Shkruan Zef Bushati
Pas Zgjedhjeve Parlamentare të 11 majit 2025, Shqipëria ndodhet në një moment kyç për të ardhmen e saj politike, ekonomike, ushtarake dhe morale. Tashmë është e qartë për të gjithë: formimi i Qeverisë së re është shansi i fundit për Kryeministrin Edi Rama për të treguar nëse është i gatshëm të shkëputet nga korrupsioni, hajdutët, klientelizmi dhe lidhjet e kompromentuara me zyrtarë të dyshuar për afera kriminale dhe abuzim me pushtetin.

Çdo ditë, mediat përmendin emra kandidatësh për ministra, por emrat që qarkullojnë janë shumë larg pritshmërive të publikut. Ato përfaqësojnë, në shumicën e rasteve, të njëjtat fytyra të konsumuara, disa prej të cilëve me dosje në SPAK ose me hije të rënda dyshimi mbi aktivitetin e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Çdo alibi publike nga Kryeministri Rama, se “nuk ka ministra me dosje në SPAK”, nuk mjafton më. Sepse shqiptarët nuk presin më justifikime. Ata presin drejtësi, pastrim të qeverisjes dhe një orientim të ri drejt përgjegjshmërisë, transparencës dhe ndëshkimit të korrupsionit në të gjitha nivelet. Sot, në Shqiperi, ka një vullkan të mbledhur urrejtjeje popullore, që nuk vjen vetëm nga politikat e partive, por nga një ndjenjë e thellë zhgënjimi dhe lodhjeje, nga një sistem që shpërblen të paaftët, të korruptuarit, patronazhistet dhe të përkëdhelurit e Kryeministrit.
Ky vullkan është gati të shpërthejë, dhe nuk do ta ndalë dot askush nëse qeveria e re nuk sjell ndryshimin që kërkon populli. Deri më sot, askush nuk e di listën reale të kabinetit të ri. Ajo gjendet vetëm në kokën dhe në mendjen e Edi Ramës. Por me datë 11 Shtator 2025, gjithçka do të zbulohet. Aty do shihet qartë: a ka Rama vullnet për të filluar një faqe të re pa ministra të korruptuar e të paaftë, apo do zgjedhë edhe një herë besnikët e vjetër, që e kanë mbajtur peng qeverisjen për interesa personale korruptive. 11 Shtatori është dita e llogaridhënies. Kjo është prova finale për Edi Ramën. Ose do të tregojë se korrupsioni në qeverinë e tij merr fund, ose do mbajë mbi supe përgjegjësinë historike për rrënimin moral dhe institucional të vendit. Populli pret. Durimi është drejt fundit. Dhe historia nuk fal.








