Shkruan Fron Nahzi, BIRN
“Ballkan Insight” i ka kushtuar një artikull masës së dhënë për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i vënë nën hetim për korrupsion.
Në një vend ku për 30 vitet e fundit një konsensus i pashprehur toleronte pasurimin e qeveritarëve, veprimet e fundit ligjore kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe kanë habitur ekspertët ballkanikë, sipas medias që mbulon çështjet e rajonit.
Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i kthyen sytë nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, me shpresën se këto qeveri do të ndihmonin t’i mbanin udhëheqësit e tyre përgjegjës. Publiku e kuptoi shumë mirë se qëndrimet mbizotëruese, vlerat dhe kultura politike e politikëve shqiptarë i kanë rrënjët në marrëdhëniet fitimprurëse. Në vend që t’i shohin postet qeveritare si mundësi për t’i shërbyer publikut, politikanët i kanë parë këto poste si shtigje për përfitime personale. Qoftë Sali Berisha apo kryeministri aktual Edi Rama, liderët shqiptarë shfaqin karakteristika të përbashkëta qeverisëse. Ata vazhdimisht përpiqen të formësojnë mjetet dhe mënyrën e qeverisjes, duke i dhënë përparësi përfitimeve për bashkëpunëtorët e tyre.
Tani, pas 30 vjetësh, duket se SHBA mund t’i jetë përgjigjur thirrjes së shqiptarëve, shkruan më tej “Balkan Insight”. Edhe pse dikur e mbështeti Berishën me entuziazëm, Uashingtoni e humbi durimin dhe dy vjet më parë e sanksionoi atë dhe anëtarët e familjes së tij për korrupsion. Sipas Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, gjatë kohës kur ishte kryeministër, Berisha “është përfshirë në akte korruptive, si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e vetë, për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes”.
Duke ndjekur këtë linjë arsyetimi, do të ishte sfiduese për Uashingtonin të identifikonte një lider ballkanik nga tre dekadat e fundit, i cili nuk duhet të kishte një fat të ngjashëm.
Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, kur akuza të tilla nuk ishin gjë tjetër veçse një retorikë e zbrazët politike, në Shqipëri , Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndoqën sanksionet duke nxitur krijimin e një subjekti të ri juridik, Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, të mbështetur nga ekspertë amerikanë, për të sjellë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar.
SPAK synon të funksionojë si një subjekt gjyqësor i pavarur për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta të qeverisë dhe shoqërisë. Sipas ambasadës amerikane, mbi 40 ekspertë të financuar nga SHBA-ja ndodhen në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e saj të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë. “Balkan Insigt” ngre pyetjen: A janë krimet e zyrtarëve shqiptarë kaq të mëdha sa ndikojnë në interesin jetik të SHBA-së dhe garantojnë një ekip kaq të madh ligjor amerikan, apo kultura e korrupsionit në Shqipëri është kaq e përhapur sa e vetmja mënyrë për të zbatuar sundimin e ligjit është duke përdorur një ekipi i huaj i vëzhgimit gjyqësor?
Shumë shqiptarë dhe ekspertë të Ballkanit besojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e detyruan Ramën të padisë Berishën. Në fakt, Ramës i mungonte një motiv politik për të rrëzuar Berishën, pasi prania e demokratit garantonte një opozitë të dobët, duke ndihmuar kështu në sigurimin e qeverisjes afatgjatë të Ramës. Pas shpalljes ‘non grata’ të Berishës dhe familjarëve të tij, zyrtarët amerikanë i theksuan vazhdimisht Ramës se ata kishin bërë pjesën e tyre dhe tani ishte radha e tij të bënte të njëjtën gjë.
Faza e dytë përfshinte qasjen praktike të SHBA-së në formësimin e SPAK-ut, duke penguar përpjekjet e Ramës për të caktuar aleatët e tij për ta kontrolluar atë. Që atëherë, SPAK ka ndjekur penalisht dhe dënuar disa ministra dhe kryebashkiakë socialistë për korrupsion, duke rritur pavarësinë e tij politike në sytë e publikut. Megjithatë, rasti ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt, i cili u akuzua për një rrjet aktivitetesh korruptive që disa media spekuluan se mund të implikonin Ramën dhe disa prej drejtuesve të tij të lartë, aftësinë për të shmangur arrestimin duke u larguar nga vendi, ka ngritur pikëpyetje se sa lart do të shkojnë përpjekjet e SPAK kundër korrupsionit, shkruan më tej BIRN.
Nëse Shtetet e Bashkuara synojnë të transformojnë kulturën politike që mbizotëron në Shqipërisë, do të duhet një prani e qëndrueshme në vend. Ndryshimi kulturor është një përpjekje afatgjatë që përfshin breza. Pra, a do të qëndrojë SHBA në këtë kurs? Ne e dimë nga përvoja se SPAK ka të ngjarë të bjerë me shpejtësi nën ndikimin e liderëve politikë nëse SHBA-ja tërhiqet, sipas BIRN.
Nga ana tjetër, nëse SHBA-ja synon t’u përcjellë një mesazh liderëve aktualë dhe të ardhshëm shqiptarë apo rajonalë se nuk do të tolerojë më korrupsionin, zbatimi i barabartë i ligjit është thelbësor. Nëse paditë e lidhura me korrupsionin synojnë kryesisht opozitën, nuk do të kenë më mbështetjen popullore. Aktualisht, SPAK po heton ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, Monika Kreymadhi, nën dyshimet për korrupsion.
Një kabllogram i vitit 2009 nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, i zbuluar nga Wikileaks, mbetet i rëndësishëm sot. E titulluar “Shkelësit e ligjit u bënë ligjbërës”, kabllogrami përshkruante korrupsionin në nivelet më të larta në të gjitha partitë. Për ta luftuar në mënyrë efektive, kërkohet prishja e marrëdhënieve reciproke midis elitës në pushtet dhe oligarkëve dhe biznesmenëve të fuqishëm që kontrollojnë ekonominë e Shqipërisë. Për ta arritur këtë, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të zbatojnë standardet kundër korrupsionit, nëpërmjet SPAK, pa marrë parasysh qëndrimet e atyre që abuzojnë me sistemin, thekson “Balkan Insight”, që shton se vetëm duke çmontuar sistemin shtetëror të kapur të Shqipërisë, qeveritë e ardhshme mund të kenë shansin për të krijuar institucione që funksionojnë në interesin më të mirë të publikut.