Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po ndryshojnë politikat në aspektin e sanksioneve ndaj politikanëve të sanksionuar në Ballkan, qoftë nga Departamenti i Thesarit ashtu edhe nga ai i Shtetit.
Së fundmi, Departamenti i Thesarit ka hequr nga lista e ‘zezë’ dy politikanë nga Ballkani.
Sipas vendimit zyrtar, nga lista e sanksioneve në SHBA janë nxjerrë ish-presidenti i Republikës Srpska Milan Milutinović, dhe Bogdan Subotic nga Bosnje-Hercegovina, që janë në listat e zeza prej më shumë se dy dekadash. Milutinovic është ndarë nga jeta dy vjet më parë.
Departamenti i Thesarit ka aplikuar sanksione disa vjet më parë edhe në Shqipëri dhe duket se ndryshimi i politikave mund të jetë një lajm i mirë për të sanksionuarit.
Pak javë më parë iu hoqën sanksionet edhe Antal Roganit, një bashkëpunëtor i afërt i Orban, që ka mbajtur detyrën si shef kabineti që nga viti 2015.
Vendimi i plotë:
Më 28 maj 2025, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së publikoi një përditësim të listës së personave dhe subjekteve të sanksionuara, duke hequr individë dhe kompani të caktuara nga Lista e Shtetasve të Sanksionuar (SDN).
Heqjet nga lista e sanksioneve:
1. Lidhur me Ballkanin:
Milan Milutinoviç: Ish-President i Republika Srpska dhe i paditur nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY)
Bogdan Subotiç: Lindur në Bosanska Gradiška, Bosnje dhe Hercegovinë.
2. Lidhur me trafikimin e drogës:
Jesús Pérez Alvear (aka “Chucho Pérez”): I lidhur me kartele meksikane si “Cártel de Jalisco Nueva Generación”, “Los Cuinis” dhe kompania “Gallística Diamante”.
Gallística Diamante SA de CV: Një kompani meksikane e njohur edhe si “Ticket Premier”, e përfshirë në aktivitete që lidhen me trafikimin e narkotikëve.
3. Lidhur me Rusinë:
Nikolay Ivanovich Bortsov: Anëtar i Dhomës Shtetërore të Federatës Ruse, i sanksionuar më parë sipas Urdhrit Ekzekutiv 14024.
A ka shpresa për Berishën?
Personat e sanksionuar që kanë dalë nga lista e zezë e SHBA kryesisht janë vënë nën sanksione nga administratat demokrate. Masat e aplikuara në atë kohë nga administrata amerikane kishin si synim të shënjestronin persona politikë ose jo, të lidhur me rastet e korrupsionit apo që cënonin demokracinë.
Në këtë kuadër u sanksionua edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, politikani më i lartë që u përfshi në listën e zezë të SHBA-së bashkë me familjen e tij.
Por duket se Departamenti i Thesarit në SHBA ka të tjera procedura nga Departamenti i Shtetit. Duket se në rastet e sanksioneve të Departamentit të Thesarit ka një lehtësi në vendimmarrje përderisa kjo është ‘lista e zezë’ e cila po pastrohet nga administrata Trump. Ndërkohë në rastet e ‘non grata-ve’ që caktohen me firmën e Sekretarit të Shtetit, ende nuk ka një vendimmarrje apo sinjal nga SHBA, për të dhënë shpresë te politikanët e sanksionuar.
Ish-kryeministri Sali Berisha shpreson në një vendimmarrje pozitive nga administrata e Trump, edhe pse publikisht ka deklaruar se nuk ka lobuar për heqjen e ‘non grata-s’. Por një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë për dy vjet është interpretuar si një lobim jo vetëm në raportet politike mes Partisë Demokratike dhe Republikanëve apo institucioneve amerikane, por edhe si një tentativë për heqjen e ‘non grata’ për Berishën dhe familjarët e tij.