SHBA paralajmëron: Ballkani Perëndimor/ Vatër tensioni, ndikimi i Rusisë dhe kërcënimet globale rrezikojnë sigurinë

0

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një zonë me tensione të vazhdueshme politike dhe ndikime të forta nga aktorë të jashtëm, veçanërisht Rusia.

Në raportin vjetor të inteligjencës për vitin 2026, publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, theksohet se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet midis Perëndimit dhe Moskës, duke reflektuar ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rajon.

Sipas raportit, Rusia vazhdon të nxisë paqëndrueshmëri, duke favorizuar Serbinë në raport me Kosovën, si dhe duke mbështetur tendencat separatiste në Republika Srpska brenda Bosnje dhe Hercegovinës.

Dokumenti thekson se ndarjet etnike dhe politike mbeten të forta dhe përbëjnë një rrezik serioz për stabilitetin, sidomos kur ndërthuren me ndikimin e fuqive të mëdha. Rajoni përshkruhet si një hapësirë ku përplasen interesat ndërkombëtare, ndërsa çështje të pazgjidhura historike vijojnë të mbajnë të lartë nivelin e tensionit.

Raporti paralajmëron gjithashtu për kërcënime më të gjera globale, duke përfshirë rritjen e konkurrencës mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe përhapjen e sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit, të cilat mund të përdoren për destabilizimin e shteteve dhe cenimin e sigurisë ndërkombëtare.

Sipas vlerësimit amerikan, Ballkani Perëndimor mbetet një nga rajonet më të ndjeshme në Europë për shkak të këtyre faktorëve të ndërthurur.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu