Shqiptarët e Luginës të irrituar që Escobar dhe Lajcak nuk i takuan

0

Emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak pas vizitës që kanë realizuar në Kosovë, të enjten kanë udhëtuar drejt Beogradit. Megjithatë në Serbi gjatë ditës së enjte s’kanë takuar fare përfaqësuesit e Luginës së Preshevës .

Një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta. Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se është për të ardhur keq që Escobar dhe Lajcak s’kanë takuar përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi.

Sinani ka thënë se është e kuptueshme se pse janë takuar me përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës, por potencon se nuk e kupton pse s’ka pasur takime me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“I kuptueshëm takimi i fundit me kryetarët e katër komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Sinani.

Ajo në fund u ka bërë thirrje dy emisarëve që t’i takojnë përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve në Serbi.

“Prandaj, z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, ka shkruar Sinani.

Ankesë për mos takimin me shqiptarë te Luginës ka pasur edhe kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve po rritet derisa po integrohen në shtetin serb.

Arifi tutje ka rikujtuar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë krijuar sisteme paralele të paligjshme duke shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe shton se edhe përkundër kësaj ata gëzojnë privilegje dhe të drejta.

“Sa gjatë?” ka pyetur Arifi teksa ka shpërndarë një postim të Miroslav Lajcak për takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu