Shorti zgjedh Florjan Bjankun për Këshillin e Lartë të Prokurorisë

0

Nënkomisioni i Ligjeve “Për përzgjedhjen e kandidatit për anëtar të Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”, zgjodhi të mërkurën me short pedagogun Florjan Bjanku si anëtar të ri të KLP-së.

Bjanku vjen nga radhët e pedagogëve dhe punon në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Ai u kualifikua në garë bashkë me 3 kandidatë të tjerë që plotësonin kriteret ligjore, Arta Mandro, Kreshnik Myftari dhe Juliana Bylykbashi.

Nga lista e kandidatëve u përjashtua Maksim Qoku, ish- nënkryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilit i mbaroi mandati në fund të vitit 2021, por u zëvendësua në detyrë në shkurt të 2022 pas përzgjedhjes së anëtarëve të rinj nga trupa e pedagogëve.

Ai kandidoi për anëtar të KLP-së pas rihapjes së procedurës për 1 vend vakant nga trupa e pedagogëve, i cili nuk arriti të plotësohej nga shorti i hedhur nga nënkomisioni i ligjeve në muajin shkurt.

Në raportin e hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, arsyeja e skualifikimit ishte mosplotësimi i kriterit të të qënit pedagog në një fakultet drejtësie në 5 vitet e fundit.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi e kundërshtoi skualifikimin e Qokut si të pambështetur në ligjin për organet e qeverisjes së organeve të drejtësisë dhe kërkoi futjen e tij në listën e kandidatëve të kualifikuar.

“Kriteri për ata që vijnë nga trupa e pedagogëve është se duhet të jenë pedagogë në fakultetet e drejtësisë ose në shkollën e Magjistraturës, por nuk specifikuar nga legjislatori që të të ketë 5 vite pa ndërprerje,” tha Bardhi.

Deputetët e rrëzuan me votë propozimin e tij për ta kualifikuar Qokun, ndërsa po me votim nuk arritën dot shumicën e votave për përzgjedhjen nga lista e kandidatëve të kualifikuar.

Bjanku doli fitues nga shorti, por do të jetë seanca plenare që do të vendosë me votë emërimin e tij në KLP.

Kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka sqaroi edhe procedurën që do të ndiqet në Parlament.

“Florjan Bjanku rezulton nga shorti si i zgjedhur anëtar i KLP. Lista do t’i shkojë seancës plenare në të cilën do të duhet një votim me shumicë të cilësuar. Nëse kjo shumicë nuk arrihet do të rikthehemi përsëri me një proces shorti në nën/komision. Nëse dështon herën e dytë, do të jetë edhe hera e tretë. Në herën e tretë kandidati që del nga shorti edhe nëse nuk merr kuorumin e mjaftueshëm në Parlament do të konsiderohet si i zgjedhur anëtar i KLP”, tha Bushka.

Në përzgjedhjen e fundit të vakancave në KLGJ, Kuvendi dështoi të zgjidhte me shumicë të cilësuar anëtarët e rinj, duke ia lënë në dorë shortit të hedhur nga deputetët 2 anëtarët e rinj në KLGj dhe 1 anëtar në KLP.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu