Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi dje marrëveshjen e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit), e cila do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).
Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe kandidatët e mundshëm në miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.
Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi si dhe qeverisja vendore dhe civile.
Ambasadorja Christiane Hohmann, Shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri tha: “Hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri, por lidhja jonë ka qenë gjithmonë shumë e fortë.
Për vite me radhë, BE-ja ka qenë mbështetësi më i madh i reformave në Shqipëri duke ofruar pothuajse 100 milionë euro në vit për programe në fusha si reforma në drejtësi, bujqësia dhe shumë fusha të tjera që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë.
Ky ratifikim vazhdon këtë partneritet të fortë, me një paketë të re dhe më të madhe mbështetjeje për të ndihmuar Qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve.”