhur me rastet e ngacmimit seksual të çfarëdo forme, neni 10 i Kodit të Sjelljes së Deputetit ka sanksionuar: “1. Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër, si dhe krijon një mjedis pune shqetësues, të paqëndrueshëm, armiqësor dhe frikësues. Për qëllim të këtij neni, sjellja e deputetit përfshin dhe nuk kufizohet në veprime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual.”.

Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 62, 63, 65/1 dhe 65/2 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, dhe neneve 3, 5, 6 dhe 10, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla.

Kërkesa është firmosur nga 20 deputetë të Grupit Parlamentar të PD, që ishin të pranishëm në seancë kur ndodhi situata e rëndë dhe e paprecedent.

Bjanku a violina, e pyeta Ndokë Vjerdhën

0

Shkruan Frano Kulli

Atë ditë që Ndokë Vjerdha u pá për herë të parë me biçikletën e tij “Bianchi” ngjyrë blusaks e shndritëshme si me pasë dalë njitash prej fabrike, ka qenë befasi e madhe në katund. Sidomos, për ne fëmijtë, që shihnim për herë parë një bianchi e që e thirrshim bjanku. Aso kohe për ne, biçikleta ishte magji; ishte lëvizje, ma mirë me thanë, ishte fluturim. Unë ndjehesha ma i pasuni në botë që kishim biçikletë në shtëpi e, për një copë kohë të ditës ajo më takonte edhe mua. Biçikleta ishte lumní për ne fëmijtë. Sidomos në verë. Vetëm dy prej nesh nuk dijshin me i grahë. Unë kisha mësue me i hip kur ende nuk më mrrinin kambët në tokë. Ndërsa Leci e Nini që ishin ma të rritun i grahnin biçikletës hipun në shalë njësoj si të mëdhenjtë e kjo përsillte te unë ndjesinë e ngutëshme për me i mrrijtë sa ma shpejt ata. Gjoksi më gufonte sa herë i afrohesha biçikletës, sapo prekja me dorë timonin e kapja dorezën e djathtë të tij, veshur me një gomë të kodrinueme si hojet e dyllta të zgjojeve, gropëzat e rregullta të të cilave, bletët i mbushin me mjaltë. E me këtë ndjesi fluturake i kërceja biçikletës e nisesha me furí. Njëherë qeshë rrëzue keq. Gjunjët e bërryllat m’u gërdhishtën fort. Aq sa, kur pashë që po më kullonin pikla gjaku u tremba. Jo aq fort prej dhimbjeve të plagëve që kisha marrë, sesa prej asaj çka më priste kur të mbërrija në shtëpi-qortimi i babait. Qortimi i përhershëm për vëmendje e përkujdesje për gjithëçka, që shpesh shoqnohej me tërheqje të veshit, ma e pakta, ose edhe me ndonjë shpullë, që për momentin jo vetëm ma skuqte faqen, por edhe më digjte paksa. Po, prap kishte edhe ma keq; ma e randë se kjo ishte humbja e lejes për ta nxjerrë biçikletën nga shtëpia e me dalë në rrugë me té. Me nji mëdyshje të përvuajtëshme vinte e nesërmja, kur do të më duhej me e marrë tinzash tij biçikletën, sidomos në kohën e zhegut, kur ai do të ishte ulë me pushue.

Kjo ishte e përditshmja ime e ditëve të verës me biçikletën. Jo vetëm e imja, po e krejt vërsnikëve të mi. Pothuajse çdo shtëpi e kishte ma së paku një sosh. Po bjank jooo; bjanku ishte bjanku, bianku ishte një mit për ne, që i dinim vetëm emrin. I papamë, i paprekshëm e i papërdorueshëm si vetë mitet edhe pse në memorien tonë ajo ishte e shënueme, prej kallximeve të ma të mëdhejve.

–Bianchi, ka kénë e para markë biçikletash në botë – thoshte zotni Ndoci, Ndoc Mjedja, mësuesi, i cili vinte me biçikletë të hanen para se të fillonte mësimi e, në fundjavë kthehej po ashtu në qytet. Flinte në qelë, nji pjesë e së cilës ishte kthye në bujtinë për mësuesit. Ai bisedonte mbramjeve me të rinjtë e me burrat në oborrin e qelës, por me veshët pipëz afroheshim për me ndigjue edhe ne. Masandej ata e bombardonin me pyetje kurreshtare:

– A ngjason me robusten bjanku, zotni Ndoc?

– A e ke pa vetë me sytë e tuj biankun?- shtonte ma kurreshtari.

– Në kohën kur flasim – e shuante kurreshjen zotni Ndoci – bianku kishte mrritë edhe në Shkodër e përdorohej jo vetëm prej të huajve që ishin në qytet, po edhe prej do shkodranëve, të cilët kishin mujtë me e pasë nji sosh – e kënaqte ai grishjen e atij që kishte pyetë. Ne fëmijtë vetëm mund të ndigjonim…

Unë për vedi s’kisha pa kurrë deri atëherë një bjank. E jo má kaq të ri, fringo. Si ky i Ndokë Vjerdhës. Prej rrëfimeve të kandëshme të gjyshit nga koha e Italisë, më dukej se po. Kohë e cila në shqisat e mia vinte vetëm si kohë gjanash të mira e të bukura; me franxholla e simita të bardhë, me makarona (italiani sono buoni per mangiare macheroni) e fugacë (focaccia) e të tjera ushqime të shijëshme. Vetëm emni luftë, nuk kishte zanë vend askund. Kurse bjanku ishte shënue në mbamendjen time si një andërr, që e përjetoja bukur, fort bukur, sa herë e kujtoja. Edhe pse e dija që s’kishte me u kthye kurrë në zgjandërr, kurrë …

Kurse tashti, markat ma në zá ishin Diamanti e Mifa.

-Si njéna edhe tjetra vijnë nga Gjermania lindore – spjegonte pa pritesë zotni Ndoci e, masandej zgjatej edhe me do fjalë të tjera lavdëruese po të kursyeme për Gjermaninë.

Për nga forma ngjasonin njëna me tjetrën. Të dyja frenat i kishin kontrapedal; pra kur doje të frenoje duhej t’u jep kambëve në të kundërtën e lëvizjes. Ndërsa Robusta hungareze ishte me rrotalibër . Në timon kishte dy leva, prej të cilave zgjateshin dy kavo të holla çeliku që, kur tërhiqeshin shtërngonin disqet e dy rrotave dhe kështu frenohej lëvizja. Asokohe, biçikletat, ashtu si makinat kishin një targë. Një fletë e vogël llamarine e lyeme me të bardhë, ku kishte të shënuem numrin personal të mjetit , vendosej nën shalën e biçikletës…

Nuk e kujtoj marken e biçkletës së vjetër që kishim pasë para Mifës. Kjo e fundit kishte vetëm disa muaj që gjindej në shtëpinë tonë. Këtë e mbaj mend mirë, kur dhe si ka ardhë… Një të dielë në mëngjes, im atë, Lazri, paska qenë nisë heret për Pazar në Shkoder. Kishte zanë kalin në karrocë, kurse mazin e ri qimekuq e kishte lidhë péndë me kalin e karrocës. Unë kisha qenë fjetë kur qe nisë, por kur e kam parë mbasditen e asaj të diele, duke hy në oborrin e shtëpisë sonë , jam mrekullu. Mazi qimekuq nuk ishte ma péndë me Harapin e karrocës. Porse sipër në karrocë vezullonte biçikleta e re. Mifa. E re fringo.

***

Ka qenë një mbasdite e vonë maji kur Ndokë Vjerdha mërriti në katund. Hipun në biankun e tij, i gjatë e me flokët e lëpimë. Violinën, futun në këllefin e saj e mbante krahëqafë, trupin drejtë dhe me dy duart e zgjatuna që mbanin timonin e përzgjidhnin rrugën që kishte ma pak pluhun. Silueta e tij e vizatueme kështu në sytë e mi ishte mahnitëse. Thonë se sytë e fëmijës e ruajnë gjatë pamjen që i magjeps.

Qysh kur i sollën për së pari, me plaçkat e domosdoshme e kishte marrë edhe violinën. E kishte mbështjellë me përkujdesje të posaçme, prej frikës se mos i ciflosej prej lëkundjeve e përplasjeve në karrocerinë e kamionit me të cilin po udhëtonin….Kurse ky udhëtimi me bjankun ka ndodhë dikund një vit ma vonë se ardhja e vetë Ndokës me të shoqen. E me violinën e tij. Ai tashti, mbasi ishte mbushë viti i dëbimit e kishte lejen me shkue e me ardhë në Shkoder. E udhëtimi në pranverë nga Shkodra në Pistull ishte me të vërtetë i bukur. Qyshse dilshe prej Baçallekut, rruga me biçikletë kalonte gjithkund bregut të Drinit mes freskisë së hijes së shelgjeve që vareshin mbi ujë. E ta mbushnin shpirtin me afsh. E kisha provue edhe vetë sa herë, kur im atë më merrte mbrapa në samarin e biçikletës, sipër të cilit lidhte një jastek të vogël që ishte sedilja ime vajtje-ardhje.

Në të vërtetë, askush deri atëherë nuk e dinte saktë se pse Ndokë Vjerdhën, mjeshtrin e fundit të ahengur shkodran e kishin dëbue nga qyteti dhe, pak kush e dinte se ai kishte pasë bá edhe do vite burg. E kishte marrë vala e asaj fushatës nistore të fillmbasluftës, ku përposë kundërshtarëve të rregjimit të ri ndaloheshin e burgoseshin edhe të rij të ashiknisë së qytetit, të cilët me gazin e alegrinë e tyne bijshin në sy jo për mirë…E deri sa u muer vesh se Ndoka nuk ishte aq fort damsjellës pati kalue nja dy vite të mira, atje në birucë. Masandej, kur u rishfaq si nevojë për rregjimin internim-dëbimi si masë parandaluese për pastërtinë ideollogjike të qytetit, i erdhi rralla edhe Ndokës.

I patën sjellë me një kamion “skoda” me turì. Bashkë me të shoqen Domenika. Domja siç thirrej; një grua e pashme, e mbajtun, e çlirëshme e po gjithëaq e ambel në të folunin me gjeste, i ishte përshtatë shpejt jetesës së re të imponueme. Ishin në mesomoshën e tyne dhe fëmijë nuk kishin. Edhe pse ai flitte pak për vedi, vonë pata mësue se, bashkë me muziktarë të shquem popullorë të kohë së rinisë së tij: Adem Manin, Xhevat Boriçin, Taip Krajen e Karlo Palin kishin shoqnue Marije Krajen e Tefta Tashko Koçon në një festival folkolorik në Firence, me 1939…Vetë ai se kishte përmendë kurrë; ai nuk fliste për këso ngjarjesh. Për shokët e ahengut poo; ata i përmendtte shpesh. Me adhurim e veneracion të posaçëm secilin. Për këdo që grishej me e pyetë për atëbotë, ai i përgjigjej vetëm për dasma Shkodre e të rrethinave të qytetit; për ahengun kryesisht e për alegrinë e qefin që bëhej ndër to.

Ashtu si mjeshtrat e tjerë të ahengut, edhe ai i binte në gju violinës. Thuhej se violina e tij ishte dyqind vjeçare. Këtë e kishte thanë e përsëritë edhe ai vetë, sa herë i ishte kërkue me e konfirmue. Kur ai e vuni në gju e filloi me i ra, mua që po e shihja për së pari, më pushtoi kërshëria e vjetërsisë. E vjetërsisë së instrumentit dhe virtuozitetit të mjeshtrit. Kur ai e mbylli përcjellësen e këngës së fundit, të rritunit që, ulë rrafsh në barin e njomë të oborrit ende rrinin në pauzë unë, se di se si, mora zemër e e pyeta:

-Axha Ndokë, kush të pëlqen ma shumë violina a bjanku ? Kam qenë ngjitë me Ninin. Ai na përshkoi me shikimin e buzagaztë sa njenin sa tjetrin dhe, duke na ledhatue njëherësh me gishtat e gjatë, të hapun të duarve, aty ku bashkohet qafa me fytyrën m’u drejtua mua:

-Cila thua ti ?…

Konservatorët e Shqipërisë përshëndesin Vjosa Osmanin për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

0

“Akademia Kombëtare Konservatore Albania”
Deklaratë.
Përshëndesim me konsideratë të lartë Dekretimin: Zgjedhje të parakohëshme në Republikën Kosovës, të presidentes ShSZnj. Vjosa OSMANI ( SADRIU )
Presidenca.
Presidenti Shtz. Prof.As.Dr. Stavri TRAKO
Zv. President. Prof. Dr. Isak GJAMA ( Kosovë )
Zv. President. Prof. Dr. Kolonel Elmas LECI
Zv. President Prof. Dr. Piro PRIFTI
Zv. Presidente Av. Klarita Marku.
Sekretare Përgj. M Petro.
Anëtar Nderi Prof.Dr. Phd. Gjenelal Sulejman Abazi Vlora.
Anëtar Nderi.Av.Nikolin Staka deputet legjislatur lX
Anëtar Nderi Prof. Dr. Fedhon MEKSI
Anërar Nderi Andi TEPELENA
Anëtar Kadri MUKA
Anëtar themelus. Kujtim Gjuzi deputet legjislatur lX
“AKKA”
Tiranë – Albania – Prishtina – Dardania.
Datë 06/03/2026

Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin: Data e zgjedhjeve do të vendoset pas konsultimeve

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të premten ka nxjerr dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.

“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani.
Ajo ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.

Presidentja Osmani i ka bërë këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Procesi ka dështuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Pas dështimit të procesit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

POSTIMET E FUNDIT