Kreu Blog Faqe 37

SPAK merr të pandehur edhe sot 1 kryebashkiak socialist dhe 3 ish-zyrtarë

0

Ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Mësohet bashkë me të janë marrë të pandehur edhe shtetasit Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se janë përfshirë në të njëjtën procedurë të kundërligjshme.

Hetimet kanë evidentuar shkelje në një procedurë prokurimi që lidhet me një projekt për ujësjellësin në 8 fshatra të zonës.

Hetimet nisën pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në tetor 2024 dhe kanë në fokus procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal” për disa fshatra dhe qytetin e Memaliajt, me fond mbi 493 milionë lekë.

Sipas organit të akuzës, ish-zyrtarët në bashkëpunim kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë, duke shpallur fitues një bashkim kompanish që paraqiste mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kapacitetin teknik. Gjithashtu, është lejuar nënkontraktimi i një shoqërie që ndodhej në konflikt interesi, pasi kishte dhuruar projektin dhe hartuar specifikimet teknike.

Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet e fundit vendore, kur kandidati i koalicionit opozitar
“Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash.
Ndaj Gucit, sipas raportimeve, ka pasur edhe denoncime të tjera nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 216/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Gjolek Guci, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021);
Edmonda Harizi, ish-Nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, e akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Feta Hoxha, ish-Drejtor i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”, i akuzuar për të njëjtën vepër penale.
Hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024. Për këtë qëllim, më datë 04.11.2024 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.

Nga hetimet ka rezultuar se Kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.

Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.

Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.

Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.

Në datë 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kultura e konfliktit

0

Shkruan Zef Ndreka

Vazhdon ende sot problemi i vjetër dhe i ndjeshëm në politikën shqiptare, raporti mes protestës si instrument demokratik dhe përdorimit të dhunës.
Dihet se protesta është një e drejtë themelore në një demokraci funksionale dhe fiton legjitimitet kur mbetet qytetare, kur është paqësore dhe e orientuar drejt kauzave konkrete. Por çdo herë po shohim momente që protestat dominohen nga molotovë, nga përplasje fizike dhe të lënduar si nga protestuesit apo efektivët e policisë.
Dhe vëmendja sapo ndodhin këto, zhvendoset nga mesazhi politik që duhet të përcjellë protesta, tek incidentet. Kjo zhvëndosje vëmendjeje, më shumë i dëmton vetë organizatorët, sepse opinioni publik priret të reagojë më fort ndaj dhunës sesa ndaj arsyeve të protestës.
Nga ana tjetër edhe vetë shteti mban përgjegjësi të madhe. Menaxhimi profesional i turmave, proporcionaliteti në reagim dhe transparenca pas ngjarjeve janë thelbësore për të mos e përshkallëzuar situatën. Çdo i lënduar, pavarësisht palës, është tregues se diçka nuk ka funksionuar siç duhet.
Kjo lidhet fort me strategjitë e përzgjedhura të opozitës, të cilat dukshmëm shihen si konsumuara.
Po ta bëjmë një vlerësim politik, opozitës shqiptare dhe çdo lloj opozite në vendet demokratike, nuk duhet ti mbarojnë strategjitë, të cilat ndryshojnë, riformatohen ose zhvendosen në terrene të tjera psh. në beteja institucionale, zgjedhore, ligjore, komunikime publike, koalicione, etj.
Historitë politike tregojnë se rrëzimet e qeverive apo rotacionet, zakonisht vijnë nga kombinimi i shumë faktorëve, jo vetëm nga protesta në rrugë apo nga përdorimi i dhunës.
Problemi më serioz në Shqipëri mbetet polarizimi shumë i fortë, mungesa e besimit tek institucionet dhe kultura e konfliktit që shpesh zëvendëson debatin racional. Sepse, fatkeqësisht nga opozita dhe liderët e saj, politika perceptohet si përballje fizike, pa garë idesh, ku humbës kryesor mbetet gjithnjë publiku.
Pyetja në këtë rast që kërkon reflektim dhe përgjigje është:
A i afrojnë këto skena qytetarët me zgjidhjet, apo vetëm thellohen ndarjet?
Përgjigjja është e qartë.

Një gjyqtar i Kushtetueses ka firmosur vendimin në kafe! Sandër Beci merrte para për notat e provimeve të studentëve

0

Shkruan Almer Toska

Ai theksoi se një gjyqtar ka firmosur vendime në kafe, përballë personave që i jepte llogari dhe se sipas tij i është bërë presiom nga ‘grupi i Ballukut’.
Toska: Juristët që janë në panel bëjnë interpretim juridik. Unë them që GJK është kthyer në një ferr të vërtetë. Një pjesë me miratimin e tyre dhe një pjesë të detyruar. GJK sot, që shihet si panteoni i drejtësisë, është kthyer në institucionin më të dobët juridik. Juristët e shpjegojnë shumë mirë përbërjen e GJK. Duhet të kishte njerëzit më ekselentë. GJK janë 3 gjyqtarë karriere, Ilir Toska, Xhaferrllari, Asim Vokshi. Pjesa tjetër janë noterë që nuk kanë lidhje aty. Aktualisht po vlon aty diçka. Një kazan i nxehtë ku sekush do të shmangë përvëlimin, nga presionet politike. Di të them një situatë që një pjesë po luan me zjarrin e të shpallurit njerëz anti amerikan.
Investimi VanHorn në këtë çështje është aq i lartë, por presioni nga qeveria blerja është aq e lartë. Sjell përplasje. Ka një anëtar që është relator Sandër Beci. Ku d të shkojë vendimi i këtij njeriut. Duhet të kuptosh ku shkon ai. I vendosur aty nga PS, person që ka qenë pedagog i përfolu që jepte provimi me 300 euro. S’mund të jetë aty në GJK. Kemi të bëjmë me një vëzhgim absolut nga SPAK dhe ambasada për të gjithë anëtarët e GJK në të gjithë lëvizjen. Dyshimet e forta presionet e qeverisë kanë detyruar këto vëzhgime. Nëse do të ketë gjyqtarë të arrestuar në të ardhmen do jenë nga GJK. Duke mos qenë jo profesionist mund të japin vendimet të padrejta që rëndojnë marrëdhëniet me SHBA.
Nëse do ketë gjyqtarë të arrestuar do ketë nga GJK. Përflitet, që një anëtar i GJK ka firmosur vendimin në kafe dhe jo në zyrë. Kur është mbledhur kolegji për shqyrtim, e ka vendosur firmën jashtë zyrës. Përflitet. Kaq e rëndë situata. Janë vënë përballë tytës, mund të jetë dhe një thes me para që firmos këtu. Politika, grupi i Ballukut. Nuk janë profesionistë të fushës. Askush nuk do të dalë në këtë vend mbi interesin amerikan. Shtyje pafund. Si kuptohet kjo çështje? Është 4 me 4. Në 8 anëtarë raporti 4 pro Ballukut, 4 kundër. Me këtë vendim ngel në fuqi pezullimi.
Nuk mendoj se SPAK ka ndenjur duarkryq. Edhe amerikanët. Për të kuptuar se ku do shkojë vota nesër. Prandaj kemi një deklaratë nga GJK largoni presionin nga ne. Nuk mund të hedhin poshtë interesin amerikan. Presioni mbi ta është i madh. Do vendosin për të mirën e Shqipërisë, apo për të mirën e Ballukut. Ramës i intereson vendimi pro zonjës Balluku. Po hetohet për abuzime 5 mld euro. Personi më i korruptueshëm. Ka një trekëndësh Agasi, Agaçi, Balluku. Këta të tre po mbajnë në presion Ballukun.

3 kufoma në shesh të sarajeve

0

Shkruan Aziz Mustafa

Tellalli i Gjilanit i binte daulles dhe thërriste

– O milet, hapni veshët dhe dëgjoni! Dora e gjatë e pushtetit të Padishahut, që Allahu ia shtoftë ymrin, goditi dhe vrau tre kaçakë që i bënin zullume të mëdha si miletit ashtu edhe pushtetit. Xhenazet i kemi shtrirë në oborrin e Sarajeve. Ejani e shihni. Kush i njeh, le t’i njoftojë familjet e tyre që të vijnë, t’i marrin e t’i varrosin. Nëse deri nesër në mesditë nuk vjen kush për t’i marrë, do t’i hedhim në gropë, pa emër e pa nishan!

Tellalli sorollatej kështu rrugëve e rrugicave të kasabasë, thërriste dhe i binte daulles. Edhe nëpër xhamitë e katundeve përreth hoxhallarët kishin marrë urdhër që të hapnin lajmin ndër xhemat për tre kaçakët e vrarë. Atë pasdite, Aliut i dhanë leje të shkonte në Malishtë për ta vizituar familjen e tij. Ndërkohë banorët e kasabasë shkonin në shesh për të parë kufomat e kaçakëve të vrarë. Edhe Sokol Muhaxhiri qe nisur drejt kasabasë.

“Ai do të jetë“ mendonte gjersa ecte drejt sheshit, “E kanë vrarë. Po ma ndjen zemra”. Në Mëhallën e Poshtme takoi kumbarën, Misin Tolën, i cili iu bashkua. Këta kishin kumbari prej brezash dhe tani që Misini kishte dëgjuar për kufomat në shesh, kish dalë në rrugë për ta pritur Sokolin. Rrugës teksa ecnin drejt sheshit, Misini mundohej të ngushëllonte Sokolin, por ky, çele gur gojën, ishte shndërruar i tëri në hap të shpejtë, gati në vrap, si një ká plak i kapur nga zekthi. Në shesh i panë kufomat. Uka nuk ishte ndër të vrarët. Sokoli, mes çlirimit dhe dhimbjes për ata tre të shkretë, zgjati duart dhe këndoi me vete tri lutje të përshpirtshme, një për secilin. Ashtu bëri edhe Misini, pastaj u larguan prej sheshit.

Vetëm tani Sokoli ndjeu lodhje. Eci deri te Shatërvani para Xhamisë së Madhe, lau sytë dhe iu drejtua Misinit:

– Kumbarë, a ke pare?

– Kam pak. Sa dhe për çka po të duhen?

– Sa për një dash me ble.

– Çka po të duhet dashi tash?

– Do ta pres një kurban për Ukën. Vetëm për të gjallin pritet kurbani.

– Eh, hallall të qoftë, kumbarë. Hajde, shkojmë në pazar.
***
Gjon Ahmeti, një burrë gjashtëdhjetë vjeç i Stubllës së Epërme, kishte dëgjuar për luftën te Kisha e Shën Mërisë së Lume dhe zemra i kishte shkuar te thembra nga frika se mos ishte vrarë djali i tij i madh, Pali, që ishte kaçak qe pesë vite. Kishte ndodhur shpejt e pa pritur. Një ditë të nxehtë gushti, ndërsa Pal Ahmeti po kthehej nga pazari i Vitisë me të shoqen Mrikën, një fisnike zeshkane dhe punëtore, një zaptije turk i dehur, i kishte prekur në nder. Zaptija ua kishte drejtuar pushkën dhe i kishte detyruar të dilnin nga rruga dhe të uleshin në hije. I dehur, por edhe i poshtër, pa asnjë arsye, zaptija i kishte fyer me fjalë që s’thuhen me gojë. Pal Ahmeti në fillim qe treguar i duruar, por pastaj i qe sulur turkut me egërsi. Ndërkohë, e shoqja Mrika, një grua malësore dhe trimneshë, kishte kapur një gur dhe ia kishte çarë rrashtën e kresë turkut. Kufomën e turkut e kishin lënë në breg të lumit Morava dhe ishin zhdukur nëpër male. Prej asaj dite, Pali u qe bashkuar kaçakëve të tjerë. Tani të gjithë e njihnin Pal Ahmetin, i bënin jatak ngado që shkonte nëpër Karadak, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët. Pal Ahmeti nuk ia kishte thënë askujt të vërtetën e plotë dhe tërë barrën e fajit për vrasjen e turkut e kishte marrë përsipër.

E tashti Gjoni, sapo e kishte marrë lajmin për kufomat e kaçakëve, bëri kryq, shaloi kalin dhe me një parandjenjë të keqe u nis drejt Gjilanit. E mundoi shumë kalin rrugës. Nuk ia ndalte goditjet me mamuze, sikur ai ishte fajtori. Kali vraponte sa mundte, por Gjonit i dukej sikur kali i tij më i mirë qe bërë më i ngadalshëm. Me të hyrë në kasaba, një burrë që po i ngjitej kodrës me një qerre me një pendë qé i tregoi Gjonit ku ishin Sarajet e Kajmekamit. Gjoni e falënderoi burrin dhe goditi sërish kalin. Kur arriti në sheh, zbriti prej kalit dhe me një drithërimë që ia përshkoi trupin iu afrua kufomave që ishin mbuluar me nga një batanije. Vetëm fytyrat me sytë e hapur i kishin të zbuluara. Desh i doli zemra prej kraharorit kur e njohu të birin mes të vdekurve. “Mbaje veten, Gjon” fliste me vete. “Mbaju, o Gjon Ahmeti, mos u ligështo, hasmi po të shikon. Pali e ka la veten. Mbaju, he burrë“.

Iu afrua, ia mbylli sytë të birit, pastaj edhe atyre dy të tjerëve që nuk i njihte. U përkul dhe e puthi në ballë të birin, bëri kryqin mbi ballin e tij, kurse dy të tjerëve ua lëmoi faqet lehtë, sikur nuk donte t’ua prishte gjumin. Me zërin që nuk po i dridhej aspak, foli:

– Paqja dhe mëshira e të Madhit Zot qoftë me ju, o martirë!

Rojet, që po rrinin pak hapa më tutje, po e shikonin. Njëri prej tyre iu afrua dhe i tha të shkonte pas tij.

– Çka ju duhem unë, o zotni? – iu drejtua Gjoni pa lëvizur nga vendi.

– Na duhen disa të dhëna.

– Ua jap këtu – tha me një zë të ngrysur. – Pali i Gjon Ahmetit nga Stublla e Epërme, im bir. Kaq.

Dy burra të panjohur, që kishin ardhur për të parë kufomat, e ndihmuan Gjonin që ta vendoste mbi kalë kufomën e të birit dhe ai u nis me hap të rëndë për andej nga kishte ardhur. Dhimbja po e digjte përbrenda si një vullkan, por nuk po nxirrte as edhe një lot të vetëm. E dinte se armiqtë po e shikonin nga dritaret e Sarajit. Vetëm kur në të errur ndaloi te një përrua, ai shoi etjen që po e digjte dhe ndërsa po lante sytë, u shkreh në vaj. Lotët iu përzien me pikat e ujit në faqe.
***
Dy kufoma mbetën në shesh. Erdhën mjaft njerëz nga të gjitha anët, por askush nuk i njohu. Tellalli kishte vazhduar të bërtiste, por më kot. Të nesërmen paradite, pak para se të skadonte afati për të marrë të vdekurit, në sheshin e Sarajeve erdhi një plak mjekërgjatë me ca sy të kaltër e zhbirues. Askush nuk e pa nga erdhi. Dukej të ishte afër të tetëdhjetave, por ecte pa shkop. Ishte i veshur me tirq të vjetër, por të pastër dhe me një plis të bardhë si bora. Plaku u afrua te kufomat, i shikoi për një kohë pa folur, sikur po lutej nën zë për ta, pastaj u ul këmbëkryq te kryet e kufomave, nxori nga brezi një fyell dhe filloi t’i binte. Një melodi e përvajshme si jehonë e frymës së shekujve të kaluar u përhap në shesh. Ata që e dëgjuan së pari mbetën të stepur, pastaj u ligështuan; ata që ishin në këmbë, u ulën; edhe dy rojet që ishin të detyruar të rrinin me pushkë në sup, u ulën edhe ata. Të gjithë mbyllën sytë dhe sikur sharruan në një ëndërr. Mbase koha për këta njerëz ishte ndalur fare. Dikur filloi të frynte një erë që së pari erdhi si fllad që ledhatoi degët e zhveshura të plepave të gjatë, pastaj era u forcua e u forcua derisa u bë si një furtunë a shtjellë, zhurma e së cilës mbyti zërin e fyellit. Shtjella, si një xhind, ngriti në ajër krejt gjethurinat e drurëve dhe pemëve të kopshteve dhe u zhduk teposhtë kah varrezat. Kur shtjella u fashit dhe era pushoi, plaku ishte zhdukur si ta kishte lëshuar toka. Rojet u ngritën në këmbë dhe e shikuan njëri-tjetrin me habi. Kufomat ishin ende aty, me fytyra të kthyera kah qielli.

Pas namazit të drekës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, erdhi hoxha me tetë burra të rendit të parë të Xhamisë së Madhe, i morën xhenazet, i çuan në xhami, i lanë, i mbështollën në qefinë dhe i bartën deri te varrezat, ku ndërkohë varrtarët i kishin hapur dy varre. Në momentin kur po i lëshonin në varr, një kalorës me një kalë të bardhë hyri me trok në varreza, zbriti nga kali dhe iu drejtua xhematit:

– Prisni burra… Ma bëni hallall, po më lejoni t’ua shoh fytyrat. Kam ardhur nga larg, tërë natën dhe tërë paraditen kam udhëtuar…

Hoxha ia bëri me dorë, pa folur. I ardhuri u afrua dhe hapi qefinin e kufomës së parë, pohoi me kokë pa folur, e pastaj njësoj veproi edhe me kufomën e dytë.

– A po i njeh, o mik? – e pyeti hoxha.

– Si jo. Është im vëlla, Zuka, dhe djali i axhës, Kadriu.

– Zoti në xhenet, he burrë, ju shëndosh — e ngushëlloi hoxha e pastaj edhe të tjerët, si në kor, e ngushëlluan po ashtu. – Si të quajnë dhe prej nga të kemi?

– Nga Malësia e Gollakut. Shkrepi i Kuq quhet katundi im. Mua Hajdar ma thonë emrin.

– Si po ia bën, o mik? – e pyeti hoxha duke zgjatur mjekrën kah kufomat.

– Po i marr me vete, hoxhë efendi, e po i varrosi aty ku i kemi të parët, aty ku e kanë vendin. Ma gjeni edhe një kalë, se me besë të Zotit ua kthej pas dy ditësh.

– Ashtu u bëftë, se ashtu paska dhanë Allahu emër. Mbyllni varret – urdhëroi

hoxha varrtarët.

– A bën t’i lëmë hapur, se helbete mos po vdesë dikush këto ditë? – pyeti njëri

prej varrtarëve.

– Jo, kurrsesi! Varri i hapur para se të vdesë njeriu është shenjë shumë e keqe. Ndjell vdekje. Mbyllni menjëherë!

– Si urdhëroni, hoxhë efendi – tha varrtari.

Pas pak, burri malësor po ecte mes për mes Çarshisë duke tërhequr dy kuaj të ngarkuar me kufomat e kaçakëve. Kalimtarët ndaleshin dhe i nderonin, kurse malësori ecte sikur nuk i takonte atij vendi dhe asaj kohe.

Të nesërmen, në varrezat e Shkrepit të Kuq, gjatë varrimit të dy kaçakëve, mes xhematit të shumtë, dikujt i ra në sy një dervish që me lot në sy u hodhi nga një grusht dhé të ndjerëve dhe u zhduk si hije. Askush, pos Hajdar Zenelit nuk e dinte se kush ishte ai.

Ndërsa po varroseshin kaçakët, lart në qiell, pingul mbi dy varret, një skifter kishte nderë krahët në erë dhe po lëshonte një si fishkëllimë, të cilës i përgjigjej një tjetër fishkëllimë që vinte nga thellësia e malit, me gjasë nga ndonjë skifter tjetër që ishte fshehur diku në kurorat shekullore të ahut. Edhe sot e kësaj dite, në Malësinë e Gollakut flitet për varrimin e dy kaçakëve të Shkrepit të Kuq dhe për fishkëllimat e çuditshme të skifterëve…

Nga Sazani aty ku “rri hajvani”, itinerari “i sigurt” për amerikanët në protestën e PD!

0

Shkruan Myslim Murrizi

Lajmërohen të gjithë shtetasit amerikanë që sonte nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të kenë “shumë kujdes” për të qarkulluar në këmbë ose me makinë në Tiranë, sepse PD ka thirrur protestë kundër qeverisë.

Rrugët që mund të lëvizin lirisht dhe pa asnjë problem për çdo shtetas amerikan janë këto:

Nga godina e AKSHI-t te Lunda, te zyra e Ramës te Lindat, te Lindat e Gjykatës Kushtetuese, te zyra e Nikos te Kuvendi, te ish-vila e diktatorit, deri te zyra e Gysit në Bllok, afër piceri “Era”, që është shefi i madh i të gjitha Lindave dhe i Ramës.

Lëvizja është e lirë, por nga poshtë, se ka një tunel të ndërtuar në kohë të komunizmit, por për arsye kohe nuk i është dhënë akoma Carlos-it të Report TV që ta quajë Bunk’Art 3.

Pastaj nga zyra e Gysit për në “shtetin” e parajsës fiskale në Xhafzotaj, pagëzuar me emrin DURANA, ku Gysi ka regjistruar mbi 80 biznese për të mos paguar asnjë taksë, rruga është e lirë, por të kenë kujdes në autostradë drejt QTU-së se ka pak ngushtim, ngaqë qeveria po bën një mbikalim ekstra për pallatet e Zamir Manes, pa projekt, që paguhet nga taksat e shqiptarëve rreth 20 milionë euro plus.

Rruga nga KOINI te hoteli Marriot, te hoteli Sheraton, që del te pallati i ri ku ka qenë Lion Parku, ku ka një hyrje të vogël 2000 metra katrorë, Lyl Basha amerikani, deri te TEG-u dhe pas TEG-ut te vilat ku janë grumbulluar pothuajse të gjithë “pro” amerikanët, deri te resorti ku ishte magazina e verërave VIP me vlerë 5 milionë euro, është e hapur, por duhet t’i bien nga rruga e vjetër nga Sauku i Ri, se mos ndoshta shkëmbehen te rrethrrotullimi i TEG-ut me protestues që vijnë nga qarku Korçë dhe Elbasan.

Rruga nga porti i vjetër në Vlorë te pylli i Sodës, ku qëndrojnë prej 5 vitesh dy anije rrangalle nga Bangladeshi që marrin 100 milionë euro nga taksat e shqiptarëve pa u ndezur kurrë dhe paguajnë ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, Kimeten, deri në ishullin e Sazanit, që Rama ia ka falur vetes, por nëpërmjet një oligarku që shërben si “depozitë” e të gjitha parave të vjedhura nga halet e politikës, nën maskimin e vajzës dhe dhëndrit të Presidentit Trump, që nuk iu plas fare për Sazanin dhe dy arabëve që nuk e dinë ku bie Sazani, është e hapur, por vetëm me skaf ose gomone dhe jo nga Lungomare apo nga unaza mbi Vlorë, se mund të qëllojë përballë tek-tuk ndonjë protestues që vjen nga Saranda, Delvina apo Himara.

Rruga nga Hasi për në Tropojë, ku një oligark tjetër shqiptar, nën dokumentet e shtetasit amerikan, por me kombësi e krushqi serbe, do të ndërtojë parkun EOLIK, është e hapur komplet dhe pa asnjë problem.

Të “kenë shumë kujdes” vetëm në segmentin kryesor të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sidomos pjesa që fillon nga lokali Tajvani dhe që mbaron aty ku rri Hajvani, se mund të “përplasen” me ndonjë idiot ndërkombëtar dhe pastaj do thonë se ishin protestues.

Ky “lajmërim” është i vlefshëm vetëm për shtetas amerikanë Amerika, se për amerikanë si Yuri Kim, Donald Lu e disa të kësaj kategorie të mos e çajnë tr*pin fare, se shqiptarët kanë pasur një miqësi të madhe me Kinën dhe sot Kina na sheh si pikë mjalti në Europë, kështu që të lëvizin lirshëm në çdo cep të Tiranës e mund të vijnë në protestë që shqiptarët të mos hanë më bar për hatër të ndërkombëtarëve, se jo vetëm që nuk i lëviz askush, por do kënaqen protestuesit duke bërë foto me këta.

Ju faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt, nga e harruara me punë në Ambasadën Amerikane të Shqipërisë, znj. Nancy VanHorn, që nuk ka belbëzuar asnjë fjalë për të gjitha skandalet e qeverisë dhe deklaratat e Ramës që do t’i bëjë m… drejtësisë që ngritën idiotët ndërkombëtarë.

Eljaz Guri – histori e gjallë e mundjes klasike shkodrane

0

Shkruan Tonin Frroku

Eljaz Guri është një nga emrat që nuk ka nevojë për prezantim në historinë e mundjes klasike shqiptare, veçanërisht asaj shkodrane. Me tituj të shumtë kampion me fanellën e Vllaznisë, ai ishte pjesë e asaj elite sportive që arriti të rivalizonte denjësisht Partizanin e dikurshëm, ekipin që kishte në përbërje ajkën e mundjes shqiptare.

Ishte viti 1974. Në palestrën e Pallatit të Sportit, një ambient komod për kohën, ne të rinjtë e ekipit të trajnerit Sul Rama stërviteshin gjithmonë para të rriturve të trajnerit të atëhershëm Qazim Elbasani. Ishte një kohë disipline, pasioni dhe ëndrrash të mëdha. Pas stërvitjes, në një cep të palestrës, ne të rinjtë kishim privilegjin të ndiqnim për pak minuta kampionët, mes tyre edhe Eljaz Gurin.
Ai binte menjëherë në sy. Një trup i ndërtuar fuqishëm, muskuj që flisnin për punë dhe sakrificë, por mbi të gjitha një prani që impononte respekt. Eljaz Guri nuk ishte thjesht një mundës i madh; ai ishte model për çdo të ri që shkelte tapetin. Model për forcën, teknikën, korrektësinë sportive, por edhe për humorin dhe njerëzillëkun e tij jashtë tapetit.
Për ne, ai përfaqësonte atë që donim të bëheshim: të fortë në garë, të ndershëm në fitore dhe dinjitozë në humbje. Një kampion i vërtetë, brenda dhe jashtë palestrës.
Sot, në këtë ditë të veçantë, urimi vjen nga shpirti:
Edhe një shekull jetë, Mjeshtër i tapetit.
Me respekt të pafund “Lasko” për atë që i dhatë sportit, për brezat që frymëzuat dhe për emrin që latë në historinë e mundjes shqiptare.

Fjodor Dostojevski, shkrimtari që krijoi “heroin e rrugës” dhe e bëri vuajtjen gjuhë universale

0

Shkruan Albert Vataj

Jo vetëm Rusia, atdheu i tij tragjik dhe kontradiktor, por e gjithë bota, të gjithë ata që besojnë në art si në një fe të përbotshme, përulen me një lloj ngashërimi solemn përpara emrit dhe veprës së Fjodor Dostojevskit. Ai qëndron si një përmendore mendimi dhe dhimbjeje, që nuk ngrihet mbi piedestalin e lavdisë, por mbi thellësinë e vuajtjes njerëzore. Një gjeni që e ndërtoi universin e tij artistik jo nga rehatia, por nga përvoja e skajshme e humbjes, poshtërimit, ankthit dhe kërkimit të shpengimit.
Ka një bindje të përhapur, jo gjithmonë të lehtë për t’u pranuar, se arti i madh lind nga vuajtja e thellë. Jeta e Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit është një dëshmi dramatike e kësaj teze. Që në moshë të njomë, ai u përball me humbje që do ta shënjonin përjetë: nëna i vdes nga tuberkulozi kur ai ishte vetëm 15 vjeç; dy vjet më vonë vdes edhe i ati, një figurë e ashpër, autoritare, e shënuar nga alkooli dhe dhuna, për vdekjen e të cilit qarkulluan zëra se ishte vrarë nga shërbëtorët e vet. Këto trauma nuk mbetën thjesht episode biografike, por u shndërruan në materie letrare, në tension moral dhe psikologjik që përshkon veprën e tij.
Dostojevski lindi më 11 nëntor 1821 dhe u shua më 9 shkurt 1881. Ai ishte fëmija i dytë nga gjashtë të Mikhail dhe Maria Dostojevskit. I ati, kirurg ushtarak në pension, shërbente si mjek në Spitalin Mariinsky për të varfërit në Moskë, një institucion i vendosur në një nga zonat më të errëta dhe të dëshpëruara të qytetit. Përreth kishte varreza për kriminelë, azil për të çmendur dhe jetimore për fëmijë të braktisur. Ky peizazh i rëndë urban, ky teatër i mjerimit njerëzor, la gjurmë të pashlyeshme në imagjinatën e djaloshit të ri.
Edhe pse prindërit përpiqeshin ta mbronin nga kjo botë e zymtë, Dostojevski ndiente një tërheqje të pazakontë për të vuajturit. Ai shëtiste në oborrin e spitalit, ulej pranë pacientëve të rraskapitur dhe dëgjonte rrëfimet e tyre. Aty, mes fytyrave të thyera dhe zërave të lodhur, ai nisi të mësojë atë që më vonë do ta bënte themel të artit të tij: të dëgjojë njeriun e poshtëruar, të përbuzur, të humbur.
Rrëfenjat për despotizmin e të atit janë të shumta dhe shpesh tronditëse. Një prej tyre tregon se fëmijët, ndërsa i ati flinte pasdite, duhej të qëndronin në heshtje absolute dhe, me radhë, t’i largonin mizat që të mos ia prishnin gjumin. Megjithatë, sipas biografit Joseph Frank, figura e babait tiranik në “Vëllezërit Karamazov” nuk është një portret i drejtpërdrejtë i të atit të Dostojevskit. Letrat dhe shënimet personale tregojnë një marrëdhënie më komplekse dhe, në disa raste, të ngrohtë mes tyre. Kjo ambiguitet, dashuri dhe frikë, admirim dhe revoltë, është pikërisht materiali nga i cili Dostojevski farkëtoi personazhet e tij.
Vepra e Dostojevskit është një eksplorim i pamëshirshëm i psikologjisë njerëzore, i vendosur në kontekstin e trazuar politik, shoqëror dhe shpirtëror të Rusisë së shekullit XIX. Ai konsiderohet nga shumë studiues si paraprijës i ekzistencializmit të shekullit XX. “Shënime nga nëntoka” (1864), me zërin e hidhur dhe ironik të “njeriut të nëntokës”, është quajtur nga Walter Kaufmann “uvertyra më e mirë e ekzistencializmit që është shkruar ndonjëherë”. Ky tekst nuk ofron zgjidhje, por zbërthen me saktësi kirurgjikale vetëdijen e copëzuar të njeriut modern.
Në vitin 1849, Dostojevski arrestohet bashkë me anëtarët e rrethit radikal politiko-letrar “Petrashevski”. Ata dënohen me vdekje dhe më 16 nëntor nxirren përpara skuadrës së pushkatimit. Në momentin e fundit, vendimi anulohet. Ky ishte një ritual i qëllimshëm terrori psikologjik i Car Nikollës I: një “mëshirë” e dhënë pasi i dënuari kishte përjetuar tashmë vdekjen. Për Dostojevskin, kjo përvojë ishte një vdekje dhe një ringjallje e njëkohshme. Pas saj, ai u dërgua për katër vjet në punë të rënda në Siberi dhe më pas për katër vite të tjera në shërbim të detyruar ushtarak. Vetëm pas një dekade kthehet në Shën Peterburg, i thyer fizikisht, por i transformuar shpirtërisht.
Dostojevski është autori i disa prej romaneve më të mëdha të letërsisë botërore: “Krim dhe Dënim” (1866), “Idioti”, “Demonët” dhe “Vëllezërit Karamazov” (1880). Ai u rikthye seriozisht në letërsi pas një periudhe ushtarake, duke publikuar që në vitin 1846 novelën “Njerëz të varfër”, ku shfaqen qartë embrionet e botës së tij letrare.
Ai u bë i famshëm për krijimin e asaj që mund të quhet “heroi i rrugës”: një protagonist i përjashtuar, i poshtëruar, shpesh moralisht i dyshimtë, por thellësisht njerëzor; një figurë që endet mes fajit dhe shpengimit, mes revoltës dhe besimit. Nëpërmjet këtij heroi, Dostojevski eksploron mëkatin, ndërgjegjen, moralitetin dhe nevojën e njeriut modern për kuptim. Personazhet e tij nuk janë modele, por pasqyra ku lexuesi sheh vetveten në momentet më të errëta.
Krijimtaria e tij është e skalitur me një vërtetësi tronditëse: trishtim dhe dhimbje, ëndrra dhe dëshira, frikë dhe shpresë. Prandaj lexuesi, pavarësisht epokës, ndien se përpëlitet bashkë me ta. Jeta i shtrëngon këta personazhe me dorën e saj të pamëshirshme, por ata, nëpërmjet vuajtjes, fitojnë një lloj madhështie morale.
Gjithnjë më ka joshur ideja e një rivlerësimi të veprës së Dostojevskit, veçanërisht për shkak të gjykimeve shpesh të cekëta ose ideologjikisht të ngarkuara që kam hasur që në vitet e studimit në vendlindjen e tij dhe më pas. Në shënime eseistike jam përpjekur të verifikoj këto gjykime dhe të përftoj një mendim më të drejtë, estetiko-filozofik, mbi vlerat autentike të veprës së tij, e cila fatmirësisht është përkthyer e plotë në shqip.
Më është dukur se, ashtu si te autorët më të mëdhenj të letërsisë klasike botërore, edhe te Dostojevski gjejmë mesazhe etiko-filozofike universale, që ndihmojnë në kuptimin e krizave dhe shqetësimeve të njeriut të sotëm, veçanërisht në kohë tranzicioni. Në periudha të turbullta, thotë ai, shfaqen gjithnjë “fundërrina”, jo ata që vetëquhen përparimtarë, por ata që e shkatërrojnë kuptimin e jetës nga brenda. Ky vëzhgim mbetet tronditësisht aktual.
Dostojevski nuk është thjesht një shkrimtar i së kaluarës. Ai është një bashkëkohës i përhershëm i njeriut që vuan, dyshon dhe kërkon shpëtim. Dhe pikërisht për këtë, “heroi i rrugës” që ai krijoi vazhdon të ecë mes nesh.

Edi Rama “sakrifikon” Ballukun, nis ofensivë ligjore për të mbrojtur veten dhe Presidentin

0

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të menjëhershme në legjislacion, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Lëvizja shihet si një përpjekje e drejtpërdrejtë për të frenuar veprimet e SPAK dhe për të mbrojtur jo vetëm kabinetin qeveritar, por edhe figura të tjera kushtetuese, përfshirë Presidentin Bajram Begaj.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama sinjalizoi se mazhoranca do të ndërhyjë në ligj për të përcaktuar qartë se funksionet kushtetuese “të padelegueshme” nuk mund të pezullohen nga organet e drejtësisë. Në deklarimet e tij publike, Kryeministri theksoi se pezullimi i një ministri apo i Presidentit paralizon institucionin dhe cenon vullnetin e qytetarëve.

Në prapaskenë, brenda PS-së po lexohet qartë një strategji tjetër: Belinda Balluku është lënë e vetme përballë SPAK, ndërsa Rama po ndërton një mburojë ligjore për të shmangur çdo precedent që mund të prekë drejtpërdrejt Kryeministrin ose Kreun e Shtetit.

Zyrtarë të lartë socialistë kanë artikuluar të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, ndonëse mbështetja për drejtësinë mbetet parimore, mazhoranca nuk do të pranojë që një organ jo i zgjedhur nga populli të pezullojë funksione kushtetuese. Në këtë kuadër, Kuvendi pritet të marrë iniciativën për ndryshime ligjore që do të kufizojnë kompetencat e gjykatave në raport me pushtetin ekzekutiv.

Kjo qasje ka hapur një përplasje të re mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit dhe realitetin e reformës në drejtësi. Ndërsa Balluku mbetet e pezulluar, beteja tashmë është zhvendosur në Parlament, ku mazhoranca synon të mbyllë çdo derë që mund të çojë drejt pezullimeve apo arrestimeve të figurave më të larta të shtetit.

Pas Ballukut, edhe kryeministri mund të pezullohet nga SPAK

0

Juristi i njohur Romeo Kara ka analizuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se ky vendim hap një kapitull të ri për raportin mes pushtetit politik dhe drejtësisë në Shqipëri.

Sipas Karës, ndarja 4 me 4 e trupës gjykuese ka sjellë rrëzimin e kërkesës së kryeministrit, duke lënë në fuqi masën e pezullimit. Ai shpjegon se në Gjykatën Kushtetuese nuk ekziston koncepti i abstenimit dhe se mungesa e gjyqtarit të nëntë ka krijuar një situatë të pazakontë, e cila do të prodhojë debat të gjatë juridik dhe politik.

Juristi thekson se vendimi nuk lidhet vetëm me një individ, por krijon një standard që mund të zbatohet edhe për anëtarë të tjerë të qeverisë. Sipas tij, nëse Prokuroria e Posaçme paraqet fakte dhe prova të mjaftueshme, edhe ministra të tjerë mund të pezullohen nga detyra gjatë hetimit penal.

Kara vlerëson se qeveria ndodhet përballë dy rrugëve: ose të vijojë përplasjen juridike dhe interpretimet ligjore, ose të japë një përgjigje politike përmes riformatimit të kabinetit. Ai shprehet skeptik se ndryshimet ligjore për të mbrojtur zyrtarët e lartë do të ishin të pranueshme, për shkak të procesit të integrimit europian dhe standardeve që kërkon Bashkimi Evropian.

Një nga pikat më të forta të analizës së Karës lidhet me çështjen e imunitetit. Ai thekson se zyrtarët e lartë nuk duhet të kenë privilegje përballë ligjit dhe se barazia para ligjit është një parim themelor kushtetues që nuk mund të cenohet. Sipas tij, fakti që një ministër apo kryeministër është në detyrë nuk duhet ta mbrojë nga ndjekja penale apo nga masa e pezullimit, kur hetimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit.

Duke iu referuar mundësisë së zgjerimit të masave edhe ndaj kryeministrit, Kara shprehet se, pas precedentit të vendosur me Ballukun, nuk është e pamundur që në të ardhmen SPAK të kërkojë pezullimin edhe të kreut të qeverisë. Ai thekson se Gjykata Kushtetuese ka kompetencë të gjykojë edhe institucionet kushtetuese dhe jo vetëm individët.

“Kur ligji shkelet në mënyrë flagrante, nuk mund të presim përfundimin e mandatit. Shteti i së drejtës funksionon vetëm kur pushteti ekzekutiv i nënshtrohet ligjit dhe jo e kundërta,” shprehet Kara.

Sipas tij, pezullimi i disa ministrave do të sillte krizë qeverisëse, por njëkohësisht do të kishte edhe efekt pozitiv: vendosjen e qeverisjes nën frikën e ligjit dhe jo mbi të. Ai përfundon se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është një provë reale e ndarjes së pushteteve dhe se mënyra se si do të evoluojë kjo praktikë do të përcaktojë standardin e ardhshëm të demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Juristi i njohur Romeo Kara ka analizuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se ky vendim hap një kapitull të ri për raportin mes pushtetit politik dhe drejtësisë në Shqipëri.

Sipas Karës, ndarja 4 me 4 e trupës gjykuese ka sjellë rrëzimin e kërkesës së kryeministrit, duke lënë në fuqi masën e pezullimit. Ai shpjegon se në Gjykatën Kushtetuese nuk ekziston koncepti i abstenimit dhe se mungesa e gjyqtarit të nëntë ka krijuar një situatë të pazakontë, e cila do të prodhojë debat të gjatë juridik dhe politik.

Juristi thekson se vendimi nuk lidhet vetëm me një individ, por krijon një standard që mund të zbatohet edhe për anëtarë të tjerë të qeverisë. Sipas tij, nëse Prokuroria e Posaçme paraqet fakte dhe prova të mjaftueshme, edhe ministra të tjerë mund të pezullohen nga detyra gjatë hetimit penal.

Kara vlerëson se qeveria ndodhet përballë dy rrugëve: ose të vijojë përplasjen juridike dhe interpretimet ligjore, ose të japë një përgjigje politike përmes riformatimit të kabinetit. Ai shprehet skeptik se ndryshimet ligjore për të mbrojtur zyrtarët e lartë do të ishin të pranueshme, për shkak të procesit të integrimit europian dhe standardeve që kërkon Bashkimi Evropian.

Një nga pikat më të forta të analizës së Karës lidhet me çështjen e imunitetit. Ai thekson se zyrtarët e lartë nuk duhet të kenë privilegje përballë ligjit dhe se barazia para ligjit është një parim themelor kushtetues që nuk mund të cenohet. Sipas tij, fakti që një ministër apo kryeministër është në detyrë nuk duhet ta mbrojë nga ndjekja penale apo nga masa e pezullimit, kur hetimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit.

Duke iu referuar mundësisë së zgjerimit të masave edhe ndaj kryeministrit, Kara shprehet se, pas precedentit të vendosur me Ballukun, nuk është e pamundur që në të ardhmen SPAK të kërkojë pezullimin edhe të kreut të qeverisë. Ai thekson se Gjykata Kushtetuese ka kompetencë të gjykojë edhe institucionet kushtetuese dhe jo vetëm individët.

“Kur ligji shkelet në mënyrë flagrante, nuk mund të presim përfundimin e mandatit. Shteti i së drejtës funksionon vetëm kur pushteti ekzekutiv i nënshtrohet ligjit dhe jo e kundërta,” shprehet Kara.

Sipas tij, pezullimi i disa ministrave do të sillte krizë qeverisëse, por njëkohësisht do të kishte edhe efekt pozitiv: vendosjen e qeverisjes nën frikën e ligjit dhe jo mbi të. Ai përfundon se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është një provë reale e ndarjes së pushteteve dhe se mënyra se si do të evoluojë kjo praktikë do të përcaktojë standardin e ardhshëm të demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës vetdorëzohet në polici: Do bëjë burgun…

0

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar mbrëmjen e kësaj të hëne në polici pas shpalljes së tij fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Memolla u dënua sot me një vit burg, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.

Në këtë mënyrë, Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Përpos një viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike.

Janë shpallur fajtorë edhe dy bashkëpunëtorë të kryebashkiakut, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Pjesë e kësaj dosje është edhe Ndriçim Tafxhafa, dënuar me 1 vit burg po për korrupsion aktiv në zgjedhje

POSTIMET E FUNDIT