Kreu Blog Faqe 30

Bordi i Paqes, Osmani detaje nga biseda me Trump: Diskutuam për Hagën

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke folur rreth bisedës mes saj, kryeministrit Edi Rama dhe presidentit amerikan Donald Trump gjatë takimit të Bordit të Paqes në Washington, u shpreh se mes tyre u diskutuar për çështjen e Hagës dhe 4 ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët prokuroria Speciale ka kërkuar denimin me nga 45 vite burg.

Osmani u shpreh e rezervuar mbi diskutimin me Trump, por në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, bëri me dije se bashkë me kryeministrin e Shqipërisë do të japin më shumë detaje kur të vijë momenti rreth asaj çështjeje.

“Kemi diskutuar. Unë do t’ju lutesha për mirëkuptim. Nuk besoj që është në interesin e Kosovë nëse japim më shumë detaje rreth kësaj. Mirëpo, dua të siguroj që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci të fuqishme.” – u shpreh Osmani.

Pas takimit të parë të Bordit të Paqes në Washington, presidentja u shpreh se Kosova ndjeu peshën e garancisë amerikane.

Mafia shqiptare kontrollon portin e Vigos, alarmohet Spanja; 10 ton kokainë në një vit

0

Mafiet e fuqishme shqiptare të narkotrafikut, ato që kontrollojnë globalisht tregtinë e narkotikëve, vazhdojnë përpjekjet për të përdorur portin e Vigos në Spanjë si pikë hyrjeje për ngarkesat e kokainës.

Agjentët e ‘Guardia Civil’ dhe zyrtarë të Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të Agjencisë Tatimore, në një operacion të përbashkët, arrestuan disa ditë më parë dy anëtarë të këtyre rrjeteve, me shtetësi shqiptare, teksa përpiqeshin të hynin në zonën portuale të Vigos për të nxjerrë 80 kilogramë kokainë që ishin fshehur në sistemin e ftohjes së një kontejneri të ardhur nga Ekuadori.

Kjo është bastisja e katërt policore kundër këtyre grupeve që veprojnë për “Klanin e Ballkanit” dhe që u shfaqën në portin e Vigos në vitin 2024. Operacioni i fundit nisi në orët e para të mëngjesit të 15 shkurtit, pasi kontejneri i dyshuar u përzgjodh nga Njësia e Analizës së Rrezikut të Doganës së Vigos. Kontejneri iu nënshtrua kontrollit me rreze X nga Njësia e Kontrollit Radiologjik Kufitar dhe pikërisht kështu u zbulua se në sistemin e ftohjes ishte fshehur kokaina.

Pas këtij zbulimi, agjentë të grupit EDOA të Pontevedrës dhe të ECO Galicia, të dyja njësi të ‘Guardia Civil’, si dhe Njësia e Përbashkët e Mbikëqyrjes Doganore në Vigo, nisën një hetim që çoi në identifikimin e një organizate kriminale të përbërë nga individë me shtetësi shqiptare. Qëllimi i tyre ishte nxjerrja e lëndës narkotike të fshehur brenda kontejnerit të vendosur në zonën portuale.

Përpjekja për rikuperimin e kokainës ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar. Agjentët arritën të arrestonin dy “nxjerrësit” shqiptarë në momentin kur tentuan të hynin në kontejnerin e kontaminuar. Dy persona të tjerë, që do të merrnin pjesë në operacion, arritën të arratiseshin.

Pas arrestimeve, autoritetet sekuestruan 61 pako kokainë si dhe mjete të ndryshme për rikuperimin e drogës: katër çanta sportive të mëdha, një shkallë të palosshme, një trapan, lidhëse plastike, dy telefona dhe një automjet. Më 16 shkurt, gjatë një kontrolli të imtësishëm të kontejnerit ku u përdorën edhe pajisje radiologjike portative të Mbikëqyrjes Doganore në Vigo u zbuluan edhe nëntë pako të tjera kokainë të fshehura mes makinerive të sistemit të ftohjes. Në total u sekuestruan mbi 80 kilogramë të kësaj lënde, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

‘Guardia Civil’ dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore e mbajnë hetimin të hapur ndaj kësaj organizate kriminale me karakter ndërkombëtar dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera, sipas burimeve policore. Veprimet po koordinohen nga gjyqtarja përgjegjëse e Seksionit të Hetimit në Gjykatën e Vigos.

Kjo është sekuestrimi i dytë këtë vit në portin e Vigos. “Në të dy rastet, jo vetëm që u sekuestrua mall i paligjshëm, por u arrit edhe arrestimi dhe shkatërrimi i organizatave kriminale pronare të ngarkesës”, theksuan burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Guardia Civil.

Një muaj më parë, Operacioni Monterrey përfundoi me kapjen e 200 kilogramëve kokainë dhe tetë të arrestuarve, të gjithë pjesë e një klani tjetër me origjinë shqiptare që përdori të njëjtin sistem: dërgimin e ngarkesave në kontejnerë nga Ekuadori, një nga pikat kryesore të nisjes së kësaj droge në dekadën e fundit.

Porti i Kuitos, i kontrolluar kryesisht nga këto mafie, është një nga ndalesat e rrugës tregtare me Amerikën e Jugut që operon nga porti i Vigos përmes kompanisë gjermane Hapag Lloyd. Hapja në prill 2024 e kësaj linje detare me frekuencë javore për transportin e frutave dhe peshkut të ngrirë ka krijuar mundësi për tregje të reja, por edhe një avantazh të madh për “Klanin e Ballkanit”.

Gjatë vitit të fundit janë kapur 10 tonë kokainë në portin e Vigos, çka ka vënë në alarm grupet antidrogë dhe shërbimet fiskale e doganore. Ngarkesa më e madhe e sekuestruar deri më sot në Galici (7.5 tonë) hyri përmes këtij porti në dhjetor 2023, e kamufluar në disa kontejnerë me fileto ton të ngrirë, ndonëse u zbulua në një magazinë në Cambre (A Coruña). Edhe pas saj duken “tentakulat” e Klanit të Ballkanit./El Pais

Prostitucioni politik i Edi Ramës në dëm të UÇK

0

Shkruan Armand Maho

Shprehja e shkrimtarit të famshëm Samuel Johnson se “patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”, mori më shumë kuptim në forumin e Uashingtonit, ku prostitucioni politik i Edi Ramës (një shprehje e përdorur nga ai vetë) për të fituar kredo të brendshme, duket se rëndoi akoma më shumë pozitat, të paktën politike, për katër anëtarët e UÇK që po gjykohen në Hagë nga gjykata e “Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Duke i kërkuar Presidentit amerikan të ndërhyjë, në një forum ku ishin mbledhur shumica e autokratëve të botës, të refuzuar në bllok nga BE ku Rama don të futet, ai veçse tregoi mënyrën se si e përdor drejtësinë në vendin e tij, tentoi tinëzisht të sfidojë dhe autoritetin e Presidentit amerikan në raport me Europën.

Shprehja “Për hir të Zotit, ndërhyni para se të ndodhë diçka e keqe” mund të gënjejë Batonin apo Karlonin dhe t’i japë ushqim qenërisë mediatike të tij, që e shet si nacionalist të madh, por në momentin delikat ku janë katër udhëheqësit e Kosovës, do shënonte gafën diplomatike dhe politike të radhës.

Kjo sepse, në raport me drejtësinë, Presidenti Amerikan është i zhveshur edhe në vendin e tij, jo më në Europë. Në vendin e tij një gjykatës distrikti ka të drejtë të mos lejojë zbatimin e një dekreti në territorin e tij, dhe kjo merr përparësi më shumë se një akt që mund të jetë edhe politik. Vendimi i drejtësisë para vendimeve politike ka prioritet. Kjo do të thotë ta vësh në vështirësi para gjithë botës.

E dyta, direkt apo indirekt, kjo mund të shkaktojë një situatë e cila mund të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës. Ajo gjykatë financohet nga fondet e BE-së, e cila ka shpenzuar deri më tani jo pak, por 500 milionë euro. Hashim Thaçit, për shembull, iu komunikua akuza në qershor të vitit 2020, në avion teksa ishte duke udhëtuar drejt Ëashingtonit, ku e priste në takim Presidenti Trump. Ky fakt është i njohur botërisht, sepse avionit i hipi në Tiranë.

Nga ana tjetër, vetë Edi Rama ka qenë nga njerëzit më të zëshëm në vitin 2015 për ngritjen e Prokurorisë speciale në Prishtinë, që do gjykonte anëtarët e UÇK, për të fituar kredo politike tek ndërkombëtarët, por edhe tek Vuçiç, i cili loboi fort për ngritjen e saj. Nga ana tjetër, në atë forum ishte Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, një shtet që është prekur drejtpërdrejt nga pretenca e prokurorëve të Hagës. Pra, ndërhyrja e autokratit të Tiranës ishte krejt e pavend dhe perceptohet si ‘yshtje’ që ky i fundit kërkon t’i bëjë liderëve ndërkombëtarë për përfitime personale.

Kjo gafë politike në një moment të tillë nuk është e paqëllimtë. Është lëvizje e pamoralshme e liderëve tinzarë që, për të shpëtuar veten dhe për të marrë në përdorim narrativën e brendshme, luajnë me fatin e katër personave, dikur aleatë politikë, të cilët janë në moment kritik. Në këtë përballje që kanë me gjykatën, ata duhet të përballen edhe me perceptimin diplomatik të shteteve financuese si Gjermania, Hollanda apo Franca dhe Anglia, të cilat mund të ndikojnë në vendimin e Gjykatës.

Aq më shumë kur u pa qartë se në atë forum pjesëmarrja nuk ishte në bazë të vlerave demokratike të çdo vendi, por në bazë të interesave të ngushta politike dhe mbështetjes që SHBA mund të japin për ndonjë lider të caktuar (gjë e cila për Ramën mungoi). Përmendja e emrit të tij nga Presidenti Amerikan ishte thjesht protokoll dhe jo “I support him”, siç u tha, për presidentin e Argjentinës që vinte direkt pas Shqipërisë, Viktor Orbán e Hungarisë, apo edhe Vjosa Osmanin e Kosovës.

Pra, përzgjedhja e tezave nga Rama për atë takim ishte një mënyrë tinzare për të relativizuar problemin që ai ka me drejtësinë në vendin e tij, duke ia lënë topin në derë Europës. Jo më kot i përmendi Presidentit prokurorin Jack Smith, i cili në fakt hetimet për Tribunalin i ka filluar përpara se të shfaqej në hetimet e zotit Trump. Natyrisht Rama s’kish si përmendte aty rolin e mikut të tij McGonigal, të cilin Trump e ka përmendur shpesh si shembullin e korrupsionit të “Russiagate” në drejtësinë amerikane.

Në atë bord ishin shumë autokratë të botës, por në fakt delja e zezë u bë Edi Rama. Ata mund të kenë problem demokracie në vendet e tyre, por nuk kanë bashkëpunuar direkt me krimin transnacional, nuk kanë tentuar të ndërhyjnë me deklarata në zgjedhjet amerikane, nuk kanë pritur në zyrë përfaqësues të kartelit të Sinaloas. Prandaj, Rama u detyrua të shkelte me këmbë mbi fatin e katër ushtarëve të UÇK për të shpëlarë sadopak llumin në të cilin është zhytur. Prandaj, ai nuk u soll si një udhëheqës shteti që kërkon aleatë apo partnerë, por si një prostitutë që kërkon tutor.

El País analizon skandalet në Shqipëri: nga tenderët te projekti “Diella”

0

Media prestigjioze spanjolle El País i ka kushtuar një analizë të gjerë situatës politike në Shqipëri, duke vënë në fokus qeverinë e kryeministrit Edi Rama, akuzat për korrupsion dhe projektin kontrovers të inteligjencës artificiale “Diella”.

Artikulli, i titulluar “Laboratori i Evropës ku Inteligjenca Artificiale lufton ose fsheh korrupsionin”, trajton prezantimin e “Diellës”, një ministre virtuale e ngarkuar me monitorimin e tenderëve publikë. Rama e promovoi projektin si një hap drejt eliminimit të korrupsionit në prokurimet publike, duke theksuar se teknologjia “nuk ka miq, nuk pranon kafe dhe nuk ka frikë nga hakmarrja”.

Megjithatë, analiza e medias spanjolle evidenton skepticizmin e opozitës dhe të ekspertëve, të cilët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë integritetin institucional. Deputetë të opozitës kanë ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë ligjore në rast abuzimesh dhe mbi transparencën e algoritmit.

Në artikull përmendet edhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi pezullim për shkelje të barazisë në tenderë publikë. Po ashtu, referohen hetimet ndaj drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të akuzuar për manipulim tenderësh dhe ushtrim presioni ndaj operatorëve ekonomikë.

“Diella”, e prezantuar si simbol i modernizimit dhe transparencës, u shoqërua me reagime të forta politike dhe debate mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Aktorja mbi imazhin e së cilës u ndërtua avatar-i paditi qeverinë për përdorim të paautorizuar të figurës së saj, duke shtuar polemikat.

Artikulli përfshin edhe opinione të analistëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët shprehin dyshime mbi efektivitetin real të reformave kundër korrupsionit. Sipas tyre, lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbështetet vetëm te teknologjia, por kërkon vullnet politik dhe forcim institucional.

Në përfundim, El País e paraqet Shqipërinë si një “laborator” ku teknologjia përdoret si mjet për transparencë, por ku sfida kryesore mbetet ndërtimi i besimit publik dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve.

Fahri Musliu kundërshton deklaratën e Ramush Haradinajt për Albin Kurtin!

0

Shkruan Drita Seferi

Gazetari i njohur nga Kosova, Fahri Musliu, ka reaguar ndaj deklaratës së Ramush Haradinaj, i cili komentoi qëndrimin e Albin Kurti gjatë kohës që ishte i burgosur në Serbi.
Sipas Musliut, Kurti ka vuajtur dënimin në burgjet e Pozharevcit, Qupërisë dhe Nishit si një nga të burgosurit politikë më të njohur shqiptarë.
Ai thekson se trajtimi ndaj Kurtit ka qenë ndër më të ashpërit dhe më çnjerëzorët, duke përfshirë tortura fizike dhe psikologjike, dhe nuk mund të krahasohet me përshkrimet që janë bërë në deklaratën e Haradinajt.
“Është e rëndësishme që historia e burgosurve politikë shqiptarë të mos keqinterpretohet.
Fakta janë të dokumentuara, dhe sakrificat nuk mund të relativizohen,” tha Musliu.
Ky reagim ka hapur një debat të gjerë në publik, duke nxitur diskutime mbi të kaluarën dhe përfaqësimin e sakrificave të ish-të burgosurve politikë shqiptarë në diskursin politik aktual.

Arrestimi i vëllait, reagon Mbreti i Anglisë: Ligji të ndjekë rrugën e vet, mbështesim policinë

0

Mbreti i Anglisë, Charles III ka reaguar pas arrestimit të vëllait të tij, ish princit Andrew.

Mbreti i ka dhënë mbështetjen dhe bashkëpunimin të plotë për policinë dhe tha se ligji duhet të ndjekë rrugën e vet.

“Me shqetësimin më të thellë mësova lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike.

Ajo që vijon tani është procesi i plotë, i drejtë dhe i duhur me anë të të cilit kjo çështje hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse.

Në këtë drejtim, siç e kam thënë edhe më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të përzemërt. Më lejoni të them qartë: ligji duhet të ndjekë rrugën e vet.

Ndërsa ky proces vazhdon, nuk do të ishte e drejtë që unë të komentoja më tej për këtë çështje. Ndërkohë, unë dhe familja ime do të vazhdojmë detyrën dhe shërbimin tonë ndaj jush të gjithëve. Charles R.”, thuhet në njoftim.

Para reagimit të Mbretit Charles III, edhe kryeministri i Britanisë, Keir Starmer deklaroi se askush nuk është mbi ligjin.

Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai më i vogël i Mbretit Charles III, është arrestuar me dyshimin për sjellje të keqe në detyrat publike. Policia nuk ka thënë se çfarë i shtyu ata të arrestonin Andrew-in me dyshimin për sjellje të keqe në detyrë publike, por ai kaloi një dekadë si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Oficerët u fotografuan duke mbërritur në shtëpinë e Mountbatten-Windsor në Sandringham, pronë e Mbretit Charles në Norfolk. Policia më parë tha se forca po shqyrtonte akuzat se një grua ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Jeffrey Epstein për të pasur një takim seksual me Mountbatten-Windsor, dhe pretendon se ai ndau informacione të ndjeshme me të ndërsa shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-princi nuk është përgjigjur publikisht ndaj akuzave të fundit që dolën pas publikimeve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së për Epstein, por Mountbatten-Windsor më parë ka mohuar çdo shkelje në lidhje me lidhjet e tij me të.

Letër e Hapur Presidentit Donald Trump: SHBA t’i japin fund mbështetjes politike dhe kontakteve zyrtare me z. Edi Rama!

0

LETËR E HAPUR

ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP

Drejtuar:

Shkelqësisë së tij, Donald J. Trump

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shkelqësisë së saj, Lisa McClain

Bashkë-Kryetare e Caucus-it të Çështjeve Shqiptare në Kongres

Përmbledhje:

Kjo letër, e paraqitur nga ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP, paralajmëron rrëshqitjen e shpejtë të Shqipërisë drejt autoritarizmit nën mandatin e katërt të Kryeministrit Edi Rama, të arritur përmes zgjedhjeve të manipuluara, blerjes së votave dhe abuzimit me pushtetin shtetëror, siç citohet në raportet e OSBE-së. Letra përshkruan korrupsionin sistemik, infiltrimin e krimit të organizuar në qeveri, kontrollin politik të gjyqësorit dhe medias, ndërhyrjet kundër SPAK-ut dhe emigrimin masiv të pothuajse gjysmës së popullsisë. Letra i bën thirrje Shteteve të Bashkuara t’i japin fund mbështetjes politike dhe kontakteve zyrtare me z. Rama, të monitorojnë dhe mbrojnë në mënyrë aktive institucionet gjyqësore të Shqipërisë dhe të ofrojnë mbështetje të qartë morale për forcat demokratike të opozitës për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe zgjedhjet e lira.

LETËR E HAPUR

Të Nderuar President Trump dhe Kongresiste McClain,

Në emër të ALBANIANS FOR TRUMP, ju shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë për udhëheqjen tuaj dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që keni pasur gjithmonë me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Organizata jonë ju mbështeti me krenari në dy zgjedhjet e fundit presidenciale, duke mobilizuar votues, mbledhur fonde dhe promovuar politikat tuaja në shtete kyçe. Ne besojmë fuqimisht se angazhimi dhe kontributet e komunitetit tonë patën një ndikim domethënës në fitoren tuaj historike. Shqiptaro-amerikanët mbeten thellësisht besnikë ndaj vlerave konservatore amerikane dhe vizionit tuaj për udhëheqje të fortë, sovranitet kombëtar dhe liri.

Po ju shkruajmë për të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e rëndë dhe në përkeqësim në Shqipëri nën regjimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka përjetuar një erozion të thellë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe besimit publik në institucionet shtetërore. Z. Rama po shërben tani mandatin e tij të katërt radhazi; një dominim politik i arritur në kushte që vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë konsideruar vazhdimisht thellësisht problematike.

Shqipëria sot perceptohet gjerësisht si një narkoshtet. Rrjetet e trafikut të drogës operojnë me pothuajse pandëshkueshmëri të plotë dhe ka prova të konsiderueshme, si dhe bindje të përhapur publike, se zyrtarë të lartë qeveritarë mbajnë lidhje të ngushta me grupe të krimit të organizuar. Raporte dhe hetime të shumta ndërkombëtare e kanë identifikuar Shqipërinë si një qendër të rëndësishme për trafikun e kokainës dhe kanabisit drejt Evropës. Shteti i së drejtës është dobësuar rëndë. Zbatimi i ligjit dhe gjyqësori janë të politizuar, dhe drejtësia zbatohet në mënyrë selektive. Korrupsioni është bërë sistemik në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa denoncuesit dhe kundërshtarët politikë përballen me burgosje, intimidime, ndjekje penale ose heshtje të detyruar.

