Gazetarja Ola Xama, ka shpjeguar se si pastrohen paratë me kullat në Tiranë.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Xama tha se, në Tiranë ka 51 mijë apartamente bosh, por ende vijon të ndërtohet masivisht. Pas 7 kullave të miratuara në dhjetor, sipas gazetares do të ketë edhe 12 kulla të tjera.
“50 mijë banesa janë bosh, nuk kanë konsumuar energji elektrike. Erion Veliaj thotë se ka të huaj që vijnë. Thotë edhe se nuk ka endacakë në Tiranë, por në fakt 41 endacakë kanë vdekur gjatë vitit 2023. Më bëri përshtypje si statistikë, media nuk u jep fare vëmendje, kategoria që ka më shumë nevojë.
Ka një problem logjik dhe aritmetik ekonomia e qytetit. Shohim të dhëna që janë 51 mijë apartamente bosh. Këto përbëjnë 20% të të gjithë ndërtesave në Tiranë. Kanë lidhur kontratë me OSHEE. Nuk futen këtu apartamentet që nuk janë shitur fare, do t’i shohim kur të dalin të dhënat e censusit. Nga ana tjetër, shohim që çmimi i aparatamenteve rritet, por edhe kërkesat për leje ndërtimi rriten.
E keni bërë në emisionin tuaj lejet për shtatë projektet e kullave. Po ashtu janë edhe 12 të tjera. Po të llogarisim sipërfaqjen, janë afro 500 mijë metra katrorë që do të jenë vetëm kulla. Çfarë do të ndodhë me ndotjen? Me trafikun? Me infrastrukturën?
Nga ana tjetër, qyteti rrezikon edhe kolapsin ekonomik. Në momentin që ndërton dhe pastaj pritet burimi i parave të pista, atëherë fuqia bie dhe do të bien edhe çmimet. Në momentin që një pjesë e tyre do të jenë marrë si kolateral nga bankat, mund të krijojë tronditje në tregun financiar.
BB dhe FMN ka këshilluar që të merren politika makro prudenciale. Ka thënë të rriten normat e interesit. Shohin risk në sektorin e ndërtimit. Nga ana tjetër, pjesa që 50 mijë apartamente janë bosh, janë si investimi që paratë kesh nuk i mban në shtëpi, por i mban në këtë mënyrë”, tha Xama.