Prezenca e OSBE-së angazhohet për forcimin e kapaciteteve të prokurorëve për krimet zgjedhore

0

Hetimi i krimeve zgjedhore ishte në qendër të një takimi që bëri Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me prokurorë nga SPAK-u dhe nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm për të diskutuar praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin institucional në trajtimin e shkeljeve zgjedhore.

Në veprimtari morën pjesë edhe dy ekspertë ndërkombëtarë nga Italia, të specializuar në fushën e krimeve zgjedhore.

Pjesëmarrësit shqyrtuan protokollet hetimore që lidhen me korrupsionin zgjedhor dhe marrëveshjet e paligjshme mes organizatave kriminale dhe aktorëve politikë.

Diskutimet u përqendruan edhe në përdorimin e provave në procedurat gjyqësore, përfshirë dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, dëshmitarëve të kualifikuar dhe përgjimeve elektronike.

Përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së, Mauro Puzzo dhe Blerim Vela, theksuan rëndësinë e forcimit të reagimit nga ana e prokurorëve dhe garantimin e llogaridhënies për krimet zgjedhore, si bazë për besimin e publikut në proceset demokratike.

Ata vunë në dukje nevojën për një reagim të shpejtë dhe transparent ndaj praktikave të përsëritura zgjedhore të dënueshme, si shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit dhe keqpërdorimi i burimeve administrative, të cilat vijojnë të reflektohen me shqetësim në raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu