Pluralizmi i opozitës, si një zgjidhje politike

0

Shkruan Zef Ndreka

Pluralizmi i brendshëm do të ishte një nga zgjidhjet më të shëndetshme dhe më realiste për ta rikthyer opozitën shqiptare si alternativë qeverisëse, por që të ndodhë kjo, duhet të vendosen e të zbatohen disa kushte që mbetën thelbësore sot.
Për ta analizuar këtë temë, na ndihmon pyetja:

Pse opozita sot është në gjendjen më të mjerueshme?

Tashmë për të gjithë është e qartë, madje është artikuluar mjaft qartë edhe nga kreu i PD-se, se PS-ja në zgjedhjet e ardhshme mund të shkojë mbi 62%, që e përkthyer drejtpërdrejt do të thotë humbje tjetër e radhës.
Ky realitet, ka ndodhur sepse janë bashkuar tre kriza të njëkohshme, kriza e legjitimitetit ku askush nuk ndjehet i përfaqësuar; as baza, as elitat, kriza e liderëve ku figurat politike po duken ose të konsumuar, ose pa vizion dhe kriza e organizimit pa struktura, pa gara me statute që janë kthyer në formalitet.
Sot më shumë se asnjëherë, PD-ja është mbërthyer një një krizë narrative në të cilën nuk ofrohet asgjë e re, vetëm ankesa, pa asnjë zgjidhje.
Gjithashtu ndjehet e theksuar përçarja funksionale me grupet, me fraksionet informale që e kanë paralizuar PD-në.
Në këtë gjendje që ndodhet PD-ja, asnjë parti politike nuk bëhet alternativë qeverisëse vetëm me një lider si në rastin Berisha, me një grup deputetësh të mbyllur apo me një rreth të vogël njerëzish që kontrollojnë gjithçka.
Kështu, duhet gjetur një zgjidhje polifike.
Pyetja që na ndihmon është:

A do të ishte pluralizmi i brendshëm i tërë opozitës një zgjidhje?

Nqs do të kuptohen qartë fraksionet e ligjëruara, jo ato të fshehura që luftojnë në prapaskenë, por në struktura të brendshme, nqs do të pranohen dhe të funksionojnë fraksionet liberale, fraksionet konservatore, fraksionet kristian demokrate, fraksionet nacionaliste moderne, fraksioni i të rinjve dhe grave, kjo sjell garë idesh, jo garë intrigash.
Gjithashtu, brënda opozitës, duhet të ketë kuotime të hapura, jo të emëruara nga kryetari.
Kuotimet duhet të jenë mekanizma meritokracie, ku të ketë kuota të përcaktuara për profesionistët, për diasporën, për të rinjtë, për zonat e vendit dhe duke eliminuar kuota për klientelën apo besnikët servilë të kryetarit.
Më e rëndësishmja është të bëhen zgjedhje të brendshme reale me primare si në vendet perëndimore, jo referendume imagjinare ose votime të komanduara.
Pyetja që vjen më tej:

Çfarë do të prodhonte pluralizmi i opozitës?

Ky pluralizëm, do ti jepte së pari mendim opozitës, ndërkohë që sot ka vetëm zhurmë pa mendim.
Pluralizmi i opozitës do të prodhojë liderë të rinj, me garë të hapur ku do të dalin figura të reja që mund të jenë alternativë reale.
Pluralizmi i opozitës do të shuante luftërat personale, ku çdo grup do të ketë hapësirën e vet, do të ulen presionet dhe do të eliminohen konfliktet e brendshme.
Pluralizmi i opozitës do të mund të riktheje besimin e qytetarëve, sepse votuesit do të shohin parime, jo klane brënda opozitës.
Pluralizmi i opozitës do e detyronte partinë të modernizohet në aspektin e komunikimit, të programeve dhe reformave.
Gjithsesi, pluralizmi i opozitës, nuk do të mjaftonte pa një reformë tjetër që mbetet thelbësor siç është ndryshimi i kulturës politike brenda opozitës.
Edhe po ta pranojmë si zgjidhje një formulë të tillë, por nëse mbeten të njëjtët njerëz me të njëjtin mentalitet si sot, as pluralizmi i opozitës nuk bëhet zgjidhje, por mbetët fasadë dhe opozita mbetet ashtu siç është sot, e fragmentuar, e konsumuar dhe pa ofertë qeverisëse.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu