Kreu Blog Faqe 87

Semiotika dhe Gestalti i muzikës shqiptare mbarëkombëtare

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Me datë 30. Tetor. 2025 do të zhvillohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve Tiranë (UART), Konferenca shkencore mbarëkombëtare me temën: “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”. Me këtë rast pata dëshirë të shkruaj disa ide shkencërisht për muzikën shqiptare, nga një këndvështrim tjetër. Në shkrimet e mia në gazetë dhe botimet e mia e kam trajtuar muzikën shqiptare në rafshin psikologjik dhe semiotik, në planin gjuhësor, kuptimi dhe atë emocional, terapia e muzikës.
Semiotika e muzikës është studimi se si muzika funksionon si një sistem shenjash dhe simbolesh për të krijuar kuptim, duke shqyrtuar marrëdhënien midis shenjuesve muzikorë (notave, ritmeve, instrumenteve) dhe të shenjuarve të tyre të shoqëruar (emocioneve, ideve, koncepteve kulturore) përmes kontekstit kulturor dhe interpretimit individual. Ajo analizon si strukturat muzikore ashtu edhe semantikën e tyre kulturore, duke eksploruar se si dëgjuesit krijojnë kuptim nga elementët zanorë, edhe në mungesë të gjuhës së qartë verbale.

Semiotika e muzikës është shkenca e shenjave dhe kuptimeve në muzikë, studion sesi tingujt, ritmet, meloditë, instrumentet dhe tekstet muzikore shndërrohen në mesazhe kulturore dhe emocionale. Kur flasim për muzikën shqiptare mbarëkombëtare, nënkuptojmë muzikën që përfaqëson identitetin dhe simbolikën e kombit shqiptar në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë e diasporë. Prandaj “Semiotika e muzikës shqiptare mbarëkombëtare” është një temë e thellë dhe aktuale, sepse lidhet me mënyrën si muzika shqiptare shpreh kuptime, identitet dhe kulturë përtej kufijve shtetërorë.

1.Nivelet semiotike

Niveli fonik (tingëllor): struktura melodike, ritmi, tonaliteti dhe përdorimi i instrumenteve (çiftelia, lahuta, fyelli, daullja, sharkia, cylja dyjare, zumarja, gajdja) bartin shenja të përkatësisë etnike dhe historike. Për shembull, lahuta simbolizon heroizmin dhe kujtesën historike, ndërsa kënga polifonike jugore simbolizon bashkimin dhe harmoninë komunitare. Niveli kulturor: çdo këngë apo melodi përçon mitet, zakonet dhe mënyrën e të menduarit të shqiptarëve. Himnet, vallet dhe këngët rituale janë shenja të identitetit kolektiv. Niveli komunikativ: muzika shqiptare është një gjuhë e përbashkët që i bashkon shqiptarët në hapësirën mbarëkombëtare; ajo komunikon përtej dialekteve e kufijve politikë.

2. Simbolika dhe identiteti

Muzika shqiptare mbarëkombëtare funksionon si kod simbolik i kombit, ku çdo krahinë kontribon me shenjën e saj unike:

Veriu – trimëri, nder, epikë. Jugu – harmoni, bashkëjetesë, melankoli poetike.
Kosova dhe diaspora – qëndresë, identitet modern dhe ruajtje e traditës.
Kështu, semiotika e saj pasqyron unitetin në shumëllojshmëri një mozaik ku çdo tingull mbart një kuptim kombëtar. Semiotika e muzikës shqiptare mbarëkombëtare nuk është vetëm analizë e tingujve, por një interpretim i thellë kulturor i shenjave që krijojnë identitetin shqiptar. Ajo ndihmon të kuptojmë si muzika shërben si gjuhë e kujtesës, solidaritetit dhe përkatësisë kombëtare në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
-“Kënga e Trimave” – Lahuta e Veriut (Veri). Shenjë semiotike: tingulli heroik, ritmi epik, lahuta si simbol i kujtesës historike. Kuptimi kulturor: përfaqëson identitetin e burrërisë dhe qëndresës. Interpretim semiotik: lahuta është “shenja” që lidh njeriun me historinë dhe mitin. Po sjelli dy shembuj: Isë Elezi, lahutar nga Rugova: ‘Kënga e martesës së Halilit’, dhe Pretash Nilaj – ‘Muji dhe Zanat’.

-“Iso-polifonia e Labërisë” (Jug)
Shenjë semiotike: shumëzërëshi harmonik, “Isoja” si simbol i bashkimit dhe solidaritetit. Kuptimi kulturor: përfaqëson unitetin dhe marrëdhënien komunitare të jugut shqiptar. Interpretim semiotik: “Isoja” është shenja që shpreh bashkimin në shumëzëra një metaforë e kombit. Për shembull: Grupi i Pilurit: ‘Tundu, Bejk e bardhë, tundu’ dhe ‘Gjirokastër Tungjatjeta’- kënduar nga Tomorr Lelo dhe Ansambli Cipini
-“Kënga e Kosovës” – Muzika e rezistencës. Shenjë semiotike: melodi e ndjerë, tekst i ngarkuar emocionalisht, përdorim i shkallës minore. Kuptimi kulturor: shpreh dhimbjen, qëndresën dhe shpresën e kombit në situata historike. Interpretim semiotik: muzika si mjet kujtese dhe rezistence ndaj shuarjes kulturore. Për shembull: Leonora Jakupi – A vritet pafajsia?
-“Këngët e mërgimtarëve” (Diaspora). Shenjë semiotike: përzierje e motiveve tradicionale me ritme moderne. Kuptimi kulturor: ruajtje e identitetit në largësi, transformimi i kujtesës kolektive. Interpretim semiotik: muzika si shenjë e lidhjes me atdheun përmes nostalgjisë. Për shembull: Shkurte Fejza & Malësori – ‘Femijet e mergimtareve’
Psikologjia dhe Gestalti i muzikës shqiptare. Dimensioni psikologjik i muzikës shqiptare
Muzika shqiptare, në të gjitha format e saj nga këngët epike të veriut deri te polifonia e jugut bart një dimension të thellë psikologjik, që shprehet përmes strukturës, ritmit dhe mënyrës së interpretimit. Ajo nuk është thjesht një produkt estetik, por një shprehje kolektive e psikës kombëtare, ku ndjesia, kujtesa dhe identiteti bashkohen në një përvojë të përbashkët ndijore.
Në kuptimin psikologjik, muzika shqiptare përbën një mekanizëm të fuqishëm të shprehjes emocionale dhe të përpunimit të përvojave historike. Këngët epike të veriut, për shembull, kanë funksionuar si çlirues emocional dhe kujtesë traumatike kolektive, ku dhimbja dhe krenaria ndërthuren në një akt të sublimuar artistik. Ndërsa iso-polifonia labe dhe toske përfaqëson një strukturë psikike bashkëndarjeje ku secili zë është një individ që kontribuon në një tërësi harmonike, duke reflektuar psikologjinë e bashkëjetesës komunitare. Muzika, pra, bëhet një pasqyrë e ndërgjegjes sociale, ku emocionet individuale hyjnë në dialog me përvojën historike të kolektivit. Kjo përkon me idetë e psikologjisë muzikore që e shohin tingullin si shenjë të përvojës së brendshme dhe si strukturë ndjesore të kujtesës (Juslin & Sloboda, 2001).

Gestalti dhe perceptimi i tërësisë muzikore, simbolika dhe kuptimi gestaltik

Teoria e Gestaltit, e zhvilluar nga psikologët gjermanë Max Wertheimer, Kurt Koffka dhe Wolfgang Köhler, e sheh perceptimin si një proçes ku mendja njerëzore ka tendencë të organizojë përvojat në tërësi kuptimplota, jo në fragmente të ndara. Aplikimi i kësaj teorie në muzikën shqiptare shpalos mënyrën sesi dëgjuesi e përjeton muzikën si strukturë të plotë ndijimore ku çdo element (melodi, ritëm, tekst, timbër) është pjesë e një organizmi të përbashkët kuptimor.
Në këtë këndvështrim, një këngë polifonike nuk mund të kuptohet nëse analizohet vetëm përmes zërit të parë ose të dytë, por vetëm përmes tërësisë së bashkëveprimit vokal. Po ashtu, në muzikën e veriut, raporti ndërmjet lahutës dhe zërit krijon një strukturë Gestaltike ku instrumenti dhe interpretuesi bëhen një trup i vetëm shprehës. Kjo ndërthurje krijon ndjesinë e “formës së plotë” që dëgjuesi e percepton si një realitet të vetëm estetik dhe emocional.

Nga perspektiva semiotike, çdo njësi muzikore në traditën shqiptare është një shenjë e ngarkuar me kuptim, e cila në kontekstin Gestaltik lidhet me strukturën e përgjithshme të kuptimit. Për shembull, në këngët për nder të trimave, ritmi i rregullt dhe tonaliteti minor përbëjnë një figurë Gestaltike të dhimbjes dhe nderit, ndërsa në këngët dasmore apo vajet, ndryshimi i timbrave dhe intonacioneve pasqyron ndryshime emocionale që dëgjuesi i përjeton si një tërësi dinamike.
Në këtë mënyrë, Gestalti i muzikës shqiptare është një konstrukt psiko-semiotik që bashkon figurën, kuptimin dhe përjetimin në një strukturë të ndjeshme kulturore, ku individi dhe komuniteti përjetojnë muzikën jo thjesht si tingull, por si përvojë e plotë shpirtërore.

Gestalti dhe emocionet në muzikën mbarëkombëtare shqiptare

Koncepti i Gestaltit në psikologjinë e muzikës lidhet me mënyrën se si njeriu percepton strukturën e përgjithshme të tingullit, harmonisë, ritmit dhe melodisë si njësi të plota kuptimore, e jo si elemente të ndara. Në këtë kuptim, çdo krijim muzikor shqiptar , qoftë iso-polifonia e jugut, iso-ja labe, apo melizmat e veriut, nuk përjetohet vetëm si seri notash, por si forma të përmbledhura ndjenjash, kujtese kolektive dhe identiteti kulturor.
Në muzikën mbarëkombëtare shqiptare, Gestalti shfaqet si rendi i brendshëm i ndjenjave kolektive, ku çdo zë, çdo interval dhe çdo ritëm ndërthuret për të krijuar një tërësi psikologjike që kapërcen individualen. Psikologjikisht, dëgjuesi shqiptar nuk e percepton vetëm tingullin, por marrëdhëniet midis tingujve, mënyrën se si ato krijojnë tension, lirshmëri, përkulje emocionale apo krenari. Këtu qëndron thelbi gestaltian: e tëra është më shumë se shuma e pjesëve.
Në muzikën polifonike të Jugut, Gestalti i ndjenjës ndërtohet mbi harmoninë midis zërave: marrësi, kthyesi dhe isoja formojnë një strukturë që krijon ndjesinë e bashkësisë. Kjo ndjesi grupore nuk është vetëm muzikore, por psikologjikisht simbolizon unitetin shoqëror dhe moral. Në këtë mënyrë, Gestalti polifonik bëhet përfaqësues i “ne”-së shqiptare.
Në anën tjetër, muzika epike dhe labe, me strukturat e saj ritmike të forta dhe intonacionet e pasura në intervale të larta, krijon një tjetër lloj Gestalti emocional, atë të heroizmit dhe rezistencës. Zëri njerëzor, si instrument bazë, shfaqet si bartës i ndjenjës së përbashkët të dinjitetit dhe dhimbjes kolektive, që gërshetohen në një figurë të plotë emocionale. Në nivel psikologjik, Gestalti i muzikës shqiptare është një formë vetë-rikrijimi të kujtesës. Çdo interpretim i ri e riformon kuptimin, por ruan strukturën bazë të emocioneve që populli ka ndërtuar ndër shekuj. Për këtë arsye, edhe sot, një këngë e vjetër labe, një melodi shkodrane apo një këngë patriotike e veriut, ngjall në dëgjuesin modern të njëjtën energji ndjesore dhe identifikuese. Nga pikëpamja estetike dhe psikologjike, Gestalti në muzikën shqiptare është gjithashtu një model i harmonisë ndërmjet arsyes dhe ndjenjës. Struktura muzikore, ritmet e balancuara dhe tonalitetet karakteristike krijojnë ekuilibër mes racionales (forma muzikore) dhe emocionales (përjetimi). Kjo e bën muzikën shqiptare të pasur në dendësi emocionale dhe autenticitet kulturor.
Në përfundim, mund të thuhet se Gestalti i muzikës shqiptare është përfytyrimi i një ndjesie kolektive që sintetizon dashurinë, dhimbjen, krenarinë dhe shpresën në një formë të vetme të perceptuar si “muzika e shpirtit kombëtar”. Ajo shërben jo vetëm si objekt artistik, por si proçes psikologjik i vetëdijes kulturore shqiptare, ku çdo notë është pjesë e një kujtese të përbashkët që ende frymon.
Për muzikën serioze shqiptare kam shkruar një punë, në këndvështrimin semiotik për simfoninë ‘Albanoi’ të Vasil Tole.
Studim rasti: Vasil Tole, simfonia “Albanoi” koha e III: “Prechorus Dance”, “ritual përgatitor kolektiv”
Në kohën e III-të të simfonisë “Prechorus Dance”, ritmi ka një rëndësi të veçantë dhe Tole e sjell me një puls të papritur dhe tension dinamik që krijon një “valle trance”. Koha I-rë, Epos e Simfonisë “Albanoi” ka karakter narrativ, heroik dhe solemn. Tole në këtë kohë fillon ‘udhëtimin’ e tij simfonik nëpërmjet narracionit, heroikes dhe solemnes, elementë që janë të rëndësishëm në kohën e I-rë. Koha II-të, Iso është strukturë meditative dhe introspektive, e mbështetur në pedal. Ndërsa koha III-të e simfonisë “Albanoi”, “Prechorus Dance” është pika kulmore ritmike dhe emocionale, me lëvizshmëri dhe energji të fuqishme vallëzuese.
Koha e tretë e simfonisë ‘Albanoi’ nga Vasil Tole, me titull “Prechorus Dance”, përfaqëson një kulm estetik dhe ritmik të veprës. Ajo është ndërtuar mbi një gërshetim të thellë të ritmeve dhe motiveve tradicionale shqiptare, në veçanti atyre që i referohen strukturave para-korale të këngëve folklorike (pra, para hyrjes së korit ose të refrenit), duke i dhënë kësaj pjese një karakter ritual, energjik dhe dinamik.
Si përfundim në të ardhmen do të organizoj një koncert dhe një studim të thelluar për muzikën shqiptare me titull: ‘Standardi gjuhësorë dhe muzikor Shqiptar ‘.
Shumë studiues të shkencave të komunikimit, gjuhës, sociologë dhe filozofë modernë e konsiderojnë muzikën si gjuha që njerëzit flasin. Sociologu dhe filozofi gjerman Teodor Adorno shkruante se: “Muzika është e ngjashme me një gjuhë”. Nëse kemi standartin gjuhësor të gjuhës shqipe, duke e konsideruar muzikën gjuhë (jo-verbale) kemi edhe standartin muzikor të muzikës shqiptare me dialektet muzikore, të cilat janë të lidhura me dialektet e gjuhës së folur. Për të vertetuar një “minitezë” të tillë, do të prezantoj në një studim dhe koncert një “studim-rasti” gjuhësorë dhe artistik të “Iso-Polifonisë toske” dhe Kaba Përmetare me këngën “Pranvera filloi me ardhë” dhe “Jare” e Shkodrës.

Muzika shqiptare dhe e ardhmja e saj!

Disa pika kryesore që do t’i propozoja conferences për të ardhmen e zhvillimit e muzikes shqiptare:

1. Ruajtja dhe dixhitalizimi i trashëgimisë muzikore

Regjistrimi dhe arkivimi profesional i këngëve, melodive dhe instrumenteve tradicionale në të gjitha trevat shqiptare. Krijimi i një Arkivi Kombëtar muzikor dixhital, të hapur për studiues, kompozitorë dhe publikun. Bashkëpunim me UNESCO për ruajtjen e elementeve të trashëgimisë shpirtërore muzikore.

2. Ndërkombëtarizimi i muzikës shqiptare

Promovimi i artistëve shqiptarë në skena ndërkombëtare përmes festivaleve, platformave digjitale dhe bashkëpunimeve me muzikantë të huaj. Përdorimi i identitetit muzikor shqiptar si element origjinal në zhanre bashkëkohore (world music, jazz, elektronikë, etj.).

3. Arsimi muzikor dhe kërkimi shkencor

Forcimi i studimeve mbi psikologjinë, semiotikën dhe estetikën e muzikës shqiptare në universitetet tona. Futja e moduleve të reja si “Muzika dhe Teknologjia”, “Kultura digjitale” apo “Menaxhimi muzikor”. Mbështetje për kërkime ndërdisiplinore që lidhin muzikën me sociologjinë, historinë dhe psikologjinë.

4. Krijimi i qendrave të inovacionit muzikor

Laboratorë të rinj krijues ku kompozitorë, instrumentistë dhe programues bashkëpunojnë për projekte të reja audio-vizuale. Përdorimi i inteligjencës artificiale për analizë, restaurim dhe krijim muzikor.

5. Forcimi i industrisë muzikore shqiptare

Mbështetje ligjore dhe ekonomike për artistët e pavarur (të drejtat e autorit). Platforma streaming shqiptare që promovojnë prodhimin vendas. Edukim në menaxhim artistik dhe marketing digjital.

6. Rikthimi i lidhjes shpirtërore me muzikën

Muzika shqiptare duhet të mbetet shprehje e emocioneve, e identitetit dhe e humanizmit.
Duhet të zhvillohet pa humbur “shpirtin” që e ka karakterizuar nga lahuta e maleve te këngët e dashurisë e të punës.

Në Parlament kemi deputetë me kostum 5 mijë euro, kollaro 2 mijë euro!

0

Një ditë më parë Partia Demokratike zhvilloi mbledhjen e Grupit të PD, duke diskutuar për dy seancat e javës që vjen, të hënën dhe të enjten

Sipas Flamur Nokës, ‘kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë’.

Noka u shpreh se do të mbrojnë të drejtat e tyre dhe nuk do t’i nënshtrohen mazhorancës në Kuvend.

Flamur Noka: Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që ne nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi dhe Taulant Balla një gjë ndryshe tani. Ne jemi ne Kuvend për betejë, jo për nënshtrim. Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa janë të drejtat tona. Të drejtat tona do ti mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, dëshiron të nënshtrohet, të vazhdojë por kjo ska asnjë lidhje me opozitarizmin.

Edi Rama tmerrohet nga Florian Binaj”, Sondazhet e nxjerrin Florin fitues

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2 CNN, deklaroi se fakti që kryeministri Edi Rama flet për Florjan Binajn, tregon që kreu i qeverisë ka frikë nga kandidati që mbështet opozita për kryebashkiak të Tiranës.

“Të gjitha sondazhet e nxjerrin absolutisht fitues Florjan Binajn. U hoq Tirana për në datën 9 nëntor sepse Rama ka frikë. Donte që e gjithë Shqipëria të përqendrohej për zgjedhjet e Tiranës. Sot, kemi në krye një aktor jo humori, por korrupsioni. Edi Rama është aktori kryesor i korrupsionit në Shqipëri. Ky kryeministër ka pushtetin vendor, pushtetin qendror, pushtetin e drejtësisë, pushtetin e medias… ky e trajton Shqipërinë më keq sesa një Mbret. Këtij aktori i shkojnë në burg kryebashkiakë, ministra, deputetë, dhe nuk mban përgjegjësi. Ka përgjegjësi politike dhe administrative”, tha Mziu.

“Fakti që merret me Flor Binajn është frikë. Rama është në panik dhe jam i bindur që deri ditën e zgjedhjeve do të ndodhin gjëra dhe radhën e ka aktori i Rilindjes. Ndërsa aktori Binaj do të jetë kryetari i Bashkisë Tiranë”, shtoi deputeti demokrat.

Strategji mbijetese politike e Alimehmetit, jo analizë racionale

0
Shkruan Zef Ndreka
Deklarata “Berisha nuk duhet të ikë! Ai nuk është problemi në PD!” nga Alimehmeti, në vetvete bart disa kuptime të mundshme politike dhe psikologjike, ani pse në dukje formulohet si “apolitike” apo “parimore”.
Si ta lexojnë demokratët këtë deklaratë?
Në planin e brendshëm partiak, kjo është një shenjë e qartë servilizmi.
Dhe e tillë mund të konsiderohet, pra si servilizëm politik, sepse Alimehmeti e di që Berisha kontrollon strukturat, bazën dhe procesin e zgjedhjeve brenda PD-së.
Duke e shpallur këdhtu “të pa fajshëm” për gjendjen e partisë, ai përpiqet të shmang çdo përballje reale me lidershipin aktual dhe kërkon të mbajë një pozitë të favorshme në sytë e militantëve dhe vetë Berishës.
Në kontekstin e demokracisë së brendshme, kjo deklaratë nuk është analizë, por një akt nënshtrimi politik ndaj një figure dominuese siç është Berisha.
Në planin e mesazhit që përcjell kjo deklaratë, duket si një tentativë për neutralitet dhe duket se vjen nga një pozicion apolitik, pra jo si pjesë e një fraksioni, por si analizë e ftohtë e tij..
Por në politikë, çdo deklaratë që mbron status quo-në është pozicion politik, qoftë edhe e paketuar kinse si “objektive”.
Kështu, Alimehmeti, duke thënë se “Berisha nuk është problemi”, ai largon përgjegjësinë nga lidershipi aktual dhe ia atribuon dështimin faktorëve të tjetë të jashtëm, një mënyrë kjo për të mos sfiduar askënd brenda strukturës.
Ndërsa në planin analitik, mbetet një kalkulim karriere politike.
Një figurë si Alimehmeti, me ambicie për t’u pozicionuar si i pranueshëm për të gjitha palët, mund ta ketë përdorur këtë gjuhë për të ruajtur hapësirën për promovim në të ardhmen brenda PD-së dhe për të mos u përjashtuar nga rrethi besnik i Berishës, e njëkohësisht të paraqitet si i moderuar në publik.
Kjo është strategji mbijetese politike, jo analizë racionale.
Deklarata e Alimehmetit, presupozon tezën politike se Berisha është ende shtylla e PD-së dhe pa të partia do të shembet. Gjithashtu presupozon se problemet e PD-së vijnë nga faktorë të jashtëm si shteti, drejtësia, ndërkombëtarët, etj dhe jo nga drejtimi i saj i brendshëm. Po ashtu, kjo deklaratë presupozon se çdo përpjekje për ndryshim brenda partisë është kërcënim për unitetin.
Të gjitha këto janë presupozime konservuese, që justifikojnë mungesën e reformës në PD dhe e mbajnë atë ende peng të një figure.
Aliamehmeti është shtrënguar ta bëje këtë deklaratë so thjeshtë si një qëndrim personal, por si një akt politiko-psikologjik i vetëmbrojtjes. Dhe mund të konsiderohet qartazi një përpjekje për të mos u prishur me lidershipin, për të mos marrë përgjegjësi kritike, dhe për të ruajtur veten në një klimë ku frika nga përjashtimi është më e fortë se analiza e arsyes.

Priten debate/ Mblidhet sot Kuvendi, raportojnë krerët e institucioneve të drejtësisë

0

Parlamenti sot do të dëgjojë raportimin e institucioneve të pavarura, seancë që shënon përballjen e parë mes kryetarit të PD, Sali Berisha dhe drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, prej momentit që SPAK-u ngriti akuzën për korrupsion ndaj liderit të opozitës.

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani do t’u përgjigjet në parlament pyetjeve të deputetëve për veprimtarinë e këtij institucioni dhe mbetet për t’u parë se çfarë pyetjesh do t’i drejtojë atij kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili në dy vitet e fundit ka artikuluar akuza të forta ndaj Dumanit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet seanca, pasi herën e kaluar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi që deputetët të mos lexojnë pyetjet për drejtuesit e institucioneve, pasi i kanë nisur më herët me shkrim, vendim ky që tensionoi situatën dhe si rezultat PS vendosi të votojë e të mbyllë seancën.

PD i ka dërguar një letër kryeparlamentarit Peleshi, ku shpjegon se në bazë të rregullores deputetët demokratë do të shpjegojnë vetë pyetjet për drejtuesit e institucioneve.

Përveç SPAK-ut, sot në parlament do të raportojnë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe për secilin raportim deputetët kanë 150 minuta kohë në dispozicion për diskutime.

Por në parlament do të votohet ngritja e komisionit të reformës territoriale dhe reformës zgjedhore. Ky pritet të jetë i vetmi moment konsensual i parlamentit, pasi PS ka pranuar kërkesën e opozitës për barazi anëtarësh në të dy komisionet dhe deputetët demokratë do të votojnë pro.

S’ka qeveri “Kurti 3”, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, gati Non Grata?!

0

Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenim, qeveria “Kurti 3” nuk është formuar.

Pas prezantimit të kabinetit të tij qeverisës dhe planit në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur këtë të diel, Kurti nuk ka arritur dot të bindë pjesën dërmuese të Kuvendit.
Kështu, Kosova duket se është drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi prej më shumë se 6 muajsh nuk ka arritur dot të formojë qeveri.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon sërish te presidentja Vjosa Osmani dhe mbylli punimet e seancës së sotshme.

Kosova po shkon drej zgjedhjeve të raja e Albin Kurti ka gjasa të shpallet Non-Grata nga SHBA.

Vazhdon seanca për formimin e Qeverisë, Albin Kurti prezanton kabinetin dhe programin: Votimi, përgjegjësi shtetërore! Rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje të reja

0

Ai e ka përmendur se rrezikohet humbja e shumë miliona eurove nga mungesa e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Kurti ka thënë se partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë treguar gatishmëri për të bashkëqeverisur prandaj situata ka ardhur deri këtu.

“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”.

Mes tjerash, ai ka thënë se janë edhe 33 agjenci të pavrara që kanë mbetur pa mbikëqyrës dhe që dëmet për shtetin janë të mëdha.

“Prandaj ftoj secilin deputet të Kuvendit, që sot kur Qeveria të hidhet në votim, të votojë jo thjesht për interes partiak, por për interesin publik e shtetëror që t’i japim vendit Qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti.

Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.

Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.

“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.

“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.

Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kaluar./REL

Vetëm paaftësia e opozitës, mbetët garancia e Kurtit!

0

Shkruan Zef Ndreka

Pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit, pritet që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike të Kosovës.
Për ta konkretizuar këtë, të analizojmë pozitën e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Edhe pse sot, duket se Kurti ruan një bazë të qëndrueshme elektorale populiste, kryesisht tek të rinjtë dhe shtresat që ndihen të zhgënjyera nga elitat e vjetra politike, rrjedha e qeverisjes së tij ka prodhuar lodhje në disa segmente të opinionit publik.
Politikat e tij të ashpra enkas populiste ndaj Serbisë dhe qasja konfrontuese ndaj BE-së dhe SHBA-së, janë perceptuar si pengesë për proceset integruese dhe stabilitetin ekonomik.
Brenda Kosovës, rënia e besimit tek ai dhe administrata e tij shihet përmes mungesës së rezultateve konkrete në punësim, investime të huaja dhe sundim të ligjit.
Kështu, nqs Vetëvendosje humbet disa komuna kyçe si p.sh. Prishtinën, Mitrovicën, Pejën dhe Gjakovën, do të forcohen zërat brenda lëvizjes për një riformatim të politikës ose përgatitje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por, opozita kosovare duket e përçarë, megjithse me potenciale të mjaftueshme për të fituar dhe qeverisur.
Por paaftësia e opozitës për t’u unifikuar si LDK, PDK, AAK, Nisma, ka qenë deri tani garancia më e madhe e qëndrimit të Kurtit në pushtet.
Megjithatë, nëse këto parti arrijnë fitore të pjesshme lokale dhe krijojnë përshtypjen e një fronti të gjërë opozitar të bashkërenduar, presioni publik për zgjedhje parlamentare do të shtohet.
Vetëmë kështu mund të krijohet një tabllo e re politike, ku disa figura të reja brenda opozitës do të shfaqen si alternativa serioze ndaj VV-së.
A ka mundësi reale për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë?
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pamundura, sidomos nqs Kurti del i dobësuar pas 9 nëntorit dhe partnerët ndërkombëtarë e shohin si të domosdoshme një rishtrukturim të qeverisjes kosovare për t’u rikthyer veç të tjerash në dialogun me Serbinë.
Kështu, një tablo e re politike mund të përshpejtojë procesin, por gjithçka do të varet nga rezultati real i komunave urbane dhe nga aftësia e opozitës për të përkthyer fitoret lokale.
Për ta përmbledhur, nqs Vetëvendosje humb disa bastione që përmendëm më lart, presioni për zgjedhje të parakohshme do të jetë i fortë.
Vetëm në këtë rast, opozita do të arrij ta kanalizojë këtë fitore në një platformë të përbashkët, ku zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen në pranverën e vitit që vjen.

Sot seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti pritet të krijojë qeverinë e re ose të dështojë

0

Pas afro dy orësh, në orën 10:00 është thirrur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re, me Albin Kurtin si mandatar, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për të siguruar krijimin e kabinetit të ri qeveritar, Kurtit i nevojiten të paktën 61 vota. Aktualisht, ai kontrollon 48 deputetë të Vetëvendosjes dhe pritet të mbështetet në disa vota nga komunitetet joshumicë.

Megjithatë, situata politike mbetet e paqartë, pasi deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë koalicion zyrtar.

Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.

Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.

LVV-ja ka 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh. Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.

Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

POSTIMET E FUNDIT