Qeveria ukrainase donte që ushtria të kuptonte se si Kievi mund të mposhtte Rusinë, por nuk arriti të sigurojë të dhëna se çfarë burimesh kishte për të arritur këtë qëllim, ka thënë një këshilltar i ish-komandantit të përgjithshëm ukrainas, Valery Zaluzhny.
Në një intervistë me The New York Times të botuar të shtunën, Gjenerali Viktor Nazarov ofroi një paraqitje të shkurtër të një prej arsyeve të përçarjes midis autoriteteve ushtarake dhe civile të vendit vitin e kaluar.
Ai vuri në dukje se zyrtarët e ushtrisë ishin të shqetësuar nga kërkesat e qeverisë në Kiev, e cila donte që ata të hartonin “një udhërrëfyes për fitoren pa u thënë atyre sasinë e njerëzve, municioneve dhe rezervave që do kishin për të kryer këtë plan”.
Gjenerali u ankua se ky ishte një nga faktorët që autoritetet civile “nuk e kuptonin ose nuk donin ta kuptonin” kur i kërkuan ushtrisë pa asnjë rezervë strategjike të dilte me plane strategjike.
Komentet e Nazarov u bënë jehonë komenteve të ish-shefit të tij përpara shkarkimit. Në një shkrim opinioni për CNN në fillim të këtij muaji, Zaluzhny rrëfeu “papërsosmëritë e kuadrit rregullator”, si dhe monopolizimin e pjesshëm të industrisë kombëtare të mbrojtjes, gjë që ai tha se ëoi në bllokime të prodhimit dhe përkeqësoi varësinë nga dërgesat e armëve të huaja.
Në shkrimin e tij në nëntor për The Economist, ish-komandanti i lartë sugjeroi gjithashtu se lufta ishte në “ngërç”, me të dyja palët që kishin aftësinë teknologjike për të ditur se çfarë po bën tjetra, duke e bërë problematik çdo përparim në fushën e betejës.
Zelensky e shkarkoi Zaluzhnyn, i cili mbikëqyri kundërsulmin e dështuar të Ukrainës vitin e kaluar, dhe disa komandantë të tjerë të lartë në fillim të këtij muaji.
Presidenti ukrainas e ka përshkruar vendimin si “një rinisje”, duke vënë në dukje se “disa gjëra nuk kanë ndryshuar gjatë periudhës së fundit kohore”.
Megjithatë, disa raporte mediatike sugjeruan se Zelensky dëshironte të hiqte qafe Zaluzhnyn si një rival i mundshëm politik, i cili ishte i popullarizuar mes radhëve të ushtrisë.
Zaluzhny u zëvendësua nga Gjenerali Aleksandr Syrsky.