Iraku po përballet me një situatë tejet të rëndë, pasi është goditur nga sulme të shumta në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit e SHBA-së. Edhe pse autoritetet në Bagdad kanë bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të përfshirjes në konflikt, vendi është kthyer në një pikë të nxehtë për përplasje indirekte.
Dy ditë pasi SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulmet e para ndaj Iranit, kryeministri Mohammed Shia’ al-Sudani urdhëroi institucionet e sigurisë të veprojnë kundër çdo kërcënimi që cenon stabilitetin. Paralelisht, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Irakut deklaroi angazhimin për të mos lejuar që territori i vendit të përdoret për konflikte të brendshme apo rajonale.
Megjithatë, situata në terren është përkeqësuar. Sipas burimeve të sigurisë, të paktën 47 persona kanë humbur jetën që nga nisja e përshkallëzimit, shumica prej tyre pjesëtarë të Forcave të Mobilizimit Popullor, një grup paraushtarak që përfshin fraksione të mbështetura nga Irani.








