Një tjetër kallëzim është depozituar këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Kallëzimi është bërë nga Partia Demokratike, që e akuzon Erion Veliajn për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorim të kontributeve të dhëna nga shteti.
Në një deklaratë për mediat në dalje të prokurorisë, shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu tha se taksat e mbledhura për rindërtim shkollash, Erion Veliaj i ka dërguar te inceneratori i Tiranës.
Dhje kjo ndodh, shtoi, kur ka zona në kryeqytet që nuk kanë shkolla e kopshte publike, duke sjellë në vëmendje Astirin.
“Kallëzimi është bërë për taksën e arsimit e cila ishte një taksë e përkohshme ndërsa tani është bërë e përhershme por për më tepër është dyfishuar. Kjo taksë ishte për rindërtimin e shkollave, ku ai deklaroi se janë ndërtuar 46 shkolla, por kjo nuk është e vërtetë pasi 26 prej tyre janë ndërtuar nga organizata partnere dhe subjekte të tjera të cilat ishin shkolla që kishin nevojë vetëm për konstruksion dhe jo nga fillimi”, tha ai.
“Këto taksa që duhet të përdoreshin në shërbim të qytetarëve shkojnë për inceneratorin dhe paratë e taksave të infrastrukturë kanë shkuar përsëri te inceneratori. Ka shkolla që janë ndërtuar me këtë taksë, por shuma e mbledhur nuk justifikon ndërtimet e bëra deri më sot sepse duhet të ishin ndërtuar shumë më shumë shkolla. Pyetja jonë është se ku kanë shkuar këto para dhe ku janë shpenzuar. Një pjesë ka shkuar te inceneratori i Tiranës, një pjesë tjetër mund të ketë shkuar në xhepin e Erion Veliajt”, shtoi ish-deputeti demokrat, i cili e cilësoi Veliajn “pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës”.
Opozita ka depozituar disa kallëzime në SPAK ndaj Veliaj, për abuzime me tendera, asfalteve elektorale, apo çështjen e teatrit. Megjithatë, deri më tani, Prokuroria e posaçme nuk ka ngritur asnjë akuzë penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Në emër të PD-Rithemelimi, Klevis Balliu, depozitoi një kallëzim në SPAK kundër kryebashkiakut Erion Veliaj. Kallëzimi është bërë për “shpërdorim të detyrës” dhe “tjetërsim të fondeve”.
Sipas Balliut, Bashkia e Tiranës ka abuzuar me taksën e përkohshme të infrastrukturës, që duhet të shkojë veç për ndërtimin e shkollave, por ka shkuar edhe për qëllime të tjera.