Kreu Blog Faqe 47

Shteti kundër SPAK-ut për hajduten Belina Balluku, prokuroria paralajmëron prova të reja

0

Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e çështjes për ligjshmërinë e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro.

Seanca u hap pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se vendimi i GJKKO-së ka cenuar kompetencat e tij kushtetuese dhe imunitetin që Kushtetuta u njeh ministrave dhe deputetëve. Me të njëjtin qëndrim u paraqitën edhe përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, të cilët dolën hapur kundër masës së pezullimit.

Ndryshe nga institucionet e tjera, GJKKO vendosi të mos marrë pjesë në seancë, duke argumentuar se një gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në një proces kushtetues për të mbrojtur vendimet e saj.

Në krahun tjetër, SPAK mbrojti vendimin për pezullimin e Ballukut. Prokurori Dritan Prençi deklaroi se hetimet kanë zbuluar prova për vepra të tjera penale dhe se qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për përsëritjen e krimit, manipulimin e provave dhe ndikimin në procedurat tenderuese. Sipas SPAK, ankimi i Kryeministrisë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për balancën e pushteteve.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar edhe një masë më të rëndë ndaj Ballukut, duke pretenduar se pas rikthimit të përkohshëm në detyrë ajo ka intimiduar dëshmitarë. Kërkesa ndodhet prej muajsh në Kuvend, por ende nuk është shqyrtuar.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet në ditët në vijim dhe konsiderohet kyç për raportet mes pushteteve dhe të ardhmen e çështjes Balluku.

Vjosa Osmani nënshkruan krijimin Bordit të Paqes në krah të Prseidentit Donald Trump, përmëndi edhe Shqipërinë

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të ‘Bordit të Paqes’ në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën.

Në një lidhje live për ‘Top Story’, Osmani tregoi se SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjë kontribut financiar Kosovës ai anëtare, duke shtuar se dita e sotme i jep mundësi vendit të forcohet në arenën ndërkombëtare.
“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar, dhe në momentin që e morëm ftesën për anëtarësim si anëtare themeluese për Bordin e Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Pas ftesës nga Trump për të qenë në mesin e nënshkruesve që udhëhiqet nga SHBA, udhëtuam për në Davos, por do të kthehemi pas mesnate. Është një ditë me peshë historike, për ne si shtet anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi, për ne si shtet kjo i jep një peshë më të madhe historike, fuqizimi i peshës sonë ndërkombëtare. Kjo na jep një mundësi që të jemi të barabartë mes kombeve të lira, mos të bllokohet potenciali i Kosovës.
Edhe në Kartën e Bordit të Paqes, por edhe në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë, nuk na është kërkuar kontribut financiar. Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne më shumë kemi diskutuar për të dhënë kontributin tonë. Kosova është një shembull i shkëlqyer i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Për shkak se kemi qenë shtet i dalë nga lufta dhe institucionet i kemi ndërtuar nga 0, ne mund të japim një kontribut të madh, do të jetë kontribut i rëndësishëm”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi gjithashtu se është shumë e lumtur që Kosova do të jetë së bashku me Shqipërinë krah SHBA-së, një moment i cili ka një rëndësi edhe për faktorizimin e kombit shqiptarë brenda një organizate të tillë.
“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar, që do të qëndrojmë bashkë krah SHBA-së, ne mund të bashkëpunojmë dhe ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptarë brenda një organizate të tillë”, tha Osmani.

Anijet u përmbytën. por kapiteni shet parajsë mbi ferr

0
Screenshot

Shkruan Naim Flamuri

Deliri i një qeni të çartur nuk është kur leh nga frika jashtë, por kur fillon të lehë edhe brenda, për t’u bindur se shtëpia është ende e tija. Kështu tingëllon pushteti kur drejtësia i afrohet pragut: jo si zë përgjegjësie, por si ulërimë mbrojtjeje. Në vendet normale, drejtësia është spiranca që mban anijen në ekuilibër. Këtu, ajo shihet si dallgë armiqësore që prish pikturën e kapitenit. Dhe kur anijet mbyten njëra pas tjetrës, kapiteni nuk numëron të mbyturit, shet parajsë mbi ferr.

Me drita, kamera, ironi dhe monologë. Sepse në këtë republikë të re, më e rëndësishme se e vërteta është skenografia. Kur drejtësia guxon të prekë dikë nga kuverta e lartë, nuk dëgjohet heshtja e shtetit, por tallja e pushtetit. Institucionet quhen “brutale”, ligji “i nxituar”, hetimi “antidemokratik”. Jo sepse janë të tillë, por sepse nuk pyesin më për leje. Dhe kjo, për një pushtet të mësuar me duart në arkë, është fyerje personale. Dosjet nuk flasin me metafora, por as metaforat nuk janë më të pafajshme. Sepse kur kriteret paracaktohen, fituesit njihen para garës dhe fondet fryhen si vela të rreme, nuk kemi më aksident, kemi metodë.

Nuk është vrimë në barkë, është mënyra si drejtohet anija. Dhe aty ku ka metodë, ka edhe kulturë: kulturë grabitjeje me kostum institucional. Ndërkohë, gotat ngrihen. Jo për nder, por për pushtet. Vera shijon “ekskluzive”, fatura shijon popull. Një shishe kushton sa paga vjetore e atij që mëson fëmijët të lexojnë. Por në këtë banket, djersa e qytetarit është thjesht aromë sfondi. Tapa mbyllet, shishja tjetër hapet, ndërsa tregu numëron qindarkat dhe propaganda numëron klikimet. Kur dikush pyet, përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “Prisni.” Prisni vendimin, prisni institucionin, prisni reformën, prisni zgjedhjet. Koha shndërrohet në mburojë, mandati në bunker, heshtja në strategji. Sepse kur paratë lëvizin shpejt, drejtësia duhet të ecë ngadalë. Dhe kur buxheti rrjedh, populli duhet të presë radhën. Kjo nuk është krizë morale, është sistem.

Një republikë që funksionon si SHPK, ku vota është çelësi i kasafortës dhe ligji dekor në mur. Fillimisht, sipas zërave, vidhet besimi. Pastaj vidhen paratë. Kur kapen, vidhet koha. Dhe kur nuk ka më ç’të vidhet, vidhet durimi i njerëzve.
E megjithatë, problemi nuk është që drejtësia heton. Problemi është se dikush guxon të thotë me zë të lartë atë që zakonisht thuhet me dhëmbë shtrënguar:Ai që vjedh shtëpinë e vet, më ulët se kaq s’ka. Ky nuk është debat politik. Është diagnozë. Një gjenocid i ngadaltë i djersës së popullit, i paketuar me buzëqeshje, podcast dhe ironi elitare. Qerpiku nuk dridhet, miliona avullojnë, ndërsa propaganda na bind se po jetojmë epokën e artë të transparencës.
Anijet u përmbytën. Kapiteni, shet parajsë mbi ferr. E populli? Populli mban frymën.

Themelohet Bordi i Paqes/ Mungojnë vetëm Edi Rama, Lukashenko dhe To Lam

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar në Davos krijimin e Bordit të Paqes, një nismë që sipas tij synon të bashkojë liderë botërorë për të ndalur konfliktet dhe për të promovuar stabilitetin global.

Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, Trump deklaroi se gjatë qeverisjes së tij ka arritur të ndalojë tetë luftëra dhe se kjo ditë shënon një hap të madh drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në mbledhjen e Davosit morën pjesë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin, Argjentinën, Kazakistanin, Indonezinë dhe Kosovën. Nga Bashkimi Evropian, të pranishëm ishin vetëm kryeministri hungarez Viktor Orban dhe ai bullgar.

Megjithatë, vëmendjen e mediave e tërhoqi fakti se nga lista e liderëve botërorë mungonin vetëm tre emra: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe kryetari i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam.

Nëse mungesa e Lukoshenkos shihet si pasojë e izolimit ndërkombëtar të regjimit të tij, mungesa e Ramës ngre dyshime për pozicionimin e Shqipërisë në arenën globale dhe marrëdhëniet përtej atlantikut.

Rama e propagandoi me të madhe se kishte marrë ftesë me emër nominal nga presidenti Trump, për të qënë shtet përfaqësues në Bordin e Paqes, sot nuk ishte ftuar në mbledhjen themeluese në Davos,

Në një kohë kur Kosova ishte e pranishme dhe e përfaqësuar në nivel presidencial, mungesa e Ramës krijon kontrast të fortë duke sfumuar propagandën e fortë prej së shtunës së kaluar kur mori ftesën e Trump.

Zgjodha vajzën e Donald Trump. Edi Rama deklaron pse nuk ishte në Davos në themelimin e Bordit të Paqes

0

Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos, për shkak se kishte zgjedhur të mikpriste në Shqipëri vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

“Meqë po përsëritet e njëjta pyetje edhe që mos të shqetësoheni sepse e kuptoj që jeni shumë të shqetësuar pse unë nuk jam atje se mezi prisnit që të më shikonit atje. Në fakt unë duhet të bëja një zgjedhje midis t’i përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri. Dhe zgjodha vajzën dhe natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”, tha Rama.

1 vit nga rikthimi i Trump, ambasada e SHBA: Aleatët na respektojnë, kundërshtarët na frikësohen

0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përkujtuar të mërkurën, më 21 janar, njëvjetorin e marrjes së Presidencës së SHBA-ve nga Donald Trump.
Në një reagim në faqen zyrtare, ambasada citon Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke përgëzuar punën e presidentit dhe duke theksuar realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës:

“Në vetëm një vit, Presidenti Trump ka rikthyer sovranitetin amerikan duke ndjekur me guxim paqen përmes forcës. Falë udhëheqjes së tij vendimtare, aleatët tanë na respektojnë, kundërshtarët tanë na frikësohen, dhe populli amerikan vihet në radhë të parë. Premtime të bëra, premtime të mbajtura”, citon ambasada amerikane reagimin e sekretarit Rubio.
Reagimi i ambasadës nënvizon fokusin e administratës Trump mbi sigurinë kombëtare, përforcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe pozicionin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

2 ditë para vendimit për hajduten Belinda Balluku që drejtësia e kërkon për arrestim, Edi Rama sulmon Kushtetuesen

0

Dy ditë përpara vendimit që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar publikisht retorikën ndaj trupës gjykuese, duke e akuzuar Gjykatën se është përfshirë në një “farsë të shëmtuar” dhe duke krijuar perceptimin e një presioni të drejtpërdrejtë politik mbi vendimmarrjen e saj.

Ndërsa Gjykata po zhvillonte seancën për padinë e dy shoqatave të gjyqtarëve lidhur me ligjin e pagave të magjistratëve, Rama reagoi publikisht me akuza të forta, duke përdorur terma si “marrëbabëzi”, “skandal” dhe “turp kombëtar”. Seanca nuk u transmetua për publikun për shkak të problemeve teknike, çka e shtoi më tej tensionin rreth procesit.

Kryeministri akuzoi gjyqtarët se, pavarësisht se janë tashmë ndër kategoritë më të paguara në vend, po tentojnë të uzurpojnë kompetencat e Kuvendit dhe qeverisë përmes një vendimi gjyqësor që, sipas tij, synon të ndryshojë piramidën shtetërore të pagave. Rama e cilësoi kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve si një përpjekje për t’i dhënë vetes të drejtën e rritjes së përhershme të pagave.

Padia në Gjykatën Kushtetuese lidhet me një ligj të miratuar në vitin 2023, i cili e lidh pagën referuese të magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ndryshimet ligjore sollën rritje të pagave në atë kohë, por më pas, pas rritjes së pagave të administratës civile, magjistratët nuk përfituan rritje të mëtejshme. Shoqatat e gjyqtarëve pretendojnë se kjo situatë bie ndesh me Kushtetutën.

Sulmet e Ramës ndaj gjyqtarëve janë lexuar si një përpjekje për të ndikuar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka shpallur verdiktin. Kjo situatë bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se Gjykata pritet të shqyrtojë gjithashtu kërkesën e kryeministrit kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi ende nuk ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e mbajtur çështjen pezull. Qeveria e ka justifikuar këtë zvarritje si një “standard europian”, ndërsa opozita dhe kritikët e shohin si mbrojtje politike.

Përplasja mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë po intensifikohet, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun pritet të jetë një test i fortë për pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve.

Shpatat e Skënderbeut janë reale – përkrenarja ceremoniale

0

Shkruan Naim Flamuri

Debati mbi autenticitetin dhe përdorimin e armëve të Gjergj Kastriotit kërkon ndarje të qartë mes funksionit luftarak dhe atij ceremonial.

Burimet historike, dëshmitë bashkëkohore dhe vetë karakteristikat fizike të armëve dëshmojnë se shpatat e Skënderbeut kanë qenë armë reale lufte, ndërsa përkrenarja ka pasur kryesisht funksion ceremonial dhe përfaqësues. Sipas Dhimitër Frëngut, zyrtar i afërt dhe mik në armë i Skënderbeut, shpata e parë e heroit ishte e lakuar, “una schimitarra storta”, me majë të mprehtë, elegante dhe e punuar nga çeliku i Damaskut. Frëngu përmend gjithashtu se, për një periudhë, Skënderbeu mbante dy shpata në të njëjtin mill(këllef) çka përforcon idenë e përdorimit të tyre praktik në fushëbetejë. Ai shton se Skënderbeu solli nga Italia një mjeshtër shpata-bërës, i cili farkëtoi tri shpata të jashtëzakonshme; njërën prej tyre, “që mund të priste edhe çelikun”, ia dërgoi si dhuratë sulltanit osman, ngase vjenë shprehja e famshme: ‘ unë të dërgova shpaten, po jo edhe krahun’. Po ashtu dihet se gjatë vizitës së fundit të Skënderbeut në Vatikan, Papa Pali II i dhuroi atij një shpatë dhe një kapelë ceremoniale (“una spada ed un capello”). Kjo shpatë e drejtë, e cila sot ndodhet në Muzeun e Ambrasit së bashku me përkrenaren, ka dy tehe, është e larë në ar dhe përfaqëson një përzierje simbolike të autoritetit fetar dhe politik. Ajo është 85.5 cm e gjatë, 5.7 cm e gjerë, peshon rreth 1.3 kg dhe kishte mill prej lëkure.

Megjithatë, sipas Faik Konicës, i cili e pa shpatën në fillim të shekullit XX, mbi teh ishin ende të dukshme njolla gjaku, fakt që rrëzon pretendimin se ajo ka qenë thjesht ceremoniale dhe e papërdorur në luftë. Nga ana tjetër, shpata e lakuar e ruajtur në Vjenë, bashkë me dorezën, është 121 cm e gjatë dhe peshon rreth 3.2 kg. Ajo është dukshëm më e madhe se palla e zakonshme fisnike dhe mban ndikime të qarta të stilit osman të kohës. Siç thekson edhe Dhimitër Frëngu, ajo është e punuar nga çeliku i Damaskut dhe e stolisur me zbukurime të shumta, por pa humbur karakterin e saj funksional luftarak. Forma, pesha dhe materiali flasin qartë për përdorim real në betejë.
Helmeta dhe dy shpatat që tradicionalisht i atribuohen Skënderbeut janë të ekspozuara në Imperial Armoury në Kunsthistorisches Museum (Mu webellimi i Artit Historik) në Vjenë, Austri. Këto përfshijnë një shpata të drejtë, një shpata të lakuar dhe përkrenaren me mbishkrimin IN·PE·RA·TO·RE·BT. Ato kanë qenë më parë pjesë e koleksionit të Ambras Castle pranë Insbrukut, ku u bashkuan në shekullin e 16-të dhe u transferuan më pas në Vjenë në fund të shekullit të 18-të. Në 2012 armët u ekspozuan përkohësisht në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, por më pas u kthyen në Austri.

Në një konferencë albanologjike, zonja Lucia Nadin ka përmendur ruajtjen e një armature të atribuar Skënderbeut në arsenalin e Venedikut, që për shekuj është parë si pjesë e muzeut të figurave të mëdha historike. Kjo tregon interesin për gjurmimin e objektit në burime historike veneciane.

Në konferenca dhe intervista të citueshme, Lucia Nadin ka folur për armët apo pjesë të armorëve që supozohet të jenë ruajtur në arsenalet e Venedikut, përfshirë armaturë që u ekspozua në muze të mëdhenj historikë venecianë, duke nënvizuar rëndësinë e Skënderbeut si figurë historike të njohur edhe nga arsye kulturore evropiane.
Ndryshe qëndron çështja e përkrenares. Mbishkrimi në rripin e përkrenares (apo helmës) në Muzeun e Vjenës është IN PE RA TO RE BT, i ndarë nga rozeta. Ky është një monogram që përfaqëson një përkthim latinisht me variante kuptimesh: Jezusi i Nazaretit të bekojë ty, Princi i Matit, Mbreti i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbreti i Epirit, pra një seri tituj dhe epitetesh që lavdërojnë Skënderbeun. Përkthimi më i zakonshëm që i jepet kësaj shkronjash është: Iesus Nazarenus • Principi Emathie • Regi Albaniae • Terrori Osmanorum • Regi Epirotarum • Benedictat Te, pra Jezusi i Nazaretit, Princi i Matit, Mbreti i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbreti i Epirit, të bekojë ty. Përkrenarja e famshme me brirë dhie është mbi të gjitha një objekt ceremonial dhe simbolik. Ajo shërbente për identitet, autoritet dhe përfaqësim politik, si shenjë e prijësit dhe “Mbretit të Shqiptarëve”, më shumë sesa si pajisje praktike mbrojtëse në fushëbetejë. Funksioni i saj ishte të tregonte kush ishte Skënderbeu, jo domosdoshmërisht të thithte goditje. Në përfundim, burimet historike, dëshmitë bashkëkohore dhe analiza materiale tregojnë qartë se shpatat e Skënderbeut janë autentike dhe luftarake, të përdorura realisht në betejë, ndërsa përkrenarja mbetet një objekt ceremonial me vlerë të jashtëzakonshme simbolike. Të quash shpatat “fake” ose thjesht dekorative do të thotë të injorosh burimet, faktet dhe vetë logjikën e luftës mesjetare.

Rasti Irena Gjoka do të tregojë nëse ligji sundon mbi drejtësinë apo drejtësia është mbi ligjin

0

Shkruan Av Arben Llagnozi

Një zhvillim i rëndë për besimin publik te drejtësia u bë publik sot më 20 janar 2026. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka përfunduar verifikimin e thelluar për gjyqtaren e GJKKO-së Irena Gjoka dhe ia ka përcjellë raportin Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), organit që pritet të vendosë për vijimin ose jo të detyrës.
Sipas raportimeve mediatike për përmbajtjen e këtij verifikimi, Gjoka rezulton e dënuar në Greqi (viti 2005) për çështje të lidhura me dokumente/“falsifikim vize”, ndërkohë që në formularët e vetëdeklarimit është raportuar se ka dhënë përgjigje negative për dënime nga autoritete të huaja.
Ky është momenti kur çështja nuk është më debat politik apo “përplasje kampesh”, por test real i shtetit të së drejtës, a zbatohet ligji njësoj për çdo funksionar, sidomos për ata që gjykojnë të tjerët?
Është provuar plotësisht se gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, rezulton e dënuar në shtetin grek me vendim penal të formës së prerë, si dhe e debuar nga territori i Greqisë. Po aq e provuar është edhe dijenia e plotë e vetë subjektit, pasi ajo ka lëshuar prokura për përfaqësim ligjor në lidhje me këto vendime dhe çështje penale në shtetin grek.
Skandali shpërtheu në mënyrë të pakontrollueshme dhe i “plasi në dorë” ish-anëtares së vetingut Valbona Sanxhaktari, e cila ka favorizuar këtë subjekt gjatë procesit të rivlerësimit.
Burime serioze nga brënda KPK konfirmojnë se, përveç vendimmarrjes favorizuese, janë hequr akte nga dosja e rivlerësimit të subjektit të rivlersimit Irena Gjoka në bashkëpunim me Genta Bungo, duke e kthyer procesin e vetingut nga instrument pastrimi në mekanizëm mbrojtjeje politike.
Çfarë pazari, premtimesh apo garancish janë shkëmbyer, sa para ka paguar Irena Gjoka për të kaluar vetingun mbetet një çështje që vetëm drejtësia nëse ekziston ende mund ta zbardhë.
Skandali u ekspozua edhe para ndërkombëtarëve, të cilët erdhën për të “mësuar” se si ndërtohet drejtësia, por që përpara këtij rasti kanë mbyllur sytë, duke i dhënë Shqipërisë shembullin më të keq të standardeve të dyfishta. Heshtja e tyre është po aq e rëndë sa edhe shkelja e Irena Gjokës.
Një tjetër dështim flagrant para këtij rasti është ai i Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili jo vetëm që nuk e evidentoi këtë skandal madhor, por u mbulua nga ekspozimi publik në rrjete sociale të bashkëpunëtorëve të tyre, ku u përmend publikisht edhe anëtarja e KPA-së, Ina Rama si bashkëpuntore e SHISH.
Skandali thellohet edhe më tej me SPAK, i cili ka prodhuar më shumë show mediatik sesa hetim real. Ironia më e madhe, puna e prokurorëve kontrollohej dhe vlerësohej nga një gjyqtare që nuk plotëson kriteret ligjore për të ushtruar funksionin.
Ndërkohë, heshtja e plotë e gjumashit Artur Metani, kreu i ILD-së, nuk është surprizë pavarsisht se përbën një skandal më vete. Asnjë hetim disiplinor, asnjë reagim, pavarësisht se shkelja është publike, e dokumentuar dhe flagrante. E dëgjuat besoj në parlament se deklaroi publikisht se nuk ka hetim për Irena Gjokën.
Ligji nr. 96/2016, neni 28, pika “d”, është i qartë: nuk mund të pranohet dhe nuk mund të ushtrojë funksionin e gjyqtarit një person i dënuar me vendim penal të formës së prerë, pavarësisht rehabilitimit. Në këto kushte, qëndrimi i Irena Gjokës në detyrë është i paligjshëm, dhe për pasojë çdo vendim i dhënë prej saj është juridikisht i cenueshëm dhe i pavlefshëm.
Kjo vlen jo vetëm për çështjen e Sali Berisha, por për çdo masë sigurimi, sekuestro apo vendim gjyqësor të dhënë prej saj. Procesi nuk ka qenë i rregullt, nuk ka qenë i ligjshëm dhe nuk ka qenë i paanshëm.
Dyshimet se Këshilli i Lartë Gjyqësor është ndikuar janë të forta. Ky institucion është shndërruar në simbol nepotizmi, ku promovimet familjare dhe interesat personale kanë zëvendësuar meritën. Rasti i antares së KLGJ, irena Plaka e cila promovoi nusen e vëllait të saj Ema Shaholli është vetëm një nga shembujt e kësaj praktike promovimi familjar. Ajo u promovua në Administrative Gjirokastër më pas në Vlorë në Lushnje dhe destinacioni final gjykata Administrative Tiranë.
Skenari që po përgatitet është i njohur, do të pranohet ekzistenca e vendimit penal, por do të pretendohet se “dosja është asgjësuar” apo se “vendimi nuk është ekzekutuar”.
Ky justifikim bie ndesh me ligjin dhe praktikën, siç e provon rasti i Kreshnik Hajdari, ku mungesa e dosjes për shkak të ligjit arkivor grek nuk e pengoi konstatimin e dënimit dhe ai u dënua nga gjykata e posaçme me vendim të formës së prerë.
Ky nuk është një debat politik dhe as një konflikt individual. Ky është kolaps institucional, i lejuar me dashje nga struktura që duhej të garantonin ligjin. Heshtja, manipulimi dhe mbrojtja e paligjshmërisë e kanë kthyer drejtësinë në një instrument pushteti dhe pazari.
Kjo çështje nuk mund të mbyllet. Çdo tentativë për ta relativizuar është bashkëpunim me shkeljen. Drejtësia ose vepron, ose pranon publikisht se ka dështuar.

SHBA “shpartallon” Ilir Metën/ Letër-porosi e re në SPAK, ish-presidentit i zbulohet aferë 280 mijë dollarë

0

SPAK ka shtuar “arsenalin” e dyshimeve të ngritura ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi mori në dorë një letër-porosi të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas materialit të administruar në tetor të vitit të shkuar, Struktura e Posaçme pretendon të ketë zbuluar një shumë të re prej gati 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe që lidhen me ish-Presidentin nën akuzë për 3 vepra penale.

Shifra është pohuar si argument për të mos e liruar Metën nga burgu, në seancën gjyqësore të 5 janarit në Gjykatën e Posaçme, në të cilën, Meta dështoi të ndryshonte masën e sigurisë. Referuar vendimit gjyqësor, të siguruar nga A2 CNN, prokurorët e SPAK kanë pohuar se së fundmi është konstatuar një shumë e përfituar nga lobimi.

Bëhet fjalë për kontratën e konsulencës me kompaninë GSIS, që i shtohet shumës fillestare për të cilën ishte ngritura akuza. Sipas SPAK, shumës prej afro 246 mijë dollarë për të cilat akuzohej Meta në një marrëdhënie të dyshuar korrupsioni, i është shtuar edhe shuma e re.

“I është shtuar dhe shuma 279.783 dollarë nga lobimi, e cila është jo vetëm përfitim i paligjshëm, por edhe mënyra e transferimit përbën një shifër të konsiderueshme, sa i përket aspektit të pastrimit të produkteve penale për të pandehurin Ilir Metaj”, citohej pretendimi i SPAK në vendimin e gjykatës.

Në një reagim të bërë pak ditë më parë në lidhje me lobimet, Meta tha se nuk ekzistonte asnjë provë që të ketë shkelur ligjin shqiptar apo atë amerikan, e as të kishte dijeni se dikush tjetër po shkelte ligjin për llogari të LSI. Sipas Metës, letër-porositë e dërguara kanë synuar jo zbulimin e së vërtetës, por mjegullimin dhe fshehjen e të vërtetave.

POSTIMET E FUNDIT