Shkruan Sokol Pepushaj
Që të qetësohen 3 hajdutët më të mëdhenj të kombit, duhet të rebelohen 3 milionë shqiptarë. Ky është standarti, që sa herë doza e agresivitetit bie, vlerësohet si defekt i detonatorit, atij që takon dhe s’takon energjitë në kampin opozitar.
Se atyre arave me dele plot, e ka “shpirtin” edhe qeveria.
Që Mafies të mos i bjerë shpesh releja, larg qoftë t’i zbutet, sa mos të mbajë as kur ngrihet mekanikisht, i nevojiten këto skuadra të skaduara në pushtet dhe opozitë.
“Stina” e keqe e opozitës, me shtatë humbje shembullore, i ka tharë rrënjët e pritshmërive për “fruta”, edhe për të tetat e të nëntat. Këtë thatësirë, e mban Babloku larg lagështirave stinore. Nuk ka deputetë të majtë e të djathtë. Secili më hajdut e më fodull se tjetri. Janë me tituj shkencor dhe asnjeri nuk e pyet asnjërin për arsimimin. Që aty do duhej të dënoheshin për falsifikim. Por jo, dyfishojnë rrogën e vet dhe tallen me këta pak skllevër që kanë ngelur.
Dashuria dhe pasuria para se të verbojnë sytë, çmendin zemrën.
Këta, për nga shpirti janë teneqe, të ç’kallajisur, prandaj e mbajnë me çdo çmim njëri tjetrin. Aq konflikt sa supozohet të ketë mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, e gjejmë edhe ndërmjet Ilir Metës dhe ambasadores amerikane që ka bërë gati valixhet e rënda të niset o për pension, o për hetim të dosjes McGonogal, o për shërbëtore në hije të Edi Ramës.
Si klithmat e njërës palë, vula e partisë është imja, ambientet mbaji ti, si tërbimi i palës tjetër, ndizi tanket në Malin me Gropa, por flamurin amerikan mos e prek me dorë, kanë për dyshek e jorgan mashtrimin. Në këtë “stacion”, më thoni a mbani mend ndonjë gjë të mirë nga kinezëritë e Kimetes, përveç “nuk ka mbi ligjin” dhe më gjeni një hajdut zyre apo biznesi që nuk ka bërë fotografi?!
Dredhitë që aktorët e mafies i sajojnë njëri-tjetrit, janë zinxhiri që lidh fort interesat ekonomike, pse jo edhe të Kimetes?!
Në siklet të ardhjes së ambasadorit të ri, format krejt tjetër, njohës i shkëlqyer i çështjeve tona nga Tirana në Ankara, Moskë, Pekin e Beograd, madje edhe i gazetarëve antimafia, kemi info të besueshme për ngjarje ende të pabesueshme. Qasja drejt avancimit të politikave të reja, më të ashpra me korrupsionin në Uashington, ka tmerruar hajdutët e antiamerikanët këtu ku paratë e taksave e pasuritë publike keqpërdoren, deri atje sa deputetët i dyfishojnë vetvetes pagën dhe ende nuk kanë ndër mend të votojnë minimumin jetik të popullsisë.
Ndaj Babloku kërkon më shumë antiamerikanizëm prej Sali Berishës.
Nga tmerri se Non-gratat mund të shtohen dhe bri çdo emri do ketë sanksione ekonomike, do pranojnë edhe ca kosto të vogla, ca arrestime, nga Fatmir Mediu e deri tek Ilir Beqaj.
Po, kur pulës i vjen “veza”, do ta bëjë.
Në “furrikun” e opozitës, mafies së komanduar nga Babloku, ju desh të “tredhë” të besuarin e amerikanëve Enkelejd Alibeajn e të sjellë në kllukë gjumashin Lulzim Basha. Që të rrinë bashkë këto standarte, Saliu dhe non gratat e tjera me shumicë votash, opozita me vulë e pa audiencë dhe Babloku që mund të justifikohet si i rregullt jashtë çdo rregulli, po shkruhet skenari i zgjedhjeve të ardhshme dhe mbrojtjes së gjësë së vjedhur. Prandaj Rama kërkon dozë më të fortë antiamerikane nga Saliu./Pamfleti