Shkruan Zef Ndreka
Proçesi i sapo nisur për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, duhet thënë për hir të së vërtetës, ka nisur mbrapsht që në fillim.
Nevoja emergjente e PD-së për të patur kryetar, nuk presupozon të përdorën metodat berishiste në këtë praktikë.
Procesi i zgjedhjes së kryetarit pa patur organizim të partisë, është një fallcitet, pasi realisht pas përçarjes së partisë nga foltorja, listat kanë pësuar ndryshime, janë larguar shumë anëtarë dhe nuk ka një listë të saktë nga asnjë degë partie. Madje, ka disa degë që nuk kemi asnjë ose një deri në dy anëtarë.
Në këtë rast i rëndësishëm është rreziku që mund të ndodhë në ditën e votimit, kur shumë anëtarë të PD-së me teser të firmosur madje nga Basha por që kanë kaluar nga foltorja, nuk do të mund të pengohen dot të votojnë.
Ka shumë arësye për ketë, që i kemi shprehur disa herë dhe në shumë komente e analiza të mëparshme.
Ndaj, zgjedhja e kryetarit të PD-së pa siguruar anëtarësinë reale, pa organizuar më parë degët nëpër rrethe, pa u zgjedhur me parë kryetarët dhe sekretaret e degëve, do të rezultojë e gabuar.
Nuk justifikohet emergjenca për kryetarë, për ta zgjedhur atë nga sipër.
Kjo është rrjedhojë e punës së dobët apo skandaloze të sektorit të organizimit të PD-së, që nuk ka një inventar, një liste shumatore, një statistikë të anëtarësisë së PD-së.
Do të ishte normale që ky proçes të ishte më transparent, pa kulisa dhe të mos nxitohej duke gabuar rrugës.
Do të ishte zgjidhje të ndërpritej ky proçes dhe të fillohej nga e mbara.
Të fillohej me bazën, me zgjedhjet në degët e rretheve, pastaj me delegatet dhe zgjedhjen me votim të strukturave drejtuese të partisë. Vetëm kështu është e mbara dhe do të dihej realisht ku është Partia Demokratike.
Kështu do të kishte më kuptim dhe më besim zgjedhja e kryetarit, kryesisë, Këshillit Kombëtarë, sekretariatet etj. Vetem kështu do të legjitimoheshin plotësisht strukturat dhe nuk do të kishte përçarje apo ndarje të PD-së zyrtare, siç duket se po ndodh realisht me deputetët dhe grupin e PD-së, me nënkryetarë dhe Sekretarin e Përgjithshëm.
Kështu do të kishim një proces më transparent, dhe me kandidatë serioz për të drejtuar PD-në.
Vetem kështu, do të krijohet gara e vërtetë, si dhe kushtet për ta shpëtuar shpresën e demokratëve…
Qofsha i gabuar në këtë që shpreha!
Promoted Content