Shkruan Zef Ndreka
Dhjetori i vitit 1990 hyri në historinë shqiptare si muaji që shënoi thyerjen e parë të murit ideologjik të diktaturës. Nga studentët u ndez një proces që duhej të sillte pluralizmin politik, lirinë e tregut, shtetin e së drejtës dhe integrimin euroatlantik.
Thirrjet e studentëve në Sheshin e Demokracisë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “E duam Shqipërinë Demokratike”, “Liri-Demokraci” zbritën në tokën shqiptare pluralizmin politik. Ishte dita e tyre, por edhe e gjithë popullit të Tiranës dhe Shqipërisë që mbështeti këtë lëvizje dhë këtë proçes.
Por 35 vitet që pasuan, e sidomos secili “dhjetor politik” që ka ardhur më pas, kanë dëshmuar një tranzicion të tejzgjatur, shpesh të deformuar, dhe një zhgënjim që ka gërryer besimin e shoqërisë në politikë.
Vitet ’90 ishin Shpresa e Madhe, ishin premtimet e mëdha për ndyshime dhe energjia e shoqërisë. Pikërisht, Dhjetori 1990 përfaqësonte çlirimin psikologjik të shoqërisë nga frika, çlirimin nga diktatet dhe dogmat politiko-komuniste dhe paralajmëroi prejardhjen e një elitë të re studentore dhe intelektuale që synonte modernizimin e vendit.
Më kryesorja, Dhjetori ’90-të paralajmëronte hyrjen e Shqipërisë në orbitën europerëndimore.
Ishin momentet e pritshmërive të larta.dhe shqiptarët besuan se tranzicioni do të ishte i shpejtë dhe se vendi do të kapte me vrull kohën e humbur.
Përse Dhjetorët e mëvonshëm u kthyen në zhgënjime?!
Sepse zhgënjimet nuk ishin të rastësishëm, por të lidhur me disa prirje strukturore me elitat politike të dala nga tranzicioni.
Në vend që të lindnin institucione të forta dhe një kulturë e re politike, udhëheqësit politikë përqafuan përçarjen si mjet politik, kapjen e institucioneve, riciklimin e figurave të vjetra,
kontrollin klientelist të ekonomisë.
Kjo bëri që demokracia formale të mos shndërrohej në demokraci funksionale.
Gjithashtu ekonomia tranzicionale e centralizuar nga shpresë për zhvillim, mori drejt polarizimit madje të skajshëm.
Vertetë ekonomia e tregut solli rritje, por privatizimet u bënë shpesh pa transparencë, një pjesë e vogël u pasurua shpejt, shtresa e mesme mbeti e brishtë, ndërsa fenomeni i piramidave të vitit 1997 goditi besimin dhe orientimin e vendit.
Diferenca e madhe pasurore u kthye në burim cinizmi dhe mosbesimi.
Shteti i së drejtës ngeci, sistemi gjyqësor mbeti i politizuar, reforma në drejtësi erdhi shumë vonë, ndëshkueshmëria e politikanëve mbeti pothuaj zero për tri dekada, duke e vertetuar thënjen se kur drejtësia vonon, politika e keqbërësit forcohet.
Miliona shqiptarë u larguan me çdo formë e me çdo rrugë nga vendi, nga zhgënjimi ekonomik, nga mungesa e meritokracisë, nga degradimi i shërbimeve publike.
Tashmë, simbolika e Dhjetorit është nga festë e inaugurimit në një rit të lodhur politik
Çdo dhjetor është përdorur nga politika si tribunë për të ringjallur mitet e themelimit, për të ricikluar premtime, për të akuzuar kundërshtarin.
Dhjetori është zhytur në retorikë partish, në vend që të shërbejë si moment reflektimi kombëtar.
Shqipëria ka hyrë në një model të përsëritur me
protesta, me bojkote, me zgjedhje problematike, me trysni ndërkombëtare, me marrëveshje të përkohshme, me ngritje të krizës së radhës.
Ky është shkaku pse pas 35 vitesh, vendi nuk ka ende stabilitet institucional, nuk ka rrotacion normal politik, nuk ka kulturë të përgjegjësisë publike.
A ka ende potencial shprese?
Sigurisht që po. Ndaj kjo është arsyeja pse Dhjetori mbetet simbol i dyfishtë me zhgënjim nga e kaluara dhe potencial për të ardhmen, sepse brezi i ri nuk është barrë e tranzicionit dhe presioni i emigracionit e kthen vëmendjen tek standardet perëndimore,
Ndërkohë integrimi në BE, pavarësisht ngadalësive, mbetet boshti që i detyron institucionet të reformohen dhe drejtësinë edhe pse e kontestuar jo rrallë, po fillon të prekë zona që dikur ishin tabu.
Për ta përbledhur mund të themi se Dhjetori i 1990-s ishte një hap drejt lirisë, por 35 vitet pas tij tregojnë se Shqipëria nuk ka mbaruar punë me tranzicionin.
Shpresa e madhe e ’90-s është përzier me zhgënjime të shumta, sepse ndërtimi i një shteti funksional nuk u vendos mbi themelet e duhura.
Sot sfida është e qartë, të shmanget një Dhjetor tjetër zhgënjimi dhe të rikrijohet një kulturë e re politike e bazuar në përgjegjësi, në meritokraci, në transparencë, në pavarësi institucionale.
Vetëm kështu Dhjetori i shpresave nuk do të mbetet një kujtim nostalgjik, por një projekt real për të ardhmen.