Dhjetëra zyrtarë të lartë nga qeveria dhe partia e z. Rama janë arrestuar, akuzuar ose vënë nën hetim për korrupsion. Këta përfshijnë ish-ministra, ministra në detyrë, deputetë, drejtues agjencish, ish-Zëvendëskryeministrin, Zëvendëskryeministren aktuale dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo valë e paprecedentë skandalesh tregon se korrupsioni nuk është i izoluar, por i rrënjosur thellë në nivelet më të larta të shtetit shqiptar.

Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë as të lira dhe as të ndershme. Sipas shtatë raporteve evropiane të monitorimit, përfshirë OSBE dhe ODIHR, zgjedhjet e fundit janë shoqëruar me intimidim votuesish, blerje votash, manipulim të listave zgjedhore, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik, duke minuar mundësitë e barabarta për partitë opozitare. Gjithashtu raportohet se nuk ekziston një ndarje e qartë midis qeverisë dhe Partisë Socialiste në pushtet, me institucionet shtetërore që përdoren si mjete politike për të ruajtur pushtetin, duke i privuar shqiptarët nga zgjedhje të vërteta demokratike.

Peizazhi mediatik në Shqipëri është thellësisht i korruptuar. Shumica e televizioneve dhe mediave kryesore kontrollohen nga oligarkë të afërt me qeverinë. Gazetarët e pavarur përballen me presion, padi gjyqësore dhe hakmarrje ekonomike. Si rezultat, publiku dezinformohet sistematikisht dhe zërat kritikë margjinalizohen.

Si pasojë e këtij realiteti, pothuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit. Ky eksod masiv është një tregues i qartë i dëshpërimit, mungesës së mundësive dhe humbjes së shpresës mes qytetarëve. Familjet po ndahen dhe e ardhmja e vendit po zbehet.

Kryeministri Rama është përfshirë në skandale serioze, përfshirë pretendime për lidhje me kartele droge si Sinaloa dhe përfshirjen e tij në çështjen McGonigal në Shtetet e Bashkuara, çka ka dëmtuar më tej reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ka ngritur shqetësime për ndikim të huaj dhe korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit.

Z. Rama njihet gjithashtu për lidhjet e tij të ngushta personale dhe politike me George Soros dhe organizatat e financuara prej tij, të cilat kanë ushtruar ndikim të konsiderueshëm në reformën në drejtësi, mjedisin mediatik dhe sektorin e shoqërisë civile në Shqipëri. Shumë shqiptarë besojnë se këto lidhje e kanë mbrojtur qeverinë e tij nga vëzhgimi ndërkombëtar, pavarësisht provave në rritje për korrupsion dhe regres demokratik.

Në të njëjtën kohë, z. Rama ka bërë deklarata publike armiqësore dhe mosrespektuese ndaj jush, President Trump, duke ju quajtur “rrezik për botën, nëse zgjidheshit”, dhe duke paraqitur udhëheqjen tuaj si kërcënim për stabilitetin global dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ai gjithashtu ju ka ironizuar publikisht në takime ndërkombëtare, përfshirë gjatë një takimi me Presidentin Macron, sjellje që ka fyer shumë shqiptarë që vlerësojnë miqësinë historike mes dy vendeve tona.

Zoti President, shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë, dhe shqiptaro-amerikanët kanë qenë përkrahës të palëkundur të Partisë Republikane dhe të udhëheqjes suaj.

Angazhimi juaj parimor mund të bëjë një ndryshim domethënës në rikthimin e shpresës, integritetit dhe shtetit të së drejtës në atdheun tonë.

Me espekt të thellë, ju kërkojmë juve dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së të mbështesni dhe monitoroni në mënyrë aktive sistemin gjyqësor të Shqipërisë, veçanërisht Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), për të siguruar funksionimin e saj të pavarur dhe pa presion politik. Ndërhyrjet e Kryeministrit Rama, përmes sulmeve publike, manovrave legjislative dhe presionit ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, kanë krijuar një klimë intimidimi që kërcënon integritetin e hetimeve në vazhdim. Mbikëqyrja dhe mbështetja morale amerikane janë thelbësore për të sjellë para drejtësisë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe për të parandaluar pengesat politike që minojnë shtetin e së drejtës.

Ju bëjmë thirrje të pezulloni çdo kontakt zyrtar dhe çdo formë mbështetjeje politike për Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Ai i paraqet këto kontakte si dëshmi të miratimit amerikan të sundimit të tij, duke mashtruar popullin shqiptar dhe legjitimuar një regjim gjithnjë e më autoritar dhe të korruptuar.

Një distancim i qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara do të dërgonte një mesazh të fuqishëm në mbështetje të demokracisë, llogaridhënies dhe vullnetit të vërtetë të popullit shqiptar.

Njëkohësisht, kërkojmë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të ofrojë mbështetje të qartë morale dhe politike për forcat demokratike të opozitës në Shqipëri, të cilat përballen me presion të madh, intimidim dhe bllokadë mediatike. Një mbështetje e tillë do t’u jepte shpresë miliona shqiptarëve që ende besojnë në zgjedhje të lira, shtetin e së drejtës dhe një të ardhme demokratike perëndimore për vendin e tyre.

Ju falënderojmë për kohën, udhëheqjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm ndaj lirisë dhe demokracisë.

Me respekt,

ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP – Michigan

Kontakt: Valentin Lumaj

Email: Allgoods@me.com

Bordi i Paqes i Donald Trump mblidhet në Washington! Pjesëmarrësit, mungesat dhe përçarja në Evropë

0

Bordi i Paqes i ngritur nga presidenti Donald Trump, me objektiv fillestar rindërtimin e Rripit të Gazës dhe më pas me mandat të zgjeruar për menaxhimin e krizave ndërkombëtare, organizon sot mbledhjen e tij të parë në Washington.
Në axhendë përfshihen çështje si çarmatimi i Hamasit, madhësia e fondit për rindërtimin e enklavës palestineze dhe garantimi i rrjedhës së pandërprerë të ndihmës humanitare drejt Gazës, tema që pritet të vënë në provë efektivitetin e organit të ri në periudhën në vijim.

Në mbledhjen e sotme marrin pjesë 47 shtete, nga të cilat vetëm disa gëzojnë statusin e anëtarit të plotë, si dhe Bashkimi Evropian me rol vëzhgues. Rindërtimi i Gazës përbën misionin e parë zyrtar të këtij Këshillit, i cili ndodhet nën kontrollin e plotë të presidentit amerikan Donald Trump.

Takimi do të zhvillohet në “Institutin Amerikan për Paqen Donald J. Trump”, i cili u riemërua së fundmi në nder të presidentit amerikan, dhe do të nisë në orën 09:00 me orën lokale (15:00 me orën e Shqipërisë).

Fjalime pritet të mbajnë, ndër të tjerë, Trump, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, si dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, do të shpallen angazhime për mbledhjen e 5 miliardë dollarëve për Rripin e Gazës, si dhe për dërgimin e “mijëra” ushtarëve që do të marrin pjesë në një forcë stabilizimi.

Çarmatimi i Hamasit, si kusht për nisjen e misionit të kësaj force stabilizuese, mbetet një çështje e ndërlikuar. Për këtë arsye, dislokimi i saj nuk pritet të ndodhë para disa javësh ose muajsh.

“Nuk kemi iluzione për sfidat që paraqet demilitarizimi, por jemi inkurajuar nga mesazhet që kemi marrë nga ndërmjetësit”, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan.

Një anëtar i Bordit të Paqes, i cili kërkoi të ruajë anonimitetin, theksoi se plani për Gazën përballet me pengesa të mëdha.

Ai shtoi se një nga çështjet kryesore të pazgjidhura është se kush do të negociojë me Hamasin, ndërsa një tjetër problem serioz mbetet rrjedha e ndihmës humanitare, të cilën e cilësoi “katastrofike”, duke theksuar urgjencën për rritjen e saj. Megjithatë, edhe nëse ndihma shtohet, mbetet e paqartë se kush do ta shpërndajë atë.

Një rival i OKB-së?

Përveç Gazës, Bordi i Paqes ka si mision “të garantojë paqe të qëndrueshme në zonat e goditura ose të kërcënuara nga konfliktet”.

Në letër, kjo mund të nënkuptojë konkurrencë me United Nations, të cilën Trump e ka cilësuar si joefektive.

Anëtarët e përhershëm të Bordit duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim, çka ka nxitur kritika se ai mund të shndërrohet në një version me pagesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, e ka cilësuar Bordin si “një OKB të re, ku Trump do të jetë i vetmi zot”.

Donald Trump është në thelb presidenti i plotfuqishëm i Bordit, pasi vetëm ai ka autoritetin të “ftojë” krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish për t’u bashkuar, si dhe mund të revokojë lehtësisht pjesëmarrjen e tyre.

Kush merr pjesë në Bordin e Paqes?

Liderë të akuzuar për prirje autoritare ose që kanë përqafuar ideologjinë e Trumpit, si dhe vende që shqetësohen për të ardhmen e Gazës apo synojnë të ruajnë marrëdhënie të mira me presidentin amerikan, kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre.

Izraeli do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar. Në mbledhje do të jenë të pranishëm kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán dhe presidenti i Argjentinës Javier Milei.

Shumë vende arabe i janë bashkuar Bordit: Egjipti do të përfaqësohet nga kryeministri Mostafa Madbouly, ndërsa Jordania nga ministri i Jashtëm Ayman Safadi.

Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, është shprehur i gatshëm të dislokojë 8.000 ushtarë për forcën e stabilizimit, ashtu si edhe disa liderë të Azisë Qendrore që i janë bashkuar Këshillit.

Gjithashtu, pjesëmarrjen e tyre e kanë njoftuar Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, El Salvadori, Kazakistani, Kosova, Mongolia, Pakistani, Paraguaji, Uzbekistani dhe Vietnami.

Kush mban distancë?

Partnerët tradicionalë të mëdhenj perëndimorë, si edhe rivalët kryesorë të SHBA-së, në pjesën më të madhe kanë shmangur anëtarësimin si themelues në Bordin e Paqes. Fuqitë e mëdha të Jugut Global, si Brazili, India, Meksika dhe Afrika e Jugut, nuk e kanë pranuar ftesën e Trumpit.

Evropa paraqitet e përçarë lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë për mbledhjen e sotme.

Disa vende do të marrin pjesë si “vëzhgues”, si Italia dhe Gjermania. Edhe BE-ja ka zgjedhur të njëjtën qasje dhe do të përfaqësohet nga komisionerja Dubravka Šuica. Megjithatë, Franca, Spanja, Belgjika dhe Irlanda, ndër të tjera, kritikuan vendimin e Brukselit.

Trump tërhoqi ftesën e dërguar Kanadasë, ndërsa Vatikani refuzoi të marrë pjesë.

Kina, e cila është ftuar, nuk ka shprehur qëllim për pjesëmarrje dhe ka theksuar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj sistemit ndërkombëtar me në qendër OKB-në.

Japonia po shqyrton ende vendimin për pjesëmarrje zyrtare në Bordin e Paqes. Sipas raportimeve mediatike, në mbledhjen e sotme pritet të dërgojë të dërguarin e saj për Gazën.

Protesta e opozitës më 20 shkurt, Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve të saj: Qëndroni vigjilentë dhe shmangni…

0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e planifikuar nga Partia Demokratike ditën e premte më 20 shkurt, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Ambasada këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin zonën e protestës, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

“Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të premten, më 20 shkurt 2026, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë ndërtesës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet një prezencë e shtuar policore, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestës. Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personeli i Ambasadës së SHBA-ve është këshilluar të shmangë demonstratën.
Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqe dhe ndërtesa të tjera qeveritare pranë, duke shkaktuar ndërprerje trafiku, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përgjithshëm është të shmangni zonat e protestës. Nëse jeni në qytet, ju lutemi që të mbani vigjilencë dhe të prioritizoni sigurinë tuaj personale”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

POSTIMET E FUNDIT