Kreu Blog Faqe 33

A ka guxim SPAK ta marrë si të pandehur Edi Ramën bashkë me Belinda Ballukun?

0

Analisti Fatos Lubonja i ftuar në “Studio24” në News24 ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe pavarësinë e SPAK-ut përballë qeverisë.

Sipas tij, debati nuk lidhet vetëm me ndryshimet ligjore, por me thelbin e marrëdhënies mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë.
Gjithashtu shtroi pyetjen nëse ‘SPAK do të ketë kurajën që ta thërrasë si të pandehur bashkë me Ballukun’?

“Këtë po e bën sepse kërkon ta mbrojë duke na futur edhe gjithë Shqipërinë. Çështja është a është bërë ky korrupsion apo jo? SPAK duhet që në fillim të kishte kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestin. Por pse nuk e kërkon SPAK? Por lajmi që është sot është ky që Rama i vuri kurifin SPAK…dhe i tha marrëveshja që kemi është se do vini deri këtu dhe se nuk mund të shkoni dot më tej.

Tani gjasme po bën ndryshime ligjore. Thelbi është kontrolli i SPAK. Por a ka kuroja të thërrasë Ramën dhe ta marrë si të pandehur bashkë me Ballukun? Sepse krimi që është bërë është i qartë. SPAK me këtë dobësi e çon topin te Kushtetuesja… Kushtetuesja me dobësinë e vet e çon te SPAK. Por Rama po bën lojën e tij për krimet që bën dhe nga ana tjetër e shet sikur po bën reformë”, tha ndër të tjera ai.

Italia ndjek Gjermaninë, liderët e Europës braktisin “Bordin e Paqes”

0

Një “Bord Paqeje” për Gazën në Uashington duket se do të mbahet pa liderët kryesorë të Europës dhe G7, me përjashtim të Donald Trump. Friedrich Merz nuk do të marrë pjesë, dhe kjo nënkupton që as Giorgia Meloni nuk do të shkojë, ndërsa pjesëmarrja e Antonio Tajanit mbetet e pasigurt.

Italia kërkon të jetë e pranishme për të mbajtur një këmbë brenda nismës, duke kontribuar në formimin e policisë palestineze dhe rritjen e pranisë së karabinierëve në Rafah. Qeveria italiane e sheh këtë si një mundësi për të mbështetur procesin dhe për të mos humbur ndikimin mbi përpjekjet për çarmatosjen e Hamasit dhe daljen e forcave izraelite nga zona.
Megjithatë, shumica e institucioneve europiane mbajnë qëndrim të ftohtë. Komisioni Europian do të përfaqësohet vetëm nga Dubravka Šuica për çështjen e Gazës dhe nuk do të jetë anëtare e Bordit. Qeveria gjermane ende reflekton mbi dërgimin e përfaqësuesve të saj, duke përfshirë Johann Wadephul, por Merz nuk do të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në kongresin e CDU-së.
Situata tregon një distancim të qartë të liderëve europianë nga nisma e Trump-it, duke e lënë Italinë në një rol më të vetmuar, por të kujdesshëm, për të ruajtur ndikimin e saj mbi procesin.

Si mbyllet SPAK për 6 muaj!

0

Shkruan Lutfi Dervishi

Qeveria mund ta “mbyllë” SPAK-un dhe Gjykatën Speciale brenda gjashtë muajve.
Jo me ligj.
Jo me votë.
Jo me presion.
Jo me Gjykatë Kushtetuese
Por duke qeverisur mirë.
Deri tani, qeveria dhe administrata kanë abuzuar kaq shumë me keqqeverisjen,sa SPAK-u ka punuar me turne. Por keq qeverisja dhe abuzimi janë bërë me qëllim që reforma në drejtësi të dalë “me sukses”
Tani kjo epokë merr fund.
Qeverisje model.
Respekt për ligjin.
Etikë në administratë.
Nëse kjo ndodh, SPAK mbetet pa çështje. Gjykata pa të pandehur. Prokurorët pa punë.
Reforma në drejtësi do të mbyllet, do të jetë viktimë e suksesit të mirëqeverisjes.
SPAK-u do të “mbyllet” se mbetet pa punë.
P.S. Apo mirë qeverisja është një sakrificë që nuk ja vlen të bëhet? Mision i pamundur?!

Sot Diella e Edi Ramës ishte në gjyq. Kryeministri ishte thirrur por nuk u paraqit në gjyq, shtyhet seanca për datën 23 shkurt

0

Gjykata Administrative mbajti sot seancën me paditëse aktoren Anila Bisha, e cila kërkon sigurim padie dhe pezullimin e ministres së Inteligjencës Artificiale, Diella, deri në shqyrtim në themel të çështjes.

Mësohet se gjatë Apelit të gjyqtarit të çështjes u konstatua se avokati i Anila Bishës ka kërkuar shtyrje të seancës mbasi ai është sëmurë.

Sipas gjyqtarit të çështjes është thirrur Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSHI), por nuk është paraqitur.

Më pas, sipas tij, Kryeministri nuk është paraqitur.

Por dy avokatë të tjerë të pranishëm deklaruan se këto interesa të përfaqësohen nga avokatura e shtetit.

Juristët e avokaturës, kërkuan që për shkak të emergjencës, seanca të mos shtyhet.

Gjyqtari Armand Shkurta deklaroi se çështja e ngutshme është për paditësin dhe jo për të paditurin, ndaj e shtyn seancën. Çështja shtyhet për në datën 23 shkurt në orën 14:00.

Vjosa Osmani u kërcënua 2 vjet nga Prokuroria në Hagë pasi s’i la prokurorët ta dhunonin edhe zyrën e Presidentit

0

Kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë që Presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar. Sipas Ramës Osmani nuk ka lejuar që të dhunohet institucioni i Presidencës, ku hetuesit do të kërkonin ato që ata pretendojnë se janë krime kundër njerëzimit, lidhur me procesin që vijon ndaj ish-krerëve të UÇK, raporton A2CNN.

Nuk është sekret shtetëror për mua që edhe Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurororët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek edhe aty do kërkonin provat e ‘krimeve kundër njerëzimit’, që do ta vendoste Kosovën në sytë e botës, si një shtet ku deri në zyrën e Presidentes gjenden prova për ‘krime kundër njerëzimit’. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe për nderin e Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë“, tha Rama në fjalën e mbajtur në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës.
Lidhur me Gjykatën Speciale, kryeministri Rama theksoi që nuk bëhet fjalë vetëm idiotë, por për instrumenta të një gjykate që “është edhe më politike se sa gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën”.

Pas Belinda Ballukut, radhën e ka Edi Rama

0

I fundit, detajet e forta

Kryeministri Edi Rama po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun, sepse nëpërmjet saj mbron pushtetin e tij dhe sulmon drejtësinë.
Kreu i qeverisë “ka kry punë” dhe “siç iku Balluku, ashtu do largohet edhe ai. Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” Ilirjana Kuçana, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe njëkohësisht ish-kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit 2025 në qarkun Durrës.
Ajo komentoi situatën më të fundit politike, e veçanërisht nismën e qeverisë për ndryshimet ligjore, me qëllim kufizimin e drejtësisë tek pezullimi i zyrtarëve të lartë.
“SPAK ka trokitur në derën e Ramës dhe ai do bëjë gjithçka për ta penguar. Kushtetuta është e barabartë për të gjithë, përfshirë edhe politikanët, nëse Rama nuk e ka kuptuar këtë pjesë është problem i tij, ligji është i barabartë për të gjithë, pse mbron vetëm Ballukun dhe jo Veliajn e të tjerët. Ai është i shqetësuar, ndaj po sulmon drejtësinë”, argumentoi ajo.
Kuçana u shpreh e bindur se ashtu siç iku zv/kryeministrja Balluku, tashmë e pezulluar me vendim të GJKKO dhe e pandehur nga SPAK, teksa Kushtetuesja la në fuqi edhe vendimin e pezullimit, ashtu do të largohet edhe Rama.
“E kam thënë, siç iku Balluku ashtu do iki edhe Rama, nuk ka as Bruksel që e mbron. Rama të lëshojë Ballukun dhe të mos pengojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rama po përpiqet të mbrojë Ballukun sepse e kam thënë, ajo është fundi i Edi Ramës, ndaj ai nuk po mbron në dukje Ballukun por veten e tij, aepse aty është pas edhe dosja e AKSHI-t, edhe familja”, vijoi ish-kandidatja për deputete.
Sipas politikanes opozitare, kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, ndaj edhe kryeministri do bëjë gjithçka për të mbrojtur karrigen e tij. Ndaj për këto arsye, sipas Kuçanës “Rama ka kry punë”, ashtu sikurse edhe Balluku.
“Kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, për afera dhe njerëz të dënuar. Me treçerekun e kryebashkiakëve të akuzuar apo në burg, me zv/kryeministren e pandehur, me një tjetër në kërkim, me ministra të arrestuar. Ndaj them se Edi Rama ka kryer punë. Ai po mbron karrigen e tij. Ai po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo formë, me çdo mënyrë, me kartelet e drogës, me njerëzit e tij, me pasuritë e të tjera”, komentoi ajo.
Kuçana dha një opinion edhe për ftesën e presidentit Donald Trump për kryeministrin Edi Rama në Bordin e Paqes, në takimin që do mbahet në SHBA. Ajo u shpreh se ftesa është për Shqipërinë dhe jo për Ramën.

