Si Vatikani apo si San Marino?!

0

Shkruan Zef Ndreka

Kjo pyetje më rrinte në mendje gjatë, që në momentin kur nga goja e Kryeministrit Rama, dëgjova artikulimin për krijimin e një shteti të ri brenda Shqipërisë, konkretisht Shtetin Bektashi.
Mbase jam gabim dhe konkluzionet përfundimtare duhet të dalin më vonë për nevojën e krijimit të këtij shteti, ashtu pa pritmas, ndërkohë që Shqipëria krenohet për tolerancën fetare kudo në botë:
Rama gaboi, rëndë madje.
Nuk dihet kush e ka këshilluar edhe këtë herë Kryeministrin e Shqipërisë të shpallë kërkesën më absurde të historisë së vendit dhe Kombit tonë në New York Taims, për krijimin e Shtetit tjetër brënda Shtetit, atë të Babai me mjekër të gjatë.
Ashtu, siç ka vepruar edhe herë të tjera, spektaklin e shëmtuar, Edi Rama e bëri jashtë Shqipërisë, ashtu siç ka vepruar më parë, për mendimin tim, po krijon shtetin e oligarkëve dhe shtetin e sigurisë së kriminelëve dhe kontrabandistëve, fshehur nën petkun e fesë.
Nën petkun e unitetit fetar, të katër besimeve që mbizotërojnë në vendin tonë, vjen një propozim sa kriminal për ardhmërinë e vendit, aq edhe për ekonominë dhe forcimin e saj.
Sigurisht, që krijimi i një shteti me bazë fetare, jo vetëm dëmton imazhin e Kombit tonë, jo vetëm shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por krijon preçedentin për avancimin e rrumpallhanës që me të drejtë besimet e tjera fetare mund të kërkojnë.
Nuk dua, as më intereson të komentoj lojën apo luftën ndër fetare të besimeve në vendin tonë, as favorizimet ndaj tyre. Shteti ka detyrë të krijojë kushtet e barabarta të besimit, dhe gjithçka tjetër mbetet e tyre.
Por kur Kryeministri mysliman, me trashëgimi ortodokse dhe besim të deklaruar katolik, hedh shashka tymuese dhe përçarje për mendimin tim, të tilla dhe shumë të rrezikshme, rreziku i përcaktimit dhe i kanalizimit të Shqipërisë me epitete fundamentaliste, ekziston dhe kështu e meritojmë.
E theksova më lart, se me këtë veprim, Rama në të vërtetë kërkon të krijojë shtetin e oligarkëve dhe kriminelëve.
Mjafton të kujtojmë dhe të kuptojmë si funksionon shteti San Marino në ltali, pa doganë, pa TVSH ku kontrabanda është e hapur dhe gati gati e deklaruar.
Nqs do krijohet ky preçedent, do të shohim shumë shpejt se sasia e parave që vjelën nga taksat, do të ulet ndjeshëm. Do rrezikohen pagat e administratës dhe pensionet.
Ndërkohë krahas kësaj, ai shtet i vogël Bektashi do të mund të rezultojë një rezidencë dhe strehë e sigurtë për gjithë të kërkuarit nga SPAK-u. Pra, nuk do jetë nevoja të arratisen me pekule jashtë Shqipërisë, por do ti bëjnë karshillëk policisë së krimeve duke i parë nga ballkonet, apo nga toka e shtetit brënda në Tiranë.
Shteti i ri që pretendohet të krijohet, do të funksionoje si një oaz për oligarkët, për kriminelet, për kontrabandistët që do jetojnë pa u rrezikuar nga policia dhe burgu.
Pyetet që shtrohen:
A preket sovraniteti i Shtetit shqiptar?!
A i bën nder Shqiptarisë një diferencim i tillë dhe krijimi i një shteti islamik brënda Shtetit, sado liberal të duket apo të jetë?!
Bektashizmi, u krijua si rryme islame nga fundi i shekullit XV, dhe lindi në Anadoll nga themeluesi Haxhi Bektashi, që më vonë u transferua në Shqipëri falë konditat të kohës dhe tolerancës shqiptare.
Ndërkohë, çfarë mund të pritet nga komunitetet e tjera fetare, fjala vjen nga ajo Katolike, kur psh Mirdita njihej nga kancelarite e botës si krahinë autonome, kur në Shkodër në fillimet e shekullit të kaluar është njohur shteti i parë Shqiptar?!
Preçedenti është i rrezikshëm.
Rikthimet pas janë akoma më të rrezikshme.
E kuptoj se nuk është shaka e radhës së Edi Ramës, por lutem të jetë tullumbace për të çorientuar elektoratin në prag fushate…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu