Kreu Blog Faqe 65

Presidenti Trump fshin Tony Blair nga bordi i paqes së planit për Gazën

0

Tony Blair nuk do të mbajë një pozicion kyç në “këshillin e paqes” të Donald Trump për Gazën, pas raportimeve se vendet arabe kishin kundërshtuar përfshirjen e ish-kryeministrit britanik. Sipas Financial Times, Blair është hequr në heshtje nga “bordi i paqes”, të cilin Trump ka thënë se do ta kryesojë vetë.

Më parë ishte raportuar gjerësisht se Blair kishte bërë kërkime prapa skenave për një rol të shquar në administratën e përkohshme të Gazës, pasi rrodhi në media plani i hartuar pjesërisht nga Instituti i tij Tony Blair për Ndryshim Global (TBI) me dhëndrin e Trump dhe të dërguarin informal Jared Kushner.

Në botën e gjerë arabe, Blair u pa me skepticizëm për rolin e tij në pushtimin katastrofik të Irakut të udhëhequr nga SHBA-të në 2003. Blair ishte emri i vetëm që u bë publik për rolin në bord, kur presidenti i SHBA zbuloi planin e tij me 20 pika për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit në fund të shtatorit.

Tërheqja e Blair vjen pavarësisht pretendimeve se ai pati një takim informal me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në fund të nëntorit për të diskutuar planet, sipas Times of Israel.

Një burim tha për Financial Times se Blair mund të luante ende një rol më pak qëndror.

“Ai mund të ketë ende një rol në një kapacitet tjetër dhe kjo duket e mundshme. Amerikanëve u pëlqen ai dhe izraelitëve u pëlqen.”

KLP mblidhet sot, zyrtarizohet kreu i ri i BKH

0

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) mblidhet sot, në orën 11:00, për të zhvilluar votimin final për emërimin e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Komisioni i ngritur nga SPAK propozoi më 26 nëntor Joni Ketën për këtë pozicion për një mandat 5-vjeçar.

Komisioni i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra arriti në përfundimin se Joni Keta i plotësonte të gjitha kriteret për drejtimin e institucionit, duke u vlerësuar si më i përshtatshmi ndër gjashtë kandidatët që kishin kaluar të gjitha fazat e përzgjedhjes.

Joni Keta, 37 vjeç, ka mbajtur më parë detyra drejtuese brenda BKH-së dhe aktualisht ushtron funksionin e kreut të komanduar të këtij institucioni.

Me votimin e sotëm, KLP pritet të finalizojë procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të BKH-së, një pozicion kyç për hetimet proaktive dhe veprimtarinë operacionale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në garë për drejtimin e Byrosë ishin shtatë kandidatë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

BKH ka qenë pa drejtues prej 31 gushtit, kur përfundoi mandati 5-vjeçar i Aida Hajnajt. Vakanca u zgjat për shkak të vonesave në procesin e verifikimit, si pasojë e pritjes së dokumentacionit nga institucionet e ndryshme shtetërore dhe ndërkombëtare.

Shpresa e Madhe dhe 35-dhjetorë zhgënjimesh.

0

Shkruan Zef Ndreka

Dhjetori i vitit 1990 hyri në historinë shqiptare si muaji që shënoi thyerjen e parë të murit ideologjik të diktaturës. Nga studentët u ndez një proces që duhej të sillte pluralizmin politik, lirinë e tregut, shtetin e së drejtës dhe integrimin euroatlantik.
Thirrjet e studentëve në Sheshin e Demokracisë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “E duam Shqipërinë Demokratike”, “Liri-Demokraci” zbritën në tokën shqiptare pluralizmin politik. Ishte dita e tyre, por edhe e gjithë popullit të Tiranës dhe Shqipërisë që mbështeti këtë lëvizje dhë këtë proçes.
Por 35 vitet që pasuan, e sidomos secili “dhjetor politik” që ka ardhur më pas, kanë dëshmuar një tranzicion të tejzgjatur, shpesh të deformuar, dhe një zhgënjim që ka gërryer besimin e shoqërisë në politikë.
Vitet ’90 ishin Shpresa e Madhe, ishin premtimet e mëdha për ndyshime dhe energjia e shoqërisë. Pikërisht, Dhjetori 1990 përfaqësonte çlirimin psikologjik të shoqërisë nga frika, çlirimin nga diktatet dhe dogmat politiko-komuniste dhe paralajmëroi prejardhjen e një elitë të re studentore dhe intelektuale që synonte modernizimin e vendit.
Më kryesorja, Dhjetori ’90-të paralajmëronte hyrjen e Shqipërisë në orbitën europerëndimore.
Ishin momentet e pritshmërive të larta.dhe shqiptarët besuan se tranzicioni do të ishte i shpejtë dhe se vendi do të kapte me vrull kohën e humbur.
Përse Dhjetorët e mëvonshëm u kthyen në zhgënjime?!
Sepse zhgënjimet nuk ishin të rastësishëm, por të lidhur me disa prirje strukturore me elitat politike të dala nga tranzicioni.
Në vend që të lindnin institucione të forta dhe një kulturë e re politike, udhëheqësit politikë përqafuan përçarjen si mjet politik, kapjen e institucioneve, riciklimin e figurave të vjetra,
kontrollin klientelist të ekonomisë.
Kjo bëri që demokracia formale të mos shndërrohej në demokraci funksionale.
Gjithashtu ekonomia tranzicionale e centralizuar nga shpresë për zhvillim, mori drejt polarizimit madje të skajshëm.
Vertetë ekonomia e tregut solli rritje, por privatizimet u bënë shpesh pa transparencë, një pjesë e vogël u pasurua shpejt, shtresa e mesme mbeti e brishtë, ndërsa fenomeni i piramidave të vitit 1997 goditi besimin dhe orientimin e vendit.
Diferenca e madhe pasurore u kthye në burim cinizmi dhe mosbesimi.
Shteti i së drejtës ngeci, sistemi gjyqësor mbeti i politizuar, reforma në drejtësi erdhi shumë vonë, ndëshkueshmëria e politikanëve mbeti pothuaj zero për tri dekada, duke e vertetuar thënjen se kur drejtësia vonon, politika e keqbërësit forcohet.
Miliona shqiptarë u larguan me çdo formë e me çdo rrugë nga vendi, nga zhgënjimi ekonomik, nga mungesa e meritokracisë, nga degradimi i shërbimeve publike.
Tashmë, simbolika e Dhjetorit është nga festë e inaugurimit në një rit të lodhur politik
Çdo dhjetor është përdorur nga politika si tribunë për të ringjallur mitet e themelimit, për të ricikluar premtime, për të akuzuar kundërshtarin.
Dhjetori është zhytur në retorikë partish, në vend që të shërbejë si moment reflektimi kombëtar.
Shqipëria ka hyrë në një model të përsëritur me
protesta, me bojkote, me zgjedhje problematike, me trysni ndërkombëtare, me marrëveshje të përkohshme, me ngritje të krizës së radhës.
Ky është shkaku pse pas 35 vitesh, vendi nuk ka ende stabilitet institucional, nuk ka rrotacion normal politik, nuk ka kulturë të përgjegjësisë publike.
A ka ende potencial shprese?
Sigurisht që po. Ndaj kjo është arsyeja pse Dhjetori mbetet simbol i dyfishtë me zhgënjim nga e kaluara dhe potencial për të ardhmen, sepse brezi i ri nuk është barrë e tranzicionit dhe presioni i emigracionit e kthen vëmendjen tek standardet perëndimore,
Ndërkohë integrimi në BE, pavarësisht ngadalësive, mbetet boshti që i detyron institucionet të reformohen dhe drejtësinë edhe pse e kontestuar jo rrallë, po fillon të prekë zona që dikur ishin tabu.
Për ta përbledhur mund të themi se Dhjetori i 1990-s ishte një hap drejt lirisë, por 35 vitet pas tij tregojnë se Shqipëria nuk ka mbaruar punë me tranzicionin.
Shpresa e madhe e ’90-s është përzier me zhgënjime të shumta, sepse ndërtimi i një shteti funksional nuk u vendos mbi themelet e duhura.
Sot sfida është e qartë, të shmanget një Dhjetor tjetër zhgënjimi dhe të rikrijohet një kulturë e re politike e bazuar në përgjegjësi, në meritokraci, në transparencë, në pavarësi institucionale.
Vetëm kështu Dhjetori i shpresave nuk do të mbetet një kujtim nostalgjik, por një projekt real për të ardhmen.

Partitë politike në Kosovë duhet të bëjnë një fushatë të qetë elektorale

0

Shkruan Nue Oroshi

(Analizë politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.Nganjëherë këto analiza nuk janë shumë të ngrohta për militantët partiakë por Kosova është në rend të parë e partitë politike si dhe kryetarët e tyre shkojnë e vijnë)
A është premtimi i Albin Kurtit për një” fitore më të madhe” me numrin 116 një sinjal i vetëbesimit politik apo një tregues frike nga rënia e mbështetjes që kërkon mobilizim urgjent të elektoratit?
Nue Oroshi:Të gjithë partitë para zgjedhjeve flasin për fitore, e kur vjen rezultati e vajtojnë rezultatin me shami në dorë.T´iu them te drejtën analizat e mia dallojnë nga disa analistë të tjerë për faktin se unë e analizoj politikën që ti bie mirë Kosovës kurse të tjerët që tí bie mirë partisë që i takojnë apo që e simpatizojnë,apo që e përkrahin për ndonjë interes privat.Nga përvoja ime politike 35 vjeçare në politikën shqiptare si dhe nga përvoja 20 vjeçare në politikën gjermane shihet qartë se një parti kur e fillon rënien e ka shumë të vështirë që të ngjitët prapë pa një reformim rrënjësor.Njejtë është edhe me VV. Ajo pavarësishtë se çfarë numri do të bartë në zgjedhje do të ketë rënie.Do të ketë rënie për faktin se asnjëherë në Republikën e Kosovës nuk janë mësuar qytetarët që partitë politike që ju kanë dhënë mandatin për të qeverisur, ti lanë pa institucione më një fjalë është një vit anarki që nuk është parë asnjëherë në historinë e Republikës së Kosovës. Për këtë VV do të ndëshkohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Sa do të jetë ky ndëshkim dhe sa do të jetë kjo rënie do të shihet më 28 dhjetor.Besoj që me atë rezultat që do të marrë VV në zgjedhje do të vetëdijësohet se nuk mund të formohen institucionet nga deshira por nga realiteti politik.Të kesh deshirë për ta bërë një gjë dhe mos të bazohesh në realitetin politikë për ta kryer këtë veprim janë dy botra dhe një mur i madh që i ndanë.Unë mendoj se Albini e din se ka rënie e kjo shihet edhe nga deshprimi i madh i mërgates.E kur jam të mërgata dua të them se shumë është duke u politizuar mërgata, kurse në anën tjetër votat e mërgatës nuk luajnë asnjë rol të madh në rezultatin përfundimtar.Pra, edhe këto përafërsisht 75.000 vota të mërgatës do të ndahën në katër apo pesë parti dhe e shumta që mund te merr një parti janë 25.000 deri në maksimum 30.000 vota ku mund të ju rritët numri me një deputet siç ishte në zgjedhjët e fundit me VV ku nga 47 deputet është rritë në 48 numri i deputetëve.Prandaj këtu e kam një kritikë për banorët që banojnë në Kosovë se mos na thoni se ju na sjellët Albin Kurtin në pushtet.Albin Kurtin në pushtet jeni duke e mbajtë ju qe jeni duke jetuar në Republikën e Kosovës.Se rezultati i mërgates është minimal në rezultatin e përgjithshem dhe krejt çka mund të ngritë apo ta zbres rezultatin e një partie politike mërgata është 2 ose 3 % maksimum.
Kur Bedri Hamza e quan numrin 130 ” numri i fitores dhe stabilitetit”, a është kjo retorikë shenjë e ofensivës së PDK-së për ta sfiduar seriozisht Vetëvendosjen, apo vetëm një përpjekje për të fshehur mungesën e prurjeve të reja politike?
Ta them të drejtën në traditën tonë popullore është një shprehje shumë interesante. Ku thotë se duhet me ju ruajtur dhandrrit të ri gjashtë muaj para martesës dhe gjashtë muaj pas martesës.Edhe unë kisha me thanë se duhet me ju ruajtur deshirave të kryetarve të rinj të partive politike kur garojnë për herë te parë si kryetar partie dhe e marrin përgjegjësinë për zgjedhjet.Në këtë rast Bedri Hamza është një ekspert i mirë i ekonomisë por nuk e di sa do t´iu kthehët kjo përvoj në qeverisjen si ekonomistë me rezultatin në zgjedhje .Mendoj se PDK- i ka votuesit e saj bukur fanatikë dhe do ta ruan rezultatin me ndonjë ngritje të vogël se shpeshherë votuesit e deshpruar të VV-së e votojnë nënën e tyre për faktin se dihet se VV është prodhim politikë i PDK-së por që nuk qëndroj vetëm për detyrën që i dha PDK në atë periudhë VV për ta luftuar LDK, ku e luftoj shumë mirë duke i marrë një pjesë të saj që thirrën Guxo e që me guximin e tyre nga e djathta ju bashkuan një partie te majtë politike, por VV si bijë e PDK-së u rrit aq shumë dhe iu doli dorësh edhe PDK-së dhe tash nuk po dihet se cila është nëna e cila është e bija.Por mendoj se PDK dhe Bedri Hamza do ta kenë një rezultat të mirë në zgjedhje.Diku nja 2 deri në 3 % do ti dëmtoj edhe Nisma por atë përqindje e kompenzojnë me votuesit e pakënaqur që e kanë votuar më herët VV.
Me LDK-në që thekson “listë me vlera dhe integritet” dhe AAK-në flet për “përfaqësues të guximshëm “, a janë këto narrative reale përmbajtësore apo strategji për të kompensuar hendekun e madh që partitë e mesme kanë ndaj partive kryesore në garën e 28 dhjetorit?
Nue Oroshi: Sa i përket LDK-së dhe AAK-së këto dy parti kanë sjellur me se shumti prurje të reja dhe kanë futur nëper listat e tyre personalitetët me integritet intelektual dhe atdhetarë.Por sa do të ndikon që hyrja e këtyre personaliteteve në rritje të votës në LDK dhe AAK do të shihet më datën 28 dhjetor 2025. Një dihet qartë se janë pikërisht këto dy parti që janë çelësi kryesor që mbas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të formohen institucionet e Republikës së Kosovës.Meqenëse nuk kemi ndonjë parti të re politike në zgjedhje mendoj se këto dy parti do të kenë një rritje solide që do t´ia sjellin kandidatët e rinj që kanë një reputacion në popull dhe qe do të reflektohet në votë.Ajo që do të jetë paksa e vështirë do të jetë fakti i pjesëmarrjes në zgjedhje.Dëshprimi në popull është shumë i madh. E mund të ndodhë që të ketë një interesim më të vogël të daljes në zgjedhje.Në këtë rastë LDK do të forcohet më një rezultat më të mirë.Kurse AAK do të mbetët përafërsisht aty ku ka qenë se prurjet e reja do t´ia kompenzojnë votat që i ka pasur si rezultat i bashkëpunimit me Nismen por tash me një përparësi më të madhe se deputetët që do ti fiton do të jenë deputet të grupit parlamentar të AAK.
Për fund deshiroj të them se partitë politike duhët bërë një fushatë të qetë elektorale në mënyrë që ta lën mundësinë që në mesnatë të 31 dhjetorit të kenë mundësinë t´ia urojnë ndërrimin e motmotit njëri- tjetrit dhe të fillojnë të qetë që të bëjnë koalicion në mes të dy apo tri partive për krijimin e Institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

FIFA ndryshon rregullat/ Botërori 2026 njësoj me NBA dhe NFL, ndeshjet do ndahen në katër pjesë

0

FIFA ka zyrtarizuar një risi të madhe për Kupën e Botës 2026: çdo ndeshje do të ndalet për një “pushim hidratimi” tre-minutësh në mesin e secilës pjesë.

Ky rregull i ri, i cili praktikisht e ndan lojën në katër pjesë – njësoj me NBA-n apo NFL-n – u aprovua gjatë takimeve mes drejtuesve, trajnerëve dhe transmetuesve, të zhvilluara paralelisht me shortin e Botërorit.

Stafi mjekësor i FIFA-s mbështeti vendimin duke e cilësuar si një masë sigurie për futbollistët, ndërsa trajnerët përfitojnë një dritare shtesë për udhëzime dhe korrigjime taktike gjatë lojës.
Në të kaluarën, pushimet e tilla për freskim lejoheshin vetëm në kushte të nxehtësisë ekstreme. Por rregulli i ri nuk varet më nga temperatura: pauza tre-minutëshe do të jetë obligative në çdo ndeshje, rreth minutës së 22-të, kudo që të luhet ndeshja.

“Për çdo ndeshje, pavarësisht vendit, kushteve atmosferike apo faktit nëse stadiumi ka çati, do të zbatohet një pushim tre-minutësh për hidratim,” deklaroi FIFA.

Manolo Zubiria, shefi i turneut, konfirmoi se pauza do të zgjasë “tre minuta nga fishkëllima në fishkëllim”. Loja nuk do të ndalet në orar, por arbitrat do të shtojnë tri minuta shtesë në fund të secilës pjesë.

Grupet që mbrojnë të drejtat e futbollistëve pritet të mirëpresin vendimin, edhe pse FIFPRO ka kërkuar pushime më të shkurtra dhe më të shpeshta. Debati u ndez sidomos pas Kupës së Klubeve 2023, ku disa ndeshje u luajtën në vapë përvëluese rreth 32°C, duke detyruar FIFA-n të ulte pragun e pushimeve për freskim.
Për Botërorin 2026, FIFA ka planifikuar që shumica e ndeshjeve të pasdites të zhvillohen në stadiume me çati apo klimatizim, ndërsa mbrëmjet do të luhen në qytetet më të nxehta si New Jersey, Miami, Filadelfia, Kansas City dhe Monterrey. Finalja mbetet e planifikuar në orën 15:00 në MetLife Stadium.

Pushimet e reja mund t’u japin gjithashtu transmetuesve mundësi për reklama shtesë gjatë lojës – diçka që FIFA nuk e përmendi, por që rrjetet televizive e shohin si mundësi të rëndësishme tregtare. Po ashtu, u konfirmua se turneu do të ketë tre ceremoni hapjeje: në Mexico City për ndeshjen e parë, në Toronto për debutimin e Kanadasë dhe në Los Angeles për ndeshjen e parë të SHBA-ve.

Botërori 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të zgjasë 39 ditë, me 104 ndeshje gjithsej. Ndërkohë, shorti ka sjellë një rrugë të vështirë për Anglinë, e cila nëse synon fundin e mallkimit 60-vjeçar, do të ketë përballje të forta. Skuadra e Thomas Tuchel do të ndeshet në grup me Kroacinë, Ganën dhe Panamanë, ndërsa rruga në eliminatore mund t’i vërë përballë gjigantëve të futbollit botëror.

SPAK TV: Kërkesa e kohës për shqiptarët

0

Shkruan Thoma Gëllçi

Fejton

Anëtari më potent i Këshillit Drejtues, fyellisti legjendar Aman Vula, atë mëngjes ishte zgjuar më i freskët se kurrë, me sytë që i shkëlqenin si të një reformatori të lindur vonë. Në gjumë i kishte ardhur një ide kaq brilante, kaq epokale, sa ishte i bindur se do ta fuste përgjithmonë në historinë e transformimit të Radio Televizionit, jo me fyell, por me vizion. I trembur se mos i humbte ndonjë grimcë të frymëzimit hyjnor, ai u ul menjëherë të shkruante, me bindjen e plotë se reforma e madhe po niste pikërisht aty: mbi tavolinën e tij të mëngjesit, mes filxhanit të çajit dhe lapsit të shënimeve që ende mbante erë ambicie.
Shkroi rreshtin e parë: Fjala e fyellistit Aman Vula në Këshillin Drejtues.
U mendua pak dhe pastaj pena i rrodhi lirshëm:
Zoti Kryetar, kolegë të nderuar, dhe ju të tjerët që vazhdoni të merrni pjesë në mbledhjet e Këshillit sepse ju pëlqen honorari mujor dhe nuk doni t’ia hiqni vetes, kam një propozim që do t’i japë institucionit tonë rilindje më të madhe të historisë së vet: të mbyllim RTSH Agro dhe të hapim SPAK TV.
Lidhur me RTSH Agro, argumentin e kam të thjeshtë: në një vend ku lopët kanë marrë azil politik në Gjermani, ku dhitë janë bërë rezidente në Zvicër, dhe ku fermeri i fundit ka hapur një qebaptore në Alaska, nuk ka logjikë të ekzistojë një televizion bujqësie. Do të ishte si të mbaje një kanal për astronautë në një vend ku nuk kemi as autobusë, por vetëm furgona.
Ndaj RTSH Agro duhet mbyllur, qetësisht, pa zhurmë, pa bujë, siç mbyllen të gjitha gjërat që nuk i shikon askush.
Dhe kjo na çon te projekti im madhor:
SPAK TV — kanali që do të edukojë kombin përmes frikës, rrjedhjeve dhe nostalgjisë së drejtësisë së viteve ‘80.
E dini vetë që SPAK-u është përpjekur fort të ndërtojë një nam të ri. Ka bërë përpjekje, duhet pranuar. Ka hedhur në media përgjime të selektuara duke e bërë më mirë se kushdo tjetër punën e reporterit të kronikës së zezë. Ka nxjerrë copa dosjesh si në pritjet me finger food: na jep vetëm aq sa të na ngjallë oreksin, por kurrë që të na ngopë plotësisht.
Por, me gjithë këto përpjekje, duhet thënë me sinqeritet institucional: SPAK-un e pengon historia.
Jo historia e “antikorrupsionit”, jo.
E pengon ajo historia tjetër, ajo e viteve kur Hetuesia e Përgjithshme dhe Sigurimi i Shtetit nuk kishin nevojë për rrjedhje në portale. Atyre jo vetëm u rridhte dosja, por edhe dëshmitari, edhe fshati, edhe historia.
Pra, në krahasim me Sigurimin e Shtetit, SPAK-u është ende praktikant.
Ka shumë për të mësuar.
Prandaj programi kryesor i SPAK TV do të jetë: “Të mësojmë nga përvoja e Hetuesisë së Përgjithshme dhe Sigurimit të Shtetit”.
Një cikël i plotë programesh që do ta udhëheqë analisti i shquar që e kemi në mes tonë dhe ka si moto: “Populli kërkon ndëshkime dhe arrestime dhe jo drejtësi”, ku prokurorët e sotëm të mësojnë se si denigrohet individi përpara gjyqit në mënyrë profesionale, si ndërtohet perceptimi publik pa pasur asnjë provë të plotë, si manipulohet opinioni në mënyrë më efektive sesa me tre faqe të shkëputura në media, si të përdoret fjala “dyshohet në mënyrë të arsyeshme” me forcë të tillë sa të tingëllojë si “është fakt”.
Në vitet e shokut Enver, kjo punë bëhej me plan dhe me normë. SPAK-u ende s’e ka arritur atë nivel operativ.
Në fakt, edhe pse SPAK sot ka një normë suksesi të lavdërueshme , ( gjykata i jep pothuajse gjithmonë atë që kërkon ) përsëri nuk ka arritur në nivelin legjendar të hetuesve të dikurshëm, të cilët arrinin rezultate të jashtëzakonshme: një gjykatë popullore që, të rralla ishin rastet, po po, por ama kishte raste që kthente dosjen mbrapsht për përmirësim.
Por të mos harrojmë se SPAK e ka tejkaluar punën e organeve të diktaturës së proletariatit në demaskimin e armikut të klasës. Atëherë Dega e Brendshme mezi i mblidhte njerëzit në një sallë, dhe salla aq nxinte e shumta dyqind apo treqind veta; tani demaskimi mund të bëhet më i suksesshëm me SPAK TV sesa duke shitur të dhënat e dosjeve andej-këtej nëpër portale. Unë propozoj me modesti që një emision i përnatshëm nga analisti Puçi të titullohet: “Armiqtë në litar!”, i cili do të merret pikërisht me këtë temë.
Një horizont i pamatë hapet edhe për sektorin e serialit që propozoj ta ngremë në strukturën organizative të këtij televizioni, i cili do të jetë përgjegjës për gjithë prodhimet seriale. Unë propozoj ta nisim me serialin tonë më të ri: “Afermëndsh”.
Çdo episod tregon një histori ku:
– SPAK kërkon masë
– Gjykata thotë: Afermëndsh!
– Avokati më pas pyetet për komente, por mikrofoni ndërkohë është fikur.
Seriali do të ketë sezone pa fund, sepse materiale ka pafund.
Dhe publiku do të thotë:
“Ah, më në fund një kanal që flet hapur për drejtësinë tonë moderne, jo për atë teorike që lexojmë në Kodin e Procedurës Penale apo në Kushtetutë.”
A e mendoni, zotërinj, se si do të rritet audienca, kur në ekran të dalin vibratore, brekë dhe sutjena, dashnore dhe dashnorë?
Në SPAK TV, përveç serialeve dhe emisioneve demaskuese, do të hapet edhe një cikël modern kursesh televizive për prokurorët, të cilët, siç thotë populli, “janë të vullnetshëm, por nuk e kanë kapur akoma lapsin si duhet”. Kursi bazë do të quhet “Shkrim e Këndim për Prokurorët e Shekullit XXI”, ku do të mësohet radhitja e fjalisë, ndarja e paragrafit dhe arti i rrallë i përdorimit të presjes pa shkaktuar arrestime të panevojshme. Ndërsa në fundjavë, për të rritur ndërveprimin me publikun, do të zhvillohet konkursi kombëtar “Gjeni Gabimin!”, ku shikuesit do të sfidojnë njëri-tjetrin të gjejnë gabimet logjike në aktakuzat dhe pretencat e SPAK-ut. Fituesi i javës do të marrë çmimin prestigjioz “My Brother Aleksander”, ndërsa vetë prokurorëve do t’u jepet një bonus motivues: privilegji për ta ripunuar tekstin pa u fact-check-uar nga gjykata.
Zonja dhe zotërinj të Këshillit Drejtues! SPAK TV nuk është thjesht kanal.
Është filozofi e re mediako-juridike.
Është mënyra më e mirë për t’i bërë qytetarët të ndihen pjesë e drejtësisë. Nuk ka pse të ashtuquajturit “gazetarë të kronikës së zezë” ose si u pëlqen ta quajnë veten “gazetarë investigativë” të marrin meritat për punën e palodhur të prokurorëve.
Por më kryesorja është: përse ta lëmë gjykatën të vendosë, kur mund ta vendosë publiku që në episodin e dytë?
SPAK TV është e ardhmja.
RTSH Agro është e shkuara.
Fermerët kanë ç’të shohin aty ku janë — në Greqi, Itali, Angli, Belgjikë dhe gjetkë.
Lopët janë në Irlandë.
Dhitë në Itali.
Të vetmit bagëti që kanë mbetur këtu jemi ne në këtë mbledhje, duke u përpjekur të drejtojmë një institucion që kërkon spektakël, jo logjikë.
Dhe spektaklin do t’ua japim.
Aman Vula vuri pikë në fund të fjalës dhe, i kënaqur me sa kishte shkruar, mori në dorë fyellin.

Industria e Shkodrës

0

Shkruan Zenepe Dibra

Po bëj këtë postim shumë shpejt nga postimi i djeshëm por edhe për sqarimin për disa miq këtu në FB që për të vlerësuar periudhat e zhvillimit të një vendi, qyteti apo krahine duhet të merret parasysh konteksti i caktuar historik dhe politiko-social. Nuk mund të nënvleftësohet një periudhë e zhvillimit ekonomik të një vendi duke mbivlerësuar periudhën pasardhëse. Është edhe parim filozofik që e reja duhet përkrahur pa zhdukur ose nënvleftësuar gjithçka nga e vjetra nga e cila duhet të merret më e mira, më e vlefshmja. Nuk mund të thuhet për vendin e sidomos për Shkodren që ajo nuk ka patur zhvillim ekonomik para 1944, përveçse disa punishte artizanale. Nuk asht e vërtete! Shkodra që më përpara, por sidomos mbas 1912 me nje ngritje të vazhdueshme çdo vit ka filluar të bëhet një vend i zhvilluar industrial në bazë të ekonomisë kapitaliste kur njihej dhe respektohej prona private dhe inisiativa e lirë. Në atë kohë mundësia e zhvillimit ishte shumë më e madhe se njerëzit ishin të lirë, kishin mundësi të lëviznin, te bashkepunonin me firmat e huaja dhe të informoheshin me të rejat e zhvillimit ekonomik të vendeve përendimore. Korupsion ka patur gjithmonë por kurrë në këtë nivel që asht sot, konçensione janë dhënë por me rregulla shumë më të institucionalizuara se sot ku konçensionet mbështeten nga buxheti shtetit gja që nuk ka ndodhur kurrë përpara. Biznesmenët shkodranë rinovonin vazhdimisht fabrikat e tyre me teknollogjitë e reja të kohës. Unë mendoj se po të vazhdonte ai sistem ne sot do të ishim shumë më të zhvilluar se në fund të fundit çfarë bëmë? Ne edhe sot në atë sistem kaluam, ama veç me rregulla të prishura që nuk i mban asnjë vend kapitalist përendimor ku korupsioni i lartë dëmton konkurencen dhe krijon një klasë bisnesmenësh të përkrahur dhe të priveligjuar nga shteti Shkodra nuk pasë vetëm punishta, artizanale, por ka pasë fabrika sa sistemi komunist që erdhi i shfrytëzoi shumë prej tyre duke i shtetizuar, si Fabrika e cigareve, Fabrikat e miellit, Fabrika e Tisazhit, Fabrika e çementos, fabrika e voj-sapunit, etj ku dhe disa prej tyre kanë punuar deri më 1990. Por natyrisht sistemi tjeter që erdhi mbas 1944 ndërtoi shumë më tepër fabrika dhe uzina dhe sidomos veprat më të rëndësishme energjike që kurrë nuk duhen mohuar. Historia për këto gjera nuk lejon as te mohohen të rejat por as të mohohen dhe të nënvleftësohen të vjetrat
INDUSTRIA E SHKODRËS (Para 1944)
Para v. 1912 Shkodra nuk kishte një industri të mirëfilltë përveç disa ndërmarrje të vogla prodhimi. Me shkatërrimin e esnafëve, që nga viti 1875 duken shenjat e një prodhimi industrial të bazuar në makinat prodhuese. Firma shkodrane “Parruca” sjell që më 1860, në Shkodër të parin filander që nxirrte fijet e mëndafshit, e më vonë firma “Muzhani” dhe “Kaçulini”. Në vitin 1912 qenë ndërtuar disa ndërmarrje të ndryshme industriale me karakter të përpunimit të prodhimit bujqësor, si prodhimi i miellit, cigareve, industria e sapunit etj., Deri në vitin 1924 në Shkodër numëroheshin 12 ndërmarrje industriale, duke zënë vendin e parë në vend përsa i përket këtij numri. Në v. 1919 firma “Angjelin Luka” ngriti një fabrikë për prodhimin e karameleve dhe biskotave; më 1922 firma “Nikaj” ngre një fabrikë për prodhimin e alkolit, firma “Dragusha” për prodhimin e makaronave, firma “Pogu” për prodhimin e sapunit etj. Firma”Vëllezërit Hoxha” ngriten punishten e prodhimit të brezave dhe më vonë Fabriken e Tisazhit, e para në Shqipëri, që prodhonte kryesisht beze. Nga viti 1923, grupe kapitalistësh shkodranë nga familjet Nikaj, Daragjati e Gurashi, në bashkëpunim me kapitalistë të huaj, bëjnë përpjekje për krijimin e shoqërive konçensionare të minierave dhe ngritjen e një banke. Në v. 1935, për herë të parë në Shkodër ngrihet “Fabrika e gazozit”- aranxhatës (pije freskuese me gaz), në mjediset e pronës së Gurakuqëve, dhe që menaxhohej nga Shyqyri Dervishi. Në v. 1938 Shkodra prodhonte 20% të prodhimit të përgjithshëm industrial të vendit, kurse në v. 1944 në qytetin e Shkodrës numroheshin rreth 96 fabrika dhe punishte nga të cilat 80% relativisht të mëdha. Ndër më kryesoret ishin fabrikat e cigareve dhe të duhanit me një kapacitet vjetor 510 ton cigare dhe 70 ton duhan të grirë, 3 fabrika sapuni me kapacitet prodhimi vjetor 180 ton, 2 fabrika tisazhi me kapacitet 730.000 ml pëlhurë, 7 fabrika mielli dhe makaronash me kapacitet prodhimi: miell 4600 ton dhe makarona 500 ton, Fabrika e çimentos, me kapacitet prodhimi 15000 ton çimento në vit. Por kishte edhe fabrika të tjera, si fabrika e biskotave, karameleve, e tullave, e lëkurëve, e alkoolit, centrali elektrik, etj. Kishte edhe njësi të mëdha, si Banka Kombëtare, 3 shtypshkronja, shoqëria elektrike “Sesa”, 9 hotele, 3 agjensi autobuzash etj. Ndër firmat industriale dalloheshin firmat e vëllezërve Ademi, Rusi, Shkodra, Drini, Maqedonia në industrinë e duhanit dhe cigareve, Dan Hasani, Vllaznit Ulqinaku, Vllaznit Sali Mehmeti, Dragusha&shokë, Vllaznit Rroji, për industrinë e prodhimit miellit dhe makaronave, vllaznit Hoti, Vllazënt Pogu, Ramadan Dibra për prodhimin e sapunit, shoqëria aksionere “Portland çimento” për prodhimine çimentos, Muzhani- industria e manifakturave. Përveç këtyre në fushën e lundrimit dallohen firmat e Jak Muzhanit dhe vëllezërit Çoba. Prej gjithë industrisë, 59% e përbënin personalet dhe 3% aksionere. Shumë produkte të industrisë shkodrane, si cigaret e firmës Ademi, leshi, lëkurët, këpucët, mëndafshi si dhe shumë produkte të bujqësisë dhe frutikulturës qenë prezent në tregun europian.
INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË DUHANIT (Para 1944)
Forma më e hershme e përpunimit të duhanit është coptimi i tij për t’u pirë me çibuk. Më vonë filloi grirja e tij me thikë ose me brisk, më vonë me çark (havan), dhe mbas v. 1900 dalëngadalë zevëndësohet me maqinat grirëse. Grirja e duhanit bëhej me punëtorët me meditje që quheshin elhakçij. Tregtarët e njohur që kanë patur elhakçinj ishin Zajejt, Haxhi Nasuf Tepelija, Muhamet Mustafa, Alush Mema, etj. që kanë punuar deri 100 kv duhan në ditë. Makinën e parë të grirjes të duhanit e kanë sjellur në v. 1900, vëllezërit Fasli dhe Rexhep Ademi që aplikuan edhe përpunimin e cigareve me dorë me anën e tubave (bobinave) të cigareve të quajtura zivane. Më të njohurit që ngriten punishtet e prodhimit të cigareve me dorë ishin: Seit Elbasani, Rexhep Xhabija, Fasli Ademi, Hilmi Drishti, Mirash Suma, Muho Lluja, etj Në v. 1919 Fasli Ademi sjell makinën e parë për përgatitjen e cigareve e më vonë edhe makinën e dytë që kishin kapacitet prej 20,000 zivane në orë. Në Shkodër për herë të parë Fasli Ademi importon nga Austria kompleksin e makinerive për prodhimine e kutive të cigareve të tipit sirtar. Në vitin 1925, në Shkodër hapin punishtet e para për grirjen e duhanit edhe firmat e Idriz dhe Adem Troshanit, të Ymer Matit, e Caf Vilës dhe më 1928 Jonuz Zaja, Asllan Hoti e Brahim Hysa, duke vazhduar më vonë me firma të tjera. Këto sollën makinat e grirjes Universal, me kapacitet 150 kg duhan të grirë në 8 orë që punonin me energji elektrike, të furnizuara nga një gjenerator më benzinë. Kapitali i këtyre firmave varionte nga 145 deri 260 napolona ari. Gjatë viteve 1929-1934, prodhimi i duhanit gjethe varion nga 400 deri në 500 ton dhe kundër të gjithë rretheve të vendit, Shkodra do të zinte përqindjen më të lartë të prodhimit në shkallë vendi. Duke ditur që prodhimi i cigareve deri në v. 1924, bëhej me dorë, rritja e mëtejshme e prodhimit çoi në gjetjen e rrugëve dhe teknologjive më moderne për prodhimin e cigareve. Periudha e viteve 1924-1928, karakterizohet nga një numër i madh fabrikash cigaresh me makineri moderne të kohës duke i dhënë fund punimit primitiv të tij. Hapen 8 fabrika, si: “Tarabosh” me trashëgimtarët e Fasli e Rexhep Ademit, “Macedonia” (Riza Rusi me nipat), “Rusi” (Sytki Rusi me vëllezërit), “Saralia” (Oso Rroji), “Shkodra” (Mikel Muzhani), “Besa” (Jonuz Çaku dhe Vllazen Perdja) , “Drini” (Vllaznit Pogu), “Gera” (Rrok Gera e Vllazen), “Mirash Sama e C”. Këto 8 fabrika cigaresh me aktivitete në v. 1920-1944, kishin kapacitet prodhimi ditor 1.830.000 cigare në ditë me 230 punëtorë dhe 100 nxënës. Në 31 lagjet e qytetit funksiononte një rrjet i gjërë dyqanesh prej 66 njësish.
INDUSTRIA USHQIMORE(para 1944)
Deri në fund të shek. XIX, industria ushqimore ishte e zhvilluar në mënyrë artizanale. Në v. 1890 në Shkodër ngrihet fabrika e parë e blojës; në v. 1897 ngrihet fabrika e parë e sapunit. Në fillim të shek. XX, përpunimi i produkteve filloi të mekanizohej. Më 1918 ngrihet fabrika tjetër e sapunit “Vëllezërit Hoti” dhe fabrika e miellit Dan Hasani; më 1922 ngrihet fabrika e parë e duhan cigareve dhe ajo e sapunit e vëllezërve “Pogu”. Po në këtë vit fillon prodhimi i alkolit etilik nga firma “Nikaj e Shokë”, e para fabrikë e këtij lloji në Shqipëri, që më vonë do të pasohej nga ajo e Mati Koliqit. Më 1923 ngrihet një fabrikë mielli nga Vëllezërit Mehmeti; më 1924. Gjatë v. 1935-1939 bëhet zgjerimi i fabrikës së makaronave i shoqërisë kapitaliste “Dragusha e Shokë”, ngrihet fabrika e biskotave e Shaban Elezit; më 1938 vëllezërit Pogu ngritën një fabrikë për prodhimin e vajit nga farat vajore, e para e këtij lloji deri atëherë në vendin tonë. Në v. 1929-1933 Shkodra kishte 4 fabrika mielli nga firmat “Dragusha e shokë”, “Dan Hasani”, “Vëllezërit Sali Mehmeti”, “Vëllezërit “Rroji”. Fabrikat e prodhimit të drithrave ishin të përqëndruara në masën 50% vetëm në qytetet Durrës dhe Shkodër. Në v. 1939-1944 në Shkodër, shoqëria “Birra Korça” ngriti fabrikë për prodhimin e pijeve freskuese; Myftar dhe vëllezërit Rroji vendosin pranë fabrikës së miellit edhe atë të makaronave. Në prodhimin e përgjithshëm industrial Shkodra zinte një vend me rëndësi përsa i përket fabrikave të blonjës, të sapunit, të makaronave, alkolit, duhan cigareve etj.
INDUSTRIA E SHKODRËS (1944-1990)
Mbas viteve 1944, zbatohet politika e industrializimit socialist dhe elektrifikimit të vendit, që synonte krijimin e një industrie krejtësisht të re, ku mbizotëroi tërësisht prona socialiste, me drejtim të centralizuar dhe mbështetje në forcat e veta. Mbas shtetizimit u rikonstruktuan Tisazhi, Fabrika e çimentos, e cigareve, e lëkurëve etj. Gjatë periudhës 1945-1992, aktivitetet kryesore të industrisë në Shkodër ishin përpunimi i duhanit dhe përpunimi cigareve, prodhimi i ushqimeve të konservuara, ushqimet me bazë sheqeri, pijet freskuese dhe alkolike, makarona, buka, orizi, zarzavatet dhe vaji. Aktivitetet kryesore të industrisë tekstile ishin të fokusuara në prodhimin e veshjeve. Degët kryesore të zhvillimit të industrisë në Shkodër ishin: industria elektrike, e bakrit, mekanike, e materialeve të ndërtimit, industria e lehtë dhe ushqimore. U ndërtuan uzina dhe fabrika të reja, si Uzina e Telave, Uzina “Drini”, Fabrika e pëlhurave, Kombinati i drurit, Ndërmarrja e Fermentimit të Duhanit, Ndërmarrja e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, dy ndërmarrje artizanale: “Ndërmarrja e Prodhimeve Artistike”, dhe “Ndërmarrja e Zukth Kashtes”, “Fabrika e tullave”, fabrika të vogla të industrisë lehtë si ajo e konservave, e qumështit, e pijeve, e bukës, e blojës, e miellit dhe makaronave, e lëkurëve, këpucëve, e peshkimit, etj. Kryesisht industritë kryesore ishin të lokalizuar në Zonen Industriale që ndodhet në pjesen veri-perëndimore të qytetit përgjatë l. Kirit. Prodhimi industrial u rrit në mënyrë të konsiderueshme. U ndërtuan tre hidrocentrale mbi lumin Drin, Hidroecentrali i Vaut Dejës, Komanit dhe Fierzës; më 1971 përfundoi elektrifikimi i vendit që rriti shkallën e industrializimit të qytetit të Shkodrës. Po kështu u rrit numri i punëtorëve në shumë fabrika dhe uzina. Në këtë kohë Shkodra eksportonte mallra, si kabllo dhe tela nga Uzina e Telave ( për vitin 1989, afro 9719 ton tela dhe kabllo), energji elektrike (gjysma e së cilës eksportohej në vendet fqinjë, si Jugosllavi, Itali dhe Greqi), prodhime artistike, cigare dhe duhan, bimë medicinale etj. Eksporti i prodhimeve të freskta bujqësore u rrit shumë. Gjatë kësaj periudhe, Shkodra zinte një nga vendet e para në Shqipëri për nga zhvillimi ekonomik.
INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË DUHANIT
Pas viteve 1944, filloi shtetizimi i fabrikave private. Më 19.02.1947 shtetizohet fabrika e cigareve të Fasli Ademit, që vazhdon të punojë për konsum lokal. Në v. 1952 ndërtohet Uzina e Fermentimit të Duhanit, qëllimi i së cilës ishte grumbullimi i duhanit, tharja dhe fermentimi i tij, për t’u përgartitur për cigare. Më vonë më 1959-1960, ndërtohet një fabrikë e re po në këtë territor e cila pajiset me një linjë teknologjike të avancuar me maqineri dhe impiante teknologjike të importuar nga Gjermania Lindore.
INDUSTRIA USHQIMORE
Mbas viteve 1944, mbas vendosjes së sistemit socialist, filloi shtetizimi i gjithë fabrikave dhe linjave private. dhe rikmëkëmbja e disa fabrikave ekzistuese dhe ndërtimit të rejave. Në Shkodër më 1947 rikrijohet “Ndërmarrja e Vaj-sapunit”, Ndërmarrja: Fabrikat e makaronave, “Kallxi’, “Ylli”, “V. Shanto”, “V. Kadija”, “E. Gjyli”, “Ndërmarrja e grumbullimit”. Në v. 1947 tre fabrikat e sapunit përqëndrohen në një të vetme. Në v. 1949-1955, filloi organizimi i industrisë ushqimore, ku më 1950 ndërtohet Fabrika e makaronave në Shkodër, dhe më vonë Fabrika e konservave dhe e salcës, dhe Kantina e verës (1961). Më 1970 në Shkodër ngrihet “Fabrika e çembrionizimit të misrit”, e para e këtij lloji në vendin tonë. U ngriten edhe reparte të tharjes së misrit. Po në këtë vit u ngrit “Fabrika e përpunimit të qumështit”, ku për herë të parë prodhohet qumështi pluhur dhe ai i kondensuar. Në v. 1977, ngrihet fabrika e përpunimit të lulediellit, më vonë fabrika e prodhimit të vajit të ullirit, reparti i ri i përpunimit të bimëve eterovajore ku prodhoheshin esenca për eksport; më 1988 ngrihet fabrika e pijeve freskuese, dhe reparti i prodhimit të likernave. Shkodra u bë një nga qëndrat e rëndësishme të industrisë ushqimore; në v. 1985, Shkodra zinte 8,8% të eksporteve në shkallë vendi. Nga kantina e verës Shkodër, prodhohej verë e cilësisë së lartë Kallmet, verë Merlot, verë e embël natyrale (Rozafa) dhe Malaga të ambalazhuara për eksport në ish republikat e kampit socialist. Gjithashtu eksportohej verë e kuqe dhe e bardhë e hapur, në autobota. Fabrika e konservave në vitet 1970 arriti të prodhonte rreth 300 ton marmelatë në vit, 200 ton reçel, 30 ton komposto, 45 ton perime etj.
Bibliografi: Esmeralda Uruçi, Mirjeta Beqiri, “Traditat e zhvillimit të Industrisë në Shkodër në gjysmen e parë të shek.XX”, Seminari i III Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, Shkodër, 1998, “Shkodra”, FESH, Tiranë, 1985; “Shkodra”, FESH, Tiranë, 2009; Raporti final i “Projektit të ujit dhe ujërave të përdorura në Shkodër –raport besueshmërie”, bërë nga KGË grup Kittelberger Consult, Prill 2007, Paulin Zadrima “Krijimi dhe i zhvillimit i industrisë së përpunimit të duhanit në rrethin e Shkodrës (1900-1920) “, Seminari II Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Shkodër 1995; Paulin Zadrima “Krijimi dhe i zhvillimit i industrisësë përpunimit të duhanit në rrethin e Shkodrës (1920-1945) , Shkodër, 1998; Të dhëna të marruara nga Dyl Hysa, dhe Fatmir Kazazi, drejtues së Uzinës së Fermentimit në vite, Dashamir Hajdëri “Industria ushqimore në Shqipëri ”, Tiranë 2000; “Historia e bujqësisë dhe agroindustrisë shqiptare”, Tiranë, 2003.

Dhjetori i shpresave të humbura!

0

Shkruan Halil Teodori

Tridhjet e katër vjet më parë, më 8 dhjetor 1990, besuam se e shkuara po kalonte dhe vendi së shpejti do të ishte pjesë e familjes së madhe Europiane.
Faturuar si një adresë për krizën që po kalonim, mungesa e gjërave më të domosdoshme për të jetuar, ku fukarallëku gjeneroi linja të gjata nëpër radha qumshti… dhe rritjen e një zëmrimi mbar popullor, u mendua se do të përfundonte, duke sulmuar mënyrën komuniste të jetesës. Partia e Punës ose ish partia Komuniste e Shqiprisë dënoi të shkuarën , vetëkënaqjen dhe fragmentimin e interesit personal të partisë shtet.

Po kalonim një krizë që goditi vetë zemrën dhe shpirtin e vullnetit tonë kombëtar, dhe premtuan se do të ishin më të përgjeqshëm se deri në atë periudh kur po bëheshin ndryshime dhe vendin do ta antarsonin shumë shpejt drejt Europës .
Sot, ne, të gjithë dëgjojmë përsëri fjalët e tyre, veçanërisht pasi debatet rreth antarsimit në Këshillin e Europës bëhen të ashpra dhe konfrontuese.
Politikanët tonë e mendojnë veten se janë lider të pa zëvensueshëm dhe jo thjesht politikan që janë në shërbim të njerzëve.
Sot në vendin tonë besohet se nuk mund ta zgjidhim krizën politike nëse lëviznim përtej interesit të këtyre përfaqësuesve të pa ndërgjeqshëm. Kjo mënyrë e të menduarit, përbën një të keqe të përbashkët. Edhe Kosova që është shteti më i ri ka bërë ndryshime të konsiderushme drejt konsolidimit të demokracisë dhe forcimin e shtetit. Ndërsa ne shqiptarët e shqipërisë jemi dashje pa dashje përfaqësues të një të keqje të përbashkët.

Populli shqiptarë duhet të bashkohet rreth një sensi të qëllimit të përbashkët, si për luftë, ku çdo akt që shton përgjegjësin individuale është më shumë se thjesht sens i shëndoshë që duhet bërë, sepse sipas mendimit tim është një akt patriotik.
Që atëherë, ideologjija komuniste është dënuar gjerësisht, dhe botërisht për fajin, për krimet, për dështimet e saj në kurrizin e qytetarëve të zakonshëm. Dhe më e keqja është se ata që na servirën lugën e floririt, dështuan totalisht në 1990, jan po ata që vazhdojnë të shkatrrojnë si dikur jetën e popullit, historin tonë kombëtare, dhe populli vazhdon ti votoj.
A ka kohë më të mirë se tani për të rishikuar gabimet që kemi bërë në të shkuarën? Pasi këto që drejtojnë pushtetin janë të pa ngopur.
Në asnjë vend të botës nuk ka ndodh që qeveria e zgjedhur me votat e popullit të vjedh njerzit e vet. Kudo shkon përballesh me njerz të inkriminuar dhe më e keqja është se vazhdojnë të mbështeten nga fqinjët tanë dashakeq Sllav, për të mos e lëshuar karrigen e pushtetit. Edhe Spakun një organizëm shprese për popullin, po e kërcënojnë, për të bërë të mundur ruajtjen e aseteve të vjedhura.
Parlamenti i Partisë Socialiste është gati të debatojë një projekt-ligj për ndryshimet ligji që kontrolloi SPAK-un, i cili mbetet shpresa e fundit e shqiptarve.
Jo vetëm opozita por edhe shumë politikanë konservatorë janë ankuar se projektligji që bëhet për të kontrolluar strukturën e posaçme SPAK bëhet për të mbrojtur të korruptuarit dhe faturën do ta paguaj populli.
Janë të shumtë intelektualët që na mësojnë se kjo lloj retorike në fakt mund të funksionojë për të ndërtuar mirqenje sociale për të gjithë. Shqiptarët nuk kanë frikë të dëgjojnë të vërtetat e vështira për problemet ekonomike që kanë dhe çthurjen e pushtetit të pakufizuar.

Njerzit tanë jan të ndërgjeqshën se identiteti njerëzor nuk përcaktohet më nga ajo që bën, por nga ajo që zotëron. Udhëheqja e mirë kërkon një kritik të ashpër, që mund të ketë sukses nëse është e sinqertë dhe realiste.
Për fat të keq për ne, sot, jemi totalisht të dëshpëruar për fjalë që shfaqen në fjalime bajate. Si unë janë shumtë intelektualët që argumentojnë se qeveria po kërkon një mënyrë për të fajësuar qytetarët për problemet e saj. Por deri ku shkon kjo punë, ishin nuk bënë sagjë, erdhën po ata dhe prap nuk kanë bërë asgjë dhe duhen besuar se do bëjnë në të ardhmen!.
Kush mendo kështu është naiv!
Retorika e ashpër dhe marrja ose nëpërkënbja e elektoratit që i kanë votu duhet të mobilizojë dhe ndërgjegjësoj qytetarët në veprim për të votuar ata që populli i beson, Rinisë. Sepse është ajo që punon për të ardhmen që i përket.
Megjithatë, më e rëndësishmja nga të gjitha, është se për të zgjidhur krizën tonë politike, ne duhet të shqyrtojmë mënyrën tonë të jetesës dhe të përballemi me një kulturë të konsolidimit të interesit personal. Duhet të zgjedhim ata që janë të besushëm të pa korruptuar. Kështu mund ta bëjnë edhe pasardhësit e që do të vinë në të ardhmen.

Burgosja e Fatos Nanos me bekimin e Amerikës? Ish-ambasadori i SHBA Christopher Hill rrëfen si është e vërteta

0

Me një karrierë të gjatë diplomatike në rajonin e Ballkanit, Christopher Hill është një dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrugëtimit të Shqipërisë, nisur nga pika zero e demokracisë deri te realiteti i sotëm 35 vite më vonë, ende me të njëjtat thirrje të Shqipërisë për në Europë.

Në një rrëfim për “Exclusive” për Top Channel, Hill shprehet se SHBA-ja nuk kishte asnjë lidhje me arrestimin e Fatos Nanos një vit pas zgjedhjeve të vitit ’92.

-Pas fitores së PD ne zgjedhjet e ’92, një vit me vonë, lideri i opozitës, Fatos Nano u burgos dhe ekziston një narrativë që kjo u bë me lejen e SHBA-së?

Hill: Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993, dhe ju tregoj personalisht se kjo është 100% gënjeshtër. E kam fjalën, unë isha këtu. Dhe kurrë nuk kam dëgjuar për një rast në Europë, sigurisht jo, por askund, që ambasadori amerikan të thotë: ‘oh, vendoseni në burg.’ Nuk kam dëgjuar kurrë diçka të tillë. Dhe e di që është njëfarë legjende këtu, por thjesht nuk e pranoj që ka ndodhur ndonjëherë.

-Pra ju nuk autorizuat arrestimin e Nanos?

Hill: Jo, jo, nuk ka asgjë të bëjë me ne. Sigurisht që jo. Edhe pse pas largimit tim nga Shqipëria nuk mund të them nëse dikush ishte i përfshirë, por dyshoj. Me të vërtetë dyshoj. Mendoj se ishte e përshtatshme për disa njerëz të thonin: ‘oh, ai është në burg për shkak të amerikanëve,’ por kjo është më shumë një deklaratë anti-amerikane sesa diçka tjetër.

POSTIMET E FUNDIT