Drejtuesi i PD në Tiranë, Belind Këlliçi ka reaguar pas skandalit në varrezat e Tufinës ku përveç zhvarrosjes, shitjes së tokave nga dy herë, ka dhe një varr masiv me eshtrat e foshnjave.
Këlliçi shprehet i tronditur për mënyrën se si të ikurit nga kjo botë trajtohen dhe atë që ka ndodhur në varrezat e Tufinës e quan krim makabër.
“E papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër, si të jenë pamjet e tmerrshme të ushtarëve vrarë në luftë, hedhur kapicë nga kundërshtari në front”, shkruan Këlliçi.
Më tej i bën thirrje urgjente SPAK-ut të zbarkojë në bashki dhe të bëjë shembull përgjegjësit e këtij skandali të paimagjinueshëm.
“Thellësisht i tronditur nga denoncimi i sotëm i “Piranjave” në varrezat e Tufinës.
Përgjatë gjithë historisë, mënyra se si të ikurit nga kjo botë trajtohen, shpesh ka dëshmuar gradën e civilizimit të shoqërisë.
Çfarë pamë nga investigimi i programit “Piranja” është një krim makabër, mohimi i të cilit paturpësisht shton neverinë ndaj mungesës së humanizmit dhe shkeljes së ligjeve të shkruara e të pashkruara.
Keqtrajtimi, që u bëhet trupave të vdekur, të hershëm a të vonë shkakton një revoltë, që nis nga thellësia e psiqikës sonë. Sepse shkon kundër pritshmërisë thelbësore të qytetarisë për të trajtuar të vdekurit me respekt, nder e dinjitet.
E papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër, si të jenë pamjet e tmerrshme të ushtarëve vrarë në luftë, hedhur kapicë nga kundërshtari në front.
Kjo barbari, ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, tashmë e çon Bashkinë Tiranë në një tjetër podium, nga institucioni më i korruptuar në Europë, tashmë në institucionin më barbar të Europës!
SPAK duhet urgjent, që sonte, që në këtë moment të zbarkojë në bashki dhe të bëjë shembull përgjegjësit e këtij skandali të paimagjinueshëm.
PS: Ndjesë për pamjet tronditëse, por qytetarët duhet të dinë të vërtetën”, thotë në reagimin e tij Këlliçi.