“Sa për ftesën e Bordit të paqes ajo është ftesë për Shqipërinë”, u shpreh anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Në 23 shkurt vendoset për imunitetin e Belinda Ballukut/ Këshilli i Mandateve shqyrton kërkesën e SPAK për arrestim

0

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet më 23 shkurt, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës është kërkuar arrestimi.

Mbledhja pritet të zhvillohet nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa fokusi do të jetë vendimmarrja nëse do t’i hapet rrugë autorizimit të kërkuar nga SPAK apo jo. Vendimi i Këshillit është një hap procedurial i domosdoshëm përpara çdo mase të mundshme ndaj një deputeti apo anëtari të qeverisë që gëzon imunitet.

Belinda Balluku akuzohet për disa vepra penale që lidhen me dyshime për abuzime në projektin e Tunelit të Llogarasë dhe në tenderat e Unazës së Madhe. Pas shqyrtimit në Këshillin e Mandateve, çështja pritet t’i kalojë seancës plenare për votim, në rast se jepet një rekomandim pozitiv për heqjen e imunitetit.

Lou Salomé, “ëndrra më e bukur e jetës…” së Fridrih Niçe, gruaja që pataksi mëndjet brilante të kohës

0

Përgatiti: Albert Vataj

Kur Fridrih Niçe hyri në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë në prill të vitit 1882, ai nuk ishte aty për t’u lutur. Ai ishte drejtuar kah një rrëfimtoreje ku miku i tij, filozofi Paul Rée, po rrinte ulur, duke punuar mbi shënimet e kërkimit nën dritën që hynte nga dritarja. Dhe pranë Rée-së ishte një grua e re.
Emri i saj ishte Lou Salomé. Ishte njëzet e një vjeçe, e lindur në Rusi, e etur për dije dhe krejt ndryshe nga kushdo që Niçe kishte takuar ndonjëherë.
Fjalët e para që ai i tha, me atë që Lou më vonë do ta përshkruante si një solemnitet të qëllimshëm, ishin këto:
“Prej cilave yje kemi rënë që të takohemi këtu?”
Nuk ishte një flirt. Ishte një rrëfim. Fridrih Niçe besoi që në çastin e parë se kjo përballje mbante një peshë përtej çdo biografie të zakonshme. Më vonë do ta quante “ëndrra më e bukur e jetës sime”.
Lou Salomé kishte ardhur në Romë me nënën e saj. Ajo kishte lindur në Shën Petersburg më 1861, e vetmja vajzë në një familje me pesë vëllezër. U rrit duke folur rusisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Që fëmijë u përthith nga librat dhe idetë. Ndërsa bota përreth këmbëngulte se qëllimi i një gruaje ishte martesa dhe amësia, Lou nuk kishte asnjë interes për asnjërën. Ajo donte të mendonte, të studionte, të kuptonte botën sipas kushteve të veta.
Në Romë ajo njohu Paul Rée-n në një sallon letrar. Ai ra në dashuri me të pothuaj menjëherë dhe i propozoi martesë. Ajo refuzoi. Në vend të kësaj, bëri një kundërpropozim të pazakontë, të jetonin dhe studionin bashkë si shokë intelektualë, si vëlla e motër, pa detyrim romantik. Ajo dëshironte të krijonte një lloj komune akademike, një jetë të përbashkët të mendjes. Rée pranoi dhe sugjeroi të ftonin mikun e tij brilant, Fridtih Niçe që t’u bashkohej.
Niçe mbërriti në Romë i përflakur nga pritja. Madje para se të takoheshin, ai i kishte shkruar Rée-së me një intensitet tronditës: “Përshëndete këtë ruse nga ana ime. Jam i pangopur për këtë lloj shpirti.”
Pas takimit në Shën Pjetër, të tre udhëtuan së bashku në Itali dhe Zvicër.
Fridrih Niçe ishte i mahnitur. Besonte se më në fund kishte gjetur atë që ai e quante një shpirt binjak, dikë që mund ta ndiqte mendimin e tij deri në qoshet më të errëta e më të vetmuara.
Sipas rrëfimit tradicional, ai i kërkoi Rée-së t’i propozonte martesë Lou-s në emër të tij. Ajo refuzoi. Më vonë, kur mbetën vetëm në Lucernë në maj, Niçe thuhet se i propozoi vetë. Ajo refuzoi sërish. Disa historianë kanë vënë në dyshim nëse këto propozime ndodhën realisht, pasi nuk përmenden në letrat e Niçes. Por ajo që është e padiskutueshme është thellësia e lidhjes së tij emocionale dhe ndikimi shkatërrues i asaj që pasoi.
Lou nuk e refuzoi Niçen nga mosdashja. Ajo e admironte jashtëzakonisht mendjen e tij. Por ajo kuptonte diçka që shumica e njerëzve të shekullit XIX nuk e kuptonin, për një grua, martesa nuk ishte partneritet, por dorëzim. Nënkuptonte të bëheshe pronë ligjore e dikujt. Lou refuzoi të shkëmbente lirinë e saj intelektuale me cilindo burrë, sado brilant të ishte.
Ajo që ndodhi më pas prodhoi një nga fotografitë më të famshme në historinë e filozofisë. Ishte Fridrih Niçe ai që e konceptoi idenë. Pavarësisht hezitimit të Rée-së për t’u fotografuar, Niçe këmbënguli. Organizoi gjithçka me fotografin zviceran Jules Bonnet, karrocën e vogël bujqësore që Bonnet mbante në studio, pozicionimin e figurave, madje edhe degën e vogël të jargavanit të lidhur pas kamxhikut. Në imazhin përfundimtar, Niçe dhe Rée qëndrojnë përpara karrocës si dy kafshë tërheqëse, ndërsa Lou gjunjëzohet brenda saj, duke mbajtur kamxhikun.
Imazhi synohej si një shaka e hareshme mes miqsh, por tronditi këdo që e pa. Nëna dhe motra e Fridrih Niçe u tmerruan. Rrethi i tyre shoqëror e konsideroi skandal. Një grua e re paraqitej si ajo që drejtonte dy nga mendimtarët më të respektuar të kohës. Qëllimisht apo jo, fotografia kapte diçka reale në dinamikën mes tyre. Lou Salomé nuk e shihte veten poshtë këtyre burrave. Ajo ishte e barabartë me ta. dhe në atë çast aventure të përbashkët intelektuale, ata të tre e dinin këtë.
Miqësia nuk zgjati. Motra e Niçes, Elisabeth, punoi pareshtur për të shkatërruar marrëdhënien e tij me Lou-n, duke shkruar letra plot akuza dhe shpifje. Xhelozia mes Niçes dhe Réesë u thellua. Në fund të vitit 1882, Lou dhe Rée u larguan bashkë, dhe Niçe mbeti vetëm.
Dhimbja që pasoi ishte e thellë. Fridrih Niçe ra në një nga periudhat më të errëta të jetës së tij. Shkroi letra të mbushura me dëshpërim, vetmi dhe hidhërim. Vuri në pikëpyetje nëse mund ta përballonte shkatërrimin emocional. Por nga ajo vuajtje lindi diçka e jashtëzakonshme. Në vetëm pak ditë, në fund të janarit 1883, ai shkroi pjesën e parë të “Kështu foli Zarathustra”, vepër që shumëkush e konsideron kulmin e tij. Vetmia, refuzimi dhe humbja e njeriut që ai besonte se mund ta kuptonte, u shndërruan drejtpërdrejt në filozofinë që do të riformësonte mendimin modern.
Ndërkohë, Lou vazhdoi të jetonte pikërisht siç kishte vendosur gjithmonë. U zhvendos në Berlin me Réen dhe jetoi me të për disa vite, përpara se të hynte në një martesë me Fridrih Carl Andreas, profesor i gjuhëve perse. Por kjo nuk ishte një martesë e zakonshme. Sipas të gjitha dëshmive, ajo mbeti e pakonsumuar për vite me radhë dhe funksionoi më shumë si një marrëveshje formale që i siguronte Lous respektabilitetin shoqëror, duke ruajtur lirinë që ajo kërkonte. Qëndruan të martuar deri në vdekjen e tij më 1930, por Lou jetoi jetën e saj sipas vullnetit të vet.
Kjo jetë e çoi drejt poetit të ri Rainer Maria Rilke. Kur u takuan, Rilke ishte i brishtë emocionalisht dhe në kërkim drejtimi. Lou dalloi talentin e tij të jashtëzakonshëm. U bë mentore, shoqe dhe ndikim transformues në veprën e tij. E shoqëroi në dy udhëtime në Rusi, ku takuan autorin legjendar Leo Tolstoy. Këto udhëtime formësuan zërin dhe vizionin poetik të Rilke-s në mënyra që jehuan në krijimtarinë e tij më të madhe. Edhe pasi marrëdhënia romantike përfundoi, ata mbetën të lidhur thellë për gjithë jetën. Rilke vazhdoi t’i shkruante Lou-s në momentet më të vështira, duke i besuar asaj më shumë se pothuajse kujtdo tjetër për të kuptuar botën e tij të brendshme.
Në vitin 1912, në moshën pesëdhjetë e një vjeçare, Lou takoi Sigmund Freud-in. Ai u impresionua thellë nga intelekti i saj dhe ajo u bë një nga nxënëset dhe korrespondentet e tij të afërta. Lou u bë një nga psikoanalistet e para femra në histori, duke trajtuar pacientë dhe duke shkruar për ëndrrat, fenë, seksualitetin dhe mekanizmat e fshehtë të mendjes njerëzore. Ajo eksploroi tema që shoqëria e sjellshme i konsideronte të ndaluara, me të njëjtën pavarësi të patrembur që kishte përkufizuar gjithë jetën e saj.
Gjatë gjithë kësaj, Lou Salomé u gjykua, u keqkuptua dhe u kritikua. Motra e Niçes e quajti grabitqare. Të tjerë pëshpëritnin se manipulonte burrat brilantë përreth saj. Por e vërteta ishte më e thjeshtë dhe më e fuqishme se çdo thashethem. Lou Salomé refuzoi të jetonte sipas rregullave që nuk i kishte zgjedhur vetë. Refuzoi të zvogëlonte veten për t’iu përshtatur pritshmërive të të tjerëve. Refuzoi të besonte se të qenit grua do të thoshte të qenit më pak.
Ajo nuk ishte një hije pas burrave të mëdhenj. Ishte një dritë që i tërhiqte drejt vetes, dhe në shumë raste, forca që i ndihmoi të bëheshin ata që ishin të destinuar të ishin.
Lou Andreas-Salomé vdiq më 5 shkurt 1937, në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare. Ajo la pas një krijimtari që shtrihej nga filozofia te psikologjia, nga proza artistike te kujtimet. Por mbi të gjitha, la pas një jetë që dëshmoi diçka për të cilën bota ende nuk ishte gati.
Mendja e një gruaje nuk është e brishtë. Ajo është e pakufishme.
Dhe akti më radikal që një njeri mund të kryejë është të jetojë sipas kushteve të veta, pavarësisht çfarë kërkon bota.

Kulti dje dhe “Naltmadhënia” e sotme

0

Shkruan Shefqet Meko

Në fëmijërinë tonë, ne nuk kishim shumë “heronj që t’u ngjanim”. Nuk krahasohet me sot. Çdo gjë me pakicë, si “mielli dhe sheqeri”. Edhe fjala me pakicë. Ato që na pëlqenin ishin përrallat e bukura që rrëfeheshin netëve të vona, nën ndriçime të vagëta kandili apo llambe vajguri. Ato sikur na rritën. Kur provuam të flisnim, ne shumë raste ne “kafshonim gjuhën”.

Po sot? Sa shumë “heronj” të çuditshëm krijon ekrani. Në sekondë shpërthen lajmi dhe lavdia: Kryeministra, opozitarë, shpëtimtarë të torollepsur, kriminelë, vrasës, trafikantë, përdhunues, të marrë, të gjithë këta e plot idiotë janë “menyja e bollshme” e ekranit. Mungon vetëm njeriu. Mungon puna. Ëndrra e vërtetë dhe “virgjëria” e saj. Në vend të tyre sheh “njerëz pa dhëmbë” që bëhen heronj sepse kanë marrë “miliona pickime” nëpër qelqe. Të pështirë që pushtojnë ekrane. Venozë që veremosin çastin tënd…

Në rininë time ekrani ishte “virgjëria e virtytit”: Nuk dilnin të gjithë. Në vitet tona, edhe diktatori nuk dilte kurrë në ekran më shumë se 3-4 herë në vit së shumti. Por “hija” ishte kudo. Natyrisht ne “marroseshim” pas fjalës së tij dhe “bënim jehonë” sipas porosive. Shkonim në rrethe, pyesnim, intervistonim dhe nuk kishin “nevojë të dëgjonim”. Ne i kishim “përgjigjet në xhep”. Ne ishim kalemxhinj “të stërvitur” aq sa shpesh nuk njihnim as veten tonë. Por prap, ne kishim “kodin e ndershmërisë”. Nuk pështynim. Nuk tërboheshim. Nuk çmendeshim. Ishim të matur. Ishim njerëz. Dinim pak. Lexonim atë që gjenim. Respektonim njeriun. Udhëtonim në të njëjtin autobus apo tren. Por nuk e shitëm veten. Edhe fjalët e “të madhit” i përdornim me pikatore…”Kujdes” i thoshim vetëdijes sonë, sa herë uleshim të shkruanim një shkrim…Ne nuk kishim lirinë që ka sot gazetari, por kishim karakterin që të fal jeta e mundimshme.

Ne dje dhe ju sot. Sa ndryshim. Çfarë përmbysje! Nuk ka “kandar” as logjika, as dija. Ka vetëm verbëri. Dashuri dhe urrejtje. Pazare dhe kulisa. Pagesa nëpër qoshe të errëta. Dje ne “bënim kujdes”, sot “lëshoje pa frena fjalën”…Dje ne kishim frikë, sot “mos e rruaj…”. Dje nuk fyenim, sot vërsulu. Dje qorroheshim mbi libra, sot “të gjithë akademikë”…

A kam nostalgji për të djeshmen? Hiç fare, por është kujtesa ime. Dje mbase besoja verbërisht, sot “pikëpyetje mbi këdo”! E di që nuk jam ai që kam qenë, por sërish jam “ai që isha”: Njeri. E di që pata “dashuri politike”, por nuk u verbova. Unë isha, si shumë të tjerë: “i ngopur” me kultin e Njëshit. Atë kishim. Laj e thaj. Një ishte. Kulti nga lart. Nuk ishte faji ynë. Ishte “koha e tillë”: Ai dhe askush… Ne ishim “të helmuar”. Fati ynë që nuk vdiqëm pa provuar lirinë.

Po sot që dimë aq shumë e njohim çdo gjë? Po sot që secili është “kulti i vetes”, ku t’i kërkojmë vlerat tona? Sot, kultet dhe festivët e panumërt, kanë mbytur ekranet. Sot kultet e shteteve të mëdha janë bërë “djathë bebe” që na hapin sytë. Sot media ka krijuar kulte të neveritshme. Zgjohemi dhe flemë me “kultet në ekran”. Ata flasin, ata dinë, ata bëjnë deklarata, ata parashikojnë, ata kanë forcën e pushtetit dhe shpalosin “fatet tona”…Në çdo sekondë flasin ata: “natlmadhënitë” me pushtet dhe pa pushtet, me mjekër dhe pa mjekër, me syze dhe pa syze…Ata flasin. Janë bërë “lugetër” pa vdekur ende. Zot na ruaj, i themi vetes.

Kultet ose kulme-fyryfyçkë! Nuk di pse më erdhi kjo shprehje. Kulte fyryfyçkë! E pakuptimtë!… Fyryfyt. Fyçkë! Kuçkë! Ndjesë lexuesi im. Erdhi si “diarreja” mediatike e kulteve të botës sonë. Erdhi si frikë dhe çlirim. Si thashë? “Kulte dhe kulme-fyryfyçkë. Desha me thënë kulte-fyçkë. Ishte lajthitje. Kulti dje dhe kulti sot. Fjala dje dhe dërdëllitma sot. Nuk di se ç’të them. Unë jam një “xhambaz” i fjalës. Me të kam jetuar gjithë jetën. Kam shkruar artikuj për “ ditët e lavdishme”, për “lumturinë socialiste”, për “të ardhmen e ndritur” që nuk erdhi kurrë…Por më besoni, unë thjesht zbukuroja me fjalë. Mua më dukej se “beja punë time” fisnike… Po tani a mendoj njësoj? A do të shkruaja të njëjtat reportazhe dhe jehona për “Fjalimin e të madhit”?…Kurrë më. Unë jam përfundimisht i lirë për të mos besuar askënd. Por sa keq. Sa e dhimbshme, sa e tmerrshme. Mu deshën aq vite të arrija këtu dhe të jem ky që jam… Tani kultet më duken “shashka në Feken” dhe qesh. Kur më dalin në ekran, shkoj tek “stacioni tjetër” ose mbyll ekranin për të lexuar një libër. E keni vënë re? Libri është “liria që zgjedh”: Ai nuk duartroket, nuk bërtet, nuk ngre zërin, nuk të tall, nuk mërzitet. Libri bëhet “shoku jot” dhe është çlirimi më i mirë apo “antihelmi” nga kultet neveritëse të ekraneve të mëdhenj…

Mos jam marrosur edhe unë? Po tradhtoj “ekranin e madh” që vdes çdo njeri me titull president, kryeministër apo kryetar opozite? Ky lloj njeriu, që shfaqet në çdo ekran që hedh sytë, nuk di pse më kujton skllavopronarin e djeshëm. Ky lloj njeriu çdo sekondë është kudo dhe ngado. Fjala e tij bëhet “zinxhiri ynë”. Ai. Vetëm Ai. Di çdo gjë, duke thënë asgjë. Pyetje idiote. Përgjigje “tra-la-la”. Mungon drita e fjalës. Mungon magjia e mendimit. Hiç frymëzim. Pse na duhen presidentët e kryeministrat në krye? A e dinë misionin e tyre?…A ulen të shkruajnë një fjalim me dorën e vet? A e vrasin mendjen udhëheqësit e sotëm para se të flasin? A mundet të qeverisin edhe në heshtje, pra pa shumë zhurmë e ditirambe? Pyes dhe hesht. Nuk di si të platit dhimbjen. Dua të bërtas, por jam i pa zë. Nuk kam as kamera, as gazetarë përballë… Ata vijojnë dhe bëjnë të njëjtat pyetje idiote udhëheqësve dhe kryetarëve, jo mua . Unë hesht. Unë kujtoj tjetër gjë dhe jam gati të bëj vetëvrasje…

…. Jam marrosur. Nuk dua të vdes. Dua veten time. Asnjë kult nuk më hynë në sy. Të gjithë më duken “filma me kartonë”, të këqij, shpirtzinj, aventurierë, të pabesë, abuzivë, shtypës barbarë të njeriut…Të gjithë luajnë me fatin tonë. Ata shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Puthen me njëri tjetrin si dikur “buzë më buzë” komunistët e Lindjes. Shkelin në qilima të kuq. Zgjedhin fjalët e lëmuara. Ah sikur ata qilima të ishin fluturues, si përralla e bukur e fëmijërisë dhe të fluturonin diku larg tokës, duke marrë me vete gjithë presidentët, kryeministrat dhe mbretërit e botës. E pse na duhen? Mbase vetëm atëherë do kishim paqe, kur bota të mos kishte presidentë, kryeministra, pushtet-njëshi, por thjesht njerëz si unë dhe si ty…Njerëz që nuk dinë të zbrazin një armë…

Çfarë ëndrre e çmendur në këtë fillim viti 2026.

Nga e dashura e Gjin Boriçit, Jozi Kraja dhe Dumani; lista e dëshmitarëve të SPAK për dosjen ‘Metamorfoza’

0

Mesditën e sotme prokurorë dhe avokatë, janë përballur në Gjykatën e Posaçme me dy përfaqësuesit e akuzës, të cilët parashtruan disa kërkesa, mes të cilëve dhe një kërkesë për thirrjen si dëshmitarë të rreth 40 personave që do rrëfehen në gjyqin kundër Behar Bajrit, Pëllumb Gjokës, Denis Brajoviç dhe Edmond Prekës.

Këta persona mes të cilëve dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, akuzohen nga SPAK se kanë vepruar si një grup kriminal, duke kryer vrasjen e Gjin Boriçit, mëngjesin e 8 Gushtit 2020 në Shkodër.

Për të provuar krimin, SPAK ka shprehur dëshirën të thërrasë në gjykatë si dëshmitarë rreth 40 persona, mes të cilëve janë e dashura e viktimës Gjin Boriçi.

Sipas dosjes hetimore e dashura është personi i fundit që ka komunikuar me Gjin Boriçin. Ky komunikim është bërë përmes telefonit dhe nga këqyrja e aparatit të saj del që ajo ka biseduar me të dashurin Gjin Ndoj alias Boriçi.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se vajza do thirret si dëshmitare dhe do pyetet nëse i dashuri i saj ka pasur shqetësime dhe rreth mësimit të lajmit për vrasjen e tij.

Një tjetër dëshmitar është, Nuredin Dumani, i cili në këtë dosje është person nën hetim pasi akuzohet se ka “Siguruar kushtet për të kryer vrasjen” e Dorjan Dulit.

Nuredin Dumani, tashmë i kthyer në bashkëpuntor i SPAK ka pranuar se është kontraktuar nga Behar Bajri dhe Bardhyl Mavraj me qëllim vrasjen e Dorjan Dulit.

Por qëllimi i SPAK me dëshminë e Dumanit, është të provojë kodet e komunikimeve që ka pasur me Behar Bajrin dhe Bardhyl Mavraj, kode me të cilët Bajri, ka kryer biseda dhe në rastin e vrasjes së Gjin Boriçit.

Mes emrave të tjerë për të dëshmuar është dhe Jozi Kraja alias Ndoj, i cili rezulton të jetë vëllai i viktimës Gjin Ndoj alias Boriçit.

Aktualisht Jozi Kraja, ndodhet i izoluar në burg pasi akuzohet për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasjen” e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Lista e dëshmitarëve vijon me emra të tjerë: Kleant Musabelliu, Enver Sylejmani, Adem Cemurati, Vatë Betaj, Hysen Podgorica, Eliseo Berberi, Gasper Kokaj dekan në Universitetin e Shkodrës, Kristjan Kokaj, djali i Dekanit, Kolec Marku, Nikollë Marku, Emanuel Marku dhe persona të tjerë.

POSTIMET E FUNDIT