Shkruan Sokol Pepushaj
Sali Berisha, i tmerruar nga pozicioni i ri i ambasadores Yuri Kim, si gardiane e korrupsionit për Europën në DASH, del në rrugë dhe vendos ta përdorë shpifjen si metaforë hijeshie për manipulim realiteti.
Nxjerr djallin nga shpirti, e rehaton para mikrofonave të inceneratorëve dhe ndez sirenat e alarmit përmes lajmit, unë Argita dhe Shkëlzeni jemi të varfër, më ka inat kjo…
Ka frikë sanksionet e pronave familjare, ndaj shtiret si varfanjak.
Jo veç Saliu, po të tërë kanë të drejtë të tërbohen, të shpifin, të mbrohen, të kenë frikë nga sekuestrimi i pasurive dhe përballja me drejtësinë që i kanë dhënë formën e tyre.
Këtej ku pasuria vjen me magji dhe korrupsioni jeton në harmoni të pabesueshme me varfërinë, edhe gomari të ngjan kryetar Bashkie, edhe Tigri i Parajsave Fiskale me lepurushin, edhe Ujku i Check-upit me bariun e deleve, edhe SPAK-u me taksidarin e katundit.
Prokurorët dhe gjykatësit, në injorim spektakolar të sjelljeve etike e ligjore, po sillen si zogj në kafaz, në pritje të ushqimit që u lëshojnë në gojë kafshët e egra të korrupsionit.
Gjithë të pasurit bëjnë të varfrin.
I pari që hapi një kuti për Sadaka, është Sali Berisha. Pa kokërr leku në xhep, se ja rrufati Luli me ndihmë të Bablokut, përballoi një fushatë spektakolare në zgjedhjet e fundit, dhe Ilirian Celibashi, ende nuk ka thënë sa para mblodhi e kush ja fali.
Po Celibashi nuk e ka mendjen tek vogëlsirat. Mjaft që certifikoi vrimën e fundit, ku opozita ka shtrënguar rripin.
Pas brezit të kufizuar të opozitës, ngushticave të qiellit të zhveshur moralisht të politikës, të gjithë lënë gjithçka në të kaluarën.
Po, Saliu është, një rrokje e pasurisë.
Asnjë fjalë të plotë ende nuk ka shqiptuar SPAK-u as për non-gratën, as për Ilir Tankun, as për Bablokun dhe as për Erion Inceneratorin. Secili sish është një rrokje e fjalës korrupsion.
Saliu është rrokja e parë që ambasadorja e ka shqiptuar me theks, dhe nënvizuar me bojë të kuqe.
Po përtej sarkazmës, madje edhe tutje paradoksit, e vërteta ngacmon çmendurinë e turrës së rreme, në rresht e me veshët hapur, si do të shkojnë punët në këtë vend të varfër e plot pasanikë?!
Shpalosja e sinqeritetit nga sirtarët e drejtësisë, ngjan mundësi kur flet ambasadorja, por edhe e vështirë kur ende SPAK-u nuk është kalues në hartimin e thjeshtë: Yuri Kim ç’ka, Saliu është fukara, mbledh Sadaka!/Pamfleti