Qeveri pa legjitimitet, opozitë pa bosht.

0

Shkruan Nard Ndoka

Në këtë vend nuk ka më një përballje politike – ka një boshllëk legjitimiteti në njërën anë, dhe një boshllëk morali në tjetrën.
Qeveria e Ramës qeveris pa votë reale, pa standarde, pa garë. Pret me frikë bubullimat nga SHBA e Europa, ndërsa mbulon me propagandë një të vërtetë të thjeshtë: ajo nuk përfaqëson më shumicën, por një regjim të menaxhuar me klientë, presione dhe krim elektoral.
Sa herë që SHBA lëshon një mesazh, qeveria ul kokën. Sa herë që Europa ngre zërin, Rama kthen sytë nga Brukseli si nxënësi që s’ka bërë detyrat. Kjo nuk është qeverisje – është mbijetesë.
Opozita nga ana tjetër ka humbur rrugën, moralin dhe besimin e njerëzve. Nuk është se s’ka kauzë – është se nuk ka më frymë. S’e kupton se populli nuk i beson më as partive, as emrave që flasin për ndryshim nga karriget që i kanë përdorur si trampolina personale.
A duhet të largohet Berisha? Pyetje që qarkullon kudo, me zhurmë, por jo domosdoshmërisht me drejtësi.
Unë them:
Jo. Sali Berisha nuk duhet të largohet – por duhet të transformohet.
Të udhëheqë me një axhendë të re, me transparencë dhe drejtim përtej egove.
Zgjidhjet që duhen sot:
1. Denoncimi me prova i krimit zgjedhor dhe përfshirja e ndërkombëtarëve në këtë proces, me forcën e fakteve dhe jo thirrjeve emocionale.
2. Riformatim i opozitës, jo si pronë partie, por si front kombëtar i përfaqësimit opozitar në Kuvend.
3. Hapje reale e PD-së, me figura të reja, profesionistë, personalitete nga fusha të ndryshme. Pa “galloshet e vjetra”, pa nostaligjikë të karriges.
4. Krijimi i një Lëvizjeje të re politike, që tejkalon emrat dhe siglat, që ngjall shpresë dhe prodhon lidership të vërtetë.
Koha kërkon guxim – por edhe vetëdije se pa një opozitë të reformuar nuk ka as rotacion, as demokraci, as ndryshim.
Sot, opozita ka nevojë për Berishën – por për një Berishë që sheh nga e ardhmja, jo nga pasqyra. Dhe më shumë se për gjithçka tjetër, ka nevojë për besimin e humbur të njerëzve. Pa të, s’mund të fitohet asgjë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu