Partia Demokratike ka vendosur të godasë në Kolegjin Zgjedhor vendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.
Për këtë shkak, deri në vendimin e gjykatës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nuk mund të dekretojë datën kur do të mblidhet Parlamenti i ri.
Sipas Kodit Zgjedhor, gjykata ka 10 ditë afat për t’u shprehur në lidhje me ankimimin e Partisë Demokratike, por ky është afati maksimal që parashikon ligji.
Në çdo skenar duket se nuk cenohet mbledhja e Parlamentit në datën 12 shtator, kur pritet të nisë legjislatura e re, sipas Partisë Socialiste.
Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se në datën 11 shtator, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare e do të shpallë qeverinë me të cilën do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Ndërkohë që një ditë më pas, në 12 shtator do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e Parlamentit të ri.
Në këtë mandat të ri qeverisës, mazhoranca socialiste ka vendosur të bëjë disa ndryshime edhe në strukturën e Parlamentit, duke krijuar 11 komisione të përhershme nga 8 që ka aktualisht.








