6 persona, 3 shqiptarë dhe 3 italianë janë nën hetim pasi akuzohen për mashtrim në formën e grupit kriminal.
Ata përfituan shuma të mëdha parash nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së, duke krijuar dhe 3 kompani të rreme.
3 llogari bankare me 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milion lekë të rinj janë sekuestruar.
Njoftimi i policisë:
Nga kontrollet e ushtruara u gjetën, fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të rëndësishme për hetimet. U sekuestruan gjithashtu 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale nga këto subjekte. U këqyrën dhe u sekuestruan gjithashtu dokumente që kishin lidhje me subjektet në hetim, si dhe u kryen veprimet e nevojshme procedurale.
Nën hetim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” shtetasit:
– I. Q., E. B. dhe Z. K., shtetas shqiptarë;
– A. D., S. C. dhe S. C., shtetas italianë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.
Këto skema mashtrimi për të cilat dyshohen shtetasit e sipërpërmendur po hetohen për lidhjet me shtetasin italian V. R., i arrestuar dhe i dënuar në vitin 2009 dhe 2013, nga strukturat e policisë tatimore në Caltanissetta të Italisë, për “Mashtrim tatimor për miliona euro, e kryer nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm dhe metodik të faturave false, për mallra dhe shërbime të pakryera apo të kryera për shuma dukshëm më të ulëta”.
Gjithashtu është konstatuar përfshirja e subjektit të arrestuar nga autoritetet italiane në përvetësimin e rëndë, si dhe në rregjistrimin fiktiv të pasurisë V. R., duke shfrytëzuar rreth 11 kompani të ndryshme duke falsifikuar fatura për shërbime dhe/ose shitje mallrash të pa kryera dhe për t’u rimbusuar me TVSH.