Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ironizuar me deklaratat e tij në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi.
Korreshi deklaroi se e sheh të gabuar që ministrat që do të flasin në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë të shkojnë tek e tek në atë që ai e quajti “dhomë rrëfimi”. Sipas tij, të gjithë ata që dëshmojnë duhet të flasin hapur përpara të gjithëve, e se gjërat nuk duhen bërë sikur të ishte Big Brother.
Korreshi shtoi se nuk ka një kalendar për punimet e Komisionit Hetimor, duke thënë me humor se duhet të ketë dakordësi që kalendari do jetë me Milanin apo Interin.
“Shkurt si i ndjeri Fadil Hasa, a ulemi bëjmë një produkt?! Bëni ca të doni se na plaset! E dyta na kurseni pjesën e planeve, se ne vijmë nga plani 120%. Sa për planin që na keni sjellë, na thoni dhe ku do ta montojmë dhomën e rrëfimit se keni parashikuar që të rrëfehen të gjithë ministrat tek e tek. Qysh e kemi tek e tekun? Po ca jemi ne inspektorët e Sigurimit të shtetit që ti marrim tek e tek?! Këtu ore të vijnë ti dëgjojmë të gjithë. Ne nuk do ndajmë lekët.
Prandaj planin Marshall ta lëmë për në fund, ne nuk po biem për kalendarin! Do jetë me Milanin apo me Interin me fotografi. Uluni dhe na i ndani këtë punë dhe të fillojmë punën rehat”, tha deputeti Korreshi.