Një shkencëtar kinez dhe ekipi i tij fituan Çmimin Evropian të Shpikësit 2023 në kategorinë “vendet jo të EPO-së” për pakësimin e rrezikut të shpërthimit të baterive dhe zjarrit në automjetet elektrike, në një ceremoni të dhënies së çmimeve që u zhvillua në Valencia të Spanjës Lindore, njoftoi të martën Zyra Evropiane e Patentave (EPO ).
(Foto nga qq.com)
Wu Kai, kryeshkencëtar i Kompanisë së Teknologjisë Bashkëkohore “Amperex” dhe ekipi i tij kanë shpikur një bateri litium-jon me një mbulesë të sipërme që vepron si një pengesë për të zbutur rreziqet e sigurisë së baterisë. EPO tha se shpikja ndihmon në garantimin e sigurisë së automjeteve të pajisura me bateri litium-jon që përmbajnë një elektrolit të ndezshëm.
“Automjetet elektrike që përdorin bateritë tona të përparuara e të sigurta po u mundësojnë më shumë njerëzve të bëjnë një mënyrë jetese të qëndrueshme, duke kontribuar në tranzicionin global të energjisë,” tha z. Wu.
Kimisti spanjoll Avelino Corma Canos, një pionier i njohur gjerësisht në fushën e katalizatorëve, mori Çmimin Evropian të Shpikësit për Arritjet e Gjithë Jetës për punën e tij të rëndësishme në katalizatorët sintetikë.
“Inovacioni i treguar nga fituesit e këtij viti përballë sfidave të shumta të përbashkëta të botës moderne, si qëndrueshmëria, tranzicioni energjetik dhe pabarazia shoqërore, është një burim frymëzimi”, tha presidenti i EPO-s Antonio Campinos në ceremoni.
Foto nga siti i organizatori të ceremonisë
Fituesit e Çmimit Evropian të Shpikësit të këtij viti u zgjodhën nga më shumë se 600 kandidatë në mbarë botën. Shumë nga risitë e tyre synojnë të përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe të trajtojnë sfida të rëndësishme shoqërore, si çështjet mjedisore ose tranzicioni i energjisë. (Zhang Yan/Artan)