Një situatë alarmante po zhvillohet në Aeroportin e Bergamos (Il Caravaggio International Airport), ku dhjetëra qytetarë shqiptarë janë bllokuar prej më shumë se 3 orësh në kontrollin e pasaportave.
Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, kontrollet po ushtrohen vetëm mbi shqiptarët, ndërsa pasagjerë të kombësive të tjera po kalojnë normalisht.
Pamjet dhe dëshmitë flasin për një kaos të vërtetë, që po kthehet në ferr sidomos për nënat me fëmijë të vegjël dhe të moshuarit, të detyruar të presin pa asnjë shpjegim zyrtar, pa ndihmë dhe pa respekt minimal njerëzor.
Qytetarët shprehen të indinjuar për trajtimin që po u bëhet, duke e konsideruar një diskriminim të hapur dhe poshtërues, që i trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së tretë.
Situata ka ngritur pikëpyetje të forta edhe mbi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Italisë, të promovuara publikisht si vllazërore nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, por realiteti në terren flet ndryshe.
Deri në këto momente, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet italiane apo shqiptare, ndërsa pritja vazhdon dhe tensioni rritet.
Ngjarja kërkon reagim urgjent institucional dhe transparencë të plotë për arsyet e këtij trajtimi selektiv ndaj qytetarëve shqiptarë.








