Pas videos që u bë virale në rrjetet sociale, ku kryeministri shqiptar Edi Rama shihej duke bërë batuta me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, ka ardhur edhe reagimi i parë nga “Shtëpia e Bardhë”.
Nënsekretarja për mediat, Anna Kelly, në një përgjigje për gazetarin e Top News, Xhoi Malësia, theksoi:
“Presidenti Donald Trump ka bërë më shumë se kushdo për stabilitetin global” – një deklaratë që vjen si reagim indirekt ndaj përmendjes së ish-presidentit amerikan në batutat e kryeministrit Rama.
Në videon e shpërndarë gjerësisht, Rama i referohej një deklarate të mëparshme të Trump, ku ky i fundit kishte thënë se kishte ndaluar një “luftë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, duke e shndërruar momentin në humor mes liderëve.
Pas reagimeve të shumta në rrjet, ditën e djeshme reagoi edhe vetë kryeministri Rama, i cili sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një batutë mes miqsh, pa asnjë qëllim denigrues ndaj figurës së ish-presidentit amerikan.
Ky zhvillim ka ndezur debate si në Shqipëri ashtu edhe ndërkombëtarisht, duke e vendosur sërish Edi Ramën në qendër të vëmendjes mediatike.








