Shkruan Albert Vataj
Unë po ecja përgjatë rrugës me dy shokë, shton ai, kur dielli perëndoi, qielli papritmas qielli u përmbyt në një kuqe gjaku. Unë u ndal, u mbështeta si i vdekur nga lodhja në një gardh në anë të rrugës. Në fjordin blu-të zi dhe mbi qytet kishte rënë gjak dhe gllabëronin gjuhë zjarri. Shokët e mi vazhdonin të ecnin dhe unë akoma po dridhesha nga frika .. dhe ndjeva që një britmë e thellë dhe fuqishme përshkoi natyrën.

Me këto fjalë të zhytura në vuajtje, Edvard Munch, piktori Norvegjez i lindur në Nøten më 12 dhjetor 1863, përshkruan ndjenjat që i dhanë jetë një prej pikturave më të famshme në historinë e artit:” The Scream” Kjo pikturë përmban gjithë peshën e vuajtjes dhe dhimbjes, nën të cilën ky shpirt i drobitur ndodhej, kjo zemër e copëtuar rrekej të maste ritmin në një botë që i shkasej gjithnjë e më armiqësore.

Ndjenja e ankthit, ndjenja e braktisjes, vetmia dhe pikëllimi, “dhimbja e të jetuarit” do të kushtëzojë në një mënyrë të trisht ekzistencën e këtij artisti të madh, i cili do të lartësojë paqëndrueshmërinë e tij psikike në pikturë, për shkak të një ndjeshmërie të tepruar dhe dy përndjekjeve që i ishin vënë nga pas që nga fëmijëria dhe adoleshenca.

Ai humb nënën e tij, ndërsa ishte ende fëmijë. Goditet rëndë nga vdekja e motrës së tij të preferuar, Sophie, e cila humb jetën në moshën 15-vjeçare për shkak të tuberkulozit.

Punët e tij janë pothuajse të gjitha me një ngarkesë të theksuar trishtimi dhe dhimbjeje. Jo vetëm e shkuara, goditjet e herahershme të fatit të keq, abuzimeve me alkoolin, por edhe trajtimet ciklike në një klinikë psikike, bëhen bartës i asaj përplasje të dhunshme ekzistenciale. Nuk ka ditë të ngjyrshme hareje në jetën e tij, ashtu siç nuk ka larmi koloriti dhe dritshmëri përshkueshmërie në pikturën që ai la. Ai zgjodhi artin jo dhe aq të ankohet se sa të denoncojë një jetë trazimtare që i ka rënë për hise dhe këtë e bën me njëjtësi force, me të cilën pikëllimi, dhimbja, ankthi dhe trazimi i vërsulen shpirtit të tij të drobitur. Dhe peneli ka zgjedhur të flasë në emër të heshtjes që e ka nxënë përfundi dhe shtyp.

Ai la gjurmë në historinë e artit. I tregoi botës shpirtin e tij, përmes talentit dhe guximit për t’u ndeshur me vetveten dhe botën në një betejë epike krijuese që edhe sot i ka të gjalla klithmat, ngjethëse shpërfytyrimet, të makthshme tonin e ngjyrave dhe të dhimbshme prehjen e trisht të portreteve.
Edvard Munch vdiq nga pneumonia më 23 janar. 1944 në shtëpinë e tij në Ekely


