Gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar këtë të premte në studion e Euronews Albania, ku foli në lidhje me raportin e paraqitur nga ish-kryeministri Berisha në lidhje me shpalljen e tij “non-grata” nga Britania e Madhe.
Dyrnjaja tha se Berisha përmendi për herë të parë fëmijët e tij, pasi edhe ai vetë e di se ata kanë një pjesë të konsiderueshme të barrës te shpallja e tij “non-grata”.
Sipas gazetarit, nëse nuk do të kishte fëmijët në ngarkesë gjatë qeverisjes së tij, Berisha nuk do të ishte futur në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
“I përmendi fëmijët sepse janë edhe ata te kostoja e “non-gratës”. Madje Berisha po të mos kishte pasur fëmijët në ngarkesë nuk do të kishte dalë “non-grata” dhe ai e di këtë histori.
Mund të kishte qenë një politikan me probleme autokracie, por që tolerohen. Pasi nuk është Rama më pak autokrat se sa Berisha, me mënyrën si qeveris dhe imponon politikat. Por Berisha ka probleme shumë të mëdhaja me sistemin e drejtësisë të cilin e kontrollonte në një mënyrë shumë të fortë. Edhe pse ka patur vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë rrëzuar qeverinë. Sigurisht nëse di ta laush lojën do bësh dhe ca vendime që ta bësh të besueshme, se me gjoja ecet këtu. Siç po themi që gjoja SPAK-u po bën goditje majtas, po e ka qëllimin djathtas. Me sikur është çdo gjë këtu, por ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë që sistemin e drejtësisë e kontrollonte Berisha”, tha Dyrnjaja.