President Bajram Begaj, në dokumente zyrtare Bajram Bega

0

Por, sido të venë punët, më keq nuk ka. Nuk mund të kërkojmë risi andej nga presidenca, kur hajduti më i famshëm i historisë, me parlament jesmenësh, përzgjedhin kreun e shtetit, siç zgjodhi Ilir Metën, pesë vjet më parë.

Shkruan Sokol Pepushaj

Ilir Meta do ta kalojë jetën në burg. Asgjë e çuditshme s’po ndodh. Thjeshtë njerëzia mendojnë se po, një Meteor, si zakonisht, ose do qarkullojë pa problem nëpër orbitë, ose do të përplaset e do të dëmtojë  shumëçka. Kështu është krijuar perceptimi për Presidentin e Republikës, se nuk thërrmohet lehtë, pa lënë pasoja të dukshme në jetën shoqërore e ekonomike të 32 viteve të fundit.

Kjo e vërtetë kërkon vëmendje, pasi as ra vetë, as është Meteor. Ilir Meta është njëri ndër 4 Yjet, këtej të pagëzuara si 4 Klanet Mafioze, që vdiq.

Ata që njohin paksa universin, e dinë se energjitë e yjeve kalojnë faza  impulsive dhe djegia e Yllit realizohet mes tërheqjes së gravitetit dhe presionit repulsiv.

Ja, ky proces është në fund.

Si paratest i pasimazheve të pasfoltoreve, kemi ndeshjen normale mes  gravitetit dhe presionit.

Edi Rama po djersin t’i mbajë në jetë “Yjet”, ose edhe të gjenerojë të tjerë,  përmes ndeshjes së atomeve. Por në Qiellin e Ballkanit ka shumë mjegull dhe zemërimi i Zeusit me bijtë e vet është i paparashikueshëm. Do të ndëshkohen me burg ata që kanë mëkatuar, duke vjedhur pasurinë e të tjerëve.

Sapo Zeusi lëshoi këtë “vetëtimë”, Ylli i fatkeqësive të tre dekadave të fundit, u bë flakadan.

Ju që e shijoni mitologjinë greke, e dini se Siriusi, është Ylli fatkeq i prodhimit.

Sapo Yuri Kim lëshoi bubullima, shi e breshër dhe lajmëroi se Siriusi dhe tre Yje të tjerë po vdesin, pra 4 Klanet Mafioze u çatrafiluan.

Secili rriskoi duke humbur miq për të fituar armiq.

Ilir Meta e nxori syrin si dac pas perdes së Syrit qorr të Çim Pekës e lajmëroi fatkeqësi të madhe për këdo që e nguc pasurinë e tij.

Ati i Rrugës së Elbasanit, do qëndrojë në Malin e Ides e do i mbyllë në burg hajdutët, kurse Siriusi i Sarajit të Krimit, do të vendosë tanket tek Mali me Gropa dhe do t’i nisë për në Had kundërshtarët.

Kjo është akuza publike, Ilir Meta ka vrarë njerëz.

Sot gjithë shtypi lakon emra konkret që Ilir Meta ka paguar për vrasje kundërshtarësh politikë dhe ekonomikë. Shtypi flet nga halli, se zëri mori dhëne, por nuk e çelin gojën Edi Rama, Sali Berisha, Fatos Nano, as Pandeli Majko që ka vënë dorën sikur i dhemb dhëmballa.

Dhe vërtetë, bashkëpunimi i 4 Klaneve Mafioze, haptas antiamerikane, e ka lënë çdo shqiptar vetëm në shoqërinë e Perëndisë së Botës së nëndheshme.

Në kohën kur Zeusi mendonte për një izolim katatorik të Siriusit, jo nga palëvizshmëria, por nga mungesa e popullzimit dhe pamundësisë së riprodhimit të emocioneve në eksperienca sërishmi politike, ai arriti t’ kthejë pas bubullimat, të qëndrojë në krye të shtetit, mbështjellë me flamurin kombëtar dhe me kushtetutë në dorë.

Ishte lojë shkarkimi i Presidentit.

Ne e kemi shkruar që në momentin e parë. Në dokumentin Themeltar të Shtetit është betuar President Ilir Metaj, në shkarkim nga Parlamenti kishim tjetër emër, Ilir Meta. Emrat që kanë mbajtur përbri titullin President, ngjan se mbijnë nga një botë plot mistere. Pas Ilir Metës po flitet se President Republike do kemi një ushtarak me emrin Bajram Begaj. Një dosje e trashë plot krime është e pazbardhur në SPAK për tjetërsim të 137 hektarëve prona në bregdet dhe shtetasi me emrin Bajram Begaj, normalisht sot duhej të ishte nën akuzë, jo i gatshëm të ndërrohet me Ilir Metën në shkallët e presidencës. Këta hajdutët e parlamentit, nuk e kanë për gjë që të përsërisin skemën e para pesë viteve me Ilir Metaj dhe Ilir Meta. Pra, Presidenti i Republikës, në sy të gjithë botës, të betohet si Bajram Begaj e të firmosë në emër të Republikës si tjetërkush, si Bajram Bega.

Se ka ndodh çka nuk duhet, zemërimi i Zeusit sot ngjan përtej përçarjes së politikës, përtej konflikteve false, duke gjeneruar një mision politik kombëtar për të dyja kampet.

I humburi në humbëtirë, hajduti në burg.

Vlerat e theksuara të pavlefshmërisë; përkrahja e mbështetja e Edi Ramës, prekja e mosfunksionimit normal të opozitës, haluçinacionet për Zeusin apo Yllin ndriçues, janë evidente. Por, sido të venë punët, më keq nuk ka. Nuk mund të kërkojmë risi andej nga presidenca, kur hajduti më i famshëm i historisë, me parlament jesmenësh, përzgjedhin kreun e shtetit, siç zgjodhi Ilir Metën, pesë vjet më parë.

Të gjithë janë aktivë, por zemërimi i Zeusit me bijtë e vet dhe hija e keqe e Siriusit, kanë ndërgjegjësuar konceptin barbar për një fund, si me thënë, me shkulje nga rrënjët të farës së keqe të 32 viteve të fundit.

Kur të bjerë Qeveria, le të shkojë edhe Presidenti, nëse Rama me qëllim ka përzgjedhë një pasues të Ilir Metës.

Ajo që bindemi, është se këtë herë, Zeusi nuk e ka nxjerr Yllin në horizont për të trembur miletin, edhe nëse Rama ka vënë kusht si me Ilir Metën; Betimi si President Bajram Begaj, në dokumente zyrtare Bajram Bega.

Sido, kryefjala sot është se Ilir Meta, me sot a me nesër, do të arrestohet./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu