Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Projektligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker.
Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.
“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njëjtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, tha Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet.