Me humbjen në xhep të zgjedhjeve të 14 majit, ish kryeministri Sali Berisha ka vijuar sërish të justifikojë disfatën e ‘Vendoreve’. Ai ka mbledhur sot 61 kandidatët për bashkitë e vendit duke u justifikuar për rezultatin e zgjedhjeve vendore 2023. Por edhe pse ka humbjen më të madhe të shënuar ndonjëhërë, kreu i Rithemelimit shpreh se me fitoren e 7 bashkive të vendit kanë pasur një sukses, madje shprehet se edhe rezultatet për këshilla Bashkiakë kanë qenë të suksesshme edhe pse në thelb, koalicioni ‘BF’ mori disfatën e dytë në këshilla në Vendore. Ish kryeministri ka bërë përgjegjës kreun e qeverisë Rama se në bashkëpunim me ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim (të cilën e cilëson si ish), kanë manipuluar zgjedhjet duke i bërë Berishës atë që ai e quan komplot ndërkombëtar.
“Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej.
Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte.
Nëse nuk kishim asnjë zë dhe deri para 14 majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund.
Përveç kësaj, në disa bashki si Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi, Kavaja, Himara, fituan kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe unë jam i bindur se këta kandidatë, këta kryetarë bashkie, do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin, për qytetarin. Një përpjekje mafioze shqiptare- ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare, dëshmoi në mënyrën më të turpshme. Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur, kaq antikushtetuese, kaq antiligjore nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare, për të shuar opozitën në Shqipëri. Kurrë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur për ta vendosur atë në kontroll të plotë të interesave mafioze të Edi Ramës.
Edi Rama, me ndihmën e ish-ambasadores amerikane, McGonigalit me fustan, ndërhyri në procesin gjyqësor në kundërshtim me çdo parim të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe i mori forcës politike vulën, logon, tre ditë para fillimit të fushatës, me qëllimin që kjo forcë politike të mos hynte në fushatë.”-tha Berisha.
Edhe kësaj radhe, ish kryeministri Sali Berisha bëri ‘fajtor’ Metën për humbjen në zgjedhje. Ai u nënkuptoi kanidatëve të koalicionit të Bashkë Fitojmë se nëse ai do të kishte qenë kreu i koalicionit, rezultati do të ishte ndryshe. Si në çdo akuzë, Berisha përmendi edhe George Sorosin si përgjëgjës të humbjes së tij.
“Por, ne nuk mund të binim viktimë e një akti antishqiptar, antidemokratik të mafies së Edi Ramës dhe George Sorosit. Kjo nuk mund të ndodhte.
Kurrë në historinë e një vendi të lirë nuk ka ndodhur, që koalicionit opozitar, t’ia caktojë kryetarin qeveria. Dhe ky përbën një nga aktet më të shëmtuara me qëllimin e vetëm për të goditur në zemër opozitën, për ta bërë atë fiktive.”- tha Berisha.
Pas disfatës së 14 majit, Sali Berisha nuk e pranon rezultatin e humbjes dhe në çdo dalje publike me akuzat për qeverinë se i kanë marrë zgjedhjet në mënyrë të padrejtë duke thënë se nuk e pranon rezultatin. Berisha thotë se do të bëjnë analizën përmes 2 fazave, raportit serioz për analizën teknike të procesit zgjedhjet dhe analizën e veprimtarisë së opozitës
Ndonëse pretendonte se do të rrëzonte qeverinë në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha në koalicion me Ilir Metën dhe Vangjel Dulen nuk morën më shumë se 7 bashki.