Presidenti Trump prezanton program ambicioz politik

0

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump, në intervistën e tij të parë për një rrjet televiziv që nga zgjedhja e tij më 5 nëntor diskutoi për disa ndryshime radikale politike, si brenda dhe jashtë vendit.

Donald Trump tha se synon të zbatojë shumë nga ndryshimet për ekonominë, migrimin, politikën e jashtme dhe të mbrojtjes dhe të tjera, sapo të ketë bërë betimin më 20 janar 2025.

Trump: Dëbimet masive dhe fundi i shtetësisë kur lind në SHBA

Duke folur me moderatoren Kristen Welker në “Meet the Press” të NBC-së, Trumpi tha se kishte në plan të bënte ndryshime gjithëpërfshirëse në politikën e migrimit të SHBA-së, duke përfshirë eleminimin e marrjes së shtetësisë, kur vendlindja është në SHBA, rregull ky i sanksionuar me Kushtetutë.

Duke e quajtur këtë masë “qesharake”, Trump tha se do të përdorte veprime ekzekutive për t’i dhënë fund të drejtës për shtetësi të njerëzve të lindur në tokën amerikane, pavarësisht nga statusi i imigracionit të prindërve të tyre, që nga dita e parë e kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse do ta mbante premtimin e tij për të dëbuar të gjithë emigrantët e paligjshëm në SHBA gjatë mandatit të tij, Trump u përgjigj: “Unë mendoj se je i detyruar ta bësh këtë dhe është një gjë e vështirë …është një gjë shumë e vështirë për t’u bërë. Por duhet të kesh rregulla, rregullore, ligje”, por shtoi se ai dhe kolegët e tij republikanë ishin të hapur, për të diskutuar mënyrat për të ndihmuar të ashtuquajturit “ëndërrimtarë” të sjellë ilegalisht në SHBA si fëmijë.

Trump për tarifat dhe faljet e J6

Duke folur për ekonominë dhe tregtinë, Trump tha se nuk mund të premtojë se plani i tij për të vendosur tarifa të larta për mallrat e huaja që hyjnë në SHBA si pjesë e të ashtuquajturës “America First” nuk do të përfundonte duke goditur konsumatorët amerikanë. Ai tha: “Unë nuk mund të garantoj asgjë. Nuk mund të garantoj të nesërmen”.

Trumpi tha gjithashtu se nuk kishte plane për të zëvendësuar Jerome Powell si kryetar i Rezervës Federale të SHBA-së, megjithëse ai ishte përplasur rregullisht me të në të kaluarën për politikën e Rezervës Federale të SHBA.

Në mandatin e parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi u përpoq drejtpërdrejt të ushtrojë presion mbi bankën qendrore për të ndikuar në veprimet e saj. Muajin e kaluar, Powell tha se do të refuzonte të jepte dorëheqjen nëse Trump do të përpiqej ta largonte nga detyra përpara përfundimit të mandatit të tij aktual.

I pyetur për të drejtat riprodhuese dhe kontrollin e lindjeve, Trumpi tha se nuk do të kufizonte aksesin në pilulat e abortit.

Të dielën, Trumpi premtoi gjithashtu se do t’i falte “shumë shpejt” të pandehurit e 6 janarit të burgosur për rolet e tyre në kryengritjen e vitit 2021 në Kapitolin e SHBA. Qindra protestues që mbështesin Trumpin kanë mbetur në burg dhe dhjetëra janë dënuar. Kauza e tyre është mbrojtur nga shumë anëtarë të ekstremit të djathtë, si në politikë ashtu edhe në media. Trump, i cili kryesoi ngjarjet e asaj dite, u vu nën presion për t’i liruar ata.

Trump: SHBA mund të dalë nga NATO dhe ndoshta të shkurtojë ndihmën për Ukrainën

Edhe pse betimin do ta bëjë më 20 janar, Donald Trump tashmë po ndikon aktivisht në çështjet botërore. Të shtunën, ai u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe presidentin francez Emmanuel Macron përpara se të merrte pjesë në rihapjen e Katedrales Notre-Dame në Paris.

Dje, ai i tha botës se “Ukraina dëshiron të bëjë një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që t’u japë fund luftimeve.

I pyetur nëse planifikonte të shkurtonte ndihmën e SHBA për Ukrainën, Trump u përgjigj: “Ndoshta, po, ndoshta, sigurisht”.

Trumpi diskutoi edhe për aleancën ushtarake të NATO-s, të cilën ai e ka kritikuar ashpër në të kaluarën. Ai ka sugjeruar vazhdimisht se po shqyrton tërheqjen e SHBA nga kjo aleancë e fuqishme ushtarake me 32 anëtarë.

I pyetur nëse SHBA do të mbeten në aleancën nën mbikëqyrjen e tij, Trump u përgjigj: “Nëse ata paguajnë faturat e tyre dhe nëse mendoj se ata na trajtojnë me korrektësi, përgjigja është se unë absolutisht do të qëndroj në NATO”. Nga ana tjetër, nëse aleatët nuk do të paguanin pjesën që u takon ose nuk do t’i trajtonin SHBA me korrektësi në Trumpit, ai tha se do të konsideronte “absolutisht” largimin./DW/

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu