Shkruan Qamil Gjyrezi
Grupi “Shkodra Elektronike” përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerm” dhe u rendit mes dhjetë këngëve më të mira të festivalit. “Shkodra Elektronike” u rendit në vendin e tetë. Këtë vit gara më e rëndësishme e këngës evropiane, “Eurovision 2025” u fitua nga Austria me 436 pikë pas votimit të jurisë profesionale dhe asaj popullore. “Shkodra Elektronike” përfaqësuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca me këngën “Zjerm” solli në skenë një përzierje të fuqishme mes modernes dhe traditës shqiptare. Grupi “Shkodra Elektronike” performoi e fundit (e 26-ta) në natën finale në Bazel të Zvicrës, ku në këtë garë mori 218 pikë dhe u rendit në vendin e tetë.
Të larta ishin pritshmëritë për këngën shqiptare “Zjerm” që u soll në skenë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, duke qenë se pati vlerësime si on-line ashtu edhe nga media të ndryshme të huaja. Në këtë aktivitet të rëndësishëm të këngës europiane, artistët shkodranë shkëlqyen me performancën e tyre. Shkodra Elektronike është një ‘duo muzikore’ e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë shqiptarë të rritur në Itali, të cilët kanë krijuar një stil unik të quajtur “Post Immigrant Pop”, që përzien muzikën elektronike me elemente të folklorit shqiptar, veçanërisht nga Shkodra. Grupi fitoi edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në RTSH me 143 pikë. Pas fitores në Festivalin e Këngës, “Zjerm” u bë një hit i menjëhershëm, duke u renditur ndër këngët më të dëgjuara të Eurovision 2025 në You-Tube. Kënga “Zjerm” (që do të thotë “zjarr”) është një këngë që përfaqëson pasionin, transformimin dhe forcën shpirtërore. Ajo përshkruhet si një “rave folklorike”, duke përzier ‘ritme elektronike retro’ me motive tradicionale shqiptare . Teksti i këngës trajton tema si shpresa, pastërtia, konflikti dhe kërkimi për dritë në errësirë.
Strofa e këngës fillon me vargjet:
‘Në këtë minutë, në këtë çast
No paranoja
Pas shiut, e ylbertë të duket bota
S’ka përreth asnjë ambulancë
S’ka kush flet me arrogancë
Edhe sot na thanë
Kurse refreni që vazhdon mendimin e e strofës duke e rritur emocionalisht tekstin e këngës është:
‘Në zemrën time
N’zemër teme
Ky minutë do të vazhdojë
Njerëzit e mirë
Njerëzit pa emër
Kërcejnë valle në shpirt’, etj. etj
Dhe përfundon me fjalët thirrje, kërkimi për dritë në errësirë me: ‘Shndrit, Shndrit, Shndrit’.
Introduksioni i këngës fillon me ‘imitimin’ e çiftelisë, strofa shoqerohet nga çiftelia, refreni, pastja solo orkestra, me ritëm shumë modern dhe recitativi i këngëtarit. Muzika dhe teksti janë në një bashkëpunim profesional dhe të sinqertë dhe ndikojnë tek transmetimi i mesazhit të këngës. Performanca e këngëtares është shumë e mirë, që plotësohen nga lëvizje, veshje me stil të mrekullueshëm, biles duke simbolizuar flamurin ‘Kuq e zi’ dhe simbolet e ‘Rozafës’, me gjuhë trupore.
Dy këngëtarët Kola dhe Betariçia deklaruan me emocion dhe sinqeritet për këngën: ‘Kjo këngë ka ngjit. Kënga ka një element etnik, tribal, po edhe ritmika është e bërë me tarabuk elektronik që ndikon tek ritmika’. Beatriçia vazhdon e emocionuar. ‘Unë i ndij ata fjalë i kam zgjedhë, për ça i kam ndi në shpirt tem kur i kam shkru. Eshtë e pabesueshme për mu, me ba njerëz që nuk janë shqiptarë tuj këndu ata vargje. Njerëzve iu pëlqen kjo këngë, na i banen komplimentet teknikët dhe stafet, ndikoi edhe sinqeriteti artsitik, fati, momenti dhe Zoti’.
Për këngën ‘Zjerm’ kanë shkruar media e shkruar në Shqipëri dhe Europë. Po citoj Akademikun Profesor Vasil Sofokli Tole që shkruan në statusin e tij në F.B.: ‘Prej vitesh, publiku por edhe ne, profesionistët e fushës, kemi kërkuar që kënga shqiptare në festivalet e R.T.SH. ti rikthehej origjinalitetit, i cili padyshim që lidhet me fije të dukshme e të padukshme me trashëgiminë tonë muzikore popullore, me gjetjet e veçanta krijuese, si në tekst ashtu edhe në melodi. Për fat të mirë, kënga “Zjerm” (e cila sjell aromën e malësisë dhe të Shkodrës, qytetit historik nga ku mori rrugë muzika profesioniste shqiptare në fund të shek. XIX), u shpall fituese e festivalit duke shenjuar një model mbresëlënës të këngës shqipe në ditët tona, që i përshfaq qartë këto tipare, sa origjinale e bashkëkohore. Prandaj, një këngë që na përfaqëson brenda vendit, shqip në gjuhë e shqip në melodi, nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, e bën dhe do ta bëjë natyrshëm përfaqësimin edhe në skenat europiane e më gjerë’. Kurse gazetari Albert Vataj shkruan tek KultPlus.com: “Zjerm” nuk erdhi thjeshtë si një këngë, si një produksion muzikor, me protagonistët, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca dhe ndihmesën e vargëzimit të Lekë Gjeloshit, por si një zë që lind nga thellësia e shpirtit për të trokitur në ndërgjegjen tonë kolektive. “Zjerm” erdhi t’i qaset të sotmes së nevojave të ngutshme për origjinalitet dhe kreativitet, si një risi e guximshme, që kërkon jo vetëm të dëgjohet, por të ndjehet me fuqinë e një përjetimi shndrrues, të kuptohet në thelbin e fjalës dhe ritmit, metaforës dhe kushtrimit, të jetë vërshuese si një përrua që zbret për të shuar etjen e lumendjve të përfshirjes dhe ndijimit’.
Komentet për këngën në You-tube janë shumë interesante dhe profesionale dhe shprehin vlerësim maksimal për këngën ‘Zjerm’: @poutchos: ‘Si francez, jam krenar që u dhamë 22 pikë (12 juria, 10 publike)’. @waiting4smth: ‘Është shumë e çuditshme të shohësh se ata kanë marrë kaq pak pikë nga juritë. Është një art i pastër’. @norcor9052: ‘Shume kenge e bukur, plot fuqi dhe energji. Dashuri dhe respekt nga Greqia’. Dhe po e përfundoj me komentin e @Keri Vibe: ‘Ndoshta Austria fitoi konkurrencën, por Shqipëria fitoi zemrat tona’.
Si përfundim, pranimi dhe ndikimi i ‘Shkodra Elektronike’ jo vetëm që arriti sukses në skenën e Eurovisionit, por edhe fitoi sondazhin global të Eurovision 2025 të organizuar nga Wiwibloggs, duke marrë 11.1% të votave . Ky sukses tregon se Shqipëria është gati për një epokë të re në muzikën moderne, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj kulturor.