Juristi Kreshnik Spahiu ka shpërthyer në kritika të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Ky i fundit është vënë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pasi i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka thënë në një prej dëshmive të tij se Ilir Meta ka gisht në vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.
Ishte gazetari Artan Hoxha që zbardhi dëshminë, por SPAK e përgënjeshtroi. Mirëpo Kreshnik Spahiu ka ngritur pyetjen: Pse në të gjitha ngjarjet kriminale në vend del vetëm emri i Ilir Metës?
Duke folur në një studio televizive, ai ka hedhur dyshime se nxitimi Metës për të firmosur dekretin e lirimit të Bajram Begajt nga detyra lidhet me këtë dëshmi.
“24 orë përpara se presidenti të hidhte firmën u diskutua në media për dëshminë e të pandehurit Dumani dhe u akuzua për përfshirje në një krim. Pasi u hodh firma në mënyrë të shpejtë, kjo histori nuk është përmendur më. Do thoni ju mund të jetë rastësi. Dakord mund të jetë rastësi, por e kam të vështirë të besoj që rastësitë që lidhen me vepra penale, lidhen vetëm me një njeri që quhet Ilir Meta”, ka thënë Kreshnik Spahiu.
Por ai më tej i ka renditur të gjitha ngjarjet ku del emri i Ilir Metës. Sipas Spahiut, kemi vrasjet e 21 janarit, bllokun 700 mijë euro dhe shumë ngjarje të tjera që del vetëm Ilir Meta. Sipas tij nuk del emri i asnjë politikani tjetër, por vetëm i presidentit në largim.
“Me Ilir Metën lidhet ngjarja e Thesarit. Me Ilir Metën lidhet dëshmia e Dumanit. Me Ilir Metën lidhet 21 Janari. Me Ilir Metën lidhet kaseta me 700 mijë euro. Me Ilir Metën lidhen akuzat për vrasjen e një deputeti të PS. Me Ilir Metën lidhen shumë e shumë akuza. Pse nuk lidhen këto akuza për të ndjerin Nishani? Pse nuk kemi të njëjtat akuza për Moisiun? Pse nuk kemi për Meidanin? Pse të gjitha akuzat që nuk u provokan lidhen vetëm me një njeri që quhet Ilir Meta?”, tha ai.
Javën që lamë pas ishte gazetari Artan Hoxha, ai i cili zbardhi dëshminë e Dumanit, dëshmie cila shkundi politikën. Si është shprehur se ka njohje me personat që vranë vëllanë e ish-deputetit dhe sipas tij, porositësi është vetë Ilir Meta.
Por si ndodhi vrasja e Aleksandër Ndokës? Ngjarja ndodhi më 9 dhjetor 2017. Ai u gjet i vrarë në makinën e tij, para banesës. Ndoka kishte qenë në një lokal aty pranë dhe rreth orës 22.00 ka hipur në mjetin tip “Mitsubishi” për të shkuar në banesë. Por para vilës së tij ishin duke pritur vrasësit. Ata gjetën një zonë pa ndriçim dhe e ekzekutuan duke e lënë të vdekur. Ndoka u gjet në mëngjes i pajetë nga familjarët e tij. Ngjarja ishte tipike e stilit mafioz dhe policia që në atë kohë u shpreh se mund të kishim të bënim me vrasës me pagesë.