Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë këtë të enjte një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës. Burime bëjnë me dije se takimi do të mbahet në Sheshin Skënderbej në orën 16:30 dhe pritet të zgjasë deri në orën 17:45. Më pas, nga ora 18:00 deri në 19:30, Rama do të mbajë një tjetër takim me tematikë “COD-i si hapësirë filozofike në dialogun politik”.
Takimi i kryeministrit me punonjësit e bashkisë vjen pas arrestimit, me kërkesë të SPAK, të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Rama ka deklaruar se nuk do ta shkarkojë kryebashkiakun deri në daljen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata.
Pas takimeve që Kryeministri ka zhvilluar në Bashkinë e Tiranës javën e shkuar, është vendosur që Anuela Ristani do të jetë administratore politike, ndërsa Alban Dokushi administrator, për të çuar përpara punët e bashkisë. Anuela Ristani do t’i delegohen detyrat e kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet i arrestuar.
I pyetur nga gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema, se kush do ta drejtojë bashkinë, Rama ka bërë një shenjë nga monumenti i Skënderbeut në shesh.