Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje konsumatorëve shqiptarë që të ndalojnë menjëherë ngrënien e produkteve të përpunuara, salsiçeve “WUDY”. Në bazë të përgjigjeve të ardhura nga Italia, këto produkte kanë rrezik të lart për shëndetin.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55 duke përbërë risk me ndikim serioz për shëndetin e njeriut”, njofton AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.
“Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë”, vijon njoftimi, ndërkohë që publikohen LOTET me numrat përkatës për produktet e përpunuara të mishit të markës “WUDY”.