Është mbajtur sot një ceremoni përkujtimore për nder të Azem Hajdarit, i cili u vra më 12 Shtator 1998. Të pranishëm në ceremoni ishin familjarë, deputetë të Partisë Demokratike si dhe Kryetari i kësaj force politike Sali Berisha.
Kreu i PD-së ka dhënë dhe një prononcim për mediat pas kryerjes së homazheve në nderim të Azem Hajdarit. Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Berisha është shprehur se “Azem Hajdari hyri në historinë e kombit tonë si shqiptari që me një grup të guximshëm studentësh, që bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”
Sali Berisha: Përulje me nderimin më të madh, mirënjohje të pakufishme ndaj veprës së tribunit legjendar të shqiptarëve, Azem Hajdari. Azem Hajdari hyri në historinë e kombit tonë si shqiptari që me një grup të guximshëm studentësh, bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në Dhjetor të vitit 1990, Shqipëria kishte mbetur vendi i vetëm ish-komunist në Evropë nën diktatuarën staliniste dhe në monizimin e plotë. Përpjekjet e shqiptarëve për të dalë prej saj diktature, me sakrificat e tyre më të jashtëzakonshme për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar, u ndeshën me shtypjen më të egër. Çdo akt kundërshtie ndaj regjimit apo desidence, ishte i barabartë me hapjen e dyerve të burgut apo mihjen e varrit për shkak të shtypjes së egër staliniste. Në këto rrethana, Azem Hajdari guxoi të dalë në një protestë të fuqishme me studentët, të vihet në një mënyrë epike në krye të kësaj lëvizjeje, e cila në një hark kohor 3-ditor solli gjunjëzimin e regjimit dhe vendosjen e pluralizimit poltik në Shqipëri. Me këtë akt, Hajdari dhe bashkëluftëtarët e tij ndanë epokat, atë të monizimit nga pluralizmi, sistemin diktatorial nga ai i vlerave. Për këtë akt, Azem Hajdari u ekzekutua më 12 Shtator 1998 nga përfaqësues kriminelë, vrasës me uniformë të regjimit, por ai është dhe mbetet frymëzim i madh për shqipëtarët, mbetet i përjetshëm në veprën e tij.
Kreu i PD-së Berisha tha se në mesazhin e tij, Azem Hajdari është më i gjallë se kurrë pasi sipas Berishës, sot janë vendosur kurora me lule në nder të tij në kushtet e një monizimi të plotë. Berisha theksoi se “vepra e Hajdarit është frymëzim i madh për shqiptarët për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe në demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim”.
Sali Berisha: Sot Hajdari në mesazhin e tij është më i gjallë se kurrë, ne vendosëm ato kurora aty ku ranë Azem Hajdari dhe Besim Qerja për të nderuar ata, por i vendosim ato në kushtet e një monizimi të plotë. Pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë, deshendenti i njeriut që firmosi varjen e Havzi Nelës, është sot në pushtet dhe duke rrëmbyer votën e shqiptarëve ka vendosur në kontroll të plotë të gjitha pushtetet në këtë vend dhe duke rikthyer monizimin e plotë. Vepra e Hajdarit është frymëzim i madh për shqiptarët për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe në demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim i cili qëndron mbi votën e vjedhur, mbi krimin dhe drogën, qëndron si një vasal i Beogradit, si një antishqiptar i vërtetë. /