Shkruan Gjergji Nika
Prej më shumë se një dekade, Partia Socialiste ka zotëruar jo vetëm pushtetin qendror, por edhe ka qeverisur në shumë bashki, përfshirë edhe Vlorën, të cilën e drejton qysh nga viti i mbrapshtë 1997.
Por gjatë kësaj kohe, struktura e brendshme e PS-së është kthyer nga një organizatë politike në një sistem të mbyllur klientelist. Vendimmarrja nuk i takon më socialistëve të thjeshtë, por një rrethi të ngushtë ekonomik që kontrollon çdo emërim dhe tender, duke bërë që shumë socialistë të ndihen të përjashtuar nga partia e tyre, të humbin zërin dhe dinjitetin politik.
Ata nuk shohin më tek PS një instrument për të ndryshuar jetën e tyre, por një makineri që punon për pak individë të lidhur me oligarkinë.
Vlora, dikur simbol i majtës së qytetëruar, është sot shembulli i paradoksit socialist: një qytet me shumë potencial ekonomik, kulturor e ekonomik të shndërruar në një model të shëmtuar të mbizotërimit të papunësisë, shtrenjtësisë, depresionit qytetar dhe largimit masiv të të rinjve.
Ndërkohë që oligarkët përreth pushtetit kanë ndërtuar vila e resorte, qytetarët e thjeshtë shohin që shërbimet publike janë degraduar, infrastruktura lokale është lënë pas dore dhe shkatërruar nga ai që e ka projektuar dhe duhet ta zbatonte, ndërsa korrupsioni dhe paftësia është përditshmëria e vlonjatëve..
Në këtë realitet, shumë socialistë “bio” ndihen politikisht pa strehë.
Ata nuk janë bërë opozitarë për ideologji, por për mbijetesë morale dhe qytetare.
Prandaj kandidati opozitar për zgjedhjet e pjesshme edhe nga socialistët duhet të shikohet si “shpresa e fundit” për një ndryshim real në qytet.
Në sytë e shumë socialistëve vlonjatë, kandidati opozitar është jo thjesht rival i kandidatit të Kryeministrit, por instrumenti i vetëm i mbetur për të çliruar qytetin nga kontrolli i oligarkëve.
Ai shihet si një mundësi për t’u rikthyer transparenca dhe llogaridhënia në bashki, ndalimi i abuzimeve me pronat publike dhe krijimi i një pushteti vendor që u përket qytetarëve, jo investitorëve të afërt me pushtetin qendror.
Në këtë kuptim, votimi për opozitën nuk është tradhti ndaj PS-së, por një formë rezistence ndaj kapjes së PS-së nga interesat private.
Socialistët e zhgënjyer nuk janë bërë papritur të djathtë. Ata kërkojnë vlera të majta të vërteta: barazi, drejtësi, ndershmëri dhe respekt për punën.
Kur këto vlera mungojnë brenda shtëpisë politike, qytetari i ndërgjegjshëm, qoftë edhe socialist, kërkon një rrugë tjetër edhe nëse ajo kalon përkohësisht nga opozita.
Në fakt, ky është një akt politik emancipues, pasi ndëshkon korrupsionin “tënd”, për të shpëtuar idetë, të cilat besove dikur.
Nëse Vlora do të shënojë një valë votash të socialistëve drejt opozitës, (gjë që kam shumë dyshime se do të ndodhë) atëherë kjo nuk duhet parë si një ndëshkim lokal, por një kambanë alarmi për PS-në në tërësi.
Tregues se elektorati i majtë po kërkon rikthimin e moralit politik, të meritokracisë dhe respektit për bazën.
Nëse PS nuk e kupton këtë sinjal, ajo rrezikon të humbasë jo vetëm pushtetin vendor, por edhe identitetin politik që e mbajti gjallë për tri dekada.
Nëse në Vlorë, në zgjedhjet e pjesshme lokale një pjesë e socialistëve bio votojnë kandidatin e opozitës, ata nuk votojnë kundër partisë së tyre, por për ta shpëtuar atë.
Ndaj i rikthehem titullit që kandidati opozitar është shpresa e fundit edhe për socialistët për drejtësi, barazi dhe dinjitet qytetar.








