Sfidat e sektorit të ujit në Lezhë

0

Shkruan Zef Ndreka

Ka tërhequr vëmendje të gjërë në shkallë vendi mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak në Lezhë, ku qëndrimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu dhe Bashkisë Lezhë, reflektuan me të drejtë një pakënaqësi të sinqertë të nivelit lokal ndaj mënyrës së funksionimit të shoqërisë rajonale, sidomos për çështjet që ndikojnë direkt tek qytetarët, si tarifat dhe reagimi ndaj emergjencave.
Për të kuptuar “konfliktin” real, duhet më parë të
dijmë se në vitin 2024 është bërë një reformë që ka transformuar operatorin lokal të ujësjellësit, në një Shoqëri Rajonale, duke përfshirë Lezhën, Kurbin dhe Mirditën.
Kjo reformë ka synuar rritjen e efikasitetit, reduktimin e kostove, dhe shërbime më të mira për qytetarët, por gjithashtu ka sjellë sfida të mëdha menaxheriale dhe financiare, përfshirë thithjen e humbjeve financiare dhe borxheve nga njësi të ndryshme të zonës.
Sektori i ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri, ashtu si në Lezhë, përballet me probleme serioze të humbjeve të ujit dhe të të ardhurave, që kanë ndikuar në nevojën për rishikim tarifash për të mbuluar kostot operative dhe investimet e nevojshme në rrjet. Në nivel vendi, po ashtu edhe në Lezhë, shumë ndërmarrje kanë kërkuar rritje tarifash për të mbuluar shpenzime e borxhe, ndërkohë që është Enti Rregullator ai që vendos nivelet e çmimeve.
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar rritje tarifash për disa rajone që shërbejnë nga operatorë rajonalë, përfshirë rishikimin e çmimeve të ujit për familjarët, konkretisht rreth 12% në Lezhë për vitet 2024-2025. Kjo është bërë për të përballuar kostot operative dhe për të mbështetur funksionimin e mjedisit të shërbimit.
Lidhur me këto, Bashkia Lezhë ka mbajtur një qëndrim.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se ai dhe këshilli kanë kundërshtuar rritjet e çmimeve të ujit, por megjithatë ato janë miratuar nga bordi i shoqërisë.
Kryetari ka kritikuar mungesën e përgjegjshmërisë së operatorit, duke theksuar se çmimet janë rritur pavarësisht kundërshtimeve të Bashkisë.
Gjithashtu ndërmarrja shpesh nuk merr masa konkrete për situata emergjente, p.sh. përmbytje në zonë si Shëngjini etj. Dhe i mbetët Bashkisë, shpesh të ndërhyjë me resurset e saj për të zgjidhur problemet.
Kjo ka çuar në një vendim të Bashkisë për të tërhequr përfaqësimin e saj nga bordi edhe pse ajo mban 30 % të aksioneve të shoqërisë, një lëvizje kjo jo e zakonshme që nënvizon thellësinë e pakënaqësisë në raport me strategjinë e menaxhimit të ndërmarrjes.
Kështu, natyrshëm vjen pyetja:
Sa i drejtë është qëndrim i Bashkisë?
Përfaqësuesit lokalë duhet të kenë zërin e tyre konkret në vendimmarrje, sidomos kur çmimet ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët, dhe kur Bashkia kontribuon me pjesë të rëndësishme të aksioneve.
Nëse rritjet e çmimeve nuk shoqërohen me përmirësime reale të shërbimit dhe të evidentohen nga shumë qytetarë, kritika në këtë rast e Bashkisë, është shumë e arsyeshme.
Kryebashkiaku ngriti çështje konkrete për funksionimin dhe mospërmbushjen e kompetencave në territor, duke çuar argumentin se operatori nuk është efektiv në zgjidhjen e situatave emergjente.
Ndërkohë, nuk kanë munguar argumentet kundër këtij qëndrimi të Këshillit Bashkiak.
Operatorët rajonalë sipas reformës kanë detyrime dhe sfida komplekse financiare, duke përfshirë nevojën për të mbuluar kostot operative, investimet në rrjet dhe borxhet e trashëguara nga njësi të ndryshme.
Rritja e çmimeve shpesh është një rrugë për të siguruar që shërbimet të jenë të qëndrueshme e afatgjata, sidomos kur humbjet e ujit janë shumë të larta në mbarë vendin dhe operatorëve u duhet të përmirësojnë infrastrukturën.
Por tërheqja nga bordi është një rrugë që mund të minojë ndikimin e Bashkisë në vendimmarrje, duke e lënë edhe më pak pjesëmarrëse në vendimet e ardhshme strategjike. Ose diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë.
Sepse, qëndrimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu dhe Bashkisë Lezhë, reflekton një pakënaqësi të sinqertë të nivelit lokal ndaj mënyrës së funksionimit të shoqërisë rajonale, sidomos për çështjet që ndikojnë direkt te qytetarët, si tarifat dhe reagimi ndaj emergjencave.
Në këtë aspekt, Bashkia Lezhë ka argumente të forta kur denoncon mungesën e transparencës dhe performancën e shërbimeve të ofruara.
Megjithatë, zgjidhjet strukturore në sektorin e ujit kërkojnë bashkëpunim të ngushtë midis palëve, ku edhe Bashkia, edhe operatori rajonal, por edhe ERRU duhet të gjejnë një balancë mes asaj që është ekonomikisht e qëndrueshme dhe asaj sociale të drejtë për konsumatorët. Në këtë kuptim, tërheqja nga bordi është një sinjal politik shumë i fortë për sigurimin e një zëri aktiv në vendimmarrje afatgjata…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu