Parti me tre kryetarë

0

Shkruan Andi Kurti

Duket se Partia Demokratike është thyer sërish në pikën zero.

Vendimi i datës 3 mars 2023 i gjykatës së Apelit ka zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, që njihte aktet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor 2021 nga Rithemelimit, si dhe e ka kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë.

Kur zgjedhjet lokale janë rreth 2 muaj larg Partia Demokratike duket se do të futet sërish e përçarë si një vit më parë në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Por si erdhi deri në këtë pikë Partia Demokratike?

Gjithçka nisi me një vendim… shpalljen non grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse humbi zgjedhjet e 25 prillit, PD dukej sikur më shumë do të futej në një proces analize dhe gjetje shkaqesh për këtë humbje, sesa një përçarje të thellë për dy vitet e ardhshme.

Vendimi për shpalljen non grata të Berishës dhe familjes së tij erdhi me 19 maj 2021, në një reagim zyrtar nga SHBA. Ishte Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ai që e publikoi këtë vendim duke e akuzuar ish-kryeministrin si jo të dëshiruar për SHBA-të dhe si të përfshirë në akte korruptive që minojnë demokracinë për përfitime personale.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri Berisha tha se ndjen keqardhje për këtë vendim dhe sipas tij vendimi është pa asnjë bazë konkrete dhe ftoi SHBA-të që të bënte publike faktet dhe dokumentet që disponon për të argumentuar pretendimet për të.

Berisha për këtë vendim bëri fajtor multimilarderin George Soros, pasi sipas tij, ai ka dalë kundër projekteve të përgatitur nga Soros.

Reagimit të tij iu shtua edhe ai i kryetarit të Partisë Demokratike aso kohe, Lulzim Basha, i cili ashtu si Berisha, tha se vendimi është marrë pa asnjë bazë konkrete, ndërkohë që bëri thirrje që të bëhet transparencë e plotë mbi çdo fakt e dokument. Basha e vlerësoi Berishën si një udhëheqës që ka dhënë kontribut të çmuar për zhvillimin e vendit.

Vetëm pak ditë nga ky vendim ish-kryeministri Sali Berisha vendosi që ta sfidojë Sekretarin Amerikan të Shtetit Anthony Blinken duke e paditur për shpifje në gjykatën korreksionale të Parisit.

Më 13 qershor 2021, edhe pse humbi zgjedhjet e përgjithshme, PD mban zgjedhjet për kryetar dhe Lulzim Basha fiton me 81 për qind të votave përballë tre kandidatëve të tjerë.

Më 17 korrik 2021 Partia Demokratike vendos që të mbajë Kuvendin Kombëtar ku delegatët u thirrën për të miratuar ndryshimet në statut dhe për të diskuar mbi analizës e humbjes së zgjedhjeve, edhe pse fajtor i vetëm për humbjen cilësohej mazhoranca duke anashkaluar faktorët e brendshëm.

Më 5 gusht Sali Berisha dorëzon në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Më 30 gusht mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, ku u zgjodhën drejtuesit më të lartë të PD-së, duke filluar nga nënkryetarët, e deri tek anëtarët e Komisioneve Parlamentare.

Por në datën 9 shtator 2021 vjen goditja e madhe…

Sali Berisha, përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Vendimin për përjashtim e bëri kreu i PD-së aso kohe, Lulzim Basha përmes një adresimi në media për këtë çështje.

Sipas Bashës, ky vendim u bë për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore në Paris, pas shpalljes së Berishës si person i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ky ishte momenti që shkaktoi çarjen e madhe mes Berishës dhe Bashës. Pas kësaj date dy figurat më të larta të PD-së vetëm sa do ta thellojnë hendekun mes tyre.

Pikërisht pas këtij vendimi Sali Berisha nisi një fushatë në qytet e vendit, të quajtur Foltore ku bisedonte me demokratët mbi atë që i vendosi sloganin “për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”.

Foltorja, përpos bisedës me demokratët, kryesisht do të shfrytëzohej nga Berisha si një medium për të hedhur akuza kundrejt Lulzim Bashës. Ai nisi ta akuzojë si të marrë peng Bashën nga Edi Rama dhe si besëprerë, madje duke i përmendur edhe dosje në SHBA.

Nga ana tjetër edhe Basha nuk ndenji duarkryq. Vlerësimet dhe mbështetja e Bashës pas shpalljes non grata të Berishës jo vetëm u venit, por u përmbysën; tashmë për Lulzim Bashën ishte Berisha ai që po e kthente në bunker PD-në për interesat e tij personale. Basha ngulte këmbë se PD-ja nuk del kundër vendimeve të SHBA-ve si aleat strategjik.

Por Berisha në këto Foltore vazhdonte që ta cilësonte vendimin e Bashës si “nul” dhe të marrë për interesa të tij personale, pasi sipas tij, nuk ishte marrë në konsultim me statutit e PD-së.

Berisha paraqiti një platformë për ringritjen e PD-së dhe në këtë kuadër njoftoi se më 11 dhjetor 2021 do të mbahej Kuvendi Kombëtar i PD-së.

Ky kuvend u mbajtur në stadiumin “Air Albania” më 11 dhjetor dhe vendimet më të rëndësishme të tij ishin shkarkimi i Lulzim Bashës si kryetari i PD-së dhe caktimi i Rithemelimit në rolin e kryetarit, deri në zgjedhjen e këtij të fundit. Sipas Rithemelimit aty morën pjesë 4934 delegatë.

Një javë më vonë, Lulzim Basha mban po ashtu një Kuvend Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Edhe në këtë kuvend u votuan shkarkime dhe u miratua një rezolutë kundër kuvendit të 11 dhjetorit. Sipas raportimeve në kuvend morën pjesë 5004 delegatë.

Pikërisht në të njëjtën ditë, 18 dhjetor, Berisha kishte organizuar edhe referendumin për shkarkimin e Bashës. Sipas iniciuesve të këtij referendumi, për largimin e Bashës nga kreu i PD-së votuan 43,385 anëtarë të kësaj partie.

Por votimet, përjashtimet dhe kuvendet shumë shpejt do t’i linin vend edhe dhunës…

Më 8 janar 2022, pas deklaratave për lirimin e lirisë, Sali Berisha, bashkë me mbështetësit e tij mësyjnë godinën e PD-së. Përballja mes dy kampeve demokrate do të degjeneronte në përplasje fizike. Blindimit të dyerve të PD-së me hekur, simpatizantët e Berishës i përgjigjen me varre.

Gjatë përplasjes për dy orë me radhë mes mbështetësve të Berishës dhe atyre të Bashës u përdoren edhe mjete të forta, ndërsa pati të lënduar nga të dyja anët. Deputetët mbështetës të Bashës u ngujuan në tarracë, teksa konflikti mes palëve u shmang me ndërhyrjen e policisë me gaz lotsjellës që shpërndau turmën.

Përçarja politike mes palëve u kthye edhe në përçarje fizike, ku selia blu, me dyert të shqyera dhe xhama të thyer, dukej se tashmë reflektonte gjendjen momentale të partisë.

Në 11 janar, Lulzim Basha në një mbledhje të orëve të vona me kryesinë vendosi që të përjashtojë ish-kryetarin Sali Berisha dhe 8 mbështetës të tij, si dhe të pezullojë 19 demokratë të tjerë, kryesisht deputetë dhe zyrtarë partiakë lidhur me dhunën e 8 janarit.

Duke qenë se Basha ligjërisht ishte akoma kryetari i PD-së dhe Rithemelimi nuk mund të regjistrohej në KQZ si subjekt zgjedhor, në 31 janar, Sali Berisha konfirmoi koalicionin me LSI-në në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën në 6 marsit 2022 për gjashtë bashki të vendit.

Më pas, Rithemelimi i drejtohet gjykatës për njohjen e statutit dhe vendimeve të kuvendit të 11 dhjetorit. Pas shortit, gjyqtari çështjes zgjidhet Agron Zhukri, për të cilin u kërkua që të përjashtohet nga çështja sepse kishte konflikt interesi, por një kërkesë e tillë nuk u plotësua.

6 marsi kështu kthehet një ditë të rëndësishme për të dyja palët në PD. Edhe pse kandidonte me listën siglën e LSI, Rithemelimi arriti që të fitonte një bashki, Shkodrën, ndërkohë që PD-ja zyrtare nuk arriti që të fitonte asnjë bashki. 5 të tjerat u fituan nga PS.

Kjo fitore i dha zemër Rithemelimit duke e cilësuar si një votë konfirmuese të demokratëve të për vendosur se kush e ka shumicën në PD.

Në 21 mars, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpall dorëheqjen e tij nga drejtimi i opozitës pas humbjeve të njëpasnjëshme elektorale dhe presionit në rritje nga Berisha. Basha tha se po e bën një hap pas dhe po tërhiqet, për të punuar për ringritjen e PD-së. Ai lë si kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.

Në 25 mars gjyqtari Agron Zhukrin regjistron vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit dhe i jep Berishës drejtimin e Partisë Demokratike. Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e cilësoi si skandaloz vendimin e gjyqtarit Zhukri për njohjen e 11 dhjetorit dhe vendosi që ta ankimojë atë në gjykatën e Apelit.

Vendimi i Agron Agron Zhukrit i hap rrugën Rithemelimit që të marrë selinë e PD-së, këtë herë pa hunj e varre, por në mënyrë paqësore.

Më 30 prill Berisha mbledh një tjetër kuvend kombëtar, por një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së nuk morën pjesë në këtë kuvend. Ky kuvend vendosi që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së, të mbahen më 22 maj 2022, datë deri në të cilën partia do të drejtohej akoma nga Komisioni i Rithemelimit.

Kuvendi Kombëtar shpalli edhe vakancën për kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke shkarkuar nga detyra kreun aktual të grupit, Enkelejd Alibeajn, si dhe u caktua 22 maji si data e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë.

Më 23 maj pas votimit të 40 mijë e 820 demokratëve, ose 93.45% e votave, Sali Berisha zgjidhet kreu i Partisë Demokratike. Konkurrenti tjetër, Ibsen Elezi, mori vetëm 5.8 për qind e votave.

Në 6 qershor PD zgjedh Flamur Nokën si Sekretari të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, ndërsa nënkryetar zgjidhen Oerd Bylykbashi dhe Laçiano Boçi.

Në 7 korrik Berisha mban protestën e parë pas rikthimit si kreu i PD-së. Më pas paralajmërohet se shtatori do të jetë muaji i protestave të forta, por në fakt këto protesta do të lihen për muajt e ardhshëm.

Në 22 korrik, Sali Berisha shpallet non grata edhe nga Britania e Madhe, ku përmes një letre bëhet me dije se vendimi është marrë për “korrupsion, lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë në Shqipëri dhe Britani”.

Në 18 tetor, Partia Demokratike hap garën e primareve për kandidatët e zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Në hapje, Berisha bëri me dije se në këtë garë mirëpriten të gjitha kandidaturat.

Në 27 tetor, PD e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë me kryetar Ilir Metën, firmosën një marrëveshje për të garuar me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit. Sipas marrëveshjes mes tyre, PD do të propozojë kandidatë për krerët e bashkive në vend, ndërsa Partia e Lirisë për këshillat bashkiakë.

Deklaratës se edhe Alibeaj do të dalë me kandidatët e tij për 14 majin, Berisha iu përgjigj se propozimet e tij janë në emër të Edi Ramës dhe se kërkon që të zhdukin PD-në dhe opozitën.

Më 12 nëntor Berisha së bashku me Metën organizuan një protestë në bulevardin dëshmorët e kombit, ku u panë bashkë në protestë për herë të parë pasi Berisha u bë kryetar dhe Meta la presidencën.

Protesta e radhës e opozitës u la më 6 dhjetor, datë në të cilën u zhvillua edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili bëri që liderat më të rëndësishëm evropianë të zbarkonin për pak orë në Tiranë.

Protesta sipas Berishës u organizua jo kundër liderave evropiane, por për t’i treguar atyre qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës. Data përkonte edhe me gjyqin për vulën dhe siglën e PD-së, por gjyqi u shty për në datën 20 dhjetor, edhe pse shtyrjet do të pasoni njëra-tjetrën më pas.

Në fakt, në 6 dhjetor, më shumë sesa protesta, lajm i ditës u bë një incident, ku një 31-vjeçari Gerti Shehu goditi me grusht kryedemokratin Berisha teksa ai po ecte në bulevard.

31-vjeçari u gjakos dhe u neutralizua nga truprojat e Berishës dhe simpatizantët në shesh, ndërsa vetë Berisha dhe demokratët e cilësuan goditjen si një akt të stisur e të planifikuar nga Edi Rama për të shkaktuar kaos dhe për të nxitur dhunë në protestën e opozitës.

Me fillimin e vitit të ri Berisha vazhdoi me akuzat e forta kundrejt kryeministrit Rama dhe qeverisë, të cilat kulmojnë me çështjen Mcgonigal, ku Rama përmendet 14 herë në dosjen amerikane.

Lidhur me këtë çështje, opozita lajmëron një protestë në 11 dhjetor para zyrës së Ramës dhe kërkon një interpelancë me kryeministrin si dhe komisioni hetimor për çështjen McGonigal.

Kryeministri Rama jo vetëm që iu përgjigj negativisht kësaj kërkese, por për gati një muaj nuk u paraqit para opozitës në kuvend, duke e shmangur debatin. Kjo bëri që deputetët e opozitës të kërkonin me ngul një interpelancë me të, duke bllokuar edhe foltoren e kuvendin, e duke u rënë bilbilave, veprim i cili shkaktoi përjashtimin e disa prej tyre.

Ditët në vazhdim do të pasohen me disa protesta të tjera në hyrjen e Kuvendit të Shqipërisë, ku një pjesë e deputetëve të opozitës nuk u lejuan të futen brenda, për shkak të përjashtimin. Megjithatë, edhe në këtë përballje me Ramën, opozita mbeti e përçarë në dy grupime.

Pas gjithë kësaj lufte, opozita arrin që të sigurojë një mocion me debat në kuvend me kryeministrin Rama në seancën e 2 marsit për çështjen McGonigal.

Por ajo që pritej që të ishte një përballje e ethshme mes opozitës dhe Rama nuk i përmbushi pritshmëritë, pasi kryeministri mori 39 minuta në foltoren e Kuvendit për të sqaruar përmendjen e emrit të tij në aktakuzën për ish-agjentin e FBI-së, McGonigal dhe më pas u largua nga salla.

Një ditë më vonë, në 3 mars, opozita del në protestën e paralajmëruar më herët prej saj, ditë e cila përkon edhe me shqyrtimin e çështjes së vulës së PD-së në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërcënoi me një gjuhë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla se do të mbajnë përgjegjësi personale nëse ndikojnë në vendimin e gjykatës për vulën e PD-së.

Madje në medie qarkulluan edhe mesazhe të ministres Xhaçka, ku sipas tyre thuhej se ajo i kishte lajmëruar një javë para ndërkombëtarët për një vendim kundër Berishës në Apel.

Vetëm pak orë nga mbarimi i protestës së Berishës më 3 mars, Gjykata e Apelit nën një klimë të tensionuar nga presioni politik, por edhe ndërkombëtar, vendosi që t’i zhbëjë vendimet e marra nga gjyqtari Agron Zhukri dhe e ktheu çështjen në shkallën e parë.

Një vendim i tillë i la drejtimin e PD-së, së paku në letra, Enkelejd Alibeaj. Menjëherë pas këtij vendimi, përfaqësuesit ligjor të këtij të fundit pohuan se ditën e hëne, 6 mars, PD-ja do të regjistrohet në KQZ për 14 majin, gjë e cila u zyrtarizua me dërgimin e kërkesës për regjistrim.

Por pala e Berishës, e cilësoi si skandaloz vendimin e gjykatës së Apelit, duke aluduar për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Edi Ramës në proces, si dhe të ambasadës amerikane, duke shtuar se demokratët do të mbrojnë me çdo çmim pluralizimin politik dhe Partinë Demokratike.

Berisha paralajmëroi se sapo të zbardhet vendimi i plotë i Apelit, vendimit do t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, madje do të dërgohet edhe deri në Strasburg nëse nuk gjendet zgjidhje.

Një qëndrimi të tillë i është bashkuar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pohoi se gjykata është e kapur nga Rama, i cili sipas tij, ka frikë nga opozita dhe zgjedhjet.

Në prag të limiteve të afateve, dita e hënë pa 2 kërkesa për regjistrimin e PD-së në KQZ, ku Berisha dhe Alibeaj, duke folur në emër të PD-së, pohuan se secili është kreu i saj.

Nëse KQZ nuk e regjistron PD-në e Berishës, atëherë është rënë dakord që të veprohen ashtu si në 6 mars 2022, kur PD-ja u fut me siglën e LSI-së, tashmë Partia e Lirisë.

Në këtë pikë, Enkelejd Alibeaj, duke u cilësuar si kryetar i emëruar i PD-së ka shtrirë edhe dorën e bashkëpunimit kundrejt palës tjetër për zgjedhjet lokale të 14 majit për të kandiduar nën logon e Partisë Demokratike. Një kërkese të tillë Berisha i është përgjigjur negativisht duke e cilësuar Alibeajn si një vegël dhe peng të Edi Ramës, që po punon kundër opozitës.

Pas një takimi me kryesinë dje, Alibeaj siguroi se ai është kryetari i PD-së, por ironikisht, në regjistrin e partive dhe në dokumentet e dërguara në KQZ, rezulton të jetë akoma kreu i PD-së Lulzim Basha. Sipas Alibeajt, një gjë e tillë ndodh sepse regjistri i partive nuk i regjistron dorëheqjet, por vetëm zgjedhjet e kryetarëve të ri.

Por përpos deklaratave politike, Partia Demokratike vazhdon të jetë e përçarë dhe ndodhet në një moment të vështirë, duke shkuar drejt 14 majit më kaotike dhe e paqartë sesa një vit më parë në zgjedhjet e 6 marsit të vitit të kaluar.

Kur vendimi i Apelit ka kaluar çështjen e vulës së partisë sërish në gjykatën e shkallës së parë dhe kur pritet që vendimi se kujt i takon vula të mos jetë aspak i afërt, duket se PD do të vazhdojë të ngjasojë me një krijese mitologjike me tre koka; ku Berisha pretendon se është kryetari që ka shumicën, Alibeaj se është kryetari i komanduar dhe Basha kryetari që figuron në regjistrin e partive.

Secilës kokë do t’i besojnë demokratët dhe shqiptarët, mbetet për tu parë në 14 maj…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu