Shkruan Albert Vataj
Midis mjegullave të veriut dhe rrëfimeve të ndjekura nga era e sagave, ekziston një figurë e errët, brutale dhe rituale njëherësh, “Shqiponja e Gjakut” (Blóðörn), një nga ndëshkimet më të frikshme dhe të debatueshme që i është atribuar traditës vikinge. Nuk është thjesht një akt dhune, por një skenografi rrënqethëse, ku ndëshkimi bëhet sakrificë, ekzekutimi shndërrohet në mit, dhe agonia në ofertë hyjnore.
Sipas përshkrimeve mesjetare, ky ritual makabër përfshinte një formë torturimi që sfidon vetë kufijtë e imagjinatës. Shpina e viktimës çahej me një prerje të thellë, brinjët i shkëputeshin një e nga një nga shtylla kurrizore, dhe mushkëritë tërhiqeshin jashtë përmes plagëve, për të krijuar pamjen e krahëve të shtrirë, një shqiponjë, por jo ajo e fluturimit dhe lirisë, por ajo e përgjakjes dhe poshtërimit.
Për të zgjatur vuajtjet, plagët e hapura fërkoheshin me kripë, një akt i qëllimshëm spektaklit të horrorit, ndoshta si një tribut për hyjnitë ose për publikun që e shihte si një teatër tragjik të drejtësisë. Ky ndëshkim ishte “privilegj” i figurave të rëndësishme: mbretër, tradhtarë, ose armiq të mëdhenj që duheshin jo thjesht mposhtur, por fshirë nga nderi dhe kujtesa përmes një vdekjeje të pazakontë.
Burimet më të hershme për këtë ritual shfaqen në sagat nordike, veçanërisht në Heimskringla dhe Orkneyinga saga, ku përmendet edhe Ælla i Northumbrias, i kapur rob nga vikingët dhe ekzekutuar në vitin 867 pas Krishtit nga Ivari Pa Kocka. Por ky rrëfim është shkruar rreth 300 vjet më vonë, çka e bën burimin lehtësisht të ndikuar nga subjektiviteti i epokës dhe ndoshta nga prirja e autorëve të krishterë për ta portretizuar botën pagane si të egër dhe mizore.
Në këtë pikë, vija ndarëse midis faktit historik dhe shpikjes letrare është e paqartë. Historianët modernë kanë ndarë qëndrime të ndryshme. Disa besojnë se Shqiponja e Gjakut ishte vetëm metaforë, ndoshta për çnderimin pas vdekjes, të tjerë e shohin si një realitet të rrallë, por të mundshëm, duke pasur parasysh njohuritë e vikingëve për anatomisë dhe përqasjen e tyre të ritualizuar ndaj vdekjes. Anatomikisht, ekspertët pohojnë se procedura është e realizueshme, por kërkon forcë, precizion dhe njëfarë mjeshtërie në sakrificë, elementë që mund ta bëjnë ritualin më tepër teatër mitik se praktikë të përhapur.
Por pavarësisht autenticitetit, Shqiponja e Gjakut ka mbijetuar në vetëdijen kolektive si simbol i egërsisë, vendosmërisë dhe hakmarrjes së ftohtë nordike. Ajo është bërë një emër i koduar për një formë ekstreme të drejtësisë pagane, ku gjaku jo vetëm derdhet, por gdhendet në formë, ku dhuna nuk është vetëm hakmarrje, por ritual dhe përçim metafizik i së drejtës.
Në përfytyrimin modern, ajo është kthyer në një ikonë të kulturës popullore, shfaqet në libra, filma, seriale si Vikings, ku e kaluara përjetohet jo si dëshmi, por si zhytje në arketipin e njeriut primitiv, që kërkon kuptim përmes ekstremitetit.
Pra, qoftë si fakt historik, si mit i përgjakshëm, apo si metaforë e brutalitetit të shenjtëruar, Shqiponja e Gjakut vazhdon të mbijetojë si një kujtim që tmerrohet dhe mahnit, që zbret nga legjenda për të na përballur me pyetjen, ku qëndron kufiri mes drejtësisë dhe mizorisë, mes sakrificës dhe spektaklit